More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArta Marku Qëndro: Ka shumë gjëra për të bërë, nëse lindesh grua

    Arta Marku Qëndro: Ka shumë gjëra për të bërë, nëse lindesh grua

    Reflektim mbi një aspekt të librit “Politika si ide” të Valentina Leskajt

    Të jesh grua është kaq tërheqëse. Është një aventurë që kërkon shumë guxim, një sfidë që nuk të mërzit kurrë. Ke shumë gjëra për të bërë, nëse lindesh grua. Si fillim duhet të përpiqesh të mbështesësh idenë se Zoti, në ekzistoftë, mund të jetë edhe një grua e moshuar me flokë të thinjur ose një vajzë e bukur. Pastaj, të përpiqesh të shpjegosh se mëkati nuk lindi ditën kur Eva këputi mollën; atë ditë lindi një virtyt i shkëlqyer i quajtur mosbindje. Në fund, duhet të përpiqesh të dëshmosh se brenda trupit tënd, të lëmuar dhe me forma, ka një inteligjencë që ulërin për t’u dëgjuar”.

    Në aspektin formal, nuk është thënë mirëfilli kështu, fjalë për fjalë, si te “Zemërimi dhe krenaria” i Oriana Fallacit. Po fundja, ç’vlerë do të kishin përkime të tilla? Por konceptualisht gjen shumë pika të përbashkëta me sa më sipër te “Politika si ide” (Toena, 2021). Nuk është një libër mirëfilli për gruan, nuk do ta quaja as një libër mirëfilli feminist, por e ka të theksuar këtë përmasë teksa gruaja është fund e krye e pranishme, si pikënisje dhe si synim. Edhe kur flitet për politikën, për demokracinë, për demografinë, për fenë, për rrugëtimin në tranzicion, për të djeshmen dhe të sotmen, për botën dhe Shqipërinë, për protagonistë të historisë… gruaja është pjesë, gjithnjë. S’ka si të mos jetë. Ndaj te kjo anë e librit “Politika si ide” dua ta vë fokusin, që zë fill te pena që e ka shkruar: një grua, Valentina Leskaj. Me përvojën e angazhimit në media, në shoqërinë civile[1] dhe në politikë, Leskaj rrëfen, te “Politika si ide”, botën rreth saj; nxjerr në pah shenjat që kanë identifikuar kohën përgjatë të cilës ka ecur; tregon gurët e qosheve pa të cilët një ngrehinë nuk qëndron dot në këmbë, si koncepte dhe si individë; figurat që i kanë skalitur ata gurë… një mjedis i tërë në të cilin gruaja, këndej dhe andej kufijve, qëndron me dinjitet. Njëherësh gjithçka e rrëfyer jashtë e rrotull saj është e lidhur me nyje të pazgjidhshme me atë që është brenda, me autoren. Sepse gruaja e parë e librit “Politika si ide”, përveçse një fill përshkues e lidhës, është vetë Leskaj me përvojën e saj, e cila mbi pikat mbështetëse, që është bota e fakteve dhe e informacioneve, duke i interpretuar ato, ndërton botën e IDEVE… si një nga gjërat e shumta për t’u bërë, nëse lindesh grua…

    ***

    “Politika si ide” ka disa përkime të papritura mes grave të librit dhe autores së tij. Në fund të fundit, ndërsa ka shumë gjëra për të bërë, nëse lindesh grua… kryesisht ato gjëra janë përbashkuese edhe kur kohët dhe vendet të ndajnë.

    Si grua, Valentina Leskaj ndalet tek të ngjashmet e saj, të shumta e sidomos të rëndësishme, emra që kanë shënjuar historinë tonë e të botës, të cilat ajo jo vetëm i ka takuar por disa herë kanë qenë bashkëprotagoniste në momente kulmore. Megjithatë unë dua të përqendrohem te një shqiptare, edhe për faktin se vazhdon të jetë e mbështjellë me një tis opak, ende sot sikurse në fillimet e diktaturës, sado që jo për të njëjtat arsye. E kam fjalën për Ollga Plumbin. Vetë shpluhurosja e saj është një gjë që duhet bërë, nëse lindesh grua. Jo rastësisht Leskaj e ka zgjedhur si një protagoniste që hap faqet e para të librit. Në pamje të parë, nisur nga profili i theksuar feminist që ka pasur, duket sikur nuk mund të mungonte në një libër që titullin e kapitullit hyrës e ka “Gratë, një histori e shkurtër e feminizmit”. Por nuk është vetëm kaq. Prania e pashmangshme zë fill në momentit kur Valentina Leskaj, asokohe gazetare e re, shkoi ta intervistonte Ollgën tashmë të tërhequr e në hije, rrethuar më së shumi nga librat e bibliotekës së saj, në banesën e Rrugës së Kavajës të “mbuluar nga heshtja”[2]. Ollga ishte një magnet për Valentinën e re, edhe pse atëherë s’kishte si ta pikaste shenjën paralajmëruese për përkimet e mëpasme: Ollga si autore e shkrimeve në mbështetje të gruas në vitet ’30-’40, Valentina po ashtu në vitet 1984-1988, si kryeradaktore e revistës “Shqiptarja e re”; Ollga deputete e parlamentit shqiptar të vitit 1945; Valentina po ashtu, edhe pse në një kohë tjetër, shumë të ndryshme sigurisht e njëherësh të ngjashme sa i përket pranisë jo fort të ndjeshme të grave në ato mjedise. Mënjanë gjërat e tjera që krijojnë hendek mes dy grave, pasojë e kohëve në të cilat jetuan dhe e fateve. Te përkimet dua të rrimë, te gjërat për të bërë, nëse lindesh grua:

    Vajzat le të shkojnë të bëjnë dashuri, vëllezërit ta kuptojnë se është normale[3], shkruante Ollga në vitet ’30-’40 të shekullit të shkuar, në të njëjtën kohë kur Dija e Haki Stërmillit guxoi ta bënte dhe dështoi. E ndërsa Dijet ekzistojnë edhe sot thuajse pas një shekulli – vajza që guxojnë të jenë të lira e burra, vëllezër, baballarë që ua presin rrugën – në veprimtaritë me emërues të përbashkët të drejtat e gruas, Valentina Leskaj nuk kishte si të qëndronte në distancë humnerore me Ollga Plumbin e as me shumë gra të tjera që ka zgjedhur t’i përfshijë në librin e saj. Koha kalon, por shumë nga gjërat për t’u bërë, nëse lindesh grua, janë shpesh të njëjta, domosdoshmërisht të përsëritura.

    Kur Ollga Plumbi shkruante me pseudonimin Shpresa, dhe thoshte pikërisht se “gruaja shqiptare është në padijeni mbi gjithë të drejtat që i janë dhënë dhe do të shkojë shumë kohë gjersa ajo mund të përfitojë prej tyre” me siguri shpresonte se 90 vjet kishin për të qenë një kohë e mjaftueshme. Por, me gjithë ndryshimet e pamohueshme, dhuna mbetet, ndërsa vetë gratë ende s’e dinë plotësisht të drejtën që u përket.

    Jo pak, por 75% e grave të intervistuara në një studim të fundit, mendojnë se dhuna ndaj grave në familje është një problem i madh. Viti 2019 pati mbi 3000 raste dhune me bazë gjinore të raportuara ndërkohë që dihet se në Shqipëri ajo është e nënraportuar. Shumë gra nuk guxojnë të shkojnë e të raportojnë në polici, të tjera nuk e kanë as informacionin për këtë mundësi, pra nuk i njohin të drejtat e tyre dhe institucionet ku mund të drejtohen. Ka edhe nga ato që mendojnë se burri ka të drejtë ta rrahë gruan.” Kësaj here është Leskaj që e thotë. Dhe e thotë në vitin 2021 duke iu referuar një studimi të vitit 2019. Ndërsa mua më vjen shpeshherë para syve, dhe jo vetëm gjatë këtij reflektimi, një grua me shami në kokë që i buzëqeshte kamerës dhe thoshte me një siguri befasuese: “Gruaja e bën veten që burri ta rrahë”. Ndoshta fjalët kujtesa i ka ndryshuar, por jo thelbin dhe as tronditjen time tek shihja atë program televiziv të pak kohëve më parë. S’ka dyshim: sfida vazhdon të jetë po aq e mprehtë për gruan dhe guximi për ta përballuar lypset po aq i madh sa ç’e përshkruan Oriana Fallaci, ende sot… Ndaj vazhdon të ketë shumë gjëra për të bërë, nëse lindesh grua.

    ***

    Mes shumë gjërave për t’u bërë, nëse lindesh grua, është të qartësosh keqkuptimet lidhur me feminizmin. Sepse “shpesh feminizmi është parë si një qasje kundër, jo pro, në kuptimin kundër tjetrit, te ndryshmit në gjini[4]. Leskaj me të drejtë këmbëngul se burrat nuk duhet të shihen si pjesë e problemit, por si pjesë e zgjidhjes.[5]

    Sigurisht gruaja ndihet e diferencuar përballë burrave, margjinalizohet më së shumti prej vetë burrave, pëson dhunë prej burrave. Por ndarja në dy kampe të kundërta sjell luftën si pasojë dhe lufta, edhe në mbaroftë, ka një fitues e një humbës, ndërsa qëllimi i vënies në vend të të drejtave të gruas nuk është humbja e burrave, por të qenët bashkë në një rrafsh burra dhe gra. “Edhe përvoja ka treguar se përfshirja e tyre[6], aty ku është realizuar, ka dhënë rezultat”. Nuk është gjëja më e thjeshtë për t’u bërë, sigurisht. Në libër Leskaj sjell në kujtesë seminarin e parë për të drejtat e grave, për zgjedhjen e lirë dhe të drejtat riprodhuese që shoqata e saj pat organizuar në ato fillimvitet e epokës së re. “Mes grave që mbizotëronin numerikisht kishte dhe 2-3 burra. Nuk ishte e lehtë për të pasur më shumë. Dhe ata pak burra, u shqetësuan kur pikasën kamerat dhe mbuluan fytyrën me dorë, “edhe pse ishin nga ata që mbaheshin si njerëz mendjehapur. E kam të freskët edhe sot këtë skenë të vitit 1993.”[7]

    Shpresa ishte një pseudonim që e pat zgjedhur Ollga Plumbi, me siguri për të përçuar atë që ndiente (fundja nuk luftonte kot) dhe për ta injektuar. Por edhe Leskaj shpresën nuk ngurron ta përçojë, pse jo edhe për ta injektuar. Në fund të fundit është shpresa dhe besimi që nuk e lënë shpërfillëse ndaj disa dritëzave që i sheh të ndizen në mjedisin përreth. Ndaj kur flet për një protestë që u pat bërë me rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje në një shkollë të Tiranës, nuk e lë pa përmendur shënimin në pankartën që mbante në dorë një djalë i ri: “Burrat e vërtetë janë feministë”.

    ***

    Ndër gjërat e shumta për t’u bërë, nëse lindesh grua është mprehja e shqisave dhe gjetja e këndit të duhur të shikimit. E para pasojë është njohja e drejtë: njeh gjendjen e gruas, njeh kufizimet e saj; njeh po ashtu prapaskenën e shifrave që edhe kur duken optimiste nuk janë doemos pasqyrë e një vizioni. Sepse: “Në kulturën tonë qasja ndaj këtij problemi[8] shpesh është i orientuar jo si një detyrim i shoqërisë, jo si një e drejtë njerëzore, jo si një nevojë e vendit për të rritur potencialet, por si një mirësi apo favor që u bëhet grave[9]. Në shekullin XXI jo gjithnjë koncepti i të drejtave të gruas shihet si plotësisht i barabartë me konceptin e të drejtave të njeriut… ndërsa Ollga Plumbi e pat artikuluar qartë qysh më 1936[10].

    Njohja e Leskajt nuk është thjesht dhe vetëm teorike. Ajo e njeh terrenin, e ka shkelur vetë me këmbë, e ka zbuluar në mënyrë të drejtpërdrejtë, për një kohë të gjatë: teksa ka biseduar me Ollgën hijerëndë, të lirë dhe sfiduese, rrethuar nga librat e bibliotekës dhe revistat e gazetat e shumta me artikujt që vetë i shkroi mbi çështjet e gruas, ka takuar edhe gruan dibrane që punonte tokën buzë rrugës ndërsa makina e redaksisë së revistës “Shqiptarja e re” po e çonte për një reportazh. Nuk ishte aspak gruaja tipike e trumbetuar nga propaganda socrealiste, me lopatë në dorë, por me buzëqeshje rrezëllitëse. Nën një tis dëbore që binte nga qielli i hirtë, veshur vetëm me një triko të lehtë, një fund të hollë mbi pantallona, një shami nape mbi kokë dhe këpucë llastiku, dukej plotësisht e nënshtruar ndaj fatit, “si mijëra gra të tjera që kam pasur rast t’i takoj në të gjithë Shqipërinë për shkak të të qenët në gazetari”[11]. Nëna e 10 fëmijëve që i ushqente “me bukë e ujë, e nëse kam i shtij edhe pak sheqer”[12] ishte një nga faktet e radhës për të kuptuar se ka shumë gjëra për të bërë, nëse lindesh grua.

    ***

    “…Do të doja të lindeshe vajzë. Nuk jam aspak dakord me mamanë time që mendon se të lindesh vajzëështë fatkeqësi”, është sërish Oriana Fallaci, kësaj here në librin “Letër një fëmije që kurrë s’u lind”. Sigurisht në njërën anë është Oriana Fallaci, përballë saj e ëma sikurse për analogji në njërën anë mund të jetë Valentina Leskaj dhe përballë saj dibrania shpinëkërrusur që punonte tokën nën flokët e dëborës dhe mezi i ushqente 10 fëmijët. Gjërat për t’u bërë, nëse lindesh grua janë më të domosdoshme për të dytat, por nuk janë fort të lehta as për të parat. Sigurisht, të lindesh grua, je e detyruar, ende sot, të ecësh në rrugë të vështira e plot pengesa që të tjerët t’i vënë përpara edhe thjesht se je grua; por ecja nuk është e pamundur, përkundrazi, lënia e gjurmëve po ashtu bashkë me rrëfimin e përvojave si leksione edhe për të tjerët…

    “Politika si ide”, mund të konsiderohet një gjurmë e njëherësh leksion. Në fakt është një leksion i shumëfishtë, por ai lidhur me gruan, fort i rëndësishëm, përpos gjithçkaje, ka edhe vlerën se është i shkruar nga një grua që beson te domosdoshmëria e shumë gjërave për t’u bërë…


    [1]  “Angazhimin në shoqërinë civile e quaj kohën kur jam ndier më mirë, është një ndjesi që ta jep angazhimi që e bën si zgjedhje personale në shërbim të një komuniteti – qoftë edhe të vogël – është çështje lirie që ta mundëson qenia e pavarur, mundësia për të menduar me kokën tënde, brenda misionit, rolit që ti vetë ke zgjedhur të bësh”, Politika si ide, f. 90.

    [2]  Politika si ide; f.30

    [3]  Pilitika si ide, citim, f.27

    [4]Politika si ide, f. 45.

    [5]Politika si ide, f. 45.

    [6]  Burrave, f. 45.

    [7]Politika si ide, f. 50

    [8]  Fuqizimi i gruas.

    [9]Politika si ide, f. 61.

    [10]  “Akoma jemi shumë prapa në fitimin e të drejtave njerëzore”, Ollga Plumbi cituar te “Politika si ide”, f. 26.

    [11]  Politika si ide, f. 85

    [12] Po aty

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË