More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnxhela Pashaj: Një vështrim i përgjithshëm mbi romanin “Parisi vret”nga Mira Meksi

    Anxhela Pashaj: Një vështrim i përgjithshëm mbi romanin “Parisi vret”nga Mira Meksi

    “Ngritja e avionit i krijonte një ngërç në zemër prej mungesës së frikshme të peshës dhe shkëputjes së pabesueshme nga toka.’’

    Kjo është fjalia e parë e romanit « Parisi vret » nga Mira Meksi. Fjali, e cila i dëfton lexuesit frikën e tmerrshme nga ngritja, fluturimit drejt qiellit. Një frikë, e cila është mbjellë në genet tona qysh prej lashtësisë dhe i është kujtuar lexuesit gojarisht ndër shekuj se qielli vret. Kujtojmë këtu mitin e famshëm grek Dedali dhe Ikari. Përpjekja e parë për të pushtuar qiellin e hyjnive dhe që pati pasojë fatalitetin e rënies, vdekjen. Ndihet se dikund në nënvetëdijen e personazhit gjallon frika nga qielli, frika nga rënia, frika nga vdekja.

    Martin Gjergji është personazhi kryesor i këtij romani, i cili nis një udhëtim drejt Parisit më tepër me kërkesë të të tjerëve se sa me dëshirën e tij. Në mënyrë krejt të beftë i njoftohet për një ftesë nga Ministria e Jashtme franceze e trasmetuar edhe prej botuesit të tij në Paris, Danielit, që e bën personazhin (Martin Gjergji është shkrimtar) të ketë dyshime mbi udhëtimin.

    Në faqet e para të romanit, lexuesi vë re disa detaje të njohura siç është nisja e një udhëtimi, nisja e rrëfimit të ngjarjes prej momentit që personazhi gjendet në aeroport dhe elementi i shiut. Hollësi këto që të drithërojnë sepse të sjellin në mend « Gjeneralin e ushtrisë së vdekur ». Sikurse gjenerali nis një udhëtim në një terren të panjohur ashtu edhe shkrimtari Martin Gjergji nis një udhëtim drejt së panjohurës. Kjo e panjohur e gërryen së brendshmi duke e bërë të duket herë pas here paranojak.

    Ai është i mbushur me frikë jo vetëm prej së panjohurës, por edhe prej së njohurës, e cila e shoqëron në çdo hap që ai hedh; në dhomën e hotelit, në korridoret e tij, në rrugët e Parisit, në kokën e tij, kudo. Martin Gjergji është i sigurt se e pret vdekja, çdo tik-tak i orës i duket i fundit i jetës së tij, çdo njeri që takon e mendon si xhelatin e tij, çdo fjalë që i thuhet e kupton si përpjekje për të zbuluar mendimet dhe qëndrimet e tij për regjimin diktatorial në Tiranë. Në dukje shfaqet i qetë, por në kokën e tij ka stuhi.

    Në këtë mjegullnajë frike dhe dyshimi ai gjen prehje në disa kujtime të vizitës së tij të parë në Paris ku ai pati mundësi të njihte Luizën. Një grua e bukur, e lirë në Paris, tek e cila ai dëshiron të rimishërohet. E adhuron Luizën, dëshiron të bëhet Luiza. Herë pas here mendon se ky kthim në Paris do t’i jap mundësinë e rimishërimirt në trupin e Luizës, por demoralizohet kur zbulon se ajo ka vdekur. Edhe pse faktet tregojnë se ajo ka kryer vetvrasje, Martin Gjergji refuzon ta besojë duke i pohuar vetes se ajo është vrarë që ai të mos arrijë me sukses misionin e tij.

    ““Kanë dashur të më lënë vetëm, të më presin udhën drejt botës së epërme…” – përçartej vetë me vete, me ndjesinë se po lëvizte përmes disa realiteteve të veshura me brymë dhe mjegull sureale.”

    Parisi nuk mbart vetëm kujtimet e së shkuarës, por edhe mundësitë e së tashmes dhe së ardhmes. Në Paris e presin takimet me lexuesit, ku në të vërtetë realizohet vetëm një takim, ai me Klubin e librit. Klubi i librit ku shkrimtari supozohet të takojë lexuesit e tij është më tepër një takim me zonjat e pushtetshme të Parisit, të cilat nuk hezitojnë në asnjë moment të japin mendimin e tyre në lidhje me çështje të politikës.

    Si e parashikoni ju ndryshimin e botës ?- pyeti Martin Gjergji që ishte gjallëruar në çast.

    Kuptohet që po shkohet drejt krijimit të një sistemi politik njëpolar, – gjegji baronesha Rothschild.

    Sigurisht nën hegjemoninë e një superfuqie, – foli një nga zonjat e Klubit.

    Të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , – vijoi një zonjë tjetër.

    E gjithë kjo do të kërkojë krijimin e një rendi të ri botëror, foli sërish baronesha Rothschild.

    Një takim frymëmbytës që e lë Martin Gjergjin me dyshime edhe më të mëdha. Pyetjet që ato i drejtojnë madje edhe nxitja e tyre që ai të bëhet nismëtar i ndryshimeve të mëdha në botëkuptimin e bashkëkombasve të tij nuk i lë shteg tjetër vetëm të dyshojë.

    “Më kuptoni, duhet një katalizator për reaksion kimik… – vijoi ajo. Në tryezë u bë qetësi. Martin Gjergji u ndie si në kurth.”

    Në këtë roman gratë janë një element mbizotërues, të cilat shfaqen në sytë dhe mendjen e Martin Gjergjit orë e çast. Përveç Luizës në Paris, shfaqet edhe Ana në Tiranë me të cilën ai, shkrimtari krijon një marrëdhënie dashurie.

    “Ishte një dashuri e rrëmbyer, e dendur, shëndijuese, e çiltër dhe sublime…”

    Ana shfaqet si diell në jetën e Martin Gjergjit, që ndriçon për pak kohë dhe perëndon. Narratori e vendos gjithmonë një grua përballë shkrimtarit Martin Gjergji, duke i treguar lexuesit krejt mendimet që i lulëzojnë atij për figurën e saj. Ai admiron pamjen e secilës, të gjitha janë të bukura, të hijshme, të lira.

    Ndërsa gratë duket t’i admirojë, me burrat ka një raport të paqartë. Nuk mund të thuash as se ka frikë nga ata, as se ka respekt për ata. Ka dyshime për qëllimet e tyre, por kjo nuk vjen për shkak se janë burra. Me Danielin, botuesin e tij ka një marrëdhënie profesionale, jo miqësore. E bluan përbrenda të di çfarë fshihet në kokën e botuesit, pret që botuesi t’i rrëfejë diçka, një fatalitet. I rrëfen botuesit të tij hollësi të mënyrave të njohjes së kulturës, veprave botërore mirëpo nga ana tjetër nuk ka ndonjë reagim mosbesues, reagimi i vetëm është habia, çudia për mënyrën e gjykimit të krijimit artistik.

    Në këtë pjesë të parë të romanit përflitet braktisja. Ideja e braktisjes si armë, e cila ka fuqinë të ndryshojë fatin e një individi, e një kombi, që mund t’i jap fund tiranisë, që mund të ndryshojë historinë e gjithë njerëzimit. Martin Gjergji mendon për braktisjen e luftës greko – trojane nga Aklili, braktisje e cila çoi në humbje të mëdha në anën e grekëve. Kjo braktisje e Akilit nuk ishte vetëm braktisje e luftës, ishte braktisje e atdheut. Nëse braktisja do të zgjaste në kohë, do të kishte sjellë fundin e tiranisë së Agamenonit.

    ““Kjo braktisje, pikërisht kjo lloj braktisjeje është një armë e fushishme kundër tiranisë” – tha vetë me vete Martin Gjergji. Sikur Akili të mos e kish thyer braktisjen, sikur gjëma e vrasjes së Patroklit, si komplot i perëndive, të mos e kish detyruar heroin të rikthehej në luftë, Agamenoni do të kish rënë dhe bashkë me të tirania, Troja do të qëndronte dhe qytetërimit perëndimor do t’i mungonte Roma.”

     Këtë lloj braktisje kërkon të ekzekutoi edhe Martin Gjergji, por i mungon një shtytje, i mungon mëria e Akilit. Martin Gjergji fshehtas e dëshiron braktisjen e jetës së tij në Tiranë. Dëshira për t’u rimishëruar në trupin e një gruaje pohon braktisjen. Parisi ka sy që e vështrojnë, që e hetojnë sjelljen e tij, që presin rebelimin e tij. Ai e di andaj rebelohet vetëm brenda vetes së tij.

    Pjesa e dytë e romanit “Parisi vret” e vendos personazhin e Martin Gjergjit në rend të dytë. Faqe të tëra i dedikohen personazhit të Jurendinës, e cila i përgjan Doruntinës[1] së legjendës së njohur shqiptare. Legjenda ndjek të dy personazhet nëpër ëndrrat e tyre duke u njoftuar se takimi mes të dyve po afron, se i gjalli me të vdekurin do të ecin krah njëri – tjetrit. Gruaja që udhëtoi me një të vdekur për t’u kthyer në shtëpi futet tinëzisht në roman dhe mbetet aty e gjallë.

    “Udhëtoi gjatë viseve të ëndrrave, shkeli sinorët e gojëdhënave dhe e gjeti veten duke kalëruar një kalë të zi si nata. Ndjeu krahët e një vashëze që i kishin mbërthyer trupin. Ishte Kostandini, vëllai i vdekur i Jurendinës që ishte ngritur nga varri për të përmbushur besën e dhënë.”

    Figura e Jurendinës është e mbushur me mister edhe pse lexuesit i tregohet çdo gjë rreth saj. Ajo është trashëgimtare e familjes arbërore të Muzakajve, e cila ftohet nga Sigurimi i Shtetit për të qënë në shërbim të tij. Arsyet e përzgjedhjes së saj nga Sigurimi nuk kuptohen ndonjëherë megjithatë familjarët e saj mendojnë se arsyeja e rekrutimit është njohja që ka Jurendina ndaj gjuhëve të huaja.

    “Mendoj se ti u duhesh për gjuhët e huaja që njeh, – arriti në përfundimin i ati një nga ato mbrëmjet e vona kur rrihnin mendimet të dy për arsyet e rekrutimit të Jurendinës nga policia e fshehtë.”

    Kjo njohje e gjuhëve të huaja veçanërisht frëngjishtes nuk është një pasion fëmijnor përkundrazi, Jurendina ka arsye të fuqishme për të vazhduar studimet për gjuhë frënge. Arsye, të cilat lidhen me një letër të mistershme e trashëguar ndër vite në familjen e saj, e cila kurrë nuk është mundur të deshifrohet.

    “Për këtë zgjodhi që studimet e larta t’i bënte për filologji frënge. I dukej se kështu do të gjendej më pranë përmbushjes së misionit, më pranë professor Stern-it që do të shkyçte letrën e vyer.”

    Jurendina është një personazh i parrokshëm nga lexuesi i këtij romani. Ajo vendoset në situata që të trondisin ku shpesh herë lexuesi ndalet të mendojë se çfarë vërtetë është duke ndodhur. Në jetën e saj shfaqet një grua, Ana Shiroka, e cila sikurse edhe në jetën e Martin Gjergjit zhduket po aq çuditshëm nga jeta e saj.

    Ana, e dashuara e Martin Gjergjit është një mikeshë shumë e afërt e Jurendinës. Ana i rrëfen mikeshës së saj çdo hollësi të takimeve me Martin Gjergjin, madje shkon më tej se sa rrëfimi, ajo rreket t’ia ngjisë, t’ia jetësojë edhe Jurendinës çdo fjalë, prekje, puthje të Martin Gjergjit. Pasi del nga shtrati i Martin Gjergjit vrapon për t’u futur në shtratin e Jurendinës për t’i falur asaj një copëz të ndjesive të marra nga takimi me shkrimtarin. Andaj kur Jurendina e takon Martin Gjergjin në Paris nuk e vështron si një të huaj, si një të panjohur, pasi njohja e tyre ka nisur shumë më herët përmes Ana Shirokës.

    “Pa i shpjeguar asgjë, hoqi rrobat që mbante trupit dhe u fut lakuriq në shtratin e Jurendinës, duke i ngjitur ethet e përleshjeve të saj dashurore.”

    Takimi i saj me shkrimtarin Martin Gjergji është një takim i stisur nga Sigurimi i Shtetit ku përmes agjendëve të tij i është bërë me dije shkrimtarit se Jurendina mund të ketë në mendje të qëndrojë në Paris, nga ana tjetër Jurendina është dërguar në Paris për të zbuluar në ka në mendje shkrimtari të mos kthehet në atdhe. Në rastin e parë, shkrimtari duhet të bind Jurendinën për t’u kthyer në Tiranë ndërsa vetë Jurendina ka marrë udhëzime për ta helmuar Martin Gjergjin nëse ai ka në mend moskthimin në atdhe.

    “Mos e hiq varësen nga qafa në asnjë çast dhe për asnjë arsye”, – e porositi ai. “Në rast se shkrimtari vendos të mbetet në Francë, përmbajtja e zemrës prej floriri mbaron punë. Asnjë mëdyshje. Vepro në çast. Nuk ka sa shije dhe as erë, tretet përnjëherë në çdo lloj lëngu”. (…)

    Takimi i tyre nuk vonon, të dy kanë ethet e të takuarin tjetrin sa më parë. Nuk është takim i dy bashkëkombasve, as i dy miqëve të vjetër është një takim mes dy të arratisurve, mes dy shpirtrave që e kanë kërkuar njëri – tjetrin për një kohë të gjatë dhe më në fund e kanë gjetur. Një takim mes të vdekurit dhe të gjallës, mes Doruntinës dhe Kostandinit ( jo si motër dhe vëlla).

     Njohja me Jurendinën e bind Martin Gjergjin se ajo është trupi ku ai do të rimishërohet, se ajo është kupëza e artë ku ai do vendosi shpirtin e tij, lëndën e tij për t’u rimishëruar, për t’u endur i lirë mëpastaj në botën parisiene, larg Tiranës burgut të tij.

    ““Të jetë vallë Jurendina kupëza që kam pritur? Ah, pa shiko, është shenjë, është oguri i pasqyrës që nuk më gënjen, e ndiej në tërë qënien time,” – vijoi të pëshpëriste duke bërë ecejake lakuriq nëpër banjën mbretërore tësutës së Ritz-it.”

    Në fund të romanit shohim se Martin Gjergji kthehet në Tiranë, ashtu sikurse Kostandini kthehet në kishëz. Fati i Jurendinës merr një kthesë të papritur, helmi që ajo fshinte në varsen e saj duket se i merr jetën. Kthimi i trupit të saj në Shqipëri bëhet thuajse i pamundur, herë humbet, herë ngatërrohet e në fund digjet duke u bërë hi. Vetëm hiri gjen rrugën drejt Shqipërisë, çdo esencë tjetër e Jurendinës mbetet në Paris.

    Martin Gjergji nuk është i vetmi mision që ka ndërmarë Jurendina për të realizuar në Paris. Deshifrimi i letrës së papa Paulus Secundus drejtuar Skënderbeut më 1468 është misioni i saj vetjak. Ajo rreket për të gjetur një kriptolog të famshëm, i cili do të zbulojë çfarë shkruhet në atë letër shekullore e ruajtur brez pas brezi prej Muzakajve. Në fund të romanit, lexuesi kupton se ajo e realizon këtë mision me sukses, madje ka hapur dritare kah zbulime të tjera me rëndësi historike, zbulime të cilat do të tregojnë të gjitha ngjyrat e paranojës së shumë tiranëve dhe vuajtjet e përçudnimet e vuajtësve të tiranive.


    [1] Doruntina, Dhoqina, Jurendina…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË