More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: “Thikat” e Zija Çelës në lojën e artit

    Ballsor Hoxha: “Thikat” e Zija Çelës në lojën e artit

    Çfarë ka mbetur nga letërsia sot? Dhe kjo pyetje të vjen në mendje pikërisht në leximin e një mrekullie si përmbledhja e tregimeve të Zija Çelës “Thika pa gjak”. Kjo mrekulli e gjendur përballë hiçit të Publikes që po vuan zhveshjen e Botës (si Publike po ashtu). Apo ta themi shkurtë, ç’ po ndodh me letërsinë sot?

    Letërsia është bërë vetëdije, vetëdijesim tejet i kthjelltë, i prekshëm dhe i zëshëm ndaj humbjes së ndërnjerëzores, ndaj këtij ankthi të hiçit.

    Dhe në anën tjetër, Publikja, çdo gjë që është e turmës, është një ikje në galop nga po e njëjta, nga vetëdijesimi se qëniesojmë pikërisht sikur këta që jemi, e ajo që jemi është pikërisht ajo nga e cila po ikim.

    A është e tëra një deziluzionim, apo jemi më afër ankthit të humbjes së gjurmës sonë në vetë botën tonë?

    “Çdo gjë është brënda tekstit”, thuhet në teorinë e dekonstruksionit dhe në poststrukturalizëm. 

    Po ashtu, sipas po të njëjtës, – gjurma – e origjinares, së – fshirë – në prezencë, është evidente në çdo tekst. Dhe më tutje, në të njëjtën, thuhet se në tekst është vetë autori, pa nevojë të dilet në Pozitivizëm dhe të kërkohet në autobiografi të tij. 

    Le ta marrim shembull tregimin “Përpara portës”, ku prej tekstit vetë mund të arrijmë më tutje në gjakimin e autorit për të ‘vazhduar’ dashurinë dhe bashkëndjesinë për njeriun. Për të rilidhur të humburën e pakthyeshme dhe për të rigjetur të humburën.

    Në të vërtetë, ajo që është – fshirë – nga prezenca, këtu shfaqet në – gjurmën – e origjinares së tekstit të Çelës, dhe në këtë shpërfaq në zinxhirë fenomene prej hapjes dhe të të paspërjetuarit të ankthit ekzistencial, rilidhjes së njeriut me njeriun dhe, në fund, empatinë e pashkatërrueshme që shkakton përjetimi i ankthit të përjetuar ekzistencial.

    Kjo është pra pikënisja e tregimit të Zija Çelës.

    Mirëpo ky punim ka të bëjë me përmbledhjen me tregime “Thika pa gjak” të autorit Zija Çela si diskutim me esenë e filozofit dhe zanafillës së post-strukralizmit Maurice Blanchot “Nga ankthi deri te gjuha” (From Dread to Language).

    Ajo që bën letërsia, në tërë “çorodinë” e teorisë dhe të interpretuesve për vdekjen e autorit e për vdekjen e letërsisë është përvijimi i ndërnjerëzores dhe me këtë lënia e një shenje, një gjurme dhe një gjakimi – të cilin në përhershmëri e – fshin – prezenca/Publikja e cila ik prej pikërisht ankthit ekzistencial dhe empatisë së këtij teksti në fjalë. Prandaj këtu po i përballim, gjithnjë pa e shpaluar mrekullinë e teksteve/tekstit të Zija Çelës, përmbledhjen e tij me tregime, dhe saktësinë e filozofisë së Maurice Blanchot, e cila thotë pikërisht të kundërtën e kësaj “çorodie” teoretimesh dhe interpretimesh.

    (Për të diskutuar këto dy tekste kemi vënë përballë citime nga kjo ese dhe shtjellimin e tekstit të Çelës.)

    1. citimi i parë i Blanchot:

    Një shkrimtar i cili shkruan “jam i vetmuar”, apo sikur Rembo, “Jam me të vërtetë nga prapa varrit”, mund të merret si komike. Është komike për njeriun që të njohë vetminë  e vet, duke iu adresuar lexuesit dhe duke përdorur metoda që e ndalojnë po të njëjtin individ nga të qenit i vetmuar. Fjala  i vetmuar është e përgjithshme, po aq sa edhe fjala bukë. Të shprehurit e saj do të thotë të thërrasësh praninë e tërë asaj, që po e njëjta fjalë përjashton. Çka është e mjaftueshme që fjalët e bëjnë punën e tyre dhe me këtë e bëjnë letërsinë të pamundshme. “Unë” e shkrimtarit ka kuptim të thjeshtë (askush afër meje), gjë që përdorimi i gjuhës e kundërshton vetëm në dukje… Si mund të jetë një person i vetmuar, nëse ai na rrëfehet se është i vetmuar? Ai në të vërtetë na thërret për të na shmangur; ai argëtohet në ne për të na bindur se nuk është duke u argëtuar në ne; ai flet gjuhën e njerëzve në momentin kur më nuk ka për atë as gjuhë dhe as njeri. Është lehtë të besohet se ky person, i cili duhet të jetë i ndarë nga vetja përmes dëshpërimit, jo vetëm se e mban mendimin e ndonjë personi tjetër, por edhe përdor këtë vetmi për të krijuar një efekt që shkatërron po të njëjtën vetmi. (Kjo është hyrja në esenë e Blanchot).

    Kjo do të thotë, gjithnjë sipas Blanchot, se në të vërtetë gjuha e bën të pamundshme tërë ndërmarrjen totale dhe absolute të shkrimit, si kotësi përballë logjikës së saj.

    Duke e parë më me kujdes tregimin e Zija Çelës hasim në tri elemente kyçe:

    1. habia, qoftë filozofike qoftë fenomenologjike, posaçërisht e ndër-njerëzores.

    2. paradoksi, si përmbysje e rrjedhës së vetëdijes së njeriut në një zgjidhje, të cilën e dikton vetë rastësia!

    3. dhe empatia, si arritje e tjetrit, si motiv i të shkruarit.

    Shembulli më i mirë këtu është tregimi “Thika pa gjak” në përmbledhjen me të njëjtin titull, dhe përfundimi i tregimit: “Sa shumë thika të tilla, prej trazimesh të gjithfarshme, mban fshehur njerëzimi në zemrën e vet.”

    Në të vërtetë autori këtu, thënë më saktë teksti, zgjon, thërret përtej vetmisë së tij, tenton të ngjitet mbi estetikën dhe artin dhe fiksionin argëtues, në thirrje çlirimtare dhe thirrje përtej shpirtngushtësisë së njeriut.

    Por kjo është dëshmia ekzakte e ankthit, ankthit që edhe zhbën çdo përpjekje për të thirrur e çdo përpjekje për të emëruar (Heidegger).

     Dhe më tutje në këtë përballje, të esesë së Blanchot me tekstin e Çelës, vazhdon me sa vijon

    2. citimi i dytë i esesë së Blanchot:

    Sipas po së njëjtës ese, shkrimi është i ngjashëm me bixhozin, që fillon si lojë, por më tutje kalon në investim të realitetit në lojë, gjë e cila kalon nga loja në realitet. Kështu, nëse shkrimtari do të hedhë ndarjen e zareve të bixhozit për atë që shkruan, ai mund ta bëjë këtë duke investuar në atë tërë reflektimin, të njëjtin kërkim për gjuhën, përpjekjen e njëjtë të pafavorshme dhe të kotë të të shkruarit. Për shkrimtarin bixhozi është vetë shkruarit, të shkruarit duke i bërë dyja, edhe duke shndërruar mendjen e tij dhe po ashtu dhuntitë e tij në rastësi të vërtetë.

    Tregimi i Zija Çelës është pikërisht mishërimi i çdo qelize të shkrimtarit përbrenda tekstit të tij, është edhe mendja edhe dhuntia e tij, jo vetëm si teknikë e të shkruarit, por sidomos duke përfshirë – empatinë – e tij si njeri. 

    Shkrimtari Zija Çela është një “kumarxhi” i pashërueshëm, i cili në tregimin e tij investon tërë atë që e ka dhe tërë atë që mund ta imagjinojë, vetëm e vetëm për të arritur në tjetrin, për të gjetur dhe shkundur e kthjelluar tjetrin. (Tregimet “Shuplaka e motrës”; “Banka e ankesave”, etj)

    Sidoqoftë, në këtë citat të dytë, Blanchot flet për ankthin e shkrimtarit, që është nën ndikimin e ankthit (ekzistencial, të vdekjes, etj), ankthit që neutralizon çdo përpjekje të tij dhe në këtë gjendje shkrimtari kërkon në rastësinë për të gjetur një mundësi të shprehjes, qoftë të ankthit, qoftë të motivit të tij. 

    Mirëpo rastësia është vetë kumari, që nuk arrin asnjëherë të krijojë një gjuhë të veten, një rregull personal, duke qenë se i kthehet vetë gjuhës së origjinares.

    3. Citimi i tretë i esesë së Blanchot:

    Objekti i idealit të “fjalëve të çliruara” nuk është për të liruar këto fjalë nga të gjitha rregullat, por të lirohen ato nga rregulli të cilit personi nuk i bindet më, në mënyrë që i njëjti person t’i nënshtrojë ato ndaj një rregulli që e ndien vetvetiu. Ka një përpjekje që akti i të shkruarit të ketë shkakun e një stuhie të rregullit dhe të një paroksizmi (shpërthimi) të vetëdijes aq më shumë të plotësuar me ankth, për shkak se kjo vetëdije e organizimit të pagabimtë është gjithashtu vetëdija e një dështimi absolut të rregullit

    Kështu që, për të shpikur rregulla të reja, është jo më shumë se të shpikësh rregullat e vjetra; përkundrazi. Është më e vështirë të rizgjohet  gjuhën e zakonshme rregulli i cili ështëfshirënga ai, për t’iu bindur shprehisë njëjtë sikur thirrjeve të vetë reflektimit. Për t’i dhënë kuptim më pastër fjalëve të fisit(origjinares), mund të jetë t’u japësh fjalëve kuptim të ri, por është po ashtu e njëjta gjë, do të thotë t’u japësh fjalëve kuptimin e vjetër për t’ua dhuruar fjalëve kuptimin që e kanë, duke i ringjallur ashtu siç nuk kanë ndaluar së qeni.

    Tregimi i Zija Çelës është pikërisht ajo që citohet më lart, është ambiguiteti i çlirimit të gjuhës nga zakonshmëria e saj dhe, në të njëjtën kohë, huazimi i gjuhës së “fisit” për të shprehur ‘habinë’ dhe empatinë e tij ndaj njerëzimit.

    Që prej “Ankthit të influencës” e deri tek Umberto Eco, e të tjerë, të gjitha këto fenomene bashkëkohore, ato të dyzimit, ndërthurjes dhe të intertekstualitetit (postmodern) në të vërtetë janë huazime nga filozofia e Maurice Blanchot, janë po i njëjti ambiguitet i çlirimit të fjalës nga “logjika” e saj rrënuese, dhe të “huazimit” të gjuhës së “fisit” për të shpikur vetë rregullin e saj dhe të rregullit personal. (Këtu do të kishim cekur posaçërisht tekstin e tregimit “Udhëtim në rrotullim”; “Banka e ankesave”; “Nëna e fluturuesit”.)

    4. Citimi i katërt dhe fundi i esesë së Blanchot:

    Çdo gjë mendjen e shkrimtarit, për këtë arsye, përpiqet të jetë e domosdoshme si lidhje dhe vlerë e testuar; çdo gjë kujtimin e shkrimtarit përpiqet të jetë kujtim i një gjuhe, e cila ende nuk është shpikur dhe të jetë shpikja e gjuhës personi e kujton; për secilin operacion lidhet direkt një kuptim, dhe në këto operacione si grup, korrespondon ai kuptimi tjetër se nuk ka një kuptim të dalluar për asnjërin prej tyre; fjalët kanë kuptimin e tyre si zëvendësim për ide, por gjithashtu për një kompozicion të zërave dhe të një realiteti fizik; imazhet shënjojnë veten si imazhe, dhe mendimet pohojnë domosdonë e dyfishtë se bashkëshoqërojnë ato me shprehje të caktuara dhe i bëjnë këto mendime të mendimeve të tjera. Vetëm këtu shkrimtari mund  thotë se çdo gjë e shkruar ka, për shkrimtarin, kuptimin më madh të mundshëm, por se ka edhe kuptimin e veti cili është kuptim i lidhur me rastësinë, e që është jokuptim. Natyrisht, duke qenë se vetëdija estetike është e vetëdijshme vetëm për një pjesë të asaj që bën, përpjekja për të arritur domosdonë absolute edhe permes kësajështë kotësi absolute që është gjithëherë e kotë. Nuk mund të ketë sukses, dhe është kjo pamundësi e suksesit, të arritjes së fundit, që është e njëjta gjë sikur kurrë të mos ketë pasur sukses, çka e bën gjithëherë mundshme. Gjë mban pak kuptim nga fakti se kurrë nuk e pranon tërë kuptimin e saj dhe është i plotësuar me ankthin për shkak se nuk mund të jetë ankth i pastër

    Teksti i Zija Çelës është po ashtu në mes të rastësisë së gjuhës, rikujtimit të saj në “fisin” – origjinaren e saj, dhe të kuptimit që është kuptim dhe në të njëjtën kohë edhe jokuptim. 

    Ankthi për të cilin flet Blanchot, është cekur qysh në fillim, i lidhur me dy fenomene: “Logjikën” e gjuhës përballë të komunikuarit të “vetmisë” së tjetrit, dhe të ankthit i cili  është paravetëdijes, paranjerëzor dhe primodrial, të cilin, sipas Blanchot, as nuk mund ta mishërojmë dhe as ta anashkalojmë në shkrim. 

    Por për këtë le t’i kthehemi tregimit “Përgjigjet e munguara”:

     A mundemi të shohim në tregimet e Zija Çelës origjinaren, pra ‘vetminë e njeriut’ dhe ikjen nga ajo përmes ‘zgjedhjes’ së personazheve? Në të vërtetë, në veprën e Blanchot “Hapësira e Letërsisë”, thuhet se shkrimtari për të ikur “nga kjo komike dhe nga kjo patetikë dhe asgjë e gjuhës”, krijon ‘Hapësirën’ e letërsisë, duke e kaluar letërsinë nga “Unë jam i vetmuar”, në “Ai është i vetmuar”, pra duke e kaluar përjetimin dhe rrëfimin nga veta e parë në vetën e tretë. Gjë që e kalon origjinaren (sipas Post-strukturalizmit) në prezencë, dhe prezenca duke u kompleksuar në të gjitha kohët.

     Kjo është evidente dhe më lehtë e kapshme përmes tregimeve “Shkurre me lepuj” dhe “Timoni”, ku autori ka krijuar situatën. Në të parin, narratori në emër të tij personal prezanton letrën intime të një personazhi, ndërsa në të dytin kjo bëhet përmes një psikologu, për të cilin rrëfehet nga narratori dhe ku është një letër drejtuar po të njëjtit psikolog.

    Në tregimin e parë është një rrëfim intim i një personazheje, e cila e lut narratorin ta bëjë publike letrën e saj. Kjo nuk është vetëm ikje nga komikja e asgjësë së letërsisë, kjo në të njëjtën kohë është edhe krijimi i hapësirës së letërsisë, marrje e territorit të saj dhe të thyerjes së kokëfortësisë së logjikës së fjalëve.

    Aq më shumë në tregimin “Timoni” kjo bëhet në teknikë më klasike, teksa autori i padukshëm rrëfen për përvojën e një psikologu dhe “një të fejuare” që atij i ka dërguar letër. Por, megjithatë, hapësira e letërsisë është krejtësisht e përkufizuar, e prekshme dhe e kuptueshme.

    Dhe pikërisht në hyjren e esesë së Blanchot është edhe vetë çelësi i leximit, si të tregimeve dhe të shkrimit të Zija Çelës, dhe po ashtu edhe të kësaj eseje: Është lehtë besohet se ky person, i cili duhet të jetë i ndarë nga vetja përmes dëshpërimit, jo vetëm se e mban mendimin e ndonjë personi tjetër, por edhe e përdor këtë vetmi për krijuar një efekt që shkatërron po të njëjtën vetmi.

    Mirëpo kjo në të vërtetë thërret aporinë e ankthit të të shkruarit. Të shprehurit e ankthit edhe në kotësinë e të shkruarit për shkak të ankthit. Gjë që e vë në dualitet shkrimtarin edhe si ankth i mungesës së logjikës në zanatin e tij, por edhe si domosdoshmëri e të shkruarit. Në të vërtetë, sipas Blanchot, ekzistenca e shkrimtarit është dëshmia që brenda një individi gjenden edhe një i “çmendur” dhe një qenie e “arsyeshme”.

    Këtu, duke iu kthyer hyrjes së punimit, mbi thënien se “çdo gjë është brenda tekstit” dhe se “edhe autori është brenda tekstit”, lehtë mund të vijmë në përafrimin e tekstit brenda vetes si ankth i ndër – njerëzores, ankth i zhveshjes së kuptimit dhe ankth i çlirimit të vetëdijes nga kuptimi, në njërën anë; dhe në anën tjetër, si ankth për rënien e shkrimit/shkrimtarit brenda Publikes, absorbimit të tij në të Pa-vërejtshmen e Publikes (Heidegger, Kierkegaard), dhe me këtë dyzimin e shkrimtarit përballë letërsisë, shkrimit, në një të “çmendur” dhe një të “arsyeshëm” brenda tekstit. 

    Eseja në fjalë në këtë punim, niset nga kotësia dhe aq më shumë njëlloj “abuzimi i vetmisë” së shkrimtarit, që kalon në kumar dhe “investim” të tërë vetes së tij në këtë domosdo, pastaj në ankth të gjetjes së gjuhës, e cila do të shprehte edhe ankthin e lartpërmendur, edhe ankthin primordial, por që e sjell shkrimin në kotësi dhe jokuptim; dhe deri tek gjetja e gjuhës në rrënimin e rregullit të saj, për ta rigjetur përmes po të njëjtit rrënim, sado në pamundësi për t’i ikur rregullit të “fisit”.

    Përballë, përmbledhja me tregime e Zija Çelës është në të vërtetë një lojë me këtë ambiguitet, herë e dalë haptas si shpallje e shkrimit dhe letërsisë si nevojë shpirtërore, qoftë në empatinë e saj, dhe qoftë në pandjeshmërinë e lojës postmoderne; dhe, së dyti, është pikërisht ankthi i të ndierit të vetëzbrazjes së ankthit, dhe po ashtu të gjithpërfshirjes së “Botës” si Publike nga ankthi, brenda dhe jashtë tij, në të brendshmen dhe në të jashtmen e tij.

    Andaj, ç’është kjo “çmenduri” që e filozofon Blanchot dhe e hasim në çdo letërsi në absoluten e saj, dhe aq më shumë në ‘luciditetin’ e ZIja Çelës? A është kumti, apo “Kotësia” e kumtit, apo të dyja bashkë, të veshura me dhembjen e ekzistencës. 

    Sidoqoftë, duke mos shpaluar tërë mrekullinë e përmbajtjeve të prozës së autorit, tregimi i Zija Çelës është çelës dhe përballje me këtë ‘hiç’, ballë për ballë dhe haptas, që nëse e neutralizon ankthi i kudondodhshëm, së paku është ajo që e thotë ky tekst sublim në tregimin “Përpara portës”:

    Nëse më hapet dera për të kaluar, po nuk e pashë te pragu, do të kërkoj të kthehem dhe do t’i lutem Supremit Absolut të marrë tjetër vendim për mua. Jo, nuk mund ta pranoj parajsën, nëse nuk kam qenë në gjendje të lë gjurmë të pashlyeshme tek im bir.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË