More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArtur Spanjolli: Rikthim te “Vera pa kthim”

    Artur Spanjolli: Rikthim te “Vera pa kthim”

    Iu riktheva me dëshirë këtë verë, pas rreth 30 vjetësh, romanit të Mustafajt. Duke e shndërruar, ma lejoni këtë lojë fjalësh, në Verë me kthim, atë që ishte pa kthim. Dhe isha kurjoz për shumë arsye. Doja të kuptoja nëse i kish rezistuar kohës. Gjithashtu ç’do të mendoja tani, duke e rilexuar librin me këtë formim, me këtë pjekuri, me këtë sistem shijesh të tanishme, me këtë eksperiencë jete. 30 vjet janë 30 vjet. Shumë libra, që dikur më mahnisnin, rileximi i tyre më kishte zhgënjyer disi.

    Fillova ta lexoj me një nostalgji të sinqertë. Ndoshta nga fakti se aty brenda përshkruhen edhe ngjarje, sjellje, mendime si atëherë, kur jetonim në një tjetër ambjent, në një tjetër shoqëri, në një tjetër kontekst social, ekonomik dhe shoqëror. Mu ngjit në shpirt një melankoni e çuditshme per kohën që ikën. Kohën pa kthim të asaj epoke aq të largët. Po më dukej si një botë, të cilën e kisha parë veç në ëndërr.

    Që në fillim, si dikur, filloi të më bënte përshtypje ngjeshja, dendësia stilistike, kërkimi i fjalës, bukuria e frazave plot harmoni, detajet e goditura, shqipja e bukur dhe e rrjedhshme. Dhe sidomos loja. Ky roman ka një lojë të çuditshme. Një lojë delikate, ku lexuesi zbavitet duke ecur gjatë leximit, si mbi majën e një filli peri fare të brishtë. Mjafton një shkarje e vogël, një humbje drejtpeshimi dhe gjithçka rrënohet. Aq me kujdes ecet aty pra, si të ecje mes jetës dhe vdekjes. Mes të vërtetës dhe trillimit. Mes ëndrrës dhe realitetit.

    Me dukej sikur edhe unë vetë po ecja buzë një gremine.

    Njëlloj si një pararojë, e cila me kujdes eksploron, vëzhgon, shkel çdo shteg, hulumton çdo rrugë, çdo cep, çdo dimensjon të mundshëm. Po ashtu edhe autori ka eksploruar me kujdes gjithçka përreth universit të tij. Si dhe raportit të çuditshëm, që lidh të dy protagonistët: Sanës dhe Gorit.

    E para, Sana, gruaja e lodhur së prituri besnikërisht një të fejuar, bashkëshortin e ardhshëm, që ajo e dashuronte marrëzisht. I dyti. Gori i cili kthehet ta takojë, por është një kthim i çuditshëm, fare i pazakontë, por edhe intrigues dhe i mbushur plot me të papritura.

    Tek lexon romanin, lexuesit i duket sikur autori orvatet të eksplorojë gjithashtu edhe marrëdhënjet misterioze mes dy botësh. Ai nuk lë pas dore asnjë detaj. Nuk lë pa vëzhguar me vëmendj asnjë grimcë jete. Duket qartë që kujdesi i autorit gjatë shkrimit ka qenë ekstrem.

    Me një precizjon gati manjakal, shkrimtari loz bukur me këtë lidhje mes dy botësh. Asaj onirike, fantastike, misterioze, dhe asaj të të gjallëve, që njohim.

    Gori ka të gjitha karakteristikat e njeriut hije. Njeriut të përtej jetës, krejt të zhveshur nga pasjonet njerëzore. Autori e trajton me shumë përqendrim dhe mençuri figurën e çiftit gjithnjë në evolucion.

    E pranon a nuk e pranon lexuesi këtë lloj mardhënje të çuditshme dhe të parregullt mes tyre, kjo është një nga çështjet e librit. Ajo imponohet mbas çdo faqje, mbas çdo kapitulli. A është e besueshme ngjarja? Si do të vazhdojë? Sa do të na bëjë kurjozë? Ku do të dalë autori? Ç’do vallë të transmetojë ai te lexuesi? Ç’kumt? Ç’ide? Ç’iluzion fantastik? Ndoshta do të thotë se botët janë aq afër njëra tjetrës? Apo dashuria mposht gjithçka?

    Kjo ishte edhe një nga sfidat më të vështira të librit, të cilën autori besoj e ka kaluar me sukses.

    Loja mes të pranueshmes dhe të pa pranueshmes, reales dhe fantastikes, të besueshmes dhe të mosbesueshmes, bindëses dhe jo bindëses është një lojë delikate, e cila jo vetëm nuk i ndahet për asnjë çast lexuesit, por e intrigon, e josh, e nxit dhe e mbush atë me kureshtje. Por edhe duhet kujdes. Shumë kujdes. Ideja është e bukur. Gjetja artistike është e rrallë, fantastike. Në fund ajo bëhet edhe bindëse.

    Gjuha është e pasur. Ecuria e ngjarjes është e ngadaltë, e qetë, e pandërprerë. Si ritmi i jetës së dikurshme, kur jetonim nën dhunë. Edhe nga ana stilistike, romani është ndërtuar mirë.

    E vetmja kritikë që mund t’i bëj romanit është, ndoshta, se autori, mund t’i thjeshtonte sado pak disa kalime përshkrimesh, për t’i dhënë ngjarjes, historisë më dinamizëm, më ritëm narrativ. Herë herë tensioni bie dhe lexuesi rrezikon të futet në një zonë gri, të njëtrajtshme. Por më pas, kjo përshtypje tretet krejt.

    Për si e shihnim ne letërsinë aso kohe, ky roman dalë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” në 1989, ka qenë një ngjarje vërtet e rëndësishme për letërsinë shqipe të atyre viteve.

    Mënyra e shkrimit sillte një koncept fare të ri dhe surreal në botën e letrave shqipe, dhe ishim akoma para rënjes së diktaturës.

    Romani, i shkruar në vitin 1985, ishte vërtet një sfidë e vështirë edhe nga pikpamja letrare. Një roman me një tematikë delikate për t’u trajtuar, sepse mungonin krejt si bazat, po ashtu edhe tradita për kësi lloj subjektesh kryekëput fantastike, surrealiste, ekzistencialiste. Ndaj gjithçka duhej krijuar nga e para, me fantazi, me intuitë, me një logjikë të ftohtë, duke u mbështetur mirë në folklor.

    Loja nuk ishte thjesht për një personazh kaq absurd, kaq të tjetërllojtë. Personazh hije, i cili kthehet nga përtej jeta… Shkrimtari pra edhe mund të dështonte. Sfida ishte e qartë. Duke i mëshuar fort idesë së kthimit, plotësimit të dashurisë së parealizuar, dhe sidomos pritjes pa fund të protagonistes. Gjejmë në libër, si elemente të baladës së mbajtjes së fjalës së dhënë, por edhe elementë të mitologjisë greke. Ajo e pritjes. Sana e ka pritur me devocion burrin e saj. Krejt si një Penelopë e vërtetë.

    Jam i sigurt se ky roman do t’i mbijetojë harresës.

    Jo vetëm për kujdesin, dashurinë dhe përkushtimin, që autori i ka kushtuar çdo faqjeje të librit, por mbi të gjitha për tematikën dhe idenë e madhe të Realizimit të Dashurisë. Dashuria mund edhe vetë ligjet e vdekjes si në baladën e vjetër shqiptare. Ajo e kthen të pamundurën në të mundur. Absurden në realitet.

    Metaforë e ëndërrës, e dëshirës së zjarrtë të dashurisë dhe besnikërisë, ajo e tejkalon, mposht pra deri edhe tretjen e mishit.

    “Vera pa kthim” është gjithashtu edhe metafora e realizimit të një ëndërre. Është balada e Kostandinit, parë me sytë e kohërave tona moderne. Është vazhdimësia e mitit të Penelopës, ku Gori, në vend të hakmarrjes prej Uliksi kundër bukëshkalëve proçë, na sjell në libër një ekzistencë të dykuptimtë dhe fare të çuditshme. Indiferent si i Huaji i Kamysë, i ftohtë si ndonjë personazh i Shekspirit. I çuditshëm si personazhet e Kafkës, ky roman është një libër delikat dhe i zhdërvjellët. Aty fantastikja i bashkangjitet reales në çdo çast, dhe ku autori di të lozë si në teh të briskut. Ngjarja shkon natyrshëm, sa drejt magjikes dhe absurdes, po aq dhe drejtë së përditshmes dhe monotones.

    Ky libër, në mos i pari, ishte një nga librat e parë që i dhanë një drejtim të ri, më modern dhe bashkëkohor letërsisë shqiptare fill mbas rënjes së diktaturës. Gjithashtu e prezantoi shkrimtarin në atdhe dhe në botë si një nga personalitet më të spikatura në universin e letrave shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË