More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Prendi: Gjetje poetike që abstragohen natyrshëm

    Arben Prendi: Gjetje poetike që abstragohen natyrshëm

    Këto ditë u botua nga shtëpia botuese “Shkodra” vëllimi poetik “Kujtesa e së djeshmes e nesërmja” me autor Viktor Vokrrin (1965-) nga Lezha. (Redaktorë të librit janë Arben Prendi dhe Hekuran Koka). Fillimet poetike të autorit janë të hershme, diku nga vitet 1988, kur boton poezitë e para në gazetën “Koha jonë” dhe bie në sy për sinqeritetin dhe origjinalitetin e tij poetik. Në edicionin “Ora e Muzës” 2022, organizuar nga Klubi letrar “Ndoc Gjetja” në Lezhë, autori është vlerësuar me Çmimin “At Gjergj Fishta” për poezinë.

    Ky vëllim, pas vëllimeve “Lutja jote”, “S’din me ardhë kurrë e shtuna”, “Sul filo della propria esistenza”, “Similitudine”, “Buzëqeshje varur në degë” të botuara në harkun kohor 1993-2023, është vëllimi i gjashtë me poezi për autorin.

    Përmes një gjuhe komunikative në shprehjen gjuhësore aq edhe të mbushur me ndjenja, përjetime e reflektime nga ana përmbajtjesore, autori na shpalos botën e tij poetike, që ka dimensionet e botës në të cilën ai jeton dhe përfshihet.

    Autori është një vëzhgues i hollë dhe i ndjeshëm i trajtave të së përditshmes dhe poezitë e veta i ndërton nga gjetjet poetike të qëmtuara nga këto vëzhgime. Pra, siç ndodh me poetët, ai e gjen poetiken atje ku të tjerët kalojnë të pavëmendshëm apo nuk janë në gjendje ta vënë re. Ndërkohë, poeti mbetet i përfshirë në nevojën për t’i shprehur gjetjet dhe përjetimet e tij në mënyrë poetike, përmes një fjalori poetik që afron shumë me stilin e të folurit të përditshëm, në formën e bisedës së nënkuptuar me tjetrin dhe me veten. Poeti bashkëbisedon varg pas vargu me lexuesin e nënkuptuar dhe veten, ndaj edhe shumë prej poezive ngjasojnë me biseda poetike për gjëra të rëndomta, por edhe shumë të rëndësishme të ekzistencës. Gjetja poetike e qëmtuar nga dukuritë e rëndomta abstragohet natyrshëm dhe gradualisht në shprehjen e problemeve esenciale, që i japin kuptim ekzistencës së qenies njerëzore, si: dashuria, nostalgjia, malli, dhimbja për humbjen e njerëzve të dashur, brenga për humbjen e identitetit etj.

     Temat dhe motivet kryesore të poezisë në vëllimin “Kujtesa e së djeshmes e nesërmja” të Viktor Vokrrit, lidhen me marrëdhënien e poetit me veten, të tjerët dhe atdheun.

    Jo rastësisht, një pjesë e mirë e poezive shprehin raportin e tij me: familjen, ku shquhen poezitë për nanën, fëmijët, gruan, nipin etj.; vendlindjen, atdheun, ku shprehet malli, dhe pamundësia për të qenë pranë tij. Familja është mikroambienti i pranishëm, atdheu makroambienti i munguar. Atdheu i munguar fizikisht, zëvendësohet nga ai shpirtëror. Këto raporte ndërthuren dhe janë vijime të njëri-tjetrit, ndërhyjnë dramatikisht tek njëri-tjetri. Bie fjala, nana që pret tek cepi i oborrit është imazhi i vendlindjes, atdheut, është shkaku për t’u kthyer në vendlindje, anasjelltas mungesa e saj e vë në dyshim serioz kthimin në vendlindje. Mungesa e saj nuk e motivon më kthimin në vendlindje, dhe kjo lidhje do të zbehet gradualisht, sepse vendlindja është prania në të e njerëzve të familjes dhe e të njohurve, pra dimensioni shpirtëror, mungesa e tyre vë në dyshim raportin e njeriut me vendin fizik.

    Në këtë raport shprehet edhe dhimbja e brenga për humbjen e identitetit dhe asimilimit të njeriut në vendin e huaj, veçanërisht të brezit më të ri, i cili do ta ketë atdheun në tokën ku ka lindur dhe jo më atdheun e prindit. Madje ky raport përbën edhe bërthamën konceptuale dhe shqetësimin e krejt vëllimit. Poeti gjendet ndërmjet dy atdheve: atdheut ku ka lindur dhe është rritur deri në moshë madhore, por të cilin e ka lënë si shumë bashkatdhetarë të tjerë në kërkim të një jete më të mirë; dhe vendit të huaj që i bëhet atdhe i dytë. Mirëpo kjo gjendje krijon traumën shpirtërore e cila “përkthehet” në gjuhë poetike dhe mënyrë për t’u çliruar psikologjikisht prej saj. Në mjaft prej poezive është shprehur drama e të larguarit nga vendi me pengun e fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë së parealizuar në vendlindje, por edhe me obsesionin për ta mbajtur kokën pas nga atdheu i rrënjëve, siç konstatojmë në poezitë: “Kartolina me fishekzjarre”, “Në klubin kinez”, “Mbiemri i komshiut”, “Fillon e shkurtohet njeriu”, “Stacion para së dielës”, “Vjeshta skuqi shegët”, “Nipi”, “Zogj në një fletë të bardhë”, “Shtëpi në shitje”, “Vaj në telajo, Pllana”, “Atdheu largohet”, “Qira-jabanxhiu banon në shtëpinë tonë”, “Gjithçka e ka një çmim duhet pagu”, “Kujtesë” etj.

    Ky vëllim poetik shënon një arritje artistike për autorin dhe një konfirmim të këmbënguljes për të vijuar me lëvrimin e poezisë edhe në të ardhmen.


    MBIEMRI I KOMSHIUT

    Mbiemri i komshiut,
    emri i një Atdheu të largët shkruar me makinë shkrimi
    fillon me A të madhe shtypi.

    Një ditë e gjysëm kohë rrugëtimi Toka,
    atje ku e shterr forcën shikimi.

    Në tabelë,
    dy gozhda ngjyrë ndryshkut,
    gozhduar në derë,

    nuk dhembin, gjak nuk rrjedhin.

    Shqiptar, – mbiemri i komshiut në derë.
    Ta kesh të skalitur në ballë njëlloj nuk është,
    as nuk është e lehtë.


    DIÇKA E BUKUR PO NDODH

    Diçka e bukur po ndodh, teoria e Bukovskit
    në rënie të lirë:

    Lëre duhanin, fëmijët e tu këshillojnë.
    Kur fjala nuk mbahet,
    bërtasin,
    shajnë paburrërinë e të atit.

    Jetohet me fishekun në trup, plumbi nxirret pak nga pak,
    pa e kafshuar buzën.

    Bishtat… gëzhoja beteje,
    kambën në ecje kokës së gjarprit,
    presioni i lartë,
    rreziku i zjarrit.

    Shoqëria e një gruaje të bukur,
    aroma e këndshme e kafes.
    Nga përjashta,
    duhet të kthehem pa cigare në gojë, pa u shtruar darka.


    VJESHTA SKUQI SHEGËT

    Re të zeza sterr, ngarkuar deng me rrufe,
    me kokrra të bardha.

    T’i nxjerrësh nga frigoriferi më të ftohta nuk janë.

    Mendja shkon te të korrat, te të mbjellat,
    te tjegullat,
    tek i mbrojturi pa mburojë.

    Zemra m’i thotë atij atje lart: “Mos merr hak!”.
    Janë Zotat në tokë, na nëpërkambin.

    Pak më herët se kudo atje lind mëngjesi,
    lëre edhe pak pa u falur diellin.

    Ulërin zhurma, gjithçka dridhet.
    Dyshime plot,
    një zemër dhe një mendje.

    Stina e verës shkoi,
    të vonat në kohë ia arritën.
    Vjeshta skuqi shegët,

    i shkundi.
    Përtokë hodhi,
    fruta breshëri të papjekura.


    ZOGJ NË NJË FLETË TË BARDHË

    Po shtrenjtohen biletat për në Shqipërinë e shtrenjtë,
    për në Atdheun që e duam me fjalë,

    periudha kur nuk preken me dorë…

    Me marr rrugë për qejf në ktë vapë, në ktë siklet,
    sakrificat s’kanë t’pagume.

    Aeroporti i Milanos, aeroporti i Tiranës,
    fluks i madh,
    thonë, ata që kanë shku e kanë ardhë,
    s‘ke ku ve kambën.

    Hava me hedh mollën, molla s’e prek tokën.

    Tu pa e tu shpik,
    tu pa e tu mendu,
    me gjetë një formë tjetër ma t’shpejtë,
    edhe ma t’shpejtë se me fluturu.

    Zogj në formë aeroplani mbushë me udhëtarë,
    tu ma ba janë me dorë,
    në një fletë të bardhë.


    ATDHEU LARGOHET

    Atdheu po largohet përditë e sa ka,
    dallgët shkojnë,
    s’kthehen.

    Fronti i Perëndimit me Horizontin e Lindjes,
    dy sekonda larg,
    aq sa zgjat
    dhënë-marrja e frymës.

    S’na ndan më veç deti në mes, bregu përballë krejt afër.
    E gërryejnë,
    përmbushin detyrimet që mbetën përgjysmë, dallgët.

    E tmerrshme
    kur s’ndihet më zhurma,
    që krijonin mallet.


    QIRA-JABANXHIU BANON NË SHTËPINË TONË

    Në shtëpinë tonë, që braktisëm me kohë,
    qira-jabanxhiu mban derën hapur,
    mban zjarrin ndezur,
    mban ngrohtë lidhjet që u ftohën me Atë Dheun,
    mban shtrënguar me katër duar,
    lidhjet që u këputën.

    Brezit tim,
    gati të gjithëve u ka vdekë Nana,
    rolin e Nanës, në shtëpinë tonë, që braktisëm me kohë,
    e luan një Zonjë tjetër.

    Mëngjes për mëngjes ajo fshin oborrin,
    është ajo që vadit lulet,
    pjek bukën.
    Në mbrëmje, me sytë nga porta,
    pret të kthehen fëmijët e saj.

    Në arkën e vjetër të Nanës, teshat e vdekjes mungojnë,
    nuk ruhen ma ëmbëlsira,
    as shegë, as mollë.

    Qira-jabanxhiu, banon me kohë, në shtëpinë që braktisëm,
    vjel vreshtën që mbollëm, pjek rakinë tonë,
    për vete dhe për ne,
    nëse llogaria nuk del, i fut bërsive edhe pak sheqer.

    Si ta sjellë rasti, për hall o për qejf, të paktën një herë në vit,
    edhe miku shkon për mik.

    Në shtëpinë tonë, braktisur me kohë,
    derën, para se ta hapësh, duhet të trokasësh,
    prej larg duhet të thërrasësh: “O i zoti shpisë!”

    Monza, Itali, shtator 2022.


    MUNGONTE NJANA

    Rrugës për Zejmen, disa gra plaka,
    veshun me të zeza,
    veshun me të bardha,
    në radhë për te Posta.

    Nga këtu, prej larg,
    duken krejt si vajza.
    Tërheqin pensionin.
    Mungon njana,
    Ndër to duhej të ishte dhe Nana.


    GJITHÇKA E KA NJË ÇMIM,
    DUHET PAGU

    «Të pafsha përtej Detit!»
    «Të pafsha përtej Detit!»

    Përtej Detit lindëm tre fëmijët,
    njëri pas tjetrit.

    Tani që vendi i huaj po bahet gjithnjë dhe më i yni,
    përtej Detit po na lind edhe nipi,
    për cilin nga dy anët e bregut
    e pati fjalën mallkimi?!

    Gjithçka e ka një çmim.
    Çmimi duhet pagu, por ai vendi im,
    sa herë që kthehem,
    ma kujton qiranë e kohës,
    që në të nuk jetova.


    MË SHKOI KJO PERIUDHË

    Më shkoi kjo periudhë duke i kënduar nipit,
    duke i kënduar dimnit,
    dhe kopshtit pa ngjyra.

    Aty mbretëroi veç një pemë jeshile.

    Shegën e zverdhur jashtë në errësirë,
    Era e Veriut e rrahu pa mëshirë,
    pa ba faje, pa ba hije, për shpendin mërgimtar
    kambëzbathur. Mbi akull
    duke menduar:
    “Përse më je dhimbsur më shumë kur ke pasur ftohtë?!”
    Për të qeshurën e shegës, e shegës buzëplasur!

    Më shkoi kjo periudhë me zemër të ngrohtë,
    me shtëpinë plot, plot drita,
    mes lulesh që mbollëm.

    Lule natyrale,
    duke i kënduar nipit që po vjen,
    duke i kënduar dimnit të dali prej bahçes.

    Më shkoi kjo periudhë
    pa qenë Mbret,
    duke përkëdhelur flokët,
    duke fërkuar duart,
    duke puthur në faqe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË