KreuLetërsiBibliotekëArsim Halili: Mëllenjat nuk mëkatojnë

Arsim Halili: Mëllenjat nuk mëkatojnë

1946.M

Në tridhjetë e gjashtë lëkurat
e zhburavitura nga dhembja
Nuk e ndeze dot cigaren e fundit Z

Secila lëkurë e rënë
Gjakosi fundin e onikogramit
me anatomi të zbehtë

Ornamente të skuqura
krijove në muzeun e heshtjes

Atë natë nuk deshte t’i ngjaje Judes
me mjekrën e zgjatur demode

janar 2026


HIJEZEZA S

Secilt mantel i preve xhepin
për inatë të Rozafës

Hija e Charles T. Barney
Fshihet në kala

Marubi mbështjell nëntëdhjetë e shtatë herë
imazhin gri të qytetit

Rozafës nuk i ka hije të buzëqeshë
për simotrën e saj S

Burrat murosen nga një djep bosh
Në pritje që smeraldi të shkëlqej

Eshtë vonë të pihet kafe e hidhur
në pedonale të zbrazët

Janar 2026


KËNDE NËNLËKURORE

Si mund t’i besoj Gausit
Secili kënd thyhet
Alfa grimcon gjymtyrët nënlëkurore

Si mund t’i besoj Gausit
Secili kënd i Nilit pritet në Jerusalem

Herioglifet shprushin venat
Kah këndi delta
Në secilën hapësirë boshe
Gausi mund ta emëroj një oborrtar të krisur
T’i masin gurët kilometrik pa formë

Gausit mund t’i besoj
Për misteret e shekujve
Për secilin numër mund
Ta boshatis një qytet gërmadhë

Janar 2026


VITRINAT PUBLIKE

Në raft fshihen koleksioni i kukullave rozë
Secili model shitet para se në vitrinat publike
Të ngatrrohen emrat e kukullave

Ndoshta bëhet vonë kafshohen nëntokësorët

Shkurt 2026


MËLLENJAT NUK MËKATOJNË

Në grigja të zbehta
Ateruan mëllenjat me tatuazhin K…

Mëkati Polifemit u rrotullua në det
Shtatëqind herë
Ata nuk erdhën në pelegrinazh të shenjtë

Mëllenjat me fytyrë akulli
Nuk tremben nga simfonia e shurdhër

Sa herë përgjaken gishtat e mëllenjave
Lëkura e mollës së ndaluar thartohet
Edeni zbret në horizont të anatemuar

Ditën e tetë mëllenjat shtegtuan
Të shpëtojnë Artemidën e vetmuar
Shenjtit mbajnë ditar për mëkatet e tyre

Shkurt 2026


SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË