More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAstrit Delvina: Humnera e shkrimtarit

    Astrit Delvina: Humnera e shkrimtarit

    Sapo doli në dritën e botimit “Polemikat” e Uran Butkës, një përballje me shkrimtarë, historianë, publicistë dhe politikanë të djeshëm e të sotmë. Kemi zgjedhur për botim polemikën “Humnera e shkrimtarit”, nxjerrë nga ky libër i ri.

    “Asgjë nuk dua, veçse të jetoj një ditë i lirë”

    Është rast i rrallë në historinë e diktaturave, kur një shkrimtar të jetë kundërshtar aq i drejtpërdrejtë kundrejt sistemit politik dhe letërsisë socialiste, si Astrit Delvina. Është e vërtetë që disa shkrimtarë në vendet komuniste, u bënë të njohur si kundërshtarë të hapur të regjimeve totalitare, pasi u larguan nga vendet e tyre drejt Perëndimit, ose pasi ra sistemi komunist në Evropën Lindore.

    Astrit Delvina ishte dhe mbeti i tillë brenda vendit,  ku sundonte diktatura më e egër dhe ku jetën nga vdekja e ndante qoftë edhe  një fjalë. Nuk flitet këtu për disidencë brenda llojit, po për një kundërvënie të hapur, mospajtuese ndaj sistemit politik – diktaturës së proletariatit, mungesës së plotë të lirisë  e të demokracisë, ekzistencës së luftës së egër të klasave, varfërisë së skajshme, por edhe kundër partishmërisë në art, letërsisë  propagandistike të realizmit socialist, pjellë e shëmtuar e atij sistemi.

    Ky qëndrim antagonist i pashembullt buronte edhe nga origjina: Astriti rridhte nga një familje e kulturuar, atdhetare dhe demokrate e Delvinës. Nip i burrit të shquar të shtetit, Sulejman Delvinës, bir i patriotit dhe intelektualit të njohur, Namik Delvina. Nga këta njerëz të mëdhenj, ai trashëgoi inteligjencën, karakterin e papërkulur dhe talentin.

    Qëndrimi i tij si intelektual opozitar i papajtueshëm rridhte edhe nga formimi i vetë Astritit, nga shkollimi i tij në Bolonjë, nga kultura perëndimore, leximet dhe studimet e thelluara, por edhe nga ndjesia e fortë e lirisë dhe guximi i tij qytetar. Buronte edhe nga pakënaqësitë personale të Astritit prej regjimit. Meqenëse nuk i përfundoi studimet universitare në Bolonjë për mjekësi dhe u kthye në Shqipëri për shkak të Luftës së Dytë Botërore, ai kërkoi vazhdimisht, sidomos gjatë dhjetë vjetëve që punonte si ndihmësmjek në rrethin e Fierit,  që të vijonte studimet e ndërprera për mjekësi në Universitetin e Tiranës. Nuk iu dha kjo e drejtë, pasi, siç deponoi në hetuesi, “isha nga shtresë e lartë dhe kisha qenë në burg. Kjo gjë më krijoi pakënaqësi, sepse unë isha i apasionuar pas studimeve mjekësore” [1]

    Siç dihet, viti 1951 ishte vit i terrorit të jashtëzakonshëm, arrestimeve, pushkatimeve dhe burgimeve masive të intelektualëve shqiptarë. Në të gjithë qytetet e vendit  u dënuan pa asnjë faj  qindra qytetarë dhe intelektualë të nderuar, për shkak të origjinës, shkollimit në Perëndim dhe mendimeve të lira. Vetëm në natën e 26 shkurtit 1951, u pushkatuan pa gjyq në Tiranë 22 intelektualë, ndërmjet tyre edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati. Ato ditë të përgjakshme, u arrestua edhe i riu njëzetenjëvjeçar Astrit Delvina, që u dënua më 8.08.1951 nga gjykata ushtarake e Tiranës me pesë vjet burg për “veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor dhe për mendimin që kishte për t’u arratisur jashtë shtetit”, pra, për “tradhti ndaj atdheut”. [2]

    Arrestimi dhe dënimi i dytë iu bë në vitin 1967, pikërisht në kohën e mësymjes së partisë-shtet kundër kulturës, artit dhe fesë. Akuza: “Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim ky i parashikuar nga neni 73/2 i kodit penal”

    Sipas përmbajtjes së kësaj akuze në hetuesi dhe gjykatë: “Astrit Delvina rrjedh nga një shtresë bejlerësh dhe si i tillë asnjëherë nuk është pajtuar me vijën e drejtë të partisë. Ai ka ruajtur dhe ka zhvilluar ndjenjat e armiqësisë kundrejt pushtetit popullor. Këto ndjenja e mendime ai ka filluar t’ua shfaqë  personave të tjerë. Duke qenë në kontakt me emisionet radiofonike të vendeve kapitaliste si “Zëri i Amerikës”, radiot italiane etj, ai ka folur me gjuhën e propagandës borgjeze e revizioniste. Politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar e ka quajtur dogmatike, fanatike dhe të paarsyeshme. Ai ka shkruar se tek ne nuk ka liri dhe demokraci në Shqipëri, se është kundër diktaturës së proletariatit, kundër partishmërisë në art dhe ka arritur deri atje, sa të mohojë edhe atdheun, duke u shprehur se Shqipëria për të s’është atdhe, por njerkë… Atdheu nuk është gjë tjetër veçse një tufë batakçinjsh, të cilëve, po nuk iu binde, të çojnë përpara togës së pushkatimit. Zhvillimin e luftës së klasave e ka quajtur ekstremizëm të panevojshëm, jetën dhe gjendjen ekonomike e ka paraqitur të vështirë. Ai ka thënë se tek ne nuk ka liri fjale dhe demokraci, se shtypi ynë nuk thotë të vërtetën, se njerëzit vuajnë ekonomikisht, se nuk ka drejtësi mbi varreza etj. Liria ekziston vetëm për ata  që krijojnë ligjet për të mbajtur të shtypur e të skllavëruar të tjerët. Në të njëjtën kohë ka mburrur jetesën në vendet kapitaliste, duke thënë se atje ka liri fjale dhe se gjoja shtypi amerikan tregon të vërtetën edhe kur është fjala për disfata. Ka sharë qëndrimin e PK të Kinës dhe e ka quajtur agresive, ndërsa politikën e imperializmit amerikan e ka quajtur të matur dhe të arsyeshëm. Ka folur për revolucionin popullor kinez se është ekstremist, që ka hequr nga qarkullimi të gjitha veprat me vlerë të madhe. Pikëpamjet e tij në kundërshtim me ideologjinë e partisë sonë, i pandehuri i ka shprehur me hollësi në dorëshkrimet e tij të titulluara “Humnera e Plutonit” dhe “Kalimi i Rubikonit”. Nëpërmjet këtyre dorëshkrimeve ai ka shprehur mendimet e veta reaksionare mbi çështje të ndryshme” [3]

    Për këto mendime dhe qëndrime kundër, u dënua më 16.09.1967 me 10 vjet burg politik nga gjykata e rrethit të Vlorës. Gjykata e Lartë, me kryetar gjyqi Hilmi Telegrafin, la në fuqi vendimin e gjykatës së faktit “meqenëse është i drejtë dhe masa e dënimit pajtohet me rrezikshmërinë shoqërore të veprës, ashtu edhe të personit”.[4]

    Astrit Delvina ishte jo vetëm një intelektual kurajoz, kundërshtar ideor e politik i sistemeve totalitare në përgjithësi, por edhe i praktikave ekstremiste e kriminale të komunizmit shqiptar; kundërshtar i hapur i çdo diktature, në përgjithësi, veçanërisht kundër diktaturës së egër staliniste në Shqipëri; luftëtar i lirisë, i demokracisë së vërtetë dhe i drejtësisë njerëzore, që mungonte në Shqipëri. Para së gjithash, ishte një artist, kundërshtar i të ashtuquajturës letërsi socialiste, jo vetëm në frymë, por edhe në formë, duke thyer e bjerur tërësisht skemat e partishmërisë në art dhe duke dhënë vepra të një letërsie ndryshe. Ai qe një shkrimtar i vetvetishëm imazhi dhe shkroi një letërsi origjinale, përtej kufizimeve ideore e kontureve politike të kohës, një letërsi spontane, të vërtetë e të çliruar nga ideologjia, duke vënë në qendër të saj njeriun e lirë si krijesë kozmike, që s’pranon kufij.

    Ekspertiza letrare iu bë nga ekspertët letraro-ligjorë A. Mici dhe Ll. Moja, me kërkesën e hetuesit të Degës së Brendshme, Zoi Xhavo, duke u mbështetur në dorëshkrime të sekuestruara të shkrimtarit: disa romane, një dramë, tregime dhe poezi të tij. Kjo ekspertizë ideo-politike e letrare, për vepra të pabotuara ( të marra nga hetuesit në valixhen e tij në shtëpi, kur u arrestua), u kthye në një akt-akuzë për autorin dhe shërbeu si një provë ligjore për dënimin e Astrit Delvinës e të veprës së tij. Ekspertiza letrare-ligjore, iu bë për gjithë krijimtarinë e papublikuar (vetëm një tregim me titullin “Ndërgjegjja” guxoi ta dërgonte në shtëpinë botuese, por që nuk u botua kurrë).

    Do të përqëndrohemi vetëm te ekspertiza e A. Micit dhe Ll. Mojës për romanin në dorëshkrim “Humnera e Plutonit”:

    “Rreth dorëshkrimit “Humnera e Plutonit” kemi këto vërejtje: Vepra nuk është edukative, për këto arsye: Nuk pasqyron ambientin konkret dhe njerëz konkretë. Asnjë hero nuk është pozitiv. Personazhet flasin kundër njëri-tjetrit, duke biseduar për komunizmin. Konti Guilielm ka mendime ultrareaksionare për komunizmin. I biri, Adoni, ndonëse duket sikur e kundërshton, nuk të bind, sepse edhe ai vetë është jokonsekuent në gjithë veprimtarinë e tij. Sipas autorit, vepra është fantastiko-shkencore. Por në fakt nuk është plotësisht kështu, sepse pjesa parë ka disa tendenca fantastiko-shkencore, kurse pjesa e dytë është alegorike me simbole të errëta, prapa të cilave fshihen nëntekste, nënkuptime. Vepra përshkohet nga filozofia nihiliste e metafizike dhe jo nga filozofia marksiste-leniniste. Heroi kryesor, Adoni (që sipas autorit është pozitiv), vetëvritet pa rrugëdalje. Vetëkuptohet që një personazh i tillë nihilist, nuk edukon. Personazhet kryesorë janë metafizikë, sepse mundësinë e njohjes së botës e mohojnë. Personazhet dhe ambientet të japin përshtypjen se jemi në mesjetë. Por, në antitezë me këtë ambient të vizatuar nga autori, personazhet përdorin terma të kohës, të ditëve tona. E shoqja e kontit Guilielm, në bisedë rreth bombës atomike, shpreh këtë mendim: “Bomba atomike brenda njerëzve është më e tmerrshme se ajo e qiellit!” Personazhet flasin në mënyrë të përgjithshme për lirinë, për diktaturën, për drejtësinë. Kështu, heroi kryesor pozitiv, Adoni, (sipas autorit) shpreh përbuzjen për çdo lloj diktature. Pra, ne nxjerrim konkluzionin se mohon edhe diktaturën e proletariatit. Në mënyrë të tillë nga Adoni shpjegohen edhe liria e barazia, pa bërë dallimin midis lirisë borgjeze e proletare. Siç shihet, vepra nuk është shkëputur nga pikëpamja politike, përkundrazi është lidhur me koncepte politike. Autori pretendon se Adoni është shkencëtar përparimtar, ndërsa në fakt puna e tij shkencore në vepër zë vend fare të vogël, saqë ai del më shumë si njeri politik sesa si shkencëtar. Në kuadrin politik, ai është kozmopolit, është për një liri të përgjithshme dhe kundër diktaturës në përgjithësi, si rrjedhim, edhe kundër diktaturës së proletariatit. Kuptimi alegorik i veprës del qartë po të zbërthejmë simbolet e pjesës së dytë. Kështu, humnera, shpella e Plutonit (ferri) simbolizon burgun. Po ç’lloj burgu? Nuk del qartë. Le ta zëmë se në këtë burg janë burgosur dhe torturohen revolucionarë. Atëherë, si shpjegohet që shpëtimi i tyre të vijë nga kontesha Savien, gjë që nuk pranohet as nga marksizmi, as nga praktika. Revolucionarët i çliron vetëm revolucioni dhe jo konteshat. Supozimi tjetër, nisur nga logjika, të thotë se humnera e Plutonit simbolizon një burg të diktaturës së proletariatit, ku janë vendosur armiqtë e klasës punëtore, të cilët e presin shpëtimin e tyre, pa tjetër, vetëkuptohet, nga kontë e kontesha. Siç shihet, kjo alegori bën thirrje për përmbysje të diktaturës së proletariatit dhe thirrje për liri të përgjithshme, sipas kuptimit kozmopolit. Pra, kemi të bëjmë këtu me një shfaqje të maskuar antimarksiste dhe thirrje për përmbysje të pushtetit popullor. Qëndrimi ideo-emocional i autorit nuk është i përcaktuar edhe në ato raste kur nga goja e personazheve dalin shprehje të turbullta e të dyshimta dhe në pajtim me frymën dekadente të veprës e mendimet reaksionare të personazheve kryesorë si Guljelmit dhe Adonit. Ata janë ideale të autorit, njëri si shfrytëzues, tjetri si kozmopolit dhe janë transfigurim i vetë botëkuptimit të autorit. Ja një shprehje e qartë e këtij botëkuptimi të autorit. Kont Guilielmi thotë: “Të gjitha revolucionet, që predikojnë barazi, vëllazërim e gjepura të tjera, janë përralla, kur nuk janë maska për të fshehur këtë të vërtetë, që e besojnë ata që sundojnë dhe shtiren sikur e përbuzin dhe e dënojnë sa për sy e faqe. Dashuria për kolltukun është më e madhe se çdo ideal. Kolltukët e të mëdhenjve kanë qëndruar gjithmonë mbi supet e popullit” (faqe 29). Mendimi i mësipërm  është një mendim i autorit për kohën e sotme dhe për vendin tonë, i transfiguruar  dhe i shprehur  përmes gojës së Guilielmit. Dëshirat e shprehura prej Guilielmit janë dëshirat e një ultrareaksionari, i cili kërkon dhe ëndërron përjetësimin e pushtetit të bazuar mbi shfrytëzimin e skllavërinë, të cilën e kundërshton pa fuqi i biri, Adoni, që kërkon dhe ëndërron  një botë më të moderuar, me liri të pakufizuara veprimi ( vetëkuptohet: liri borgjeze ). Fundi i veprës ( pjesa II ), siç e kemi cilësuar më lart, është një alegori, që tregon dhe shpreh qëndrimin e autorit ndaj shoqërisë sonë dhe dëshirën e tij për ta përmbysur atë, diktaturën e proletariatit”.

    Konkluzioni i ekspertëve letrarë të partisë ishte vrasës: “Kemi të bëjmë me shfaqje të maskuara antimarksiste, thirrje për përmbysje të pushtetit popullor. Vepra “Humnera e Plutonit” është me përmbajtje thellësisht reaksionare. Pikëpamjet e tij janë në kundërshtim me ideologjinë e Partisë.” [5]

    Këto janë disa nga vlerësimet skajshmërisht të politizuara të ekspertizës letrare, që u shndërruan në akuza penale nga prokuroria dhe gjykata, të cilat e dënuan shkrimtarin me burg të gjatë politik dhe humbjen e të drejtave civile dhe elektorale.

    Në akt-akuzën e gjykatës, lidhur me romanin “Humnera e Plutonit”, veç të tjerash, thuhet:

    “I pandehuri ka bërë thirrje në mënyrë alegorike për përmbysjen e pushtetit popullor. I pandehuri ka folur keq për luftën e klasave që zhvillohet tek ne duke shpifur se nuk ka demokraci dhe mirëqenie materiale, se nuk ka liri, jetohet keq, të ndjek sigurimi etj. Po ashtu i pandehuri, në dorëshkrimin e tij “Humnera e Plutonit”, nëpërmjet personazhit negative të Kontit, thotë: “Kësaj i thonë: o ji i lumtur ose i kënaqur, o të vrava!” Ai thotë se Partia jonë është dogmatike dhe fanatike. I pandehuri e ka konsideruar veten e tij si një shkrimtar me cilësi të lartë, në të njëjtën kohë ka folur kundër shkrimtarëve të tjerë të vendit tonë, duke i quajtur oportunistë dhe i ka krahasuar me bufonët mesjetarë. Ai ka shkruar kundër vijës së partisë sonë në arte, duke thënë se ajo u imponon shkrimtarëve të shkruajnë ato që ajo do vetë dhe jo ato që ndjen shkrimtari. Vepra që ka kryer i pandehuri, paraqet rrezikshmëri shoqërore të theksuar, sepse është zhvilluar përgjatë një periudhe relativisht të gjatë dhe në forma e përmbajtje armiqësore në shumë aspekte. [6]

    Po cili ishte qëndrimi i të pandehurit Astrit Delvina në hetuesi?

    “Ekspertët i shqyrtuan shkrimet e mia. Romanin e pambaruar “Humnera e Plutonit” e nxorën me përmbajtje reaksionare nga fakti se unë pranova  me sinqeritet, që shumë ide të personazhit negativ, ishin në mënyrë alegorike një shprehje e pakënaqësisë sime.”

    Hetuesi Z. Xh. I pandehur, flisni rreth akuzës!

    Astriti: Unë kam qenë kundër partishmërisë në letërsi, të cilën e quaja pedantizëm dhe një pjesë të mirë të shkrimtarëve i kam konsideruar si oportunistë, që nuk shkruajnë ato që ndiejnë, por ato që na diktojnë partia dhe pushteti. Ky mendim imi është shprehur në faqen shtatë te “Humnera e Plutonit”, nëpërmjet kontit Guilielm: “Artistët janë sot mbeturinat e bufonëve të dikurshëm, por më të rafinuar”

    Unë kam qenë kundër parrullës së partisë që thotë se interesi i përgjithshëm duhet vënë mbi atë personal. E kam konsideruar këtë si diçka që vjen në kundërshtim me interesin personal, me lirinë personale, i cungon ato dhe këtë e kam shprehur me anë të Guilielmit, i cili, ndër të tjera, thotë: “Interesi i shoqërisë shkatërron gjithnjë interesin personal”.

    Astrit Delvina, nga i akuzuar politik, kthehet në gjyq akuzues i partisë, pushtetit diktatorial dhe letërsisë së oborrit (Përjashtuar ndonjë shkrimtar si Petro Marko apo Ismail Kadare, të cilët pëlqeheshin prej A. Delvinës për mendimet,  artin dhe shumë pjekuri. -Shih dosjen hetimore, shënimi im, U.B)

     “Gjithashtu, unë mendoj se në vendin tonë nuk ekziston liria personale, megjithëse partia dhe pushteti deklarojnë me fanatizëm se ekziston. Këtë fanatizëm të partisë dhe pushtetit e kam shprehur, ndër të tjera, në faqen 35. Kësaj i thonë: O ji i kënaqur, o të vrava! Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se fjalët e partisë për mirëqenien e popullit, për demokracinë, nuk përputhen me realitetin. Unë kam folur për luftën e klasave, se kjo nuk është e drejtë se më atë, në vend të venë vetullat, po nxjerrin sytë, sigurisht këtë e lidhja edhe me luftën që më bënin mua. Kam thënë se ç’është nevoja t’ia kërkojnë votën këtyre njerëzve që i luftojmë, se këta e japin votën  nga frika dhe jo se e ndjejnë. Se disa persona të veshur me pushtet, luftën e klasave e shfrytëzojnë për interesat e tyre egoiste Se sot, sado që të punojë njeriu, nuk i shikohet puna, por guna., se pushteti ata njerëz që i lufton, midis tyre edhe mua, i konsideron të pandreqshëm…”[7]

    Nuk gjen shembull tjetër të një përballjeje kurajoze idesh dhe të një qëndrese të tillë prometheane ndaj regjimit komunist, jo vetëm në Shqipëri, por në tërë hapësirën e perandorisë lindore. Për këtë arsye autori u dënua me burgim të rëndë, mandej me internim në kampin e Shtyllasit, deri në ditët e fundit të jetës së tij. Jeta u tregua e pamëshirshme me të edhe në çastet e mbrame. Ndonëse i sëmurë me kancer, ai detyrohej të punonte në kampin e punës dhe të poshtërimit. U lejua të kthehej në shtëpi vetëm kur ishte në agoni, sa për të vdekur. Mbylli sytë në vitin 1990, në prag të zhvillimeve demokratike, për të cilat kishte ëndërruar, luftuar me kurajë të jashtëzakonshme, kishte shkruar si artist me shpirt të lirë dhe ishte sakrifikuar.

    Shkrimtari i Lirisë i ndjeu ato ditë që po vinin, ndaj edhe në frymën e fundit, tha: “S’dua tjetër, veçse të jetoj një ditë i lirë, pastaj le të vdes!”.


    [1]  Arkivi i MB , Dosja Gjyqësore 9955.

    [2]  Arkivi i MB, Fondi Hetimi Gjyqësor, Dosja 9955.

    [3]  Arkivi i MB, fondi hetimi gjyqësor, aktakuza.

    [4]  Po aty.

    [5]  Arkivi i MB, dosja 9955.

    [6]  Po aty, aktakuza.

    [7]  Arkivi i MB, hetuesia e A.Delvinës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË