More
    KreuLetërsiBibliotekëArben Veselaj: Shtëpia në Plemetin (tregim)

    Arben Veselaj: Shtëpia në Plemetin (tregim)

    Në verën e vitit 2007, kur dielli i Kosovës rrezik t’i digjte edhe fjalët që dilnin nga goja, në fshatin Plemetin të Obiliqit u përurua një ndërtesë që s’e kishte parë syri i askujt më parë. Një ngrehinë e madhe me mure të bardha si pelerina e ndonjë shenjtori, mbiu aty si një dhuratë e mbështjellë me fletëpalosjet që mbanin stemën e Agjencisë Evropiane për Rindërtim, shkurtesën e së cilës përkthyesit kosovarë të anglishtes e shqiptonin rëndom ndërbuzash – me rr e jo me r: AERR. Banorët e Plemetinit, të mësuar me strehët që u pikonin edhe kur s’binte shi, e panë atë ngrehinë si një mrekulli. Një smerald që kishte shpëtuar prej duarve të Zotit, ishte rrokullisur nga qielli dhe kishte rënë në fshatin e tyre. Kishte katër kate, dy hyrje dhe njëzetekatër apartamente që ndanin një korridor të gjatë, të bardhë dhe dritëplotë si të ishte spital.

    Në ditën e përurimit Plemetini u zgjua herët. Gratë ndërruan fustanet e vjetra me disa të rinj që i kishin marrë ndihma nga një mision humanitar. Pasi vet u teleisën morën pastaj cullët e vegjël dhe i futën në lumin Sitnicë, për t’ua shpëlarë bythkat e rreckosura. Kur makina e zezë me flamurin e Bashkimit Evropian ndaloi përballë ndërtesës, banori i parë i Plemetinit, Ruzhdi Seklla, doli në pritje me pëllëmbën në gjoks, i veshur shik në të zeza, si të ishte deputet për ndonjë seancë komemoracioni. Ruzhda, siç e thërrisnin të gjithë, s’kishte shumë kohë që ishte emëruar kryetar katundi dhe punët po i shkonin vaj. S’bëhej ndryshe – faktet flisnin vet: kush më përpara Ruzhdës e kishte mundësuar një ndërtim të tillë, për të cilin ia kishte lakmi edhe vetë komuna e Obiliqit!?

    Përfaqësuesi i AER-it për Kosovë, gjermani Udo Koch, me një buzëqeshje që dukej se i shkonte zvarrë dhe i mbetej prapa shpinës, mezi e preu shiritin e kuq me një palë gërshërë të ndryshkura. Ky është fillimi i një jete të re për komunitetin tuaj, tha ai, ndërsa kamerat e televizioneve të shumta regjistronin çdo pamje dhe çdo fjalë të tij, sikur të ishin të fundit që do të thuheshin në atë vend. Ceremonia përcillej nga një ekip i madh gazetarësh e reporterësh vendorë e ndërkombëtarë, të cilët çuditeshin me gjithçka që shihnin: me fasadën e ndritshme, me dritaret që t’i errnin sytë, me fëmijët që valëvitnin flamuj të shumtë, me gratë që qanin nga gëzimi dhe me burrat që shtrëngonin nofullat të dukeshin më seriozë. Pasi u pre shiriti, Ruzhda solemnisht e rrotulloi çelësin në portën e madhe të hyrjes, u kthye kah turma dhe thirri me sa zë që pati: Rr’noftë Kosova, rr’noftë Gjermonia! Pas fjalëve të Ruzhdi Sekllës nisi daullja dhe vallja. Pak më tutje, një ansambël me një violinë, një fizarmonikë dhe një tambur kapi një mekam mallëngjimi që s’e shpjegonte dot asnjë manual misionesh ndërkombëtare. Para se të largohej, përfaqësuesi i AER-it u tha banorëve të Plemetinit: Pas gjashtë muajsh do të kthehem sërish. Dua ta shoh këtë shtëpi të mbajtur mirë, siç i ka hije një komuniteti që meriton më shumë! Plemetinasit duartrokitën. Dikush u betua me dorën në zemër, dikush tjetër u përkul t’ia puthte këpucët Udo Koch-it, por ai, si gjentelmen që ishte, nuk lejoi.

    Nuk u bënë as dy muaj kur plasën problemet në Plemetin. Ruzhdi Seklla u lodh shpejt. Rendi shtëpiak i doli duarsh. Nëpër korridoret e bardha të ndërtesës filluan të shfaqeshin njollat e para me vaj. Muret nisën të tymoseshin nga shporetet që ndizeshin nëpër ballkone, fëmijët t’i gërvishtnin muret me shkopinj lodrash, gratë t’i varnin rrobat mbi pullaz, si në ndonjë ekspozitë mjerimi. Dritat në korridore u shuan dhe porta e hyrjes u prish kur një kamionçinë që solli mobile të përdorura nga Ferizaj deshi të futej brenda.

    Pas gjashtë muajsh, ashtu siç e kishte dhënë fjalën, përfaqësuesi i AER-it, Udo Koch, u kthye në Plemetin, i shoqëruar nga eskorta e tij zyrtare dhe me po të njëjtin ekip gazetarësh e reporterësh. Që nga larg ai pa se një hije e zezë kishte rënë mbi ndërtesën që e kishte financuar fondacioni që drejtonte. Kur makina u ndal, Udo doli dhe nisi të ecte si pa kokë në oborrin e ndërtesës përplot me rrangalla. Sapo u dha të ecte oborrit provizor, nuk u kuptua nëse i rëshqitën këmbët, apo nuk deshi të shkelte në ndonjë vend të papërshtatshëm, por u pa se për pak sa nuk u rrëzua. Scheiße!, tha me zë të ulët, ndërsa i shikoi gjithë inat kamerat që po e xhironin. Mizerja filloi ta godiste në fytyrë me shkulme kundërmimi. I bëhej se i gjithë plehu i botës ishte shkarkuar në atë vend dhe po ia ngufaste frymën. Gazetarët dhe reporterët, të etur për skandale të tilla, xhironin gjithçka: thasët e grisur me plehra, lodrat e thyera, karriget këmbëpërpjetë, dritaret e mbuluara me batanije … gjithë atë zallamahi me erë të rëndë. Udo nuk foli asgjë. Buzëqeshja e varur e gjashtë muajve më parë iu tret diku në tymin e zi të termocentralit Kosova A, që pak më tutje po zvarritej si gjarpër mbi qiellin e Obiliqit. U kthye kah shoferi dhe i tha: Ngite makinën. Menjëherë!

    Një gazetar çek, në një reportazh që e publikoi në gazetën Dnes pak ditë pasi u kthye në Pragë, kishte shkruar: Përfaqësuesi i AER-it për Kosovë iku befas nga Plemetini pasi shkeli në një mut! Një javë më vonë, Udo Koch dha dorëheqje nga misioni i AER-it për Kosovë. U transferua në Bruksel, në një departament të qetë ku zyrtarët pinin kafe me qumësht soje dhe bënin politika për zhvillim të qëndrueshëm. E harroi Plemetinin, ose, thënë më mirë, mendoi se e harroi. Një vit më vonë, në një pasdite të ngrohtë pranvere, teksa po lexonte tabloidin gjerman, Bild, në faqen e parë pa një fotografi të një ndërtese që po digjej në flakë. Nën të shkruhej: Shtëpia në Plemetin, donacion nga AER-i, digjet nga banorët! Udo e mbajti gazetën mbi gjunjë për disa minuta. I mbylli sytë dhe për një çast iu duk se një grimcë tymi nga Plemetini kishte udhëtuar nëpër qiell dhe kishte hyrë në zyrën e tij në Bruksel.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË