More
    KreuLetërsiBibliotekëBahri Myftari: Të fala nga djalli! (tregim)

    Bahri Myftari: Të fala nga djalli! (tregim)

    Përfundimisht, mjekët vendas po e po, por edhe dy të huaj, të ardhur nga një prej klinikave më të përmendura të Evropës, pas përpjekjeve dhe përkujdesjeve shembullore ndaj pacientit të tyre, u dorëzuan. Nëpërmjet një raporti plot përgjegjësi ata vunë në dijeni kryeministrin se shëndeti i Diktatorit kishte marrë tatëpjetën, veçse nëse bënte ndonjë çudi Zoti, ndaj te cilit,Ai,diktatori pati hedhur te gjitha të ligat e kesaj bote.

    -Edhe Zoti na duhej tani, – foli nëpër dhëmbë Kryeministri,edhe ky një ateist i thekur,i gatuar si i tillë që në vitet e para të rinisë.

    Kështu, kryeministri në detyrë urdhëroi për të qenë të gatshëm në çdo rast, për të përballuar të keqen e madhe. Nisën përgatitjet dhe u vendos një regjim përgjimi i hekurt, veçanërisht natën, kur gulçimat, ofshamat e diktatorit ishin të llahtarshme, atëherë  situatën e merrte në dorë Garda. Koha pati ngecur në vend, ndonëse po rrumbullakosej gjysma e vitit dhe atij, zotit të tyre, diktatorit nuk po i dilte shpirti. A thua t’i ishte mbërthyer aty, pas dhëmbëve. Në një ndër netët e rënda, gjenerali që organizonte përgjimin, thirri urgjentisht kryeministrin.

    -Vdiq? – pyeti me ankth Kryeministri.

    -Jo, jo. Zoti Kryeministër, për çudi, disa herë natën më bëhej se se kërkonte zotërinë Tuaj.Tërë natën kjo mërmëritje. Në të gdhirë, u bë e qartë se ju kërkonte ju dhe vetëm ju…

    -Më kërkonte mua?!

    Po atë ditë, kryeministri, me të shpejtë dhe i shqetësuar, u gjend pranë shtratit të shefit të tij. Deri më atëherë kurrkush, në qytet apo në fshat, në mal apo në fushë nuk pati guxuar ta mendonte se dhe Ai do ta kishte një fund, se edhe ai qenkej gatuar prej mishi e gjaku! I plotfuqishmi, ishte leqendisur, ishte tharë, po mblidhej frikshëm e po kthehej në një top lëmshi.

    -Erdhe,- belbëzoi ai, kur mundi të shihte siluetën e kryeministrit,-.Më pate premtuar se do të jesh njeriu i vazhdimësisë, -Prit,prit,mëso një gjë, të gjithë burrat e medhenj të kësaj bote, burra që kanë drejtuar dhe udhëhequr kombe dhe shtete, mund të kritikohen,të gjykohen, madje të neveriten, nuk kanë as të drejtë të mbrohen, nëse nuk kanë lënë pas një të zot e të aftë si vetja e tyre. Si kam qenë unë në gjallje, në vdekje gjykohem e çmohem nëpërmjet teje! Unë për këtë qeshë i sigurtë, qeshë i sigurtë se pata lënë ose po lë…

    Kryeministri,shpejtoi dhe me mirësi pohoi se zgjedhja që ishte bërë, nuk kishte vend për zhgënjim. U bë gati ta falënderonte…

    -Mirëpo, unë nuk ju besoj, – foli përsëri Diktatori, – kam dëgjuar e lexuar për ca reforma që ke ndërmarrë, me gjasë në shërbim të zhvillimit, përparimit, dua të them me pesë fjalë një të vërtetë, mbaj vesh, nuk ështe nevoja të shkruash e të mbash shënime. Dikur një kolegu yt kandidoi në një zonë të thellë,të varfër dhe plot halle, në një pjesë të saj, më duket në anën përkëtej lumit, duke shfrytëzuar lehtësinë  dhe mundësinë e vet, përgjatë fushatës, nisi të bënte diçka, të plotësonte ca nevoja emergjente si: asfaltim, kanalizime.,drita dhe mbi të gjitha dha kontribut personal në ndërtimin e një shkolle të re/ I bëri  të gjitha këto. Natyrisht, nuk mund t’i shërbente të gjithë krahinës, mbeti një pjesë goxha e madhe në atë mjerimin e vet. Kur fushata mbaroi dhe erdhi radha e rezultatit, pikërisht në atë zonë që qe bërë puna, që ishte  bërë ndryshimi, rezultati doli të vije duart në kokë,zero!.Njeriu është kafshë tahmaqare.Sa më shumë të ketë, aq më shumë do! Në të kundërt,atje ku nuk u lëviz qoftë edhe një gur, rezultati qe mrekulli dhe dha fitoren e dëshiruar. Pra ,siç të thashë, me pak fjalë,  jo gjithmonë ndryshimi, ose ajo që t’i e quan reformë, shkon apo është në harmoni me pushtetin. Duhet t’i kishe mësuar këto gjëra, – Heshti pak e pastaj vazhdoi: Më shikon si jam katandisur. Dikush nuk po më lë të vdes, dikush po më mban peng. Dhe a e di, cili është?

