Autobiografia nuk është më një tagër i rezervuar vetëm për të famshmit e botës rozë. Librat mbi “Një lloj jete”, siç do të shprehej gazetari dhe shkrimtari anglez, Graham Greene, gjithnjë e më shumë po gjejnë autorë dhe lexues në mbarë globin. Letërsia e kohës sonë ka treguar se edhe përvojat jetësore të njerëzve të rëndomtë arrijnë ta shpërfaqin atë që sociologët e quajnë “kontekst historik e kulturor i realitetit”.
Lajmi i para pak ditëve për ndarjen e çmimit Nobël për shkrimtaren franceze, Annie Ernaux, duket i dha një jehonë të re autobiografisë. Për nobelisten më të re u tha se veprat e saj janë rrëfime të pastra nga jeta personale; janë përvojat e saj jetësore të treguara gjerë në intimitet: seksi, aborti, marrëdhënia me babanë konservator, “marrëdhënia” me fëmijën e abortuar, “marrëdhënia” me motrën e vdekur para lindjes së saj etj.
Siç ndodh rëndom, edhe këtë vit lajmi për Nobelin në letërsi nuk kapërceu pa debate – për dhe kundër, por sivjet ky debat u zhvendos edhe në faqet e shtypit rozë. Autorët e këtij shtypi, Annie Ernaux nuk e vlerësuan të denjë për çmimin prestigjioz, për shkak se, siç u tha, veprat e saj i përkisnin një bote “më shumë periferike se sa universale”: botës rozë. Shtypi e cilësoi Nobelin për të “një blof të letërsisë autobiografike”. Sipas logjikës së këtij opinioni, letërsia autobiografike do të jetë e preferuar për aq kohë sa do të ketë një dëshirë të papërmbajtshme (instiktive) të lexuesit për t’i futur hundët në jetën private të tjetrit. Fundi i fundit, një libër me kujtimet e një njeriu, i cili zbulon sekrete reale nga jeta e tij, gjithmonë do të jetë interesant. Prandaj, edhe kësaj radhe, autobiografia u pa si një mashtrim.
E vërteta është se autobiografia gjithmonë është parë si mashtruese. “Dyshimi” në të nis që nga koha e murgut derëhumbur, Shën Augustin, që konsiderohet themelues i saj. Si të mos shikohej me dyshim kur ai e (keq)përdori këtë lloj shkrimi për t’i larë mëkatet dhe për t’u bërë shenjtor? Vetëm “fuqia” e autobiografisë një mëkatar mund ta bënte sakaq shenjtor. Për shekuj me radhë autobiografia fqinjëroi ngeshëm me kuazishkencën – keqpërdoruesen dhe falsifikatoren e të vërtetës: historinë, andaj teoricienët me të drejtë e dëbuan prej letërsisë.
Por, edhe përkundër të gjithave, si për ironi, ndikimi që ka pasur autobiografia në historinë njerëzore është pakrahasimisht më i madh se i çdo zhanri tjetër shkrimor. Traktati teologjiko-filozofik “Confessiones” i Shën Augustinit (viti 400 e. s.), “Rrëfime nga jeta e Frederick Douglass, një skllav amerikan” (1845), libri i jetës i Mahatma Gandit “Historia e eksperimenteve të mia me të vërtetën” (1929), ditari i vajzës adoleshente, Anne Frank, “Ditari i një vajze të re” (1947), që u bë kryevepër e kujtesës mbi Holokaustin etj., janë shembuj ekzemplarë që flasin për rolin monumental të autobiografisë në historinë e mendimit njerëzor.
Çmimi Nobel për Annie Ernaux nuk është aspak një blof i letërsisë autobiografike. Përkundrazi, është një triumf i saj. Është mëkat që letërsia e Annie Ernaux u bë subjekt në shtypin rozë; letërsisë së saj nuk i mjafton as kritika okazionale. Është e denjë për shumë më shumë se kaq. “Ta shkruash jetën”, siç nominalisht na orienton një titull i një romani të saj, nuk është thjeshtë shkrirja në një e narratorit (autorit) me protagonistin (personazhin). Përmes shkrimit autobiografik ajo nuk pretendon thjesht “ta shkruaj jetën”, por ta eksplorojë botën në një kontekst shumë të gjerë social, politik dhe ekzistencial.
Duke ia parashkruar suksesin shkollës letrare të Masel Proust-it, përkatësisht kryeveprës “Në kërkim të kohës së humbur”, kritika okazionale franceze e vlerësoi letërsinë e Annie Ernaux për “guximin dhe mprehtësinë për të zbuluar rrënjët, largimet dhe kufizimet e kujtesës personale”. Më tej, sipas kësaj kritike, që nga fillimi i krijimtarisë së saj e deri më sot, Ernaux i qëndroi besnike teorisë së babazotit të saj letrar, Proust-it, sipas të cilit një shkrimtar do të prodhojë art në rast se me art kupton zbulimin e eksperiencave të tij jetësore dhe transformimin e tyre në mënyrë që të tregojë kuptim dhe dije.
Për fund duhet thënë se autobiografia nuk është më ajo zonja e rëndë me vellon e ftoftë klasiciste; sot ajo po na prinë drejt një mënyre të re leximi e interpretimi, përmes elementeve të reja narrative, të shumtën me parashenjën e autoironisë. Shënjuesi unë (veta e parë njëjës), përmes të cilit deshifrohej autobiografia klasike, sot sikur e ka humbur funksionin tradicional. Një fije aq e hollë i ndan zhanret saqë kufiri mes reales dhe fiksionit shkrihet e humbet fare. Narratori dhe protagonisti aq shpesh ngatërrohen, bëhen një dhe janë e njëjta gjë. Un-i i autobiografisë nuk është më kryevetja e teorive letrare, e ngrirë dhe e pandryshuar në kohë, por një amalgamë faktesh me elemente fiktive që po i nënshtrohet kushteve të reja ekzistenciale.
Shumica e shkrimtarëve pajtohen se, në fund të fundit, gjithçka çfarë ata shkruajnë s’është gjë tjetër veçse një unë. Çfarë do të mund t’i shtonim kësaj teorie po ta kujtonim sall një fjali prej memoareve të Gustave Flaubert-it: “Madam Bovary jam unë”(?)! Asgjë! Asgjë, sepse në kuptimin fundamental e gjithë letërsia është një autobiografi.