Poezia fituese e Çmimit Bullgar për Poezi Ballkanike Vutimski Queer 2025.
Do ta mësonte shqipen, gjuhën frënge, italishten në disa dialekte
në fletore pune do t’ia mjeshtëronim të trija
Ndjenjë, sensazione, la sensation—
në dy anët e fletës së bardhë, të zbehtë.
Çdo verë ai do të notonte në Lake Como
gishtat e vegjël do t’ja puthnim bashkë
recitimin do ta mësonte si shprehje, prej meje
e Carlo do ta ndihmonte t’i trembnin bashkë pëllumbat.
Fëmijëria nuk do të kishte shumë fotografi—
se Carlo ndihet i largët nga aparati.
Nënat tona do ta donin vajzën e vogël
fëmiun tim dhe të Carlos
gëzimin e parë që mban tri shtete mbi supe.
Do të ecte shumë pak për te çerdhja poshtë lagjes
një riskë buke do t’ja përgatisja unë, vendosur në çantën e krahut
sytë e kaltër, si të Carlos
zemrën e ndërtuar prej pasqyrash, si unë.
Do t’i shtypte duart mbi xhamat e dyqaneve—
në kërkim të një teleskopi, të lutem – ma blej një teleskop.
E di që ajo do të dashurohej në një violinë
që zemra e saj të ishte e akorduar.
Fëmija im dhe i Carlos
do të mrekullohej prej kafshëve
do të udhëtonim në Napoli
se shoqet brilante të Ferrantes na presin
do t‘ja blija atij kukullat më fine
ajo do të shndërrohej në qindra flutura
atij do t’ia mësoja përulësinë
asaj, fuqinë tokësore të poezisë
ajo do ta pëlqente simetrinë,
si Carlo
ai do të ishte Peshore, ose Bricjap, ani pse askush nuk beson më në yje.
Me kohën
do ta mësonte relievin e Gjenevës, akullnajat
shkencat natyrore, mrekullitë e Kutunusë
ekuacionet me dy të panjohura
si të mos provokohet zjarri ballkanik
gabimet e Bonapartës
fotosintezën, pluhurin kimik, përrallat e Andersenit
Van Gogu preu veshin
Mylène Farmer është monumentale
dashuria e dy baballarëve kumbon butë si një natë vere mbi Розова долина.