    -Cili? – pyeti Kryeministri.

    -Ti, askush tjetër, veç ti….

    -Si mund ta besoni?! Unë që pretendoj t’iu zëvendësoj. Unë që iu respektoj, që iu jam betuar për vazhdimësinë e rrugës, për…

    -Me fjalë, me fjalë…, – e ndërpreu i madhi. – Nëse do të kishit nisur sadopak të realizoni diçka prej asaj që jeni betuar, unë do të shkoja qetësisht për atje ku jam nisur. Por, me sa shoh unë, po ndodh e kundërta. Si mund ta besoj se po ndjek rrugën time, kur unë gati po harrohem kaq shpejt… Kurrkund nuk e dëgjoj emrin tim… as shtypi, as radiot e as televizionet nuk më përmendin më. Edhe portretin, madje as atë portret ku kemi dalë bashkë, nuk po e shoh më. Ç’bëhet kështu! Gati si të mos kisha ekzistuar fare? Ju nuk duhet ta lejoni këtë. Unë duhet të kujtohem vazhdimisht, nuk duhet të harrohem kurrë. Sa më shpejt ta harrohem unë, aq më e shpejtë do të jetë rënia jote, rënia e pushtetit tënd. Dy rrugë janë përpara: dashuria për zhvillim, reforma, me demek,dhe e dyta pushteti. Dy rrugë krejt të kundërta, dy rrugë që nuk bashkohen kurrë. Përzgjidh tani! Mirë që nuk më shëron dot, por më krijo mundësinë të vdes sa më shpejt…

    Nuk mund të vazhdonte më se e mbërtheu një kollë ngjethëse, mbytëse që të kallte tmerrin. Dhe i bëri me shenjë të largohej.

    Sakaq, Kryeministri u gjend jashtë, kishte menduar se për punët e kryera do të merrte përshëndetje, lavdërime, por mbeti i befasuar, i zhgënjyer. U kujtua për mbledhjen e kabinetit dhe në moment shpejtoi për atje. Anëtarët e kabinetit, ministrat, sipas radhës, zunë të raportonin për çka kishin bërë dhe, ç’është e vërteta, të gjithë meritonin admirim.

    Por, ja që këtë radhë eprori i tyre ua kurseu lavdërimet, madje, lëshoi një psherëtimë, shenjë mërzie, e cila si të ishte virus gripi, ngjiti mbi secilin. Pastaj tërhoqi mënjanë ministrin e policisë dhe mes tyre u zhvillua kjo bisedë:

    A mund të thuash përse Ai, – dhe bëri me kokë për nga portreti i diktatorit, – u harrua kaq shpejt, ndonëse ende është gjallë? – pyeti kryeministri.

    -I vdekur, por i pakallur, – bëri shaka ministri. – Nejse, çfarë t’i mbajmë mend atij: varfërinë, injorancën, internimet, burgjet, vrasjet, pushkatimet? Shyqyr që po e harrojmë!

    -Veç qeverisi gjatë dhe ky është sukses, është meritë. Plakesh nëse zë e numëron vitet që qeverisi ai. Më thuaj, a nuk është për ta patur zili?

    Ministri, i cili e njihte eprorin se për rastin konkret, kishte një opinion tjetër, e humbi paq.

    Ndërkohë, gjenerali që organizonte përgjimin i ndërpreu një çast:

    -Zoti kryeministër, – tha ai, – mjekët e huaj, sipas kërkesës sonë të përsëritur, e përfunduan relacionin e ri dhe sapo e prunë. Ata nuk shohin asnjë mundësi shërimi, ashtu si dhe janë shprehur deri tani. Veçse shtojnë që Ai, – dhe nderoi përpara fotografisë të varur në mur – edhe lëngimet do t’i ketë të tejzgjatura. Mundet që me këtë hall të madh të mbyllim vitin.

    -Këtë e kam në dorë unë, – tha kryeministri. I dha leje gjeneralit dhe, sakaq, iu drejtua ministrit:

    -Të vura re. Përse u trembe, përse u trembe kur thashë se shpirtin e tij e kam në dorë unë? Ku të vajti mendja?…

    Ministri, as jepte, as merrte. Në të vërtetë, edhe pse nuk guxoi të pohonte atë çka dëgjoi prej gojës së kryeministrit, prapëseprapë dukej haptazi se i kishte vajtur mendja për më të keqen. Se kryeministri…

    -Qetësohu, – i tha tjetri, – diçka duhet të bëjmë. Ai s’ka pse të vuajë dhe të lëngojë kaq shumë. Për atje ku është nisur, le të vejë pa këtë torturë të tanishme. Ai e vuan harrimin, nuk i del shpirti nëse ne, populli i vet e harrojmë. Duhen përshendetur mediat që nuk e mënjanojnë, gazetat që shkruajnë per të, duhen shpërblyer edhe më shume për zellin që tregojnë. Hidhu një sy e kontolloji. Një minutë,desha të pyes:

    -Në kohën e tij sa dënime jepeshin mesatarisht në muaj? Kur them dënime, kam në mend nga burgimet e deri në varjet, pushkatimet…

    -Të kësaj natyre, – tha ministri, – deri në tridhjetë, madje, përqindja më e madhe u takon varjeve dhe pushkatimeve.

    -Kemi rënë shumë poshtë, – tha kryeministri. – Na është bërë gjaku ujë! As vrasim, as presim e as dënojmë dot. Kështu nuk ecet. Ku vemi? Me këtë stil pune, me këtë qeverisje, vitet që udhëhoqi e që qeverisi Ai, ne nuk do t’i gëzojmë dot një ditë. Më beso!

    Ministri guxoi dhe e pa shefin e vet në sy. Po atë çast iu ngatërrua me të portreti i diktatorit. Përshëndeti ushtarakët si kurrë ndonjëherë dhe u largua.

    Ndërkaq, pas asaj bisede të kobshme, për muaj me radhë vendin e pllakosën krimi, vrasjet, burgosjet. Mediat vizive dhe ato të shkruara sikur qenë vënë në garë për himnizimin e atij njeriu që perpëlitej në shtrat. Shumë nga të ashtuquajturat reforma të mëdha përfunduan në flluska. Angazhimet për shtetin ligjor, për të drejtat qytetare, për shërbimet ndaj qytetarëve, u kthyen në batuta humori a mërzie. Nga të katër anët, në qytete e fshatra, shpërthyen përplasjet, grevat, protestat. Aty ku ato dilnin jashtë kontrollit, nuk mungonte përgjakja e rrugëve, e rrugicave. Informatorë të shumtë e të kudondodhur; nëpër ambiente të mbyllura, lokale e klube, madje edhe në familje ishin shfaqur fotografi të diktatorit. Më pas ato u dukën hapur edhe nëpër sheshe. Demonstrues të shumtë i ngrinin lart pankartat e fotografitë, me qëllim, për t’i ruajtur prej turmës që turrej ta përqafonte a ta puthte.

    Disa punishte të fshehura në thellësi të qyteteve a nëpër shtëpi private nxorën në treg, veçmas për rininë, bluza e kanotiere me portretin e diktatorit. Një grup ithtarësh të diktatorit, që kurrë nuk e gjykuan atë për të tillë, madje ishin të gatshëm t’ia vishnin atë epitet edhe kurvarit më të degjeneruar, por jo atij, kurrsesi jo atij, shkuan deri atje sa krijuan një parti me një emër ndjellës: PDPP, që do të thoshte Partia e Dashurisë dhe e Përkushtimit Popullor.

    Tamam, kur vendi ishte mbërthyer prej kësaj situate tragjike dhe të përgjakshme, prej kësaj lufte të pashpallur, gjenerali, që për shumë kohë pati qëndruar te shtrati i diktatorit, tanimë po kërkonte me këmbëngulje të hynte në zyrën e kryeministrit.

    Pas pak, ai u lejua.

    -Fol, – i tha Kryeministri, kur ai u dha te pragu.

    -Ç’të them, zoti Kryeministër. Përgjatë natës pati një përmirësim të habitshëm. Bëri shaka dhe qeshi. A thua e kishte të siguruar hyrjen në parajsë?! Unë u tremba prej atij përmirësimi. Më shëmbëlleu me qetësinë para furtune. M’u mbushën sytë me lot. Ai e kuptoi gjendjen time.Ngadalë,ngadalë  më tha se të vdesësh nuk ka asgje te re. Vdekjen e kemi të gjithë në rrëzë të veshit. Pavdekësia, pavdekësia është floriri!.E shoh, e ndiej se,se ..U mek, i iku fryma…..

    -Dha shpirt, – e ndërpreu Kryeministri.

    -Ka lënë edhe një letër për ju, – tha gjenerali.

    -Ç’rëndësi ka! Tani s’ka rëndësi asgjë.

    -Jo, ka rëndësi. Letra na drejtohet të gjithëve. Juve z kryeministër veçanërisht. Ai shpreh besim dhe na quan aq të afërt, sikur të kemi dalë prei hundës së Tij.

    Portreti
    nga
    Fatbardh Marku

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË