More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArbër Ahmetaj: Kur i vdes ora qytetit

    Arbër Ahmetaj: Kur i vdes ora qytetit

    Titulli i ngjan më shumë këngës te “Cikli i Kreshnikëve” e mund të ishte edhe “Vrasja e Omerit”. Në fund të fundit, rezultati është i rëndësishëm. Një i ri vdes nën plumbat e një atentatori, e një armiku të përbetuar, e një vrasësi me pagesë. Apo e gjitha kjo është një sajesë? Në fakt, nga ana shkencore nuk ka një ekzaminim kriminalistik, që përcakton shkakun e vdekjes, madje s’ka as akt formal zyrtar për vdekjen e tij. Rrjedhimisht ka më shumë supozime sesa konfirmime.

    Një tjetër gjë i afrohet së vërtetës absolute: qytetit, ku zhvillohen ngjarjet, i ka vdekur ora! 

    Duke mos qenë roman policor i mirëfilltë, nga ata ku ndodh një krim e dikush nga organet e hetimit shtetëror ose privat interesohet nga fillimi deri në fund të zbardhë enigmën, ky roman anon pak më tepër nga zhanri i romanit psikologjik, ku analizohet natyra e krimit dhe kriminelit, zbulohen ose jo arsyet e deformimeve psikike të vrasësit apo tiparet që e shndërrojnë viktimën në pre të vrasësit. Romani është vërtet i shkurtër e numri i ngjarjeve është tmerrësisht i kufizuar: një vrasje, një hetim i lënë përgjysmë dhe jehona e thashethemeve rreth tyre. Ngritja e hipotezave, vënia e tyre në pikëpyetje nga dëshmitarë të tjerë dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve, sado gjysmake, sjellin në roman atmosferën e qytetit.

    Në fakt, para se të jetë i një gjinie të përcaktuar, ky është një roman atmosfere, ku as krimet, as vrasësit, aq më pak autoritetet, nuk arrijnë të bëhen personazhe. Gjithçka bie në hije nga atmosfera e rëndë dhe mbytëse që krijohet në shoqëri të tilla, ku asnjë princip moral nuk njihet më, ku ligji dhe autoriteti shtetëror janë privatizuar e përvetësuar nga mujsharët, ku njeriu i thjeshtë, qytetari që ëndërron të krijojë jetën e tij të qetë e të ndershme, s’është asgjë, madje është më i lig, më i pamoralshëm dhe i padobishëm se vetë vrasësit dhe karaduzët e armatosur me para, influencë e pushtet mafioz.

    Nga pikëpamja e shkrimit, teknika e shikimit të së njëjtës ngjarje nga shumë kënde, nga shumë personazhe, ani pse jo e re, është përdorur pothuajse me sukses, duke i dhënë rrëfimit një dinamizëm të kënaqshëm, gjë që do të kishte qenë shumë më tërheqëse sikur në faqet e para të romanit, autori të mos ishte aq i pranishëm, madje disa herë edhe në veten e parë të numrit shumës, si: “Me anë të këtij libri nuk do të lajmërojmë, por do të shpjegojmë”. Kjo mund të ishte shmangur me një redaktim të kujdesshëm e ujërat e faqeve të para të romanit do ishin kulluar para se të printohej libri.

    Gjithsesi, krijimi i personazheve komplekse e të paraqitura kështu në formë poliedri, siç i shohin qytetarët e tjerë, përbën një sfidë të fortë për çdo prozator, sado me përvojë, e unë si lexues e gjej Mujdin Rexhepagën, Mujën, siç e thërrasin në roman babën e Omerit, një personazh thellësisht të realizuar, një njeri që e kemi nëpër këmbë në shoqërinë tonë prej shekujsh; është njeriu që pasurohet jo veç se është i zoti, por se u zë frymën të tjerëve, bën si i ditur, bën si i fortë, por në fakt është i brishtë dhe frikacak. E ani pse mund të vrasë e të paguajë vrasje, kur një gjëmë si vdekja e të birit i bie mbi krye, i paraqitet lexuesit me krejt njerëzinë, dobësinë dhe ndjeshmërinë e vet.

    Kapitulli i parafundit i romanit titullohet: “Monologu i Mujës pranë varrit të Omerit”. Po të kishte qenë: “Vaji i Mujit te vorri i Omerit”, përkitjet me këngët e kreshnikëve, që i ka sjellë me delikatesë në roman, do të kishin shkëlqyer edhe më shumë.

    Sipas të dhënave në web, Adil Olluri deri më tash ka shkruar dy romane, dy libra me tregime dhe një studim letrar. Sa do të na bëjë për vete në të ardhmen me prozën e tij? Revista Letrare do ta ndjekë këtë “affair” e do t’ju informojë! 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË