Intervistë dhënë gazetares Mimoza Hasani Pllana studiuesi, përkthyesi dhe profesori i gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”
M. Profesor Anton, në Kosovë jeni bërë i njohur për kontributin në fushën e studimeve ballkanike, relacioneve kulturore në mes shqiptarëve dhe bullgarëve, për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes, “Shën Klementi i Ohrit” dhe për pjesëmarrje të rregullt në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Si u lidhët me gjuhën shqipe?
Anton Panchev: E vërteta është se kur isha student në Departamentin e Ballkanistikës i preferova greqishten dhe rumanishten dhe kisha ndërmend të merresha me këto gjuhë, por në vitin 2005, me rekomandimin e profesoreshës sime të gjuhës shqipes, Rusana Bejleri, erdha për herë të parë në Kosovë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare dhe isha kaq i mahnitur nga mikpritja e shqiptarëve, nga optimizmi i tyre, ndonëse pasojat e luftës ende ndiheshin, që vendosa të merresha në mënyrë profesionale me shqipen. Prej vitit 2005 marr pjesë rregullisht në Seminar me kumtesa – mendoj se kam mbi 12 pjesëmarrje. Në vitin 2006/2007 isha në Prishtinë, ku e mësova shqipen me studentët e Degës së Gjuhës Shqipe. Pastaj prof. Bejleri më ftoi që të bëhesha asistent në Universitetin e Sofjes.
M.: Si i kujtoni profesorët tuaj të gjuhës dhe letërsisë shqipe?
A.P.: Në semestrin e parë profesoreshat e mia ishin Zonja Kostadinova dhe Rusana Bejleri, pastaj vetëm prof. Bejleri. Për fat të keq, unë nuk isha shumë i rregullt në mësimet e shqipes, por më bënin përshtypje përpjekjet e tyre ta stimulonin interesin e studentëve dhe të kërkonin qasje individuale ndaj nesh.
M.: Kurset e gjuhës shqipe në Universitetin, “Shën Klementi i Ohrit”, filluan në mbaheshin në vitin 1962 nga profesor Thoma Kacori, më pas nga profesoreshë Zonja Kostadinova, ndërsa në vitin 1994 me përkrahjen e madhe të linguistes së njohur bullgare Petja Asenova, gjuha shqipe filloi të mësohet si lëndë e veçantë obligative në kuadër të studimeve të Ballkanologjisë. Si i kujtoni këto tri personalitete të rëndësishme, si ishte raporti juaj me ata gjatë studimeve dhe më pas?
A.P.: Zonja Kostadinovën dhe prof. Petja Asenovën i kam pasur pedagoge në Universitetin e Sofjes dhe ruaj kujtime shumë të mira prej tyre. Më kanë inspiruar me etikën e tyre profesionale dhe me punën e palodhshme. Për fat të keq, kam kontaktuar shumë pak me Thoma Kacorrin, por e di kontributin e tij madhështor për hulumtimin e të gjitha drejtimeve të albanologjisë.
M.: Duke qenë se jeni nga profesorët e njohur të shqipes, në Degën e Ballkanologjisë, si ndiheni sot kur programet për studimet shqiptare janë zhvilluar deri në nivelin PhD?
A.P.: Neve na vjen shumë mirë se përveç studentëve dhe doktorantëve bullgarë, në vitet e fundit kemi edhe disa doktorantë nga Kosova dhe dy prej tyre i mbaruan studimet me sukses të plotë. Jemi krenarë me to dhe jemi të sigurt se do të realizohen në fushat e tyre shkencore dhe profesionale. Ne, profesorët e Katedrës sonë, por edhe studentët dhe doktorantët tanë, kanë mësuar dhe mësojnë shumë gjëra të dobishme falë doktoranteve tona nga Kosova.
M.: Ka disa vite që bashkëpunoni me Universitetin e Tiranës dhe Prishtinës, jeni pjesë e tryezave dhe seminareve me prezantimin e kumtesave shkencore të studimeve në fushën e gjuhësisë ballkanike dhe asaj shqipe. A mund të na thoni sa është studiuar shqipja në kontekstin ballkanik dhe çfarë e bën të veçantë kulturën shqiptare nga kulturat e vendeve tjera ballkanike?
A.P.: Është e vërtetë se kemi bashkëpunim të frytshëm me shkencëtarët shqiptarë dhe marrim pjesë në forume të ndryshme shkencore në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, ku prezantohen kumtesa shumë interesante dhe mësojmë në mënyrë të ndërsjellë. Është e natyrshme se fqinjët e shqiptarëve, pra popujt e tjerë në Gadishullin tonë, ta studiojnë dhe ta mësojnë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Më duket, mund të gaboj, se në të kaluarën ka pasur më shumë studiues që janë marrë me shqipen. Ndoshta gjatë këtyre viteve ka një ndërrim të brezave në albanologji.
M.: Kultura shqiptare është e lidhur me shtetin bullgar nga fundi i shek. XIX, përmes veprimtarisë së kolonisë Shqiptare të Sofjes, aktiviteteve të shoqërive kulturore, të cilat gjetën mbështetje nga Qeveria Bullgare për të kontribuar për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, sa mund të kenë ndikuar këto relacione të hershme për të njohur gjuhën e njeri-tjetrit dhe për të vazhduar bashkëpunimin edhe sot?
A.P.: Për shkak të këtyre proceseve, në Bullgari kanë mbetur arkiva tepër të çmuara për historinë shqiptare në të gjitha aspektet. Kjo pasuri dokumentesh në Bullgari sa i përket historisë së shqiptarëve, gjithmonë i ka ndihmuar hulumtimet albanologjike në Bullgari. Që nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX shkencëtarë si Vasil Kënçov, Nedjalko Kolushev (N. Marenin), Stefan Dimitrov, Jordan Ivanov, Stefan Mladenov, Dimitër Gadzhanov, dhe më vonë Bojka Sokollova e disa të tjerë, kanë qenë jo vetëm midis profesorëve më të famshëm bullgarë, të cilët kanë lënë gjurmë të shumta në fusha të ndryshme si historia, gjeografia, arkeologjia, ekonomia, etnografia, gjuhësia etj., por kanë shkruar edhe disa libra dhe shumë artikuj shkencorë, në të cilët janë përshkruar dhe janë hulumtuar viset lindore shqiptare. Ata kanë udhëtuar në Maqedoni dhe në Kosovë dhe përshtypjet e tyre bashkë me një analizë të shkëlqyer kanë sjellë rezultate të larta shkencore. Nga punimet e tyre mund të marrim të dhëna dhe fakte të hollësishme për gjendjen në trevat lindore shqiptare, por edhe në përgjithësi. Hulumtimet e këtyre profesorëve vazhdojnë të jenë burim i çmueshëm për numrin e popullsisë shqiptare në Maqedoni, por edhe në Kosovë në fillim të shekullit XX, për gjendjen sociale, për ekonominë, tregtinë, gjuhën, situatën fetare, etnografinë, arkitekturën, kolonizimin serb pas Luftërave Ballkanike, për arsimin dhe organizimin shoqëror, për kishat dhe xhamitë e për shumë aspekte të tjera nga jeta e shqiptarëve.
Edhe në shekullin e ri historiografia dhe gjuhësia bullgare vazhdojnë të japin kontributin e tyre për hulumtimin e shumë aspekteve të rëndësishme nga historia, gjuha, letërsia dhe kultura e shqiptarëve. Punimet e studiuesve të rinj si Teodora Toleva, Marjana Stamova, Iliana Ilieva etj., hedhin dritë mbi periudha vendimtare në zhvillimin e popullit shqiptar. Studimi i prof. Georgi Georgievit “Marrëdhëniet politike bullgaro-shqiptare (1908-1915)” është përpjekja më e re për vlerësimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë e tyre. Në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë punojnë studiues si prof. Rusana Bejleri, prof. Ekaterina Tërpomanova, Ludmill Stankov dhe disa të tjerë. Studimet e tyre kanë vlera të veçanta dhe trajtojnë çështje shumë të rëndësishme për zhvillimin e shqipes në Bullgari, për krahasimin e gjuhës shqipe me gjuhët e tjera ballkanike.
M.: Më vonë, me ardhjen e komunizmit në pushtet, marrëdhëniet ndërkulturore filluan të ftoheshin, sa i ka dëmtuar zhvillimet ndërkulturore ky lloj regjimi?
A.P.: Faktikisht, këtu mund të shënojmë se ka pasur dy periudha në periudhën komuniste. Së pari, deri vitin 1961, pra deri në shkëputjen e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë kanë marrë një hov të madh në të gjitha fushat – marrëdhënie politike, ekonomike, kulturore etj. Pas këtij viti ndodhi e kundërta – për shkak të ideologjisë, këto lidhje janë zvogëluar së tepërmi. Por, prapë ka pasur kanale dhe mundësi për zhvillimin e kontakteve kulturore – mjafton ta përmendin faktin e mirënjohur se romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është përkthyer për herë të parë në një gjuhë të huaj pikërisht në bullgarisht. Me të gjitha mangësi dhe shtypjen, periudha e komunizmit ka pasur edhe dobi sa i përket përkthimit me sistemin e tij të centralizuar për financim.
M.: Aktualisht, përveç studimeve, numërojmë disa shkrimtarë shqiptarë veprat e të cilëve i keni përkthyer në gjuhën bullgare, a do të thotë kjo se janë rritur mundësit që lexuesi bullgarë të njohë kulturën shqiptare përmes letërsisë, si mendoni, sa lexohen këto vepra?
A.P.: Është e qartë se ne, përkthyesit, por edhe në vend të parë edhe autorët, kemi shumë telashe në dy dekadat e fundit së paku për shkak të teknologjive të reja. Libri ka humbur hapësira të mëdha në krahasim me format e tjera të zbavitjes. Nuk e di si është situata në vendet e tjera evropiane, por në Bullgari dominon një tip letërsi, që ka për qëllim thjesht zbavitjen dhe tekste të tjera lexohen kryesisht nga specialistët në fushën përkatëse.
M.: Bazuar në përvojën tuaj dhe në teoritë e përkthimit, si mendoni, e dëmton veprën origjinale përkthimi?
A.P.: Natyrisht, një përkthim që është “kopje” e origjinalit është krejt i pamundshëm. Përkthyesi është kufizuar jo vetëm për shkak të gjuhës dhe kuptimet, nuancat e pasura të një fjale, të një shprehje etj., por edhe nga i tërë konteksti historik, kulturor… Pra, në këtë plan mund të flasim deri diku për “dëmtime” të origjinalit, por nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë që përkthimi është edhe një lloj interpretimi dhe përkthyesi e “pasuron” origjinalin – i jep tekstit kuptime dhe përmasa të reja. Këto zhvillime të paevitueshme duhet shikuar nga pikëpamja pozitive.
M.: Ka shumë debate mbi përkthimin, si e shihni ju rolin e përkthimit në letërsinë botërore, e pasuron atë, apo nuk është i nevojshëm?
A.P.: Pa përkthimet nuk mund të ketë fare shkëmbime letrare dhe kulturore dhe për mua debate të tilla janë krejt të panevojshme.
M.: Autorët që keni përkthyer janë zgjedhje juaj personale, rekomandim i shtëpive botuese, apo jeni ndikuar nga vlerësimet e kritikës dhe shitja e librit në gjuhën origjinale?
A.P.: Më së shumti kanë luajtur rol preferimet e mia, ndoshta. Kam bërë përpjekje të realizoj përkthime të veprave që u japin lexuesve bullgarë njohuri për historinë e shqiptarëve, për vlerat e tyre kombëtare. Për fat të keq, unë kam kufizime kohore, luan një rol tepër negativ edhe tregu i vogël dhe i varfër bullgar, ku nuk ka mundësi për përkthime duke u mbështetur mbi përfitime tregtare.
M.: Duke qenë se jeni aktiv në punën tuaj shkencore, a mund të na thoni se çfarë jeni duke punuar aktualisht?
A.P.: Aktualisht merrem me hulumtimin e ndikimit të shqipes mbi të folmet e fshehta të muratorëve në Bullgari dhe në përgjithësi me ndikimin e shqipes mbi bullgarishten. Para një viti u habita shumë kur kuptova se edhe në një katund, që ndodhet 4-5 kilometra nga fshati i fisit tim, para 50-60 vitesh ka pasur njerëz të moshuar, të cilët e kanë përdorur këtë të folme me mbi 100 fjalë shqiptare. Ky është veç një shembull se dukuria e shpërndarjes së shqipes ka qenë më e madhe sesa është menduar.
Anton Panchev, (28 dhjetor 1978, Srednogorie). Më 1997, ka përfunduar Shkollën e Mesme “Vasil Levski” në qytetin Elin Pelin me profil ekonomik. Ka studiuar në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, në Degën e 9. Stereotipet Televizive, ku ka mbaruar edhe studimet master në Degën e Shkencave Politike (1997-2003) dhe atë të Ballkanistikës (2000-2005, Master). Në vitin 2013 ka mbrojtur disertacionin me temë për zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991 dhe e ka marrë titullin Doktor i Shkencave politike. Nga viti 2009, ka filluar punën si profesor asistent në Degën e Ballkanistikës, ku ligjëron shqip dhe disa lëndë zgjedhëse për zhvillimet politike në Ballkan. Ka publikuar mbi 50 punime shkencore në shqip, bullgarisht dhe anglisht, të botuara në disa vende. Në këto punime, kryesisht trajton temat për marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamje historike, politike dhe gjuhësore. Ka marrë pjesë në mbi 30 konferenca shkencore në Bullgari dhe në vende të tjera. Përveç studimeve, Anton Panchev është edhe përkthyes letrar, deri tani ka përkthyer 10 libra nga shqip në bullgarisht dhe anasjelltas dhe disa tekste të tjera. Merret edhe me analiza politike për gazeta dhe revista, ku në fokus janë marrëdhëniet bullgaro-shqiptare.