Rreth romanit të Nasi Lerës “Ngjallja e diktatorit”
Tiranitë, diktaturat dhe arti i fjalës
Qysh në kohët më të lashta në veprat letrare u bënë objekt vështrimi poetik dukuri të ndryshme që lidhen me sistemet tiranike, me diktaturat, me diktatorët dhe me mënyrat e ndryshme të ndëshkimeve që pësoi njeriu në rrjedhë të moteve. Krijuesit – shkrimtarët i bënë objekt të vështrimit poetik këto dukuri për arsye se donin të ndriçonin botën e brendshme, edhe të atyre që ishin nxitës dhe i shkaktonin ato, të atyre që u ndihmonin, po edhe të atyre që i pësonin dhe i vuanin. Ato ishin pjesë e jetës dhe si të tilla meritonin të përjetësoheshin në artin e fjalës.
Këtë e përligjin mirëfilli llojet e ndryshme të letërsisë gojore, në poezi dhe në prozë, të cilat njeriu i krijoi dhe ato u bënë pjesë e jetës të thuash nga koha kur ai u bë i vetëdijshëm për vete dhe për veprimet që bënte. Mirëpo, e dëshmojnë dhe veprat e letërsisë së shkruar që na kanë mbërritur nga lashtësia. E gjejmë edhe në veprën letrare sumere babilonase, mbi katërmijë vjet të vjetër, më të plotën të zbuluar deri më sot, Epi i Gilgameshit[1]. Edhe pse në qenësinë e sistemit kuptimor dhe shprehës epi i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe fatit tragjik të njeriut[2], përkatësisht përpjekjeve për t’u bërë i pavdekshëm[3], në të autori e bën objekt vështrimi poetik edhe tiraninë e Gilgameshit, mbret i Urukut (ai i ka dy të tretat të hyjnive dhe një të tretën të njeriut) ndaj banorëve të qytetit. Pra, mbreti Gilgamesh ushtron një sundim tiranik ndaj banorëve të qytetit dhe ata janë të pakënaqur. Rënkimet e tyre arrijnë deri në qiell, te hyjnitë (sidomos rënkimet e të rinjve të dashuruar). Kërkesa e tyre është: krijimi (nga ana e perëndive) i një qenieje që do t’i kundërvihet dhe do të ngadhënjejë mbi Gilgameshin në mënyrë që (pastaj) qyteti të ketë qetësi[4].
Janë dhe një varg kryeveprash dhe veprash të letërsisë së përbotshme që kanë bërë objekt vështrimi poetik ndëshkimet e njerëzve, diktaturat dhe mënyrat e tjera të pësimeve. Kjo dëshmohet edhe në kryeveprën e letërsisë së lashtë greke, “Iliadën” e Homerit (kujtojmë, fjala vjen, kryekomandanti, Agamenoni, ia rrëmben Akilit të dashurën, Grizejdën “vashën perrî që e solli nga Lyrnesi”)[5], për të mos i përmendur rastet e tjera.
Shqiptim poetik i një realiteti tronditës shqiptar
Veprën “Ngjallja e diktatorit” Nasi Lera nuk e hartoi si roman historik, ku pandërmjetësisht do të bënte fjalë për diktatorin konkret, për pushtetin diktatorial, për ngjarje e për pasoja të shumta që në Shqipëri u përligjën për rreth 50 vjet; nuk i gjurmoi shkaqet e lindjes dhe mënyrat e gjallimit të diktaturës dhe mënyrat e dhunës të përdorura nga diktatori dhe nga përkrahësit e tij; nuk u mbështet as në dokumente ose në të dhëna konkrete, që i cilësojnë romanet e llojit si “Doni i qetë” i Shollohovit, “Lumi i vdekur” i Xoxës, “Rrathët” e Martin Camajt etj., po merret me pasojat dhe traumat që la diktatura dhe diktatori në mendjen dhe në shpirtin e shqiptarëve, përkatësisht merret me synimet e disave që gjithë ajo që kishte ndodhur në diktaturë, të përsëritet, të kthehet, prandaj shpallin ngjalljen e diktator Hidrit: “Emri i diktatorit ishte kudo si një pëshpërimë që vërtitej mbi hidhërimin e vdekjes” (f. 172).
Diktatori u shpall i ngjalluar, para së gjithash, për t’u hakmarrë dhe për të shfryrë mllefin e grumbulluar për gjithë kohën që kishte munguar ndaj mospërfillësve dhe kundërshtarëve të konceptit të tij diktatorial dhe diktaturës që zbatoi. Nëse do të përdorej fjalori i romanit të Gogolit “Shpirtra të vdekur”, bota e shpirtrave të gjallë dhe bota e shpirtrave të vdekur në romanin e Nasi Lerës “Ngjallja e diktatorit” përafrohen dhe bëjnë një botë që në njëmendësinë (realitetin) e përditshëm nuk mund të jetë. Pra, përmes rrëfimit dhe tekstit që e përfton, Lera e ndërton një realitet të mëvetësishëm, poetik, që bëhet realiteti i romanit, i cili të përkujton mendimin e Ernesto Sabato: “Mes romanit dhe jetës ekziston dallimi i njëjtë sikur mes gjumit dhe zgjimit”[6].
Megjithatë, do theksuar se gjithë ajo që shprehet në këtë roman ka një mbështetjeje të fuqishme në realitetin konkret, në atë që ka ndodhur në diktaturë, të cilin shkrimtari Lera e ka përjetuar thellë në mendjen dhe në shpirtin e tij, bashkë me shkrimtarë, disa nga të cilët u burgosën, ndërsa disa e paguan dhe me jetë[7]. Në jetë bëhet fjalë veçmas për atë që ndodhi pas vdekjes së diktatorit[8].
Të shpallurit se ishte ngjallur një i vdekur, përkatësisht diktatorit Hidër pas 20 vjetësh, nuk ishte gjë e rastit, por diçka e menduar dhe e qëllimtë. Nxitësit – vepruesit ishin të bindur dhe të vetëdijshëm se shpallja e ngjalljes së diktatorit do të shkaktonte frikë dhe ankth: “Ben Kitës iu duk sikur të gjithë kishin në fytyrë shprehjen e një kotësie që nuk e kishin pasur në netët e tjera” (f. 156) dhe në këtë mënyrë ata (diktatorët e rinj) përmes mashtrimit dhe maskimit, do t’ia dilnin qëllimit dhe do ta merrnin më lehtë pushtetin për të sunduar mbi të tjerët, siç kishte vepruar edhe vetë diktatori për rreth 50 vjet. Pra, shpallja e ngjalljes së diktatorit ishte bërë nga të gjallët e jo nga të vdekurit nga se “[…] ata ishin (që ndodheshin nëpër kutitë metalike) më të rrezikshëm dhe më të pamëshirshëm kur ringjalleshin sesa kur ishin gjallë” (f. 159).
Shpalosje dhe shqiptim poetik në dy rrafshe
Shpallja se na qenkësh ngjallur diktatori bëhet shkas vetvetiu që Nasi Lera t’i kthehet kohës kur njerëzit tanë jetuan në diktaturë dhe t’i ndriçojë pasojat e atij sistemi në dy rrafshe të rëndësishme.
I pari: Koha kur fjala e diktatorit Hidër gjatë sundimit konkret (diktatori dhe diktatura janë të pandarë) përcaktonte çdo gjë, jo vetëm në rrafshin e përgjithshëm, po dhe në atë individual: “[…] sikur kishte qenë një kohë ku njerëzit nuk mund të jetonin po të mos shtireshin” (f. 159) ose “Njerëzve, në atë kohë, u dukej sikur të vërtetën e tyre e dinin më mira ata që ishin jashtë vendit sesa ata që i kishin pranë, por që nuk po shkundeshin dot nga topitja që kishte shkaktuar dhuna e gjatë e diktatorit Hidër” (f. 202). Pra, shenjëzohet zinxhiri i ligësisë, përkatësisht zezona që ishte përligjur në rrafshe të ndryshme të jetës në diktaturë, sidomos në atë shpirtëror. Gjithë kjo dëshmohet nga ajo që ndodh nga çasti kur shpallet ngjallja e diktatorit Hidër (pas njëzet vjetësh): “Pak nga pak zëri i diktatorit po e fuste në vitet kur ishte gjallë dhe me gjestet e tij ndizte turmën e verbuar” (f. 204) ose “Njeriu i shkretë nuk e di çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të dojë në këtë jetë. Mua më vjen keq që nuk i kam dashur përrallat, sepse më duket sikur nuk kam dashur asgjë. Të paktën të kisha dashur përrallat” (f. 215).
I dyti: Koha prej çastit kur fillon dhe përhapet fjala për ngjalljen e diktatorit Hidër në mënyrë që ajo të ngjallë sa më shumë tmerr (f. 140) dhe deri në çastin kur vritet hetuesi, Ben Kita, dhe zbulohet se gjithë ajo ishte punë e paramenduar dhe e përgatitur mirëfilli nga ithtarët dhe përkrahësit e diktatorit dhe të diktaturës, përkatësisht ishin diktatorët e rinj që përdornin një strategji të fshehtë, të maskuar dhe tejet të rrezikshme.
Pra, Nasi Lera me mjeshtëri të madhe e ka përqendruar rrëfimin e vet në periudhën kur zë e flitet dhe shpallet se diktatori Hidri ishte ngjallur, edhe pse që nga fillimi kishte lindur dyshimi: “Kishte vdekur ose ishte fshehur për t’u mbushur me urrejtje” (f. 230), që pandërmjetësisht lidhet me dukuritë që e cilësuan diktaturën.
Ajo që flitej për ngjalljen e diktatorit dhe përhapej pa ndërprerë, ishte, siç u tha, strategji dhe veprim i fshehtë i diktatorëve të mundshëm, të rinj: “- Në qoftë se e thonë të gjithë, kjo tregon se po e kërkojnë dhe ai do të vijë patjetër” (f. 236).
Natyrisht, shpallja e ngjalljes së diktatorit shkakton një hutim dhe një pështjellim të pazakonshëm, që ishte dhe qëllimi i vetë atyre që e kishin nxitur; trazimi dhe frika duhet të bënin punën e vet, duke shkaktuar ethet rrënuese të dukurisë së pritjes: çka do të ndodhë me ngjalljen – kthimin e diktaturës: “Mes njerëzve që harruan teatrin, kinemanë, romanet, koncertet por vetëm përpinin nga mëngjesi deri në mesnatë gazetat, u fut pritja e asaj që do të ndodhte. Sepse patjetër do të ndodhte diçka. Nga qytetet e periferisë vinin lajme shqetësuese për grupe të vogla, kryesisht të rinjsh, që turbullonin qetësinë provinciale me grindjet, përleshjet dhe me shkëmbime të shtënash në mes të natës. Edhe në rrugët nacionale nuk ishte më qetësia që kishte qenë. Udhëtimet natën u rralluan nga frika e ndonjë plaçkitjeje të befasishme. Para ambasadave të huaja shihje radhë të gjata të njerëzve që kërkonin vizë dhe në pikat kufitare ata që hynin ishin fare të pakët në krahasim me ata që dilnin. Mes kryetarëve të partive ishte zbutur gjuha e ashpër dhe e rëndomtë që ishte përdorur deri atëherë dhe tani i shihje së bashku në kafenetë kryesore të qytetit, duke biseduar me zë të ulët. Edhe mes tyre vihej re një hije hutimi. Asnjëri prej tyre nuk kuptonte ç’po gatuhej dhe kundër kujt duhej të hidheshin. Kishte prej atyre që për të vrarë kohën zhyteshin në përsiatje filozofike, thërrisnin në ndihmë historinë, por nuk gjenin asnjë episod ku një i vdekur ishte ngjallur pas njëzet vjetësh” (f. 253).
Arsyet e shpalljes së ngjalljes së diktatorit duhet lidhur me kushtet dhe rrjedhën e jetës konkrete, me gjendjen e rëndë – pasojë e sistemit që kishte mbretëruar me dhjetëra vite; pakënaqësinë, zhgënjimin dhe mërzitjen (“Njerëzit u mërzitën nga bota ku jetojnë”), mbase edhe nevoja që njerëzit të shkëputen nga jeta që bënin ose me etjen (për disa) për ta vazhduar atë sistem dhe për të sunduar.
Etja – ndjenja për diktaturë dhe për diktator
Shpallja e ngjalljes së diktatorit e nxitur nga të gjallët, nga një strategji djallëzore, e konceptuar deri në imtësi nga disa si dhe pësimet dhe tragjika që ndodhin në vijimësi, përligjen nga fjalët e shefit të policisë që me shërbimin e tij bënte çmos që ta zbulonte të vërtetën: t’i zbulonte bartësit e gjithë këtij veprimi. Pra, “Nga kjo ngjet edhe përsëritja tragjike e historisë dhe lind papritur në mendjen e dikujt ideja e marrë e pushtetit mbi njerëzit duke ngjallur një diktator të vdekur si ngjallën diktatorin Hidër, prandaj më vjen të ulërij kur kujtoj hutimin e përgjithshëm që shkaktoi nxjerrja e të përbetuarve para gjyqit. Njerëzit nuk u besonin syve të tyre. Ndonjëri ende beson se nuk ishin ata që ngjallën diktatorin Hidër. E vetmja gjë që mund të bëj për t’ua mbushur mendjen është t’u tregoj për Ben Kitën, të cilin e shtyva me vetëdije drejt vdekjes për të ndërprerë vargun e vrasjeve të tjera, por përsëri kam frikë se vallë do më kuptojnë” (f. 317).
Gjendja e rëndë që krijohet pas shpalljes së ngjalljes së diktatorit shprehet mirëfilli me këtë të dhënë: “E kam thënë që në fillim se po ecim të verbuar drejt absurdit” (f. 254), po dhe me atë që thotë poeti, i cili i kishte kushtuar një poemë diktatorit: “Ishte gjashtëdhjetë e katër vjeç dhe për herë të parë po kuptonte se kishte jetuar kot” (f. 200).
Realiteti i tillë i rëndë dëshmohet në mënyrë të ndërmjetme, sidomos përmes pësimeve: “- Mua më duket sikur endemi në një kohë kotësie, ku është e vështirë të duash diçka të përcaktuar”.
Për ta bërë sa më të ngatërruar çështjen e shpalljes së ngjalljes së diktatorit (Ai ngjallet duke e përhapur vetëm zërin e tij, f. 141), pëshpëritej e flitej se do të shkaktojë hakmarrje të tmerrshme; ishte fshehur për t’u kthyer kur ta shihte më të arsyeshme dhe, i mbushur me urrejtje, të hakmerrej në mënyrën më të ashpër, jo vetë, po përmes të gjallëve: “Erdhi koha të hakmerrem, por nuk do hakmerrem vetë, por nëpërmjet atyre që do të këmbëngulin se kam vdekur, kur e dinë më mirë se kushdo se nuk kam vdekur, se jam gjallë në sajë të tyre” (f. 197). Gjithë kjo a nuk mund të lidhet me atë që thoshte shkrimtari Ernesto Sabato: “Nga thellësitë më të errëta të trupit ngjitet drejt shpirtit një neveri instiktive për kaosin dhe ankthi fizik shndërrohet në ankth metafizik”[9].
Gërmime në thellësitë e botës shpirtërore përmes artit
Romani “Ngjallja e diktatorit” në qenësinë e vet është një gërmim në synimet dhe në veprimet e pasardhësve të diktaturës dhe të diktatorit, pasojë e vetë diktaturës dhe rrënimet shpirtërore dhe mendore që kishte shkaktuar. Koha e pasdiktaturës cilësohet me tundime shpirtërore të mëdha, me pësime e tragjika të shumta. Pra, përmes tekstit poetik Lera ka gërmuar në shpirtin e njeriut tonë dhe në kundërthëniet që u dëshmuan në kohën paskomuniste. Këtë e qartëson mirëfilli edhe drejtori i gazetës Mëngjesi i kombit: “- E ç’rëndësi ka në ka vdekur apo jo zoti Hidër. Këtu nuk bëhet fjalë për një njeri konkret, por për një koncept që vdes dhe ngjallet si mikrobi i kolerës. E di që më akuzoni se duke botuar reportazhin që lexuat, do ndihmoj në përhapjen sa më të shpejtë të këtij mikrobi, por kjo nuk është një akuzë që qëndron, sepse si më bëhet mua mund t’i bëhet kujtdo” (f. 242).
Pra, koha e pas diktaturës është rrjedhojë e pandërmjetme e asaj që ka ndodhur në diktaturë, prandaj me një qetësi dhe me tundime tronditëse, fshehtësi dhe dukuri të dhimbshme bëhen edhe vrasje, që kishin “[…] për qëllim të ngjallin frikë te njerëzit dhe pas tyre revoltën e tyre që kjo gjendje të ndryshojë”( f. 297).
Në këtë rrjedhë duhet parë flijimi i hetuesit, Ben Kitës, që përpiqet të zbulojë nxitësit konkretë që kishin shpallur ngjalljen e diktatorit edhe se edhe brenda tij (gjatë hulumtimit) kishte filluar të ngjallet një i vdekur.
Dalëngadalë, e vërteta sa shkon e qartësohet nga se “Të gjitha vdekjet kanë lindur nga një tru i ftohtë” (f. 297) dhe se “Për herë të parë atë ditë u përdor termi i ri forca të errëta. Tërë krimet ishin kryer prej tyre. Ata kishin dalë nga kushedi çfarë skutash dhe duke qenë të pakapshëm, po ktheheshin në qenie gjysmë mitike. Gjëja më e vështirë ishte t’u jepje një fytyrë njerëzore. Duke qenë kaq të papërcaktuara ato futeshin kudo fare lehtë (atë ditë u shitën të gjitha bravat e mbetura dyqaneve të humbura dhe dritareve të kateve të poshtme iu vunë hekura) edhe nga një e çarë sado e vogël në derë. Çdo zhurmë ishte e dyshimtë” (f. 299).
Shpallja e ngjalljes së diktatorit shkakton që brenda njerëzve të fillojë të jetojë diktatori dhe të përligjen tundime të egra dhe ligësitë që të sundohet tjetri: “Është e kotë të kërkojmë brenda vetes ato forca që e mbajtën gjallë njëzet vjet të vdekur, zotin Hidër. Ai ka të drejtë të nxehet me ne. Nuk kemi mbërritur ende atje ku duhej të kishim mbërritur. Ende ka njerëz që dashurohen. E kuptoni ç’sfidë na bëjnë njerëzit që dashurohen në këtë kohë? Ne duhet të futemi mes dashurisë së tyre që puthja t’u ngrijë në buzë. Fëmijët e tyre duhet të jenë pjellë e dëshpërimit. Kështu më tha mbrëmë zoti Hidër. Ai kishte dalë për të parë si silleshin njerëzit dhe i ishte prishur gjaku, ai gjak që nuk ia prishi dot as vdekja. Më mirë të mos kisha dalë, më tha. Shumë çifte që putheshin si të mos e kishin marrë vesh kthimin tim. Shpresoja se do i kishit hedhur të gjithë kundër të gjithëve, shpresoja që njerëzit së bashku me ajrin të thithnin pasigurinë, shpresoja të shihja se vdekja ime kishte marrë fund, por pashë se ajo vazhdonte” (f. 263).
Rrënimi i përmendores së diktatorit ishte një akt jashtësor për arsye se “përmendoret” e diktatorit ishin njerëzit e gjallë: “Në një artikull të shkruar kur pa rrëzimin e përmendores theksonte (autori) se po nuk u rrëzuan përmendoret e gjalla, ato që janë ngritur brenda nesh, diktatorët kanë për t’u shfaqur pa zhurmë dhe kur t’i kuptojmë kush janë do jetë vonë, tepër vonë” (f. 203).
Njeriu e ka pjesë të shpirtit që ta fshehë maskën e vet; ajo mbetet një e fshehur e pazbuluar gjate gjithë jetës, mbetet një mister: “Edhe kur vdes njeriu nuk e krijon dot maskën e tij të vërtetë?” (f. 235). As përmes allçisë. Kjo dëshmohet nga sjelljet e parëndomta në rrjedhën e veprimit të përditshëm nga se ndodhin paradokse të çuditshme: “Vendi ku ishin rrëzuar përmendoret u bë vend ku shkonin të dashuruarit, vend pelegrinazhi, si një vend i shenjtë ku flijohej virgjëria (f.167).
Urrejtja që i ngarkohet diktatorit të gjallë ose atij që shpallet së është ngjallur së vdekuri, është, në të vërtetë, e vetë atyre që synojnë ta kthejnë kohën e diktaturës, përkatësisht të bëhen vetë diktatorë, pa marrë parasysh vuajtjet dhe pësimet e njerëzve: “Ai është mbushur me aq shumë urrejtje këto njëzet vjet sa nuk do t’i mjaftojë as edhe një shekull për të kënaqur urrejtjen e tij” (f. 302).
Kjo dëshmohet nga ajo që thotë në një rast kryeredaktori i gazetës Mëngjesi i kombit: “Sigurisht, mbasi dinamiti që iu vu shtëpisë sime e përforcoi edhe më tepër bindjen tonë se pas emrit të diktatorit Hidër fshihen diktatorë të rinj, që kanë ambicie për ta tejkaluar atë” (f. 303).
Gjithë ajo që ndodhi në kohën e diktaturës, sidomos pas saj, që është objekt poetik i romanit “Ngjallja e diktatorit” të kujton pashmangshmërisht mendimin e Faik Konicës: “Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: “Lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”
Rëndësia e magjisë së artit të fjalës
Edhe në këtë roman, siç ndodh dhe në romanet e tij “Nata e premierës”, “Kishim një ëndërr” “Ana Zh”, Të gjallë dhe të vdekur”, “Të gjithë premtojnë Parisin” e të tjerë, Nasi Lera dëshmohet mjeshtër i madh i shtjellimit të krijesës tërësore shprehëse poetike dhe komunikuese, i ndërtimit me përkushtim të tekstit poetik. Tek e fundit, vetëm të shprehurit poetik e bën një vepër letrare, në rastin konkret, romanin, krijesë të mirëfilltë arti, pikërisht ashtu siç thoshte shkrimtari i shquar, Jorge Luis Borges: “Magjia e fjalës, siç thotë Stevenson, është një ndër cilësitë themelore që duhet të zotërojë një shkrimtar”[10] ose atë që theksonte Ernesto Sabato: “Do të pëlqehej më shumë një stil që jep ndjesinë se frymon sikur qenie e gjallë”[11].
Nasi Lera njëmend e zotëron këtë mjeshtri dhe kjo e përcakton vlerën kryesore të kësaj vepre të tij e jo tematika dhe aktualiteti i saj. Pikërisht teksti poetik kushtëzon shumësinë kuptimore[12], komunikimin e veçantë dhe ndikimin estetik[13] në mënyrë më të plotë.
Po sjell vetëm disa shembuj për arsye se të tillë janë të shumtë në roman.
***
Sytë e saj të tmerruar ishin aq të pafajshëm në gjëmën që kishte përjetuar sa edhe retë që pasqyroheshin aty, iu dukën sikur pikonin gjak. Vajza kishte qenë e virgjër, gjaku ishte mpiksur mes kofshëve ende të paformuara mirë.
***
Shkoi dorën mbi mjekër dhe si të kishte prekur dhimbjen që nuk ia kuptonte njeri (as Alma Broja) ndjeu se ashtu si me duhanin edhe me jetën , kishte mashtruar veten.
***
Të dy kishin ngrënë me nxitim darkën dhe ishin ngjitur në dhomë të shtyrë nga i njëjti padurim dhe e njëjta befasi e ëmbël dhe e frikshme, që dergjej mbi shtrat së bashku me dritën e zbehtë që hynte nga rruga […] U zhveshën me nxitim dhe sa u shtrinë nata humbi përtej shiut dhe shkreptimave të shpeshta që verbonin detin.
***
Vetëm flokët e verdhë i dalloheshin, si të derdhej mbi ta drita e një hëne të sëmurë. Ishte e vetmuar dhe kur ai iu afrua ajo u drodh nga frika. Asnjë femër nuk i ishte trembur ashtu. U hutua më shumë se ajo. Ai e dinte, pa e pyetur, ç’priste aty, megjithatë për të mos heshtur e pyeti. Ajo i tha se ishte strukur nën bredhat se kishte frikë. Ajo duhej t’i ishte fshehur dikujt. Atij i erdhi keq sepse ajo ishte aq e bukur, por më tepër e preku vetmia e syve të saj. Atë e kishin prekur gjithmonë njerëzit e vetmuar. Ata i ngjallnin një mërzi të përzierë me dhimbje. Ndofta kjo ndodhte nga që ishte nga një qytet i vogël province, ku njerëzit e mbanin në shpinë vetminë si një guall i zbrazur breshke. I tha të mos trembej prej tij. Ai e përcolli për në shtëpi dhe kur po ndaheshin ajo e puthi. Tërë natën u përpëlit, sepse i dukej sikur mbi fytyrë i derdhej një dritë e verdhë që kishte butësinë […].
***
Ëndrrat ishin tretur brenda pafajësisë së tyre si brenda një arkivoli të tejdukshëm.
***
Dera u mbyll pa u përplasur. Hapat ushtuan në korridorin e heshtur duke tërhequr pas, si një karrocë të lashtë, dritën e sëmurë të asaj të diele dhjetori.
***
Në jetën e tij emrat e shumtë që kishte njohur ishin rralluar dhe mungesa e tyre ishte e rëndë si një shkëmb që gërryhej gjithmonë nga dallgët e kripura dhe të hidhura. Sa herë ishte zgjuar me një zbrazëti në gjoks nga ëndrrat ku i kishte takuar në gjumë, si të mos kishin vdekur. Shefi pa se edhe jashtë ishte e njëjta dritë e bardhë nën të cilën i shihte, ata që nuk ishin më. Ai nuk e shpjegonte përse do ndodhej gjithmonë nën të njëjtën dritë si në gjumë ashtu edhe zgjuar.
Sa shpejt, tha kur pa vilat e shpërndara mes agrumeve. Ato nuk janë zgjuar ende. Atë e trishtonin dyert dhe grilat e mbyllura të vilave në dimër. I dukej sikur brenda tyre njerëzit kishin lënë, pa e kuptuar gjethet e zverdhura të kujtimeve [….] Ndofta nga magjia e diellit dhe detit. Ky dimër hyri i zymtë dhe po vazhdon i tillë. Në breg nuk shihej asnjë njeri. Edhe ishujt mezi dalloheshin. Si dy dhimbje të ngurtësuara.
***
Ajo një çerek ore kaloi mes një heshtje varri, si të ishim varrosur të gjithë së bashku me kufomën, fytyra e së cilës nuk ishte gjë tjetër veçse një maskë e bardhë allçie, që po ngrinte dhe po përjetësonte tiparet e fundit, të cilat pas dy ditësh do humbnin përgjithmonë.
***
Alma Brojës i erdhi për të qarë sa dëgjoi zhurmën e shiut. U përpoq ta kapërcente atë gjendje vetëm duke u munduar të flinte, por e qara i vërtitej në gjoks. Ishte nga të dielat e rralla me shi që zgjohej aq e ligështuar. Nuk ishte zgjuar as nga ndonjë ëndërr e keqe që të ndjente atë trishtim të papërballueshëm dhe atë vetmi dimërore sa i erdhi për të qarë. Në dhomë ishte errësirë. Drita e mëngjesit lëngonte përtej dritares si një refugjat.
***
Dhe ishte shtangur para kërcënimit që rridhte së bashku me shiun e ftohtë të atij dimri. Vrasjet ishin si një qiell i pagojë.
***
Dhe nuk ishte më deti që ushtonte. Ishte gjaku ynë që më në fund po çlirohej nga ngërçi. Dhe nuk e mbaj mend sa vazhdoi vuajtja jonë e ëmbël…
***
Sa mendoi kështu iu duk sikur po udhëtonte mes një bregu të shkretë me duna, ku bari i rrallë përkulej nga era si në një vajtim.
***
[…] përtej nuk është askush tjetër veçse qenia jote që edhe ajo thërret drejt teje. Njeriu gjendet gjithmonë përballë vetes. Kjo është për mua vetmia më e madhe. Dhe vuajtja më e madhe.
***
Po e mbyll këtë punim për romanin e Nasi Lerës “Ngjallja e diktatorit”, përmes të cilit autori e shqipton me mjeshtëri dhe përmes artit tmerrin e jetës dhe ligësinë e njeriut për ta sunduar tjetrin në kohën e pas diktaturës në botën tonë shqiptare, pasojë e gjithë asaj që kishte ndodhur në diktaturë me mendimin e shkrimtarit të shquar argjentinas, Jorge Luis Borges: “Tashmë unë e kisha vënë re se vargjet, sidomos vargjet e mëdha të Dantes, janë më shumë se sa ajo që shprehin”[14]. Teksti poetik i këtij romani të Lerës është, njëmend, më shumë se sa ajo që shprehet – se fitohet përshtypja që shprehet. Këtë dukuri, natyrisht, e kushtëzon para së gjithash gjuha poetika dhe mënyra si shprehen e shtjellohen çështjet dhe mendimet në tekst po dhe natyrshmëria e të rrëfyerit.
Prishtinë, fillim dhjetori 2024
[1] Shih Epi i Gilgameshit. E përktheu nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha. Botimi i tretë. Argeta – LMG, Tiranë 2008. Botimi i parë “Rilindja”, Prishtinë 1984.
[2] N. K. Sandras thekson ”Edhe pse Gilgameshi nuk është heroi i parë njerëzor, ai është heroi i parë tragjik, për të cilin dihet diçka. Shih, L’epopea di Gilgameš. A cura di N. K. Sandars. Fabbri Editori, Milano 1977, f. 11.
[3] Shih më gjerësisht për këtë ep në parathënien time: “Vepër që i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe qëndresës së njeriut”. Në Epi i Gilgameshit. E përktheu nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha. Botimi i tretë. Argeta – LMG, Tiranë 2008, f. 5 – 29.
[4] Hyji, Anuji, pranon kërkesën e tyre dhe urdhëron Arurunë që ta krijojë një qenie (Enkidujin), që do t’i kundërvihet mbretit të Urukut, Gilgameshit.
[5] Shih më gjerësisht Dr. Labinot Berisha, Këngët kreshnike shqiptare dhe epet e lashta. Tiranë, Argeta-LMG, 2013.
[6] Ernesto Sabato, Heterodoksia. Përktheu Fatbardha Statovci. Shtëpia botuese Pena, Prishtinë 2019, f. 23.
[7] Duke folur për letërsinë në kohën e diktaturës shkrimtari, Agron Tufa, shkruan: Librat e shkruar pa dhembjen dhe frymëzimin, në të mirë të konjukturës, partisë dhe shokut Enver, edhe nëse shpërndaheshin në shoqëri, në thelb ato mbeteshin jashtë sinorëve të artit. U shkëputën prerazi lidhjet me modelet amtare të parakomunizmit dhe me letërsitë e mëdha të botës. Ndërkaq procesi letrar u përkeqësua edhe më shumë nga pesha e ndikimit të formës komando-administrative të normës shoqërore, e cila me një agresivitet të rrallë dhe egërsi ndëshkuese lante hesapet me cilindo shkrimtar që dilte jashtë modeleve të diktuara.
Duke u mbështetur në artikullin e Leninit “Organizata e partisë dhe letërsia e partishme (partishmëria)”, realizmi socialist operonte me një kodeks rekomandimesh, se si duhej të shkruante një anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve sovjetë, çka u kopjua dhe shpie deri në absurd në përvojën e komunistëve shqiptarë.
Nocioni estetik “realizëm” lidhej me përcaktimin “socialist”, çka solli në praktikë nënshtrimin e letërsisë dhe arteve ndaj principeve të ideologjisë dhe politikës.
[8] Ronald Regan thoshte “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”.
[9] Ernesto Sabato, Heterodoksia, vep. e përm., f. 27.
[10] Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2013, f. 10.
[11] Ernesto Sabato, Heterodoksia, vep. e përm., f. 37.
[12] Shih veprën e përbashkët ne Labinot Berishën Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (Me Labinot Berishën). “Faik Konica”, Prishtinë 2017.
[13] Shih veprën e përbashkët ne Labinot Berishën Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. “Faik Konica” 2018
[14] Jorge Luis Borges, Ligjërata, vep. e përm., f. 10.