Kam 30 vjet që bëj të njëjtën punë. Jam roje varreze. Sapo ka rënë muzgu dhe në këtë orë protokolli parashikon që të bëj xhiron e sigurisë.
“Për cilën siguri po flet?” – do të thuash ti, – “Aty ku janë ata, kanë sigurinë e Atit. Askush nuk mund t’ua turbullojë gjumin e pasosur.” Flas për sigurinë e punëdhënësit tim. Çdo dhunim varri ul reputacionin e varrezës. Konkurrenca vitet e fundit ka qenë aq e egër, saqë edhe uljet që bëjnë menaxherët e marketingut, “Sill dy të vdekur dhe paguaj sa për një”, nuk kanë më vlerë.
Sonte jam i vetëm në godinën e vendrojës. Kolegu im ka marrë leje. Martohet! Në tavolinë kam procesverbalin e shërbimit, të cilin duhet ta firmos në orën 07:00 të mëngjesit kur lë turnin. Në fakt, procesverbali i shërbimit është si një libër i trashë, ku shkruhen rastet e incidenteve, të dhunimit të varreve, fenomenet e pashpjegueshme paranormale, të cilat rojet, por edhe autoritetet, nuk kanë pasur shpjegime për to. Në procesverbal gjen edhe përsiatje të rojtarëve ndër vite, si, për shembull, kjo fletë që rastësisht u ndala t’i hedh një sy.
Autori i shënimit është një ish-roje, Blaor Vlaga. Nga ajo çfarë kam dëgjuar nga kolegët, di që Blaori ka vdekur vite më parë, bash në këtë vendroje ku ndodhem unë tani. Roja i turnit të mëngjesit e pati gjetur me kokën mbi procesverbal. Raporti mjekoligjor thoshte se shkaku i vdekjes ka qenë një atak në zemër. Fillova të lexoj shënimet e të ndjerit:
“Varreza ku punoj quhet Drita e Parajsës. Unë jam një ish-mësues fizike. Jeta apo paaftësia ime më hodhi në këtë profesion. Një roje varreze. Gjatë këtyre viteve kam parë ngjarje nga më të çuditshmet, që në pamje të parë ngjanin me rituale normale: takime të përmallshme mes jetës dhe vdekjes, ceremoni mortore, përshpirtje, ngashërime të familjarëve për njerëzit e tyre të dashur, njerëz që vinin nga fundi i botës për të ndezur një qiri mbi varrin e njeriut të tyre të dashur.
Është e çuditshme sesi jeta dhe vdekja ndajnë zonat e influencës si dy superfuqi bërthamore. Shantazhojnë njëra-tjetrën, rreshtojnë ushtritë përballë, ndodh që për një moment të shkelin hapësirat e tyre respektive… por gjithçka është e përkohshme.”
Ndërsa isha zhytur në lexim, m’u bë se dëgjova një zhurmë, të thatë, diçka si e çara e mermerit. Ndërpreva leximin, mora armën e shërbimit, një çifte Beretta, dhe dola jashtë. Perspektiva para meje ishte një botë e mermertë me kryqe, engjëj, figura floreale, buste… e gjitha nën një qiell pa yje. Dëgjova zhurmë sërish. Vinte e njëtrajtshme, kishte një ritëm të përpiktë, më jepte ndjesinë e goditjes së një qysqie mbi dhe…
Bëra përpara nga parcela A, sektori 13. Mbi re u shfaq harku i vetullës së hënës. Vazhdova përpara. Zhurma u bë më intensive… Hëna mori territor nga reja që e mbulonte dhe ndriçoi të gjithë varrezën. Eca përmes parcelës A. Gishtin tregues e mbaja të mbështetur në këmbëzën e armës. Fotografitë mbi pllakat e varreve më ngjanin me njerëz që thua se kisha një jetë që i njihja. Kalova varrin e zonjës Ana, një vejushë që ia kishte lënë gjithë pasurinë e saj për bamirësi një azili pleqsh. Ngjitur me të ishte varri i një banditi që e kishin vrarë gjatë një grabitjeje. Më tutje vinte varri i vajzës me kukulla, e rrëmbyer, e shpallur e vdekur me vendim gjykate. Teksa kaloja parcelë pas parcele, zhurmat dëgjoheshin më të rralla. Më bëhej se ishin dy njëherësh dhe vinin nga drejtime të kundërta. Mbeta si i zënë në kurth. Nuk dija nëse duhej të bëja përpara apo të kthehesha mbrapa. Hëna praronte me dritë argjendi fytyrat mbi pllaka… Unë jam një rojtar në ditën e fundit të punës. Për një çast, kur zhurmat pushuan, mendova: Pse duhet të rrezikoj në ditën time të fundit? Kisha punuar për 30 vjet dhe e meritoja ta gëzoja pensionin, siç thuhej në këto raste. Kur mora të kthehesha, pashë që kisha përshkuar gjithë varrezën. Ndoshta kisha humbur kuptimin e kohës në një hapësirë ku jeta dhe vdekja takohen… mbase koha rrjedh ndryshe këtu…
“Një hap i zakontë për një rojtar varreze… një hap gjigand për një njeri të vetëm në mbretërinë e vdekjes.”
Hoqa gishtin nga këmbëza dhe vara armën mbi supin e djathtë duke bërë para drejt vendrojës. Kalova varrin “Far”, një varr në formë fari i një kapiteni anije… varrin me letrën Krajl Spathi, varri i një bixhozxhiu me nam… varrin me top futbolli, ku prehej një futbollist me nam i qytetit… varrin me mermer të kuq, me dy buzë, pa asnjë simbol fetar, varri i prostitutës Miriam… varrin në formë Benzi 240, ku prehej një djalë i ri që kishte humbur jetën në një aksident… varrin në formë fallike ku prehej një tip Casanove… Dhe ai që binte në sy metra larg ishte varri në formë kështjelle, ku prehej një pasunar i harruar, pasi kishte vite që nuk e vizitonte kush; flamujt shumëngjyrësh të kështjellës ishin kthyer në lecka të dala boje. Hëna ndriçonte si ata prozhektorët e kufirit atëbotë. Mund të lexoje gazetën nën këtë dritë hëne. U ndala diku nga mesi i varrezës. Sytë më hasën te një varr i thjeshtë. Ishte një gur i latuar me cepa, mbi një kuadrat bari. Në epitaf shkruhej:
“Jetoje jetën sikur të ishte dita e fundit mbi botë” – Blaor Vlaga.
Bëra përpara me hap të qetë drejt vendrojës. Dëgjova zhurma sërish, vinin andej nga varri-kështjellë. Ktheva kokën: pashë një qen bastard që i kishte hipur një shake… i mshante pa pra brenda si goditja e një qysqie mbi dhe të butë… Dëgjoheshin të lehura përzier me dhimbje kënaqësie…

