I.
Poezitë kushtuar Zotit – Hyjit dhe Mbretërisë hyjnore bëjnë një pjesë të rëndësishme të qenësisë dhe të zhvillimit të poezisë sonë shqipe në rrjedhë të qindvjetshave. Përkundër kësaj të dhëne atyre nuk iu kushtua kujdesi i duhur, qoftë në rrafshin e botimit, qoftë në rrafshin e studimit. Botimi i vëllimit Burim drite e dashurie – Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618-1998 (Shpresa 1999), ku qenë përfshirë 223 tekste të zgjedhur nga veprat e 70 poetëve, e plotësoi sado pak këtë zbrazëti. Zgjedhja gjakoi të përmbushte, pos tjerash, dy qëllime kryesore:
a) Njohjen me një numër të mirë tekstesh të poezive të përshpirtshme shqipe, të shkruara dhe të botuara në periudhën kohore prej 380 vjetësh, që cilësohen, qoftë për shtjellime të ngritura tekstore, shprehëse e poetike, qoftë për shumësinë kuptimore dhe pasurinë tematike dhe
b) cytjen e studimit më të gjithanshëm e më të plotë të kësaj pjese të rëndësishme të poezisë sonë në vijën vertikale.
Derisa qëllimi i parë përmbushet me tekstet e botuara, të krijuara në kohë e në rrethana të ndryshme, e dyti mbetet edhe më tej detyrë e studiuesve të letërsisë dhe e kritikëve letrarë.
Vëllimi Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019, që po del në dritë nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës, synon ta pasurojë këtë traditë; në të janë përfshirë 105 poetë, duke filluar nga viti 1555 e deri në vitin 2019.
*
Poetët shqiptarë, qoftë të traditës gojore, qoftë të traditës së shkruar, pos dukurive të shumta të jetës së përditshme, të natyrës dhe të botës së brendshme, bënë objekt trajtimi artistik Zotin dhe Mbretërinë hyjnore. Vepruan në këtë mënyrë për arsye se Hyji dhe besimi në hirin e Tij qe dhe mbeti pjesë e pandashme e gjallimit të poetëve tanë dhe e njerëzve tanë në përgjithësi, e veprimit dhe e mendimit të tyre. Këtë e thoshte dhe Atë Anton Harapi në veprën e tij “Vlerë shpirtërore” (Shkodër 1936): “Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njejti Zot i vërtetë asht, Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në sajë të nji Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijt e nji Zoti qi na ka falë. Pra Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themeltë këtij imperativi na jemi nji”.
Ky besim shprehet nga fakti i qenësishëm: afrimi dhe njësimi me Hyjin shenjëzon në qenësi dashurinë, mirësinë, mirëkuptimin dhe pasurinë shpirtërore. Kjo përligjet dhe nga mendimi “Ji i përsosur siç është i përsosur Ati yt”, parim ku mbështetën dhe poetët shqiptarë të këtyre poezive dhe mbi bazën e të cilit ato u përftuan.
Trajtimi artistik i botës dhe i fatit të njeriut përballë mëshirësisë dhe dashurisë së Hyjit, përpjekja për ngritjen e mirëqenies dhe të fisnikërimit sa më të plotë, gjakimi për pasurimin e pareshtur shpirtëror e artistik, nënkupton me një anë shpalimin dhe shqiptimin e ndjesive më të qenësishme dhe më të fshehta të njeriut, dhe më anë tjetër, domosdonë që ai ta kuptojë më mirë vetveten, të përsoset vijimisht, po njëherit të aftësohet për ta kuptuar, për ta ndjerë, për ta nderuar e për ta çmuar edhe tjetrin. Së këndejmi, duke bërë objekt trajtimi artistik Zotin dhe Mbretërinë hyjnore, dritësinë, fuqinë dhe ngushëllimin që jep besimi në Hyjin për përballimin e vështirësive të jetës së përditshme, poetët shqiptarë dëshmuan, pos tjerash, aftësinë, shkathtësinë dhe guximin e tyre të merren me çështje sa thelbësore aq edhe të ndërliqshme të botës e të njeriut.
Në këto krijime të përshpirtshme shqiptohet qenësia e së vërtetës, e drejtësisë dhe e dashurisë; ndriçohet rëndësia e mbajtjes gjallë të parimit se kush i shërben mirësisë dhe të vërtetës, në qenësi i shërben dhe e don Perëndinë. Pra, ai që e dashuron Hyjin, në të vërtetë, e dashuron dhe e çmon së pari veten, njeriun e vet, atdheun dhe kombin që i përket e pastaj edhe të tjerët, njeriun kudo dhe kushdo qoftë ai. Pikërisht besimi në Hyjin dhe dashuria për Të dhe nevoja që kjo dashuri të zbatohet e të mbretërojë midis njerëzve, shpreh një nga qenësitë kryesore të mesazheve të këtyre poezive. Në to del ajo që e thekson me shumë të drejtë Branko Merxhani: “Dhe para se të mësojmë të mendohemi, duhet të mësojmë të dashurohemi. Duhet të mësojmë të besojmë” ose siç thoshte Nëna Tereze: “Të besosh domethënë të jetosh […] Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona[1] […] Feja është një dhuratë e Zotit. Pa të nuk mund të kishte jetë. Vepra jonë, për të dhënë fryt, që të mos i përkasë kujt tjetër pos Zotit, për të qenë e bukur, duhet të jetë e ndërtuar mbi fenë[2]”.
Nevoja e besimit në Zotin, në të vërtetë nënkupton kërkesën e ndërgjegjësimit të individit për veprimet që bën ai në jetën e përditshme, pikërisht atë që vë në dukje Nietsche (Niçe): “Çdo njeri, çdo popull, që të jetojë dhe të tregojë (dëshmojë) vetveten, para së gjithash, duhet të rregullojë kaosin, që gjendet brenda unit të tij”.
Në qenësinë e këtyre krijesave e të mesazheve poetike të tyre shprehet në mënyrë të thellë njësimi shpirtëror dhe mendor me Hyjin, me dashurinë, me mirësinë e me përvujtërinë – dëshmohet se “[…] kurgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti” (Anton Harapi). Në to përligjet pandërmjetësisht ajo që ndjejnë dhe mendojnë poetët tanë e që është pjesë e shpirtit, e mendimit dhe e veprimit të tyre konkret jetësor; ata nuk dalin ligjërues dhe mësues, po dëshmitarë të hirit të Zotit dhe të bashkimit me Zotin (Papa Pali IV thoshte: “Kemi më shumë nevojë për dëshmitarë sesa për mësues”.).
Në qoftë se këtë dëshirojmë ta shprehim me gjuhën e artit të fjalës, atëherë themi se këto poezi janë shqiptim dhe dëshmi e besëlidhjes shpirtërore e artistike e poetëve tanë me dritën dhe dashurinë e hirit të Zotit, besëlidhje me frymëzimin hyjnor dhe me të vërtetën hyjnore, që kanë një rëndësi të pazëvendësueshme për jetën e njeriut. Së këndejmi, nëpërmjet vështrimit të së vërtetës e të dashurisë së Hyjit e të shenjtërve të tjerë, pastaj nëpërmjet theksimit të bukurisë së Shën Mërisë ose të Krishtit fëmijë, në të vërtetë shprehet qenësia e jetës, e besimit, gjakohet dhe njëherit përligjet në artin e fjalës e madhërishmja dhe e bukura shpirtërore – metafizike.
Përshpirtshmëria në këto poezi shprehet si qenësi gjallimi, si gjakim për vetëpasurim, si përtëritje, po edhe si mundësi njohjeje thellësore të fshehtësisë (misterit) shpirtëror, të botës dhe të natyrës; ajo, thënë poetikisht, shenjëzon frymëmarrjen shpirtërore të njeriut në shtegtimin e shkurtër të jetës tokësore; perceptohet e shqiptohet si shpërndërrim i jetës së përditshme (si vrazhdësi e ashpërsi) me ëndrrën e saj, me atë që gjakohet e përfytyrohet.
Nevojën e përshpirtshmërisë – të besimit në Hyjin – poetët tanë e vëzhgojnë në rrafshin shpirtëror dhe në rrafshin konkret. Me një anë, krijesat e tyre artistike shprehin nevojën e afrimit dhe të njësimit me hirin e Zotit, me ngritjen dhe pasurimin e botës shpirtërore, e cila ndërlidhet ngushtë me jetën qiellore, me qetësinë dhe përjetësinë e shpirtit: Atjé shpirti s’ká të ngímun, / âsht nji dét gjith núr lulzimesh (Leonardo De Martino) dhe, më anë tjetër, shenjëzojnë qenësinë e shëlbimit dhe të mëshirës së Perëndisë në jetën e mbidheshme të njeriut vdekatar.
Ky përcaktim dhe ky përnjësim vërehet që në katër psalmet – poezitë e hartuara nga Gjon Bdek Buzuku, të botuara më 1555 në veprën “Meshari[3]”. Përmes tyre ai donte ta lavdëronte Hyjin krijues për dashurinë dhe besnikërinë e tij të amshuar ndaj krijesës së vet[4].
II.
Në Antologjinë e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019 përfshiva disa nga poezitë artistikisht më të ngritura të poetëve shqiptarë që i kushtohen Zotit – Hyjit dhe Mbretërisë hyjnore, që brenda krijimtarisë së tyre me këtë tematikë, paraqesin krijesat më cilësore, qoftë si shtjellime tekstore, qoftë si pasuri shprehëse poetike, si kumte poetike. Mora kryesisht autorët që kanë bërë emër si poetë, një pjesë e madhe e të cilëve, pa pikë dyshimi, paraqesin kulmet e artit poetik shqiptar si De Rada, Santori, Skiroi, Mjedja, Fishta, Poradeci, Noli, Asdreni, Ujko, Perrone, Camaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Ramadan Musliu, Visar Zhiti, Preç Zogaj, Agim Mato, Visar Zhiti, Sabit Rrustemi, Flutura Açka, Mimoza Erebara, Agron Tufa etj. Në dy-tre raste përfshiva edhe poezitë e autorëve që janë të njohur në botën shqiptare, po jo dhe si poetë, si, fjala vjen, Pjetër Bogdani dhe Aleksandër Sirdani. Një numër poezish me temë të përshpirtshme të autorëve pak të njohur, të botuara në revista e gazeta të ndryshme, nuk i mora, edhe pse si të tilla, si vlera, ato kanë mundur të kenë vendin në këtë zgjedhje.
Vëllimi zë fill me poezitë e Gjon Bdek Buzukut – katër Psalmet e hartuara nga ai[5], që e lidhin letërsinë tonë me një traditë të lashtë të poezisë së Biblës së Vjetër, pastaj me poezitë e Pjetër Budit, të botuara më 1618, i cili më të drejtë çmohet poeti ynë i parë i mirëfilltë i njohur deri më sot (pa hequr nga mendja të dhënën e përmendur nga vetë Budi se ai i kishte shfrytëzuar edhe poezitë në dorëshkrim të Pal Hasit, një poet shqiptar për të cilin dihet fare pak) dhe mbaron me poezitë e botuara në vitin 2019 – me poezitë e Elisa Velaj, një kohëzgjatje prej mbi katër shekuj e gjysmë. Natyrisht, nuk i mora poezitë e poetëve tanë të shkruara në gjuhë të huaja, as shqipërimet ose përshtatjet e poezive, as poezinë në njëmbëdhjetërrokësh nga vepra E mbësuara e krështerë (1592) e Lekë Matrëngës.
O Zot i gjallëvet e i vdekunet,
Shelbuosi i gjithëve,
qi ti z do mortnë e t përkatënuomit,
ma aj të konvertonetë e të gjellinjë, ņdijemë,
u tӯ të lus, e m ī afërë muo Dom Gjonit.
E muo shkatëro të shkruomitë e gjithë katet mive.
E tӯ tue t u pëlqyem, përzë oratëtë e mī
qi u m tӯ përdā, për muo
e për gjithë njerëzit të mī ņ gjakut sim,
e për miq të mī e pr anëmiqt të mī,
për të gjallë porsi për të vdekurnitë.
(Nga Gjon Bdek Buzuku, “Meshari”, XIX)
Nga disa poetë si, fjala vjen, Leonardo De Martino, Françesk A. Santori, Naim Frashëri, Zef Skiroi, Fishta, Asdreni, Vinçenc Prennushi, Fan S. Noli etj. mora më shumë poezi për arsye se mundësia e zgjedhjes qe më e madhe dhe vlera e tyre poetike më e ngritur.
Poezitë në këtë Antologji botohen sipas botimevet – veprave të poetëve ose të marra nga revistat “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Shêjzat” etj., ku ato u botuan për herën e parë, si u veprua me poezitë e Pjetër Zarishit, Ndje Mjedjes, Aleksander Sirdanit e të ndonjë tjetri.
Në raste më të shpeshta shfrytëzova botimet e para ose ato që janë besnike origjinalit. Botimet e bëra në Tiranë e Prishtinë gjatë kohës së sistemit komunist (të Prishtinës shpesh ribotime të Tiranës) mjerisht, nuk janë të sakta; në to janë bërë ndryshime, jo vetëm të pikësimeve, veçmas të theksave (madje edhe në poezitë e Naimit e të Poradecit!), po edhe të natyrave të tjera, prandaj këto botime i përdora vetëm atëherë kur nuk pata rrugëdalje tjetër.
Ndreqa ndonjë gabim shtypi dhe njësova sidomos shenjat e theksave. Aty-këtu shtova edhe ndonjë shenjë pikësimi.
Sqarimet e fjalëve më pak të njohura te disa poezi i dhashë se ashtu ishin në origjinal.
Renditjen e autorëve e bëra sipas datëlindjes e jo sipas datës së shkrimit dhe të botimit të poezive, që do të ishte më e rëndësishme, po më e vështirë për t’u përmbushur për arsye se shpesh mungojnë të dhënat e sakta. Renditjen e poezive të një autori e bëra herë në bazë të rëndësisë e të veçantisë poetike, herë sipas afrisë dhe ngjasimit shprehës kuptimor.
Disa poezi, që nuk ishin të emërtuara, i emërtova në bazë të vargut të parë ose të ndonjë vargu tjetër që shpreh ose synon të shprehë ndonjë nga qenësitë e poezisë përkatëse. Për shkak të përsëritjeve ose për të shprehur më plotësisht qenësinë e krijimit përkatës, shkurtova ose ndërrova titullin e ndonjë poezie.
Në disa raste, kur pozitë qenë të gjata, për shkak të natyrës së vëllimit, qeshë i detyruar të merrja vetëm ndonjë pjesë të tyre, prandaj ato këtu nuk e kanë vlerën që e kanë në botimet origjinale, ku janë të plota. Shkurtimet i shënova me shenjën […]
Transkriptimin e disa teksteve arbëreshe e bëra vetë, pa zbatuar ndonjë kriter të rreptë shkencor, disa të tjera i shfrytëzova nga botimet e mëparshme, me ndonjë ndryshim të vogël. Në pak raste (sidomos në tekstet e Fishtës dhe të Skiroit) y-në me theks hundor e zëvendësova me y-në me theks të gjatë (ý).
Përfshiva edhe pak poezi, në të cilat mbipeshon atdhedashuria si, fjala vjen, ato kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së republikës, shqiptarit, gjuhës, flamurit e të ngjashme. Veprova në këtë mënyrë për arsye se këto (si shenjëzime dhe objekte artistike) trajtohen e shqiptohen para së gjithash si krijesa të Zotit, si vepra të Hyjit. Me fjalë të tjera, në to Zoti nuk përmendet rastësisht dhe nuk del vetëm si emër, po si qenësi, si krijues dhe përcaktues i Shqipërisë, i gjuhës, i flamurit shqiptar dhe i fatit të shqiptarëve.
Për përgatitjen e këtij vëllimi zgjodha edhe disa poezi në dorëshkrim, të lëna nga poetë të vdekur, si ato të Frangjisk Anton Santorit, ose të dërguara nga poetë bashkëkohorë (të shënuara në Burimet). Pra, në këtë Antologji botohen për herën rreth 30 poezi.
Për mirëkuptimin dhe besimin e treguar të poetëve bashkëkohorë ndaj punës sime, duke m’i dërguar poezitë e pabotuara, u shpreh mirënjohjen time të thellë.
Meqenëse në këtë vëllim përfshihen poezitë e 104 autorëve, të botuara brenda një kohe mbi 450 vjet, punën në përgatitjen e tij e përcollën dhe e cilësuan vështirësi të ndryshme, shpesh jo të lehta të kapërcehen. S’ka dyshim se kanë mbetur dhe autorë dhe poezi të tjera, që kanë mundur të gjejnë vend në këtë zgjedhje, sidomos ato të botuara në vitet e fundit.
Duke qenë i vetëdijshëm për këtë gjë, kërkoj ndjesë dhe mirëkuptim nga autorët dhe lexuesit për mangësitë që do t’i hetojnë. Së këndejmi, i mirëpres me nderim vërejtjet dhe sugjerimet e tyre dhe do t’i kem parasysh me rastin e ndonjë botimi të ri të mundshëm të kësaj Antologjie.
[1] Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, Edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000, f. 114. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 195.
[2] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 8.
[3] Shi më gjerësisht për këtë studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Shih dhe botimin e dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.
[4] Shih më gjerësisht parathënien time me titull “Qenësia e Hyjit dhe e mbretërisë hyjnore në poezinë tonë, f. 7 – 29.
[5] Shih dhe tekste të tjera të Buzukut në studimin tim Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016 dhe “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.