I. RRUGA E ATJONIT
Tani në Tiranë është edhe “Rruga e Atjonit”, andej nga kthehesh për nga Parku i Madh afër Filologjikut. Rrugë e vogël, mes pallateve të larta, që bashkohet me rrugën “Faik Konica” dhe pastaj fillon kalldrëmi përmes blerimeve të kodërzave përreth liqenit të Tiranës.
Në këtë rrugë është edhe shtëpia e Atjonit, dhoma e tij me librat dhe pikturat e tij, me kompjuterin dhe flautin, iPfone-in e aparate fotografike, me orenditë që kishte zgjedhur vetë e ç’kishte sjellë nga Italia, ku jetoi me vite, se prindërit e tij u emëruan dy herë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë.
Kur ktheheshin në Tiranë, Atjoni te dhoma e tij edhe muret i vizatonte, shkruante nëpër to, edhe në derë. Si të thuash, ato ishin edhe ditari i tij.
Ja, nga këto shkallë zbriste, dilte në rrugën që do të merrte emrin e tij, për të takuar fëmijë të tjerë që të luanin bashkë në oborrin pranë shkollës së gjuhëve të huaja; pastaj, kur u rrit ca, për të marrë furgonin e me çantën e rëndë mbi shpinë të shkonte në shkollë; më vonë, ashtu i gjatë dhe i bukur, do të nxitonte në këmbë, me hapa të mëdhenj, me kufjet në vesh, për në gjimnaz.
Shpesh dilte edhe për në Qendër apo për në Bllok, të takonte shoqet dhe shokët, të kalonin mbrëmjet e vona apo të festonin ndonjë datëlindje, thjesht të bisedonin, ç’kishin lexuar a ç’film do të shikonin, teatër apo opera, ç’do të bënin kur të rriteshin, se ja, po mbaronte matura.
Shqipërinë do ta bëjmë më të mirë, thoshin vërtet. “Do të studiojmë nëpër botë e do të kthehemi që ta bëjmë ne vetë”, – ngulmonte Atjoni. Është e vërtetë, e dëshmojnë shokët dhe shoqet e tij.
Dhe Atjoni zgjodhi të studionte Filozofi, duke fituar një bursë në një nga Universitetet e njohura në Europë.
I ri mes të rinjve, si të gjithë ata që e donin dhe i donte, duke hapur një rrugë për në zemra.
Prandaj edhe Bashkia përuroi “Rrugën e Atjonit”.
II. “19-VJEÇARI I PËRHERSHËM”
Kështu e quan gjenerata e tij Atjon V. Zhitin, të riun emblematik të tyre, studentin ëndërrimtar që donte të bënte shumë, që dinte të jepte dashuri, vrull e optimizëm, që pëlqente artet dhe sportet e merrej me to, me gjuhët e huaja dhe shkencat politike, veprimtar europian, që “buzëqeshte çiltërsisht”, që ata që e njihnin, ia quajnë “kryevepër”, ndoshta buzëqeshjen e përftoi nga Nënë Tereza, kur e pa atë i vogël, ende në krahët e mamit në Romë dhe Shenjtja e preku me duart e rreshkura me përdëllim qiellor…
“Dy ishin dashuritë e Atjonit, – tregon një nga miqtë e tij nga Prishtina, -Atdheu dhe vajzat”. Prandaj dhe u bë ideali shpirtëror i gjeneratës së tij. E kërkonin, u gjendej pranë, u bëhej mbështetje me fjalën e sinqertë e të mençur, me ide e veprime. Nga larg dhe afër. Kur ishte dhe kur s’ishte.
– Lindi në qytetin e Vlorës më 30 gusht 1995 dhe u rrit me dashuri e përkujdesje, mes poezisë, ngjyrave dhe muzikës në Romë (Itali), ku prindërit punonin si diplomatë.
– Shkonte në kopsht. Kur ishte 3 vjeç e gjysmë, një vizatim i tij për “Nënë Terezën” iu botua në një përmbledhje në Itali për Shenjten dhe shkruan edhe gazetat në Vatikan, “Osservatore Romano”, si dhe në Shqipëri.
– Hapi një “ekspozitë fëminore” në shtëpinë e tij në Romë, e vizituan fëmijë dhe prindër të pallatit, jo vetëm ata të ambasadës.
– Më pas në Vlorë çeli një ekspozitë tjetër në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve. Dhe u mblodhën fëmijët e lagjes, duke pëlqyer, po aq sa pikturat, edhe ëmbëlsirat që u jepte mami i Atjonit.
– Mësimet e para i nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”, ku merrej edhe me teatër.
– Arsimin 9-vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestrën e shkollës, deri edhe në Auditoriumin e Romës.
– Nisi studimet në liceun e njohur klasik “Giulio Cesare” po në Romë ku, krahas italishtes dhe anglishtes, që i mësoi mjaft mirë, studioi dhe greqishten e vjetër dhe latinishten.
– Kishte pasion dhe muzeumet, i vizitoi të gjithë më të rëndësishmit në Romë e Vatikan, por edhe në qytete të tjera, Tiranë, Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër etj., por dhe në Firence, Venecia, Paris e deri në Çikago, SHBA.
– Merrej me sporte, me not, kanotazh, tenis etj., dhe shah.
– Përfundoi gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bëri disa kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frëngjisht e gjermanisht.
– Fitoi një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi në Itali, ndërkohë ishte edhe anëtar i Parlamentit Europian Rinor, duke përfaqësuar Shqipërinë në disa Konferenca si në Spanjë, Letoni etj.
– Duke u pranuar si anëtari më i ri i PEN Clubit Italian, krahas shkrimtarëve që kishte njohur në Shqipëri dhe Kosovë, donte shumë Pano Taçin dhe Ali Podrimjen, takohet edhe me poetë nga bota, Sebastiano Grasso, Mario Luzi, Adonis, Hermann Nitsch, Jevtushenko, nobelistin Derek Walcott etj., me Kadarenë patjetër, duke pasur dhe libra me autografe nga të tyret.
– Përkthen në shqip poezi të autorëve që ka njohur, si dhe për antologjinë “Lajmëtarët e Europës”, përgatitur nga i ati i tij; sjell poezi të panjohura nga Zai Fundo, personalitet i persekutuar politik; dhe do të jetë bashkëpërkthyes në librin e poetit të njohur në botë, Adonis, sirianit që jeton në Paris, që botohet për herë të parë në shqip në vitin 2014.
– Ndërkohë vazhdonte edhe pikturën si një adoleshent autodidakt, duke u përzgjedhur punët e tij për t’u vënë në ballina librash të ndryshëm, të botuar në Shqipëri, Kosovë e Itali.
– Në vitin e dytë universitar boton esetë e para filozofike të tij në gazeta në Shqipëri, në Kosovë dhe në median shqiptare në diasporë, Itali, Zvicër, Angli, SHBA.
Adhuronte edhe Faik Konicën. Kujtojmë që në një nga takimet e Parlamentit Europian Rinor në Barcelonë shkoi me qeleshe shqiptare në kokë, donte të ishte me kostum kombëtar “si Faiku, idhulli”, dhe ia dhuroi një danezi, ndërkaq me një shokun e tij nga Kosova dhe me atë serb aty, ngritën flamurin e Kosovës dhe të Serbisë pranë e pranë, për paqe dhe harmoni. Bëri atë që s’po e bën dot diplomacia dhe politika.
I pëlqenin aeroportet, avionët, që i dukej sikur e çonin jo vetëm qiejve, por edhe më pranë dëshirave dhe ëndrrave.
Mes studimeve dhe punëve të shumta, e fundit që zgjodhi të bënte, ishte organizimi i një sesioni parlamentar të të rinjve europianë dhe ku, në Korçë, me shpresën që Europa të gjejë Europë te ne.
Papritur, pas një aksidenti tragjik në Tiranë, në 20 dhjetor 2014, ndërpriten të gjitha…
* * *
– Në 2015 del libri i parë me ese, shkrime e statuse të mbledhura të Atjon V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, me jehonë në lexues dhe në media.
– Hapet ekspozita me pikturat e tij “Një kuti me xixëllonja” në universitetin “Polis”, Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, profesor Gëzim Qëndro.
– Më 2017 botohet albumi “Opera Atjon”, në shqip dhe italisht, me vizatimet dhe pikturat e tij, të fëmijërisë dhe adoleshencës, përgatitur nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa, me pasthënie të tij dhe parathënie nga Gëzim Qëndro. Albumi ka pasur jehonë brenda dhe jashtë vendit.
– Revista “Poeteka” një numër të sajin e ilustron me vizatimet bardhezi të Atjonit.
– Koncert për Atjonin në Romë, Jehonë dhe butësi – dialog mes tingujve dhe një engjëlli, drejtuar nga violinistja e njohur Anyla Kraja, ku një aktor recitoi nga shkrime të Atjonit. Veprimtaria u zhvillua në Kishën Franceze në Piazza Navona, aty që, kur ishte fëmijë, Atjoni rrinte me orë të tëra për të parë statujat, shatërvanët dhe klounët.
– Më 2018, pas librit me tregime “Valixhja e shqyer”, dalin edhe dy përmbledhje me poezi, “Dove é la vita” në Itali dhe “Të rritesh nga dashuria” në Shqipëri, që të tria me ilustrime të Atjonit si bashkautor me Visar Zhitin, teksa libri i tretë ka edhe një parathënie nga mami i Atjonit, Eda Zhiti.
– Me piktura të Atjonit dhe me citate të tijat në tri gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht, kanë dalë kalendarë vjetorë.
– Fotografia e Atjonit është edhe mes fotove të shkrimtarëve të tjerë në librarinë “Friend’s Book House” në Tiranë, afër vendit ku ai studionte.
– Piktorë të njohur, si Ibrahim Kodra, Maks Velo, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Denis Kapo etj., kanë bëre portrete të Atjonit fëmijë, po kështu edhe autorë të huaj kanë realizuar ikona dhe qeramikë me portretin e Atjonit, kurse piktori Gjergj Kola ka ekspozuar dhe në Luver dhe ka një cikël punësh dhe në vaj me personazh Atjonin.
– Përzgjedhje nga esetë e Atjonit janë përkthyer edhe në italisht, ndërsa në rumanisht janë të botuar në revistën “Albanica”.
– Në tekstet e letërsisë për shkollat 9-vjeçare, botimet “Albas”, është edhe një poezi e Atjonit me foton e tij.
– Botimet e Atjonit janë në bibliotekat e shkollave ku ai ishte nxënës dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në bibliotekën e universitetit “Sacro Cuore” në Milano etj., deri dhe në Uashington, në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.
– Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku Atjoni bënte pjesë dhe u shqua.
– IWA BOGDANI, Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve me qendrat në Bruksel/ Belgjikë dhe Prishtinë/ Kosovë, themelon Çmimin Ndërkombëtar vjetor për poezi “Atjon V. Zhiti”, çmim ky që ka shkuar në kontinentin amerikan dhe atë aziatik.
III. DHE ATJONI THA:
12 citate, të nxjerra nga libri për “Atë që dua(m)”, botuar në Kalendarin e Vitit 2019 në shqip, italisht dhe anglisht nga “Onufri”
1- Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.
2- Drejtësia është ai princip ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë.
3- Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë, po ashtu si dhe njerëzimi. Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenët zëvendësohet nga dukja.
4- Duhen pasur si burim force e, njëkohësisht, “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës.
5- Kërkimi është zhveshje.
6- Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.
7- Dashuria ime është te ju, sepse ju dua shumë, jam i menduar, se dua të jem te ju: zemër.
8- Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.
9- Tirania luftohet me dije, gatishmëri ndaj vuajtjes, intelektualizëm dhe objektivizëm ndaj realitetit pa pasur frikë.
10- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.
11- Që konflikti të mos jetë torturë, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndihet si e tillë.
12- Jeta s’duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë dhe e shkurtër, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë.
IV. DHE THANË PËR ATJONIN:
1- Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare, shkrimtarë
2- Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…
Sebastiano Grasso, poet, president i PEN Clubit, Itali
3- Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie, albanolog kanadez
4- Kur do ta takoja për herë të parë Atjonin… shkëlqente nga poezia. Dhe vetë ai është një poezi e magjishme.
Adonis, poet sirian, jeton në Paris, Francë
5- Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij…
Eugjen Merlika, studiues, kritik letrar
6- Atjoni jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën… Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.
Akademik, Prof. Dr. Jeton Kelmendi, president i International Writers Assosaciation ‘Pjetër Bogdani’
7- …e di se sa të rrallë janë në këtë vend të rinjtë që mbajnë në çantë Heidegerin dhe Guy Debord-in dhe që kanë kaq shumë potencial intelektual dhe fuqi shpirtërore brenda vetes. Si të gjithë pinjollët e racës së krijuesve, Atjoni nuk doli kurrë nga kopshti i magjepsur i fantazisë së tij. Si fëmijë i çuditi të rriturit me sigurinë dhe fjalët e pjekura, si i rritur i habiti me spontanitetin dhe pastërtinë e fëmijës…
Gëzim Qëndro, kritik arti, piktor, profesor universiteti
8- Kapja e Universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
Gëzim Tafa, kritik arti, piktor, botues
9- Atjoni qoftë i bekuar te Zoti dhe sjelltë bekime pa fund…!
Skënder Buçpapaj, poet, gazetar, Zvicër
10- Bota është më e varfër pa Atjonin, ne jemi më të varfër pa të, është një bosh i madh… një trishtim i madh… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi… Shikonim shumë prej projekteve tona të parealizuara tek ai…
Luan Topçiu, kritik arti, studiues, përkthyes Bukuresht, Rumani
11- Është tronditëse, një mrekulli në ngjyra. Gjej vizatime të Atjonit që janë ashtu si në kaligrafinë antike kineze, në atë të parën fare. Një fëmijë që mbledh kështu shpirtin e figuracionit të një civilizimi 4000-vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë, e bën njeriun si atëherë, një sensibilitet ky, ku dëgjohet bota. Do t’i jap në kurset e leksioneve në Universitetin Gregoriano në Romë për studentët. Atjoni ka ndier shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.
Padre Marko Rupnik,
profesor në Universitetin Gregorian në Romë. Teolog, artist, mozaicist me vepra të famshme në të gjithë botën.
12- …ishte i veçantë; kushdo që e ka njohur, edhe për një ditë o për një orë, nuk do të mundte ta harronte… tepër inteligjent, i mirë e i ëmbël… i mrekullueshëm e i dashur nga të gjithë… Do ta kujtoj përgjithmonë.
Një e panjohur
V. POETË FITUES TË ÇMIMIT NDËRKOMBËTAR “ATJON ZHITI”
Me motivacionin Për pasionin dhe sinqeritetin në art dhe krijimtari. Në vitin 2018 iu dha poetes hebreje nga Argjentina, Susana Robert, dhe për vitin që jemi, 2019, sapo iu dha poetes japoneze Kae Morii, të njohura dhe të përkthyera edhe në gjuhë të tjera.
Ato jo vetëm që e mirëpritën edhe këtë çmim, por duke kërkuar të njohin më shumë dhe më mirë Atjonin, janë frymëzuar për të shkruar poezi të tjera…
Kae Morii
PUTHJET
Unë puth zogjtë në një skicë
Unë puth konturet e pemëve që t’i kthjelloj
Unë puth një rruazë vesë mbi lulediellin.
Unë puth një ballë xhami vullkanik
Unë puth një buzë druri hibiskus
Unë puth një gji madhështie të truallit.
Unë puth arsyen duke u ngritur lart
Unë puth elegjinë e zhytur në zemrën tënde
Thellësia jote
Sekreti i lindjes
Unë të puth ty.
Susana Roberts
PËR ATJON ZHITIN
Poemë kushtuar Atjon Zhitit (i riu shqiptar, gjeni në letra dhe filozofi, që pësoi një tragjedi, teksa emri i tij nderohet në disa vende dhe mua m’u dha Çmimi i Laureatit). Ndërkaq desha t’i jap jehonë kësaj poeme, se ai më frymëzoi, edhe pse me vonesë, po kështu dua t’i gjendem pranë familjes së tij dhe më është bërë me dije se poezi të miat janë botuar në disa gazeta, në Zvicër, Nju-Jork, Belgjikë, Shqipëri… Mirënjohjen time të plotë në këtë lidhje të shpirtrave pa kufij.
Sot, kur dielli më thoshte mirupafshim
Një zog i vogël u përshfaq nëpër degë
dhe trëndafila të rinj lulëzuan befas.
Ngulmuese desha të dëgjoj këngën e zogut,
Ndenji gjatë, një gjysmë ore a më shumë
M’u bë se ti, Atjon, ishte mes petaleve të melodive
Vallëzues me format e natyrës.
Shpirti yt po më thoshte të mbroja rrjetin
Që lidh njerëzit, ku njerëzit flasin për të tjerë njerëz
se njerëzit i dëshpëron fati i tyre,
se njerëzit nuk ushtrojnë bashkimin
Pastaj… ti flatrove me zogun, por para kësaj,
ma qarkove gjithë qenien time
Me mrekullinë e buzëqeshjes tënde
që s’e kisha parë në jetë.
Dhe e kuptova që njerëzit kurrë nuk vdesin,
sot që më vizituat nga një horizont i largët
e bekova identitetin tënd sublim
me rrezen e mbramë diellore që më ra mbi fytyrë.
Përgatiti dhe përktheu nga anglishtja dhe italishtja
Dardan Shkreli