More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Veselaj: Antiteza kadareane e miteve ballkanike

    Arben Veselaj: Antiteza kadareane e miteve ballkanike

    Tema e Kosovës në letërsinë e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, ka zënë vend qysh në librat e hershëm të tij. Kosova është trajtuar sa në prozën letrare, po aq dhe në poezi, por më së shumti në librat eseistikë e publicistikë të këtij autori. Vlen të përmendet këtu novela “Krushqit janë të ngrirë”, botuar pas demonstratave të studentëve kosovarë në vitin 1981, pastaj tregimi “Baladë për vdekjen e J. G”, i cili flet për vrasjen e shkrimtarit dhe gazetarit kosovar në Gjermani, Jusuf Gërvalla, në vitin 1982, poezitë shumë të njohura si: “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushë të Kosovës më 1389”, “Atje larg në veri”, “Kosova”, “Terrori në Kosovë” etj. Ndërkaq nga librat eseistikë e publicistikë që trajtojnë çështjen e Kosovës (historinë dhe mitin, politikën dhe luftën etj.), veçohen: ditari për Kosovën “Ra ky mort e u pamë” (1999), “Bisedë përmes hekurash”, (1999) – seria e letrave të shkëmbyera mes Kadaresë dhe Ukshin Hotit, në vitet kur ky i fundit mbahej në burg nga shteti serb, pastaj eseja “Shqiptarët në mijëvjeçarin e tretë”, si dhe shumë shkrime, letra dhe intervista të ndryshme etj.

    Por, një libër i vogël për nga faqet, por i madh për nga vlerat (i cili nuk është se është trajtuar aq shumë nga ana e studiuesve dhe e shtypit), “Tri këngë zie për Kosovën”, shpalos më së miri prosedeun kadarean të çmitizimit të miteve përmes letërsisë.

    Siç dihet, letërsia e Kadaresë, në pjesën dërmuese të saj, rrek tema të mëdha letrare, në mesin edhe tyre çmitizimin e historisë. Temat historike për të cilat shkruan Kadareja, në disa raste dalin krejtësisht të zhveshura nga të gjitha paragjykimet nacionale, ideologjike dhe të tjera.

    Kështu ndodh edhe me librin “Tri këngë zie për Kosovën”. Ky libër nuk “himnizon” vlera historike të asnjë kombi, bile as ato të kombit shqiptar. Pas leximit të librit  titulli “Tri këngë zie për Kosovën”, na del një lloj “mashtrim optik”. Këtu nuk vajtohet Kosova e pushtuar dhe e persekutuar, por përshkruhet saktësisht koha kur lindi miti për Kosovën. Këtu Kadareja nuk na jep as baladën e as elegjinë për Kosovën. Përkundrazi, na jep të kuptojmë se popujt ballkanas u detyrohen fatkeqësive dhe luftërave të vazhdueshme pikërisht për shkak se janë peng të hipotekave historike. Ballkanasit kanë më shumë se 6 shekuj që kur vazhdojnë të jenë viktimë e miteve të rreme, apo siç i koncepton Kadareja në këtë vepër: i këngëve që ndjellin zinë dhe kobin.

    Në këtë kontekst do të mund të konkludonim se ky libër i Kadaresë është saga më e bukur letrare e humbjes së fisnikërisë evropiane të popujve ballkanas. 

    Ashtu si dhe një numër i konsiderueshëm i librave të Kadaresë edhe “Tri këngë zie për Kosovën” nuk mund të klasifikohet me saktësi në një gjini të caktuar letrare. Dikush e ka quajtur roman i vogël trepjesësh, dikush libër novelash, dikush tregim parabolik, dikush tjetër përmbledhje me tregime etj. Vet autori, duke rrëmuar thellë në misteret dhe honet e historisë dhe të miteve, këto tregime i ka quajtur këngë – këngë zie.

    Sidoqoftë, tregimet që e përbëjnë këtë libër: “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, na japin “antitezat” letrare të Kadaresë mbi luftën e zhvilluar në Fushë të Kosovës më 1389, mes të ballkanasve të krishterë dhe ushtrisë së Perandorisë Otomane, që kishte nisur pushtimin e Evropës.

    Tregimi i parë “Lufta e vjetër” bënë fjalë për përgatitjet që dy palët – në njërën anë otomanët pushtues dhe, në anën tjetër, mbrojtësit ballkanas, i bëjnë para se të ndeshen në një betejë të përgjakshme në ditën e 28 qershorit të vitit 1389. Tregimi sjell ankthin e një lufte të pashmangshme, ndjenjën për humbjen e pashmangshme në betejë, si dhe vdekjen e pashmangshme që vjen në fund (duke përfshirë këtu, siç thotë autori “dy vdekjet e mëdha” – të princit serb, Llazarit dhe sulltanit osman, Muratit). Këtu ndihet ankthi mesjetar i parabetejës, frika të cilën mezi e fshehin princërit ballkanas dhe, natyrisht, e pashmangshmja “kapardisja ballkanase”.

    Tregimi i dytë “Zonja e madhe”, i cili mund të konsiderohet më i realizuari brenda këtij libri, flet për krejt atë që (mund të) ndodhë pas një beteje ku kanë lënë kokat dy mbretër, pas përgjakjes dhe pas humbjes së madhe. “Zonja e madhe”, që ka kuptimin metaforik për Europën, është, po ashtu, sinonim i vendit të ikjes nga lufta, i mërgimit, i arratisjes etj. Rrëfimi për rapsodët, që zë vendin pothuajse qendror të këtij tregimi, na jep një pasqyrë reale të mendësisë së ballkanasve: fiksimit të tyre për ta kthyer për vete historinë (për ta krijuar për vete eposin dhe mitin), edhe nëse ajo sajohet mbi fakte krejtësisht të paqena. Përshkrimi se si tërhiqen rapsodët (lahutarët shqiptarë dhe gusllarët serbë e vllehë etj.) mbi një kodër, prej nga ku e vështrojnë plojën e përgjakshme të Fushës së Kosovës, na jep njërën nga tablotë më të goditura letrare, mbi luftën që më të madhe e ka hijen e mitit se sa fuqinë e argumentit historik. Kadareja, si asnjë autor tjetër, këtu na jep tablonë e saktë mbi zanafillën e mitit për Kosovën – atë çastin fillestar kur lahutarët shqiptarë dhe gusllarët serbë stisin historina trimërie dhe heroizmi për luftën e Kosovës ashtu siç u shkon për shtati zotëve (padronëve) të tyre.

    Tregim i tretë (i fundit) i këtij libri “Lutje mbretërore”, që është një monolog i sulltanit turk, Muratit, është një nga tekstet më të fuqishme që ka shkruar ndonjëherë Ismail Kadare. Ky monolog mbase e përshkruan përmasën më reale dhe më të saktë të fatkeqësive ballkanike. Sulltan Murati, nga varri i tij i madh (shih ironinë: ai varr i madh është krejtësisht bosh!) në Fushë të Kosovës, paralajmëron luftëra të reja, fatkeqësi të reja mbi Ballkan.

    “Allah, u lodha gjashtëqind e ca vjet, mbret i vetëm midis gjithëkahnajës së krishterë. Nganjëherë, në orët më të rënda më sillet dyshimi se mos gjaku im është zanafillë e këtij tmerri. Zot, bëj që ta heqin gjakun tim nga kjo fushë e ftoftë. Bëje o Zot, shkule krejt baltën përreth sepse mjaftojnë vetëm ca pika gjaku për ta ndryrë brenda gjithë kujtesën e botës”.

    Libri “Tri këngë zie për Kosovën” është shkruar pikërisht në kohën e luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, e, ndërkaq, pikërisht në këtë kohë Kadareja e kishte shkruar dhe një tjetër libër me temë Kosovën – ditarin “Ra ky mort e u pamë”, përmes të cilit ai, natyrisht, merrte anën e shqiptarëve duke iu kundërvënë ashpër agresionit serb. Pra, në rastin e parë kemi një prozë letrare (“Tri këngë zie për Kosovën”) ku autori nuk mban anë të asnjërës palë, kurse në rastin e dytë – në veprën publicistike “Ra ky mor e u pamë”, ai hapur del kundër serbëve.

    I vetëdijshëm se shkrimtarët me veprat e tyre fiksionale shpeshherë mund të bien në kurthet e moskuptimit dhe të keqinterpretimit, ashtu si edhe në disa vepra të tjera, edhe tek “Tri këngë zie për Kosovën”, Kadareja, si një mjeshtër i madh, na i jep të dekoduara figurat historike; na i jep të zhveshura kumtet e errëta të miteve që nxorën historitë nacionale të popujve ballkanas, dhe, në fund, na i parqet lakuriq prapaskenat nacionaliste e politike që vazhdojnë të rrojnë nga mitet ballkanike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË