More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArsim Halili: Maksimilian Lamberci njohës dhe studiues i shquar i letërsisë shqipe

    Arsim Halili: Maksimilian Lamberci njohës dhe studiues i shquar i letërsisë shqipe

    Monografia e Anton Nikë Berishës “Maksimilian Lamberci për Letërsinë Shqipe”

    Letërsia shqipe e shekullit XIX dhe e shekullit XX do të mbetej brenda arealit kulturor shqiptar, sikur të mos ishte sidomos interesim për gjuhën, traditat, doket dhe zakonet edhe në qarqet gjermanofolëse. Natyrisht për këtë interesim për letërsinë tonë, me theks të veçantë për letërsinë gojore dhe të shkruar, vendin meritor e zënë emra të mirënjohur tek ne e më gjerë si: Gustav Majer, Norbert Jokli, Holger Pedersen,Hani, Miklosiqi, Jiriçeku, Haberlandti, Maksimilian Lamberci. Megjithatë në këtë punimi do të ndalemi te njëri nga emrat e shquar: Maksimilian Lambercin. Duhet theksuar jo rrallë figura të tilla lihen disi në harresë, qoftë nga ana institucionale, qoftë nga individët. Në këtë rast ky pohim nuk vlen edhe për prof. dr. Anton Nikë Berishën, njërin nga studiuesit tanë serioz, njohës i mirë i punës së Lambercit, dhe kjo për faktin duke qenë njohës i mirë i kulturës sonë materiale, letërsisë së shkruar dhe asaj gojore me degëzimet e saj. Pra, prof. Antoni ia shtroi vetës detyrën që qasjen për figurën e Lambercit ta mbarështojë brenda një studimi monografik me titull “Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe”. Për figurën e Lambercit, siç thashë edhe më lart, është shkruar e thënë edhe nga autorë tanë e të huaj si nga Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Wilfried Fiedler, Qemal Haxhihasani etj. Po sjell në vijim vetëm një mendim të Eqrem Çabejt për veprimtarinë e Lambercit: “Ai është nga ata më të pakët ndër këta, të cilët në gjurmimin e problemeve shkencore janë nisur nga një vështrim tërësor i rrethanave objektive, duke kombinuar sidomos të dhënat e etnografisë me ato të gjuhës e të literaturës. Ndër të tjera dhe me anë të kësaj metode kërkimore e me rezultatet ku arriti nëpërmjet të saj ai ka kryer një punë që do të mbetet, ai u ka çelur rrugën brezave të dijes së mëpastajme1 […] Në veprimtarinë shkencore të Maximilian Lambertzit një vend kryesor zënë botimet rreth folklorit shqiptar veçanërisht rreth poezisë popullore në vështrimin më të gjerë të kësaj fjale. Me këtë punë në përgjithësi, ky dijetar pa dyshim zë kryet e vendit në këtë lëmë studimesh. Shkrimet e tij edhe këtu nuk janë përfundimet e shpejta të kërkimeve të rastit, ato janë pema e pjekur e përpjekjeve shumëvjeçare e me dashuri të madhe për lëndën2”. Duhet thënë se vepra e Lambercit është e gjerë dhe shumë shtresore, shtrihet në disa fusha, prandaj edhe për secilën nga to, do të mund të shkruhej e flitej shumë. Studimi monografik i Anton Nikë Berisha e ndriçon në gjerësi dhe në thellësi punën e Lambercit në fushën e letërsisë shqiptare, duke filluar nga viti 1916. Autori e ndanë studimin në katër pjesë, secila nga ato, na jep të dhëna, ku dëshmohet se Maksimilian Lamberci, pos qasjes që i bëri dukurive të gjuhës dhe letërsisë shqipe, me dinjitet mbrojti identitetin kulturor shqiptar edhe atëherë, kur kishte zëra ta mohonin ose t’i humbnin fare gjurmët e artit, dhe të kulturës shqiptare të kultivuar me shekuj. Pjesa e parë e studimit e ndriçon kryesisht dimensionin njohës të figurës së Lambercit dhe të rezultateve të punës së tij si albanolog i shquar. Tri pjesët e tjera të studimit e vështrojnë punën e Lambercit në fushën e letërsisë sonë të shkruar dhe të letërsisë gojore. Në pjesën e fundit shpaloset puna e Lambercit si gjuhëtar dhe përkthyes. Punimin tim për këtë figurë poliedrike do ta shtjelloj në njërin nga segmentet mjaft të rëndësishëm: Lamberci për letërsinë e shkruar shqipe.

    Kontributi i Maksimilian Lambercit për letërsinë e shkruar shqipe

    Maksimilian Lamberci (1882 – 1963) është pa asnjë dyshim njëri ndër albanologët më të shquar të qindvjetshit të shek.. XX , po edhe deri në ditët tona. Në shkurt dhe në mars të vitit 1917 në revistën e Shkodrës “Posta e Shqypnis” Lamberci botoi disa punime me vlerë mbi poezinë gojore shqiptare e po kështu mbi epikën. Pasardhësi i tij, njëri ndër emrat më të njohur të studimeve shqiptare, Wilfried Fiedler, e vlerësoi në këtë mënyrë Lambercin: “Po t’i hedhim një shikim të tërësishëm veprës së Lambertzit, mund të themi se ai na ka lënë një lloj enciklopedie albanologjike, në të cilën vend më pak të rëndësishëm zënë vetëm çështjet e etimologjisë dhe të gramatikës historike. Në qendër të veprimtarisë së tij, sipas mendimit tonë, ishte folklori, dhe ky interesim shkencor buronte nga dashuria e thellë e këtij shkencëtari ndaj shqiptarëve dhe karakterit kombëtar të tyre, dashuri kjo të cilën Lamberci e shprehu në çdo rast”.3

    Në punimin “Gjeneza e zhvillimi i literaturës shqiptare” Lamberci jep një pasqyrë të rrjedhës së literaturës shqiptare të vështruar përmes qarqeve letrare krahinore e konfesionale, si ai i Shkodrës në Veri, i Shqipërisë Mesme, i Jugut, i kolonive etj. gjersa në shekullin e kaluar u derdh në rrjedhën e përbashkët të literaturës kombëtare. Letërsisë shqiptare ky dijetar i është kthyer disa herë. Duhet përmendur sidomos studimin e vitit 1949 “Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar” Lahuta e Malicís “Një hyrje në botën e legjendave shqiptare”, ku flitet për këtë, po edhe për disa veçanti të poetit dhe veprës së tij. Ky interesim dëshmohet dhe nga punimi “Çështja homerike dhe epi i madh shqiptar”, në të cilin vëzhgohet në një dritë të re çështja e gjenezës së epit artistik prej këngësh të traditës, shqyrtuar sidomos nga Friedrich Agust Wolf. Nga literatura e arbëresheve të Kalabrisë, duhet përmendur këtu studimin e vitit 1956 rreth veprës së Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” të botuar më 1762.4 Disa mendime për veprën “Gjella e Shën Mërisë virgjër” të Jul Varibobës Edhe pse vepra e njohur e Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” është trajtuar në disa rrafshe dhe nga disa studiues, ajo që na intereson neve në këtë rast është si e ka trajtuar albanologu Maksimilian Lamberci këtë vepër të rëndësishme jo vetëm në komunitetin arbëresh, por edhe më gjerë. Natyrisht të dhënat faktike i sjell prof. Antoni në studimin e tij monografik. Lamberci e vlerëson veprën “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” “[…] si një kurorë prej baladash dhe poezish lirike”. Duke shkoqitur vlerat e kësaj vepre të rëndësishme të Varibobës , që bënë fjalë për Shën Mërinë dhe për të Birin e saj Krishtin, Lamberci shkruan: Vepra, më e mirë kurora e këngëve , është hartuar në dialektin e vendlindjes së poetit , për nga forma dhe përmbajtja e arrirë, plot hijeshi dhe poezi. Humori dhe tiparet e botës regjionale i bëjnë poezitë e Varibobës pa dyshim thesare më të çmueshme të letërsisë së shkruar italo- shqiptare”.5 Personazhet kryesore të kësaj vepre të poetit të Mbuzatit janë Shën Mëria dhe i biri i saj, Krishti, po Lamberci thotë se Variboba i këndon edhe për shenjtër të tjerë si Shën Antonin, Shën Zefin, Shën Kozmajn e ndonjë tjetër. Sipas Lambercit në këtë vepër poetike Variboba përdor në forma të ndryshme ninullat, këngët e lavdërimit dhe vajet. Përmes këtyre formave Maria e shqipton gëzimin, lavdin ndaj Hyjit të gjithëpushtetshëm, po edhe dhimbjen dhe vaji për djalin e kryqëzuar.6 Lamberci thekson se Variboba për hartimin e veprës së vet u mbështet në tekstet biblike dhe literatura tjetër teologjike, po shpesh në veprën e tij përshkrimet marrin ngjyrimin arbëresh, sidomos të letërsisë gojore.7

    Fishta në optikën studimore të Lambercit

    Rreth çështjes me mjaft me rëndësi është është të sjell këtu mendimin e Lambercit, në ç’mënyrë krijonte Fishta dhe se si ishte formësuar ideja për “Lahutën e Malicis”, të cilin autori Berisha e ka vënë në fusnotë të studimit të tij: “Atë Fishta si shkrimtar ishte mjaft i frytshëm. Ai nuk ia doli vetëm me gjeniunitetin e vet krijues, po ishte edhe shumë i zellshëm. Njeriu nuk ka fjalë të pohojë sesa me lehtësi ai krijonte. Planin e Lahutës së Malcís ai e mbajti gjatë në vete, pa mund të vendosë që të bëjë vijën e parë me penë. Kjo e mundonte dhe ai kishte një kohë të keqe. Ai ankohej shpesh që nuk mund të bënte ndonjë hap në epin e tij. Atëherë, një natë – më tregonte ai më vonë – shkonte i menduar dhe pak i gëzuar, nëpër korridorin e heshtur të kishës, para dhomës së vet, poshtë e lart, dhe mejtonte për lëndën e vet epike. Papritmas e kaplon një ndjenjë, sa i kërleshën flokët, si t’i kishin dalë nga vetja, ai i shihte qartë me sy, në një tablo të gjallë, trimat e Malësisë, Oso Kukën dhe Marash Ucin, Ali Pashën prej Gucís dhe Tringën, Ded Gjo Lulin dhe të gjithë të tjerët; dhe ata kalonin mbi të dhe luftonin dhe vepronin dhe vdisnin. Dhe ai i shihte teshat dhe kuajt e tyre, armët dhe fytyrat e tyre, ai i dëgjonte ata sesi flitnin dhe shihte gjithkah radhët çka ata bënin. Atëherë zgjohet (përmendet). Ishte mu mesi i natës. Vetëm një kohë të shkurtër ai ishte rrëmbyer nga ekstaza dhe kishte menduar se kishin kaluar vite (të tëra). Ai e kishte përjetuar epin e vet.” (M. Lambertz, Gjergj Fishta und das albaniche Heldenepos Lahuta e Malcís Laute des Hochlandes. Leipzig, 1949, f. 12.8 Vepra e Fishtës Lahuta së Malicí përmban 30 këngë, të ndarë në tri pjesë jo proporcionale: (1) mbrojtjen e kështjellës së Vraninës në bregun perëndimor të Liqenit të Shkodrës (1858- 1862, këngët I -V), (2) mbrojtjen e qyteteve Plavë dhe Guci (1878-1880, këngët VI-XXV) dhe (3) periudhën e xhonturqve (1908-1913, këngët XXVI-XXX, që përmbajnë fushat e Shevqet Turgut Pashës kundër fiseve të shqiptarëve të Veriut dhe luftën e parë Ballkanike). Kësisoj, epopeja e Fishtës përshkruan konfliktet më të rëndësishme, të cilat, në fund të fundit, mundësuan shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Pra, gjer në Luftën e dytë botërore, Lahuta e Malicís quhej epopeja nacionale e shqiptarëve, që glorifikonte çlirimin prej sundimit shumëshekullor otoman. Ndërkaq, gjatë kohës së komunizmit kjo vepër artistike ka qenë e ndaluar si brenda vetë Shqipërisë, ashtu edhe në Jugosllavi.9 Të dhënat dhe mendimet e para të Lambercit për letërsinë shqipe i ndeshim në punimin Albanische Mundarten in Italien (Dilektet shqiptare në Itali – Indogermanisches Jahrbuch II jhg (1914- 1915), ku ai kalimthi përmend letërsinë arbëreshëve të Italisë dhe disa nga shkrimtarët e saj. Lamberci thekson se në çerekun e fundit të shekullit XIX në jug të Shqipërisë lindi një letërsi e shkruar me përfaqësuesit të rëndësishëm, Naim be Frashërin dhe Asdrenin. Sipas Lambercit në Veri të Shqipërisë puna përkthyese dhe botuese me karakter religjioz, e nxitur nga Propaganda Fide dyqind vjet më parë, kishte marr hov. Në të vërtetë, një numër shkrimtarësh filluan t’i botojnë veprat e tyre letrare. Midis tyre përmend Fishtën, Gjeçovin, Anton Xanonin, Hil Mosin, Luigj Gurakuqin, Anton Harapin etj.10 Vendosmëria e Lambercit për t’iu përkushtuar studimeve diakronike qoftë të fushës së gjuhësisë dhe të letërsisë, ishte ndriçimi jo vetëm i problemeve dhe njohjes nga këndvështrime të disa veprave të letërsisë shqipe, po edhe polemizuese. Veçanërisht puna kërkimore dhe krahasimtare, në këtë rast kur merret me epin e madh shqiptar, Lahuta e Malicís të Fishtës. Duke i njohur mirë epet e Homerit, Iliadën dhe Odisenë, ai dëshmon për punën e madhe që e kishte bërë Fishta në realizmin e këtij epi.

    Lamberci shkruan: “Kjo na tregon (krahasimet e Fishtës me Homerin – A N B ) se Fishta nuk ishte vetëm homerist, por, në kujtimin e mrekullueshëm për veprën e tij të pavdekshme do të jepnim me plotë të drejtë kurorën e larit të Homerit shqiptar”. Sipas Lambercit epet e Homerit si dhe Lahuta e Malicís e Fishtës aq sa janë të ndërtuara mbi bazën e poezisë gojore, po aq janë vepra origjinale, vepra të shkruara nga autorë konkretë.11 Lamberci, përkthyes i Lahutës së Malicís në gjermanisht, Fishtën e quajti homeroid, ndërsa “Lahutën” “Iliadë shqiptare”. 12 Studimin e vet të parë në fushën albanistike Die Volkspoesie Albaner (1917) Lamberci ia kushti Fishtës – “Vjerrshtarit e kangtorit të veprave trimnijet të kombit të shqyptarëvet”. Në vëllimin Zwischen Drin und Vojusa studiuesi austriak e çmon Fishtën (ndërsa bënë fjalë për qarqet letrare shqiptare) si përfaqësuesin më kryesor të qarkut të shkrimtarëve të Shkodrës. Në Kruze Bibliographien der albanischen Lamberci e cilëson Fishtën si poetin më gjenial që deri më sot e ka dhënë Shqipëria, ndërsa në punimin e shquar Das Werden der albanischen Literatur si poetin më të madh dhe Lahutën e Malicís si epin më të madh artistik të shqiptarëve të krijuar mbi bazën e poezisë gojore shqiptare, sidomos teknikën e rapsodive të trimërisë (lexo këngëve me tematike historike dhe këngëve kreshnike ). Duke bërë fjalë për famën e Fishtës, në punimin Das Werden der albanischen Literatur Lamberc thotë: “Populli i vet e nderoi me titullin Poeti kombëtar, Nationaler Dichter, por me miratim e nder e çmonin edhe jashtë vendit qysh gjatë jetës së tij.13 Duke folur për rëndësinë e punës studimore të Lambercit dhe arsyet që ai të merret me epik e Fishtës, prof. Anton Nikë Berishës, veçon sidomos dy çështje. Çështja e parë që e përcaktoi interesimin e Lambercit për Lahutën e Malcís dhe për studimin e saj është plotnia dhe origjinaliteti në transponimin dhe shprehjen e botës shqiptare (të lashtë dhe bashkëkohore) në përbërësit qenësorë: shqiptimi i vetëdijes dhe i vetëdijesimit kombëtar, i brumosur nga ngjarje historike në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Rreth kësaj vepre të Fishtës studiuesi austriak shkruan: “Lahuta e Malicís është vepra më e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Epi është ngritur nga poezia popullore. Nëpërmjet teknikës epike të baladave dhe rapsodive popullore të cilat edhe sot jetojnë në malësitë shqiptare, poeti paraqet, në tridhjetë këngë qenësinë dhe zhvillimin e popullit shqiptar.14 Berisha thekson se dhe pse në vështrim të parë rrëfimi i ngjarjeve konkrete është pikësynim i autorit, kur thellohemi në qenësinë e mesazhit artistik, në sistemin kuptimor që ngrihet nga një strategji e menduar mirë nga njësimi dhe forca e rrëfimit epik, dallojmë qartas se ngjarjet konkrete janë vetëm bazë, janë vetëm shkas e motivim për të shqiptuar çështje qenësore të botës shqiptare në përgjithësi, pa lënë anash edhe ato legjendare e mitike. Për këtë arsye aq sa janë të pranishme e konkrete personazhe, ngjarje e luftëra që i përkasin kohëve të ndryshme duke filluar nga të parët tanë siç përmenden shpesh në veprën e Fishtës, po aq është i pranishëm edhe realiteti përfytyrues, i cili nuk shprehet në vepër as si qëllim i parë, as përbërës i rastit i ballafaqimit ( të realiteteve ai mospajtim ose si kundërvënie) as si mohim i realitetit jetësor historik, por është qenësi e strategjisë dhe konceptit krijues poetik të Fishtës. Çështja e dytë e rëndësishme që përcaktoi interesimin e Lambercit për studimin e Lahutës së Malicís është dhe lidhja e këtij epi shqiptar mbi Iliadën dhe Odisenë e Homerit dhe me vetë çështjen homerike e cila jo vetëm në kohën e Lambercit, por edhe sot ka ruajtur aktualitetin. Pikërisht Lahuta e Malicís e Fishtës i mundësoi Lambercit të marrë anën e përkrahëseve unitarë, të cilët mbronin tezën se dy epet antike, Iliada dhe Odiseja, janë vepra unike artistike të krijuara nga një autor i quajtur Homer.

    Atë që kishte bërë Fishta me veprën Lahuta e Malicís, të krijuar mbi bazën e poezisë epike gojore shqiptare e mbi strategjinë e rrëfimit epik, që te shqiptarët ishte kultivuar shekuj me radhë, duke arritur një nivel të lart, shekuj më përpara e kishte bërë Homeri, duke krijuar veprën e vet mbi bazën e poezisë gojore të traditës mjaft të pasur.

    Përfundim

    Siç u pa gjatë shqyrtimit të disa mendimeve të studiuesve dhe albanologëve të njohur, sidomos të mendimeve dhe vlerësimeve të Anton Nikë Berishës të shprehura në studimin monografik “Makimilian Lamberci për letërsinë shqipe”, del se studiuesi austriak jo vetëm ishte njohës i letërsisë sonë, po kishte vështruar e ndriçuar një varg dukurish e të veprave të veçanta të saj, siç e thekson Emin Azemi në parathënien e këtij studimi:

    “MAKSIMILIAN LAMBERCI PËR LETËRSINË SHQIPE” është një vepër kapitale e Anton Nikë Berishës që e lidh një traditë studimi të albanologjisë evropiane dhe, sidomos, të albanologëve gjermanë e austriakë, me lexuesin shqiptar, i cili pak ka qenë i njoftuar mbi kontributin e tyre. Kjo vepër është një përpjekje serioze, jo vetëm për ta ndriçuar një veprimtari pak të njohur të Maksimilian Lambercit, por edhe për të vendosur një standard vlerësimi në interpretimin e teksteve të autorëve të huaj mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare. Nga hulumtimet e prof. Berishës rrjedh që Lamberci kishte dhënë një ndihmesë të madhe, përpos në mbledhjen dhe në studimin e thesarit tonë gojor, edhe në prezantimin e specifikave etno psikologjike e kulturologjike të shqiptarëve para një lexuesi më të gjerë. Përmes studimeve të tij, sidomos të hulumtimeve të epikës sonë gojore dhe përrallës, Lamberci kishte arritur që ta ndriçojë pasurinë dhe karakterin shpirtëror e psikologjik të shqiptarëve përmes një “rentgeni” të vendosur dikund në malet e Shipërisë”.

      Referencat:

     [1]. Prof. dr. Berisha N. Anton, Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe, ITSHKSH, Shkup, 2021. [2] Prof. dr. Osman Gashi, Letërsia dhe miti, shb OM, Prishtinë, 2014. [3]. www. Telegrafi.com 3 mars19

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË