More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Kthim në emërim të jetës dhe, guximi autorial i Zejnullah...

    Ballsor Hoxha: Kthim në emërim të jetës dhe, guximi autorial i Zejnullah Rrahmanit

    Një autor si Zejnullah Rrahmani i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, sigurisht është edhe i paparashikueshëm në letërsinë e tij. Dhe, ajo që është e paparashikueshme në vazhdimin e letërsisë së tij si autor, përmes diptikut të tij “Djemtë e Ballfocit” dhe të “Deti i zi” vjen me një kthim, retro, që si në testament letërsie, dhe për letërsinë, është e tëra gjuhë – emërim.

    Është tejet vështirë të hamendësohet, por kjo gjuhë është e pakufishme, pakufishëm e shtrirë në naiven njerëzore. Lehtë dhe lirshëm e pastër. Është në të vërtetë një sh’lirim i gjuhës dhe me këtë estetikës së saj, në shprehje rrënjësisht të pastër, apo thënë më saktë rrënjësisht lehtë të skalitur.

    Hyrje

    Diptiku “Djemtë e Ballfocit” dhe Deti i zi” edhe mund të lexohet, sigurisht, si teknikë postmoderne, por jo edhe e fiksuar dhe as e menduar autoriale e Rrahmanit, është në të vërtetë ankth krijimi autorial i këtij shkrimtari për të gjetur një gjuhë të re/të vjetër po aq sa gjuha, po aq sa emërimi, po aq sa naivja njerëzore.

    Dhe, ky diptik, në të vërtetë përmban pikërisht këtë guxim dhe rrezik autorial, retro gjuhën, si dhe naiven që buron, apo thënë më saktësisht hapet pandalshëm përbrenda gjuhës retro, gjuhës së parë, gjuhës së pastruar skemës së premtimit për dramë.

    Gjuha, që po e quajmë, gjuha e parë, ajo e emërimit të gjërave, vetë emërimit, nuk ka një konflikt brenda shtjellimit të saj, as dramë, as nuk përmban ankth dhe as lojë. Është, për shkak të këtyre, apo thënë anasjelltas, këto mundësohen, duke mos pasur një qëllim të premtuar, një shpresë, apo një humanizëm të skematizuar brenda po kësaj izme.

    Në të vërtetë pikërisht këtu fillon ajo naivja që buron brenda kësaj gjuhe të parë, njerëzore, dhe të universit të gjuhës, si fenomen para vdekjes, do ta quanim me kusht, para ankthit të vdekjes, para ankthit të fundit dhe përfundimit të gjërave (gjë që është temë – nëse mund të ketë një në këtë diptik – në pjesën e parë të diptikut me të gjitha rrëfimet, deri në atë të fundit Zahiri).

    Naivja, që është ndoshta mençuria e vetme e njeriut në këtë univers, ende e pavetëdijësuar, apo e paravetëdijshme, para vetë vetëdijes, e kjo qark ankthi ndaj dhe ndan vdekjes, është vetë mungesa e vdekjes, vetë jeta (qoftë edhe duke shkuar aq larg si në “Pedro Paramo të Juan Rulfos, por pa skemën e dramatizimit të jetës/vdekjes sipas modernes, apo pa strukturën faj – ndëshkim) pa një kufi, para apo pas, pa një arsye (racio!), pa një nisje.

    Në të vërtetë në këto dy vepra të tij, që disa i quajnë njërin roman e tjetrin përmbledhje me tregime, por që unë do t’i quaja urtësi estetike në formë/zhanër libri testament, është e tëra gjuhë – udhë, vetë gjuha ajo që e mbanë peshën e estetikës dhe shprehjes së tij. Është gjuha, në të vërtetë, që duhet të shtrijë tërë metaforën dhe kalimin e shprehjes nëpër metafora duke krijuar letërsi. Mirëpo, në të vërtetë, sa më thellë që lexohet ky diptik, aq më shumë ai mbetet gjuha, jo gjuhë, por gjuha si jetë dhe jetësim për njeriun.

    Sa i përket asaj që do ta quajmë në mënyrë të kushtëzuar, narrativin e këtij diptiku, vlen të ceket se ai në pjesën e parë ka një lehtësi aq të thjeshtë rrëfimi që është shumë afër lindjes së rrëfimit të parë në tërë historinë e rrëfimit, gjë që është edhe analogjia e tij dhe me këtë kërkimi i tij.

    Në pjesën e parë të këtij diptiku lind edhe Adami dhe Eva (gjegjësisht Ademi dhe Eva), dhe atë pikërisht në fshatin e lindjes së autorit, në Ballofc të Podujevës, të cilët i marrin policia më pastaj, pikërisht me vetura etj, deri në fund të kësaj pjese kur dhe kthehemi tek vetë autori/narrator i Ballfocit, i cili ikë për në Prishtinë, etj, dhe me këtë lindë tërë historia e universit të këtij njerëzimit, sipas librave, të quajtur të parët!

    Ndërsa, në pjesën e dytë të diptikut, aty ku gjuha është e hollë dhe e dhënë mu sikur lëkurë peme, e lehtë por po aq e rrëshqitshme, bartë vetëm dy mënyra të shprehjes, sipas modernes, që do të thotë bartë dy teknika rrëfimi apo të metaforës:

    a.        Shprehjen e rrafshët/urtake

    në të cilën është e dhënë jeta, qenia, konflikti, apo hiç këtë të fundit, e pa këtë duke mbetur vetëm dashuria, ku narrativi (nëse duhet të kemi një të tillë!) është i rikthyer deri në pastrim (dhe jo vetëm pastërti) që lindë gjuhën përtej edhe metaforës, edhe imazhit (imagjinares)/simbolikes së riprodhuar nga realja, duke e shtrirë dhe kërkuar të rrafshëtën e udhës së shikimit, ndjenjës dhe kognicionit të parë të njeriut.

    Dy shembuj:

    Dashuria

    “Dashuria i kish ardhur shpërfillshëm dhe po vriste çdo gjë tjetër në të.

    Po shpërndante lumturi, fshehtësi dhe jetë të re.

    (fq 82, Deti i zi)

    dhe

    Pranvera e dashurisë

    Në kopsht filluan degët të lëkunden nga erërat e pranverës.

    Qiparisat u tundën lehtë…

    Mollët shkundën gjethet e mbramë të dimrit.

    Dhe sythat e jargavanit u frynë

    … Po vinte dashuria

    (fq.80, Deti i zi)

    Në këto dy rrëfime, të dhëna të plota këtu, gjëja e parë që ndodhë është tronditja nga mungesa e dramës, kalimeve të shprehjes, të metaforizimit dhe të skalitjes së simbolit. Është gjuhësi urtake, e plotë përvoje dhe pa asnjë mungesë apo dëshirë të trandjes së nocionit dashuri.

    Së dyti kalojmë në një asnjanësi bartjeje (të ashtuquajturit aktant, apo shënjim e shenjë) dhe jemi të neutralizuar çfarëdo premtimi dhe kërkimi të këtij premtimi, është gjendje, tërësisht e pamotivuar në rrëfim.

    Së treti, duke qenë të tronditur nga kjo gjendje, mund edhe, apo ndoshta, të rikthehemi në gjuhën e parë, atë të pa skemën e premtuar. Kështu duke jetësuar dashurinë ashtu si është, shpërfillshëm dhe thjeshtë si jetë.

    Apo, duke qenë se autori duhet të krijojë analogjinë, jo më për përpjekjen e tij autoriale, as për ndonjë premtim skeme narrativi, por për të ndërmjetësuar me lexuesin, shfaqet referenca ‘pranvera’, e cila është për-shkruar në thjeshtësinë më të thellë më serioze dhe më të prerë të mundshme, për t’i lënë vend jo vetëm ndjenjës që buron ky fenomen, por aq më shumë për të lënë gjuhën, në atë që Heidegger e quan – emërim i gjërave – e që është gjendja e saj primare, e pa-marrëveshje, e pa Publiken e skemës së narrativit, cilitdo.  

    b.       Metaforën Lindore/Orientale të pakufishmërisë së njeriut/shprehjes së liruar nga ego:

    në të cilën shkrihet ajo që e quajmë ego, e që është vetë kufiri i dëshirës, në mishërim të padallueshëm të dy krijesave. Kjo duke e krijuar një dinamikë të lehtë, duke e bërë të durueshme këtë rrafsh të të pastrës së testamentit.

    E shkrirë nëpër lulet e kopshtit

    … Mandej qëndruan përballë dhe Zena e pa se si fustani i saj i gjatë e i brishtë e me lule po shkrihej në bar e se si pastaj edhe Ajo po shkrihej nëpër lulet e barin e shkurret e lulëzuara dhe sado që fshihej nëpër ngjyra e forma të kopshtit, ai e shihte kudo: ishte nëpër ajër e nëpër bimë e nëpër dherat e tokës e nëpër ujërat…Ajo ishte gjithkund dhe çkado që ai prekte me dorë e me sy, ajo ofshante e shkrihej në kënaqësi të prekjeve…

    Ai e prekte dhe e shijonte nëpër të gjitha, bashkë me aromat e luleve.

    (Fq. 72, Deti i zi)

    Guximi autorial si i Zejnullah Rrahmanit

    Apo, për të qartësuar, çka është guximi autorial? Me sa vijon është një përpjekje për të dhënë një përgjigje në këtë.

    Obsesioni sipas mësimeve të psikanalizës është shtytja dhe pandalshmëria e dëshirës së motivuar nga asocijimet e brendshme. Obsesioni është vetë zjarri i cili bartet nga dëshira, si frymë, që rrokë botën përreth dhe e nënshtron në atë që është sublimuar nga ky zjarr njerëzor.

    Në këtë letërsia e autorit Zejnullah Rrahmani shfaqet si obsesion, i ankthit të tij ekzistencial dhe i idesë së buruar nga po ky.

    Letërsia e Zejnullah Rrahmanit që prej nisjes së saj e deri më sot është gjithnjë kontroversë, gjithnjë ndryshe, dhe gjithnjë eksploatim dhe eksplorim, jo më eksperimentim, i mundësive të romanit, dhe aq më shumë prozës, e më saktë të vetë gjuhës së letërsisë shqipe.

    Është gjithnjë kontroversë në të qenit tej çdo skeme, dhe të eksploatimit të asaj që premtojnë skemat. Gjithnjë duke qenë edhe në refuzim të skemës por edhe në riformësim të saj. Gjithnjë rrallë e prekshme dhe e arritshme, dhe gjithnjë rrallë e skematizueshme.

    Është letërsi tronditëse, qoftë edhe në diptikun e saj të fundit, dhe qoftë në nisjen e saj, me rrënimin (dekonstruksionin) e skemave apo edhe me pastrimin e gjuhës.

    Në letërsinë e autorit Zejnullah Rrahmani ka një obsesion për të përshkuar/përkufizuar (literalisht) universin shqiptarë. Ka një obsesion (literalisht) për të kapur universin njerëzor. Ka një obsesion për të ndërtuar (literalisht) universin e shqiptares. Obsesione, obsesion i cili e ka përcjellë atë që nga nisja e letërsisë së tij deri tek ky diptik, vepra e fundit e tij. Me një fjalë është, 1. obsesion, për të (ri)lindur, po vetë autori, dhe 2. një obsesion i idesë së shqiptares sipas tij, dhe letërsisë së tij?

    1. Obsesioni për të (ri)lindur

    Kjo nuk është as guxim, dhe as ndonjë ekstravagancë e kësaj analize, është vetë refuzimi autorial përmes letërsisë së tij për të jetuar këtë botë të dhunshme. Refuzimi për të marrë pjesë në këtë botë të dhunshme. Vetë guximi për të shpëtuar nga kjo botë e dhunshme, siç edhe përsëritet aq shpesh në një prej romaneve me sinqeritet brutal të tij “Romani për Kosovën” kur e tëra ngjan në një plojë të shkatërrimit të shqiptares në Kosovë, personazhet e tij gjithnjë përsërisin– dikush gjithmonë shpëton nga rrethimi. Këtu duke qenë saktë përballë jetës dhe me këtë ankthit ekzistencial të vetë autorit, si në realen si në letërsinë e tij, të të qenit të rrezikuar për ekzistencë deri në zhdukje, deri në shpresë për një të shpëtuar prej nesh.

    Romani më i suksesshëm i tij, dhe ndër më të arriturit (pavarësisht diptikut në fjalë nga lartë), “Sheshi i unazës” të mbanë ndan vullkanit të katastrofave gjigante të shembjeve të pandalshme të botës dhe botëve, ndërsa po këto/bota përjeton vazhdimisht shtresat e shndërrimit të saj nën shenjën e dhunës. Jemi sikur brenda shtjellave të krijimit e rikrijimit të njerëzores dhe të shpjegimeve të saj aq më shumë, sikur brenda shtjellave të vullkaneve të tokës në brendësinë e saj. Jemi sikur në fëmijërinë e autorit i vcili nën përmbytjet e dhunës sheh, bartet dhe estetizon këto katastrofa të rrënimit të botëve/botës.

    Kjo doemos duke krijuar obsesionin për të (ri)lindur të autorit, që është obsesioni i të qenit ndan humnerës e cila, siç e thotë Niçe, fillon të shikojë po e shikove me ngulm e në kohë të mjaftueshme. Ky obsesion i këtij autori pra është të qenit i shikuar nga humnera, abisi, i harrimit të shqiptares, të zhbërjes së saj, të shthurjes së saj, të përfundimit të saj.

    Në Prishtinë, në Kosovë, të qenit shqiptarë, në gjeneratën e autorit Rrahmani është pikërisht kjo që u tha, të qenit në përfundim të shqiptares, jo vetëm si fëmijë i Luftës së Dytë Botërore, por edhe i mbetur në paanësinë e shthurjes në ish Jugosllavi.

    Në “Sheshi i unazës” autori i kthehet me ngulm pikërisht dialogimit me këtë abis të shqiptares në pjesën kosovare, në rrezikun e këtij abisi të kosovares, dhe në këtë e rikrijon qytetin “Sc” nga zanafilla e tij, në krijimin, zhdukjen, rikrijimin e tij, gjithnjë duke dashur t’i bëj vend, t’i mundësoj udhën këtij qyteti, njerëzor.

    Shemben urat, zhbëhet njerëzorja, kolektivi, dhe shthuret përpjekja për të mirën, në të vërtetë harrohet njerëzorja dhe kolektivja. Në këtë abisi i njerëzores, shqiptares, është të qenit i harruar, mungon zëri që është i padëgjueshëm, i neutralizuar, në një mënyrë përmes artit të Zejnullah Rrahmanit kalojmë në një vrimë të zezë në tokë, në paanësinë e humnerës. Harrohet dhe humb kahu njerëzor, humb perceptimi njerëzor. Dhe në këtë vazhdimisht ndodhë rilindja, vazhdimtst rikthehet e tëra, dhe vazhdimisht ringritet bota.

    Andaj, po u përkthye ky dialogim i autorit Rrahmani me abisin, në realen e jetës së tij, obsesioni i refuzimit të të qenit pjesë e një bote ku dhuna çanë e shpartallon njerëzoren, autori doemos do të përballet me rrënojat dhe reliket e të mirës njerëzore, të përpjekjes dhe të qeniesimit. Është vetë ankthi i të qenit, jo më të dhënë, por me kah në përfundimin e tij.

    Obsesioni për të (ri)lindur është vetë ankthi ekzistencial i njeriut përballë abisit të njerëzores dhe vetë botës së tij, dhe aq më shumë dëshira për të lindur, si mami, një botë të aftë për vazhdimësinë e saj.

    Por ky ankth është ajo që e mishëron këtë lloj qeniesimi është vetë ankthi i profetizimit, apo kompleksi i profetit, apo thënë më saktë të parit të botës ashtu si është, në nismë e në mbarim të saj, të pandalshëm.

    Që do të thotë se autori Rrahmani ikë/ngjitet po ashtu në skutën dhe majën më të lartë të kësaj bote, për të shtjelluar, gjithherë, për të shtjelluar të pamundshmen e kësaj bote – një botë që mund të rilind.

    2. Ideja e shqiptares

    Ideja Rrahmaniane e shqiptares, sipas tij, që, për të qartësuar kjo nuk është ndonjë obsesion jashtë realitetit assesi, është vetë ankthi nga mundësia e zhbërjes së shqiptares, në të vërtetë buron nga ankthi i zhbërjes së shqiptares. Nga ankthi i abisit të shqiptares të parë sa herë në jetën e tij.

    Ideja e shqiptares në vëzhgimin dhe letërsinë e Rrahmanit duhet ri-lidhur në gjuhën e të mirës, jo si të dhënë të natyrshme, por si përpjekje dhe si mund. Sipas idesë së tij, kjo një herë ka qenë e dhënë, diku në idenë e autorialës së tij, ai e sheh atë të qenë dhe të dhënë, dhe pikërisht kjo e vë atë në obsesion autorial për të rikthyer, për të rindërtuar, për të rilidhur këtë botë të mbetur nën rrënojat e dhunës dhe vullkaneve të dhunës njerëzore.

    Ideja e shqiptares, nuk është viktimizimi në letërsinë e tij, nuk është as premtimi, është vetë realja e të qenit në dinamikë me abisin e njerëzores ndan.

    Duke iu kthyer obsesionit, si fenomen i njeriut të prekur nga abisi njerëzor, vetë fundi i botës dhe ankthi i ekzistencës, ai është vetë revolta dhe refuzimi i një nënshtrimi kësaj bote, qoftë të ushqyer nga po ky ankth e qoftë të nënshtruar nga i njëjti.

    Obsesioni i autorit në fjalë në letërsinë e tij, andaj, nuk është qarkues i një dëshire hakmarrjeje, dhe as të rrënimit, me gjithë vuajtjen, ai është një Moisi, i profecisë së tij, profetizimit të ritualit të përsëritjes së qarkut të dhunës dhe të izolimit të njeriut brenda saj, dhe më tutje duke rilindur dhe duke iu  rikthyer jetës dhe ndërtimit të botës.

    Obsesioni i Zejnullah Rrahmanit është ankthi për të gjetur këto relike, këto botë apo këtë botë nën rrënojat e dhunës në përhershmërinë e saj.

    Andaj, guximi autorial i Zejnullah Rrahmanit është në kompleksin e tij të profetit, në të parit e botës prej profecisë profesionale, në të emëruarit e botës, dhe me këtë të parit të saj si të nisur, në hapjen e saj të paanë, dhe të kthyeshme nën forcën e vullnetit. Vullnetit të sublimuar në letërsinë e tij duke e e sublimuar ankthin ekzistencial të tij dhe të parit e botës ashtu si është, të qenësishme.

    Guximi autorial i tij është vetë sublimimi i shtjellave të katastrofës shqiptare dhe me këtë nënshtrimit të tyre në letërsi, ajo që u tha është vetë ky obsesion i (ri)lindjes dhe idesë së shqiptares së rilindur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË