Me duart nënkresë
dhe nënshtresë lëndinën e gjelbër
i ndërkumtojmë njëri-tjetrit
kundrimet e qiellit të virgjër.
Ta ndiej dihatjen e ngrohtë,
dhe pse në hemisferën e tejme të globit,
Rrotullohu pak dhe nga kjo hemisferë,
të ta përkëdhel trupin
me diminutivët më të bukur të duarve,
të kandesh me fonemat e mallit
e të drithërohesh me zanoret e kandjes,
teksa trupin ta përshkojnë
bashkëtingëlloret dridhëse
dhe të lëngëtat tek rrëshqasin
mbi lëkurën tënde të shndritshme.
Kështu i mblodhëm me të shpejtë
Gjithë mjetet që na dhuroi gjuha:
fonema, morfema, pjesë ligjërate
dhe përfunduam së bashku në një fjali dëshirore.
Në fund ndezëm fishekzjarre pasthirrmash.
Gjithë fjalët e gjuhës festonin rreth nesh.