Poetja Loreta Schilock promovoi vëllimin e saj poetik në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në vijim të aktiviteteve për “Muajin e letërsisë” poetja Loreta Schilock u takua më datë 20 nëntor 2023 me studentët e degëve Gjuhë-letërsi dhe Gazetari-komunikim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” . Takimi u zhvillua në mjediset e Bibliotekës Shkencore të këtij universiteti. Moderatori i takimit prof.as.dr. Arben Prendi, drejtor i departamentit të Letërsisë, prezantoi autoren dhe vëllimin e saj poetik “Shtegtim vargjesh”. Ai vlerësoi se këto takime janë një mundësi e mirë për studentët që të njihen me vepra dhe autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe bashkëkohore, si dhe të nxiten që edhe ata të marrin kurajo për të publikuar krijimet e tyre letrare.
Autorja Loreta Schilock shprehu kënaqësinë e saj që librin e saj të parë me poezi e promovon në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” para studentëve, që janë edhe lexuesit më të mundshëm të poezisë. Për vlerat artistike të këtij vëllimi diskutuan Edon Bushaj, student i masterit profesional në Gjuhë-Letërsi dhe Arben Prendi, drejtor i departamentit të Letërsisë.
Poetja Rozafa Shpuza përmes një bashkëbisedimi me autoren, veçoi edhe kontributin e saj si përkthyese e letërsisë nga gjermanishtja në shqip dhe anasjelltas si dhe përvojën e saj si docente në Universitetin e Shtutgartit.
U lexuan me këtë rast disa poezi të autores nga Aleksandër Prenga, student i baçelorit në Gjuhë-Letërsi, Xhuljana Guri, studente e baçelorit në Gjuhë-Letërsi dhe Arjola Zadrima, studente e baçelorit në Gazetari-Komunikim. Gjithashtu, poezi u lexuan edhe nga Nikolin Ferketa, aktor i Teatrit “Migjeni”.
Vëllimi poetik “Shtegtim vargjesh” është libri i parë me poezi i autores Loreta Schilock. Përveçse poete, autorja është përkthyese nga gjuha gjermane dhe shqipe, docente në Universitetin e Shtutgartit. Siç shprehet autori i parathënies së librit prof. Besim Rexhaj, leximi i lirikave të poetes Loreta Schilock është një udhëtim poetik nëpër shtigjet e një bote të veçantë, të ndryshme dhe origjinale nga ajo që rëndom hasim gjatë leximit të poezisë, e cila tash e sa kohë, duke ju falë modës e trendeve, jo rrallë tradhton vetveten e uniformizohet deri në skematizëm.
Do të shtoj se, poezitë e këtij vëllimi janë kryesisht lirikë intime, moderne në kuptimin e mënyrës se si ajo e vështron dhe e përjeton vetveten, “unin” saj njerëzor. Kjo lirikë është mbështetur në gjendjet shpirtërore të poetes, të cilat, përkthehen në imazhe poetike, por edhe në domethënie kuptimore, ngjyra dhe tinguj.
Gjuha poetike e saj synon komunikativitetin përmes qartësisë së domethënieve kuptimore, fjalorit poetik, të kapshëm prej lexuesit. Madje ajo është një lirikë që kërkon bashkëpunimin e lexuesit të saj. Gjejmë aty temat universale të lirikës, si: dashuria, vetmia, trishtimi, gëzimet dhe zhgënjimet e jetës së përditshme, deri tek familja, atdheu, poezia si art etj., mirëpo këto tema universale, poetja i individualizon me thjeshtësi dhe duke folur me vete…Nga vargu në varg poetja është njëfarësoj si Liza në botën e çudirave, por që udhëton brenda vetes. Atë e mrekullon dhe e çudit bota e unit të saj. Loreta është një poete e ndjeshme, delikate në skicimin e imazheve poetike. Madje në një tekst ajo e cilëson veten si “poezi pa titull” që pret pikërisht titullin nga i dashuri, duke krijuar një lojë poetike ku rezulton se i dashuri i saj është lexuesi i nënkuptuar, ose të paktën i dashuri i saj është lexues dhe shijues i poezisë:
“Pa titull
… Më rrëmbe në krah e më lexo:
Se jam shkruar për ty,
Kam mbetur pa titull…
Sepse titullin e pres nga ti.” (f.39)
A është i dashuri si lexues apo lexuesi si i dashur?! Mund të jenë të dyja!
Marrëdhëniet themelore në krejt vëllimin poetik “Shtegtim vargjesh” janë ato mes të dashurit dhe të dashurës. E dashura shkruan për të dashurin, për dashurinë, sepse ai e bën të dashurën e tij të ndihet si në fillim të krijimit të botës (Adami-Eva).
“A do të isha e dashur
po të mos t’më ledhatonte dashuria jote.” (f.48)
I dashuri duhet ta lexojë të dashurën siç lexohet një poezi, madje ta lexojë kaq me kujdes, përkujdesje e dashuri, përkushtim, sepse ai duhet t’i vendosë poezisë edhe titullin e duhur…
Lirika moderne, siç thuhet shpesh, është gati e papërkthyeshme dhe madje, për dallim nga lirika tradicionale, edhe e pakomentueshme deri në fund. Edhe lirikat këtij vëllimi, secilit lexues do t’i flasin ndryshe.
LORETA SCHILLOCK një mundesi e sakt MËSIMI se si duhet shkruar POEZI . Një përshéndetje me urimin më të mirë që në vitin 2024-tër, të na dhuroj edhe ndonjë libër VLERE. Mergimtari nga Holanda
Ju falenderoj shumë për vlerësimin. E juaja, Loreta