Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Nasi Lerës dhe të 60-vjetorit të krijimtarisë së tij letrare
Nasi Lera lindi në Korçë më 29 shtator 1944. Është njëri nga prozatorët tanë bashkëkohorë më të shquar. Me një varg përmbledhjesh me tregime, novela dhe romane të botuar, e lartësoi dhe e pasuroi prozën tonë nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme. Ai është ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan. Vepra e tij është e lidhur me botën tonë; e shpreh poetikisht këtë botë dhe i kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe komunikimit që nxit teksti.
Edhe punimi për romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” dëshmon për artin e madh të përftuar nga Nasi Lera. Me art të lartësuar cilësohen edhe romanet e tjerë të tij “Nata e premierës”, “Ana Zh”, “Të gjallë e të vdekur”, “Kishim një ëndërr” etj.
Romani e ndryshon vijimisht formën e vet
Kur e mbaron së lexuari romanin e Nasi Lerës “Të gjithë premtojnë Parisin” dhe synon t’i qasesh e ta interpretosh, atëherë doemos të shkon mendja te natyra e romanit si lloj letrar, te rrjedha e ndryshimit të tij, veçmas te romanit modern.
Është e njohur e dhëna se brenda krijimtarisë letrare në përgjithësi dhe të prozës në veçanti, romani si lloj është ndër më të ndërliqshmit, qoftë për shkak të shumësisë dhe gjerësisë së dukurive që e trajton, qoftë për mënyrat e ndryshme të të shprehurit poetik, të llojshmërisë së stilit, të marrëdhënieve kushtëzuese dhe ndërvarëse të shtresave rrëfimore e të përbërësve të tjerë që bëjnë veprën si tërësinë poetike kuptimore.
Nga aspekti i konceptimit dhe i shtjellimit të tekstit, i krijesës si tërësi shprehëse komunikuese, në rrjedhë të kohëve romani përherë i gjurmoi dhe i pasuroi përbërësit e vet. Për këtë dukuri dëshmon më së miri romani modern, sidomos gjuha poetike që ai përdor[1].
Ndërlikueshmëria e romanit si lloj letrar dëshmohet nga se ai është kosmopolit për prirjen e tij (Vigari) dhe cilësohet me të shprehurit total letrar, pra është njëri ndër llojet më të hapur dhe më të pakufishëm. Së këndejmi, nëse dëshirojmë ta rimarrim mendimin e Shkllovskit se – atë që e quajnë zhanër, përnjëmend është njësi konfliktesh – atëherë romani është ndër më tipikët. Romani mund të jetë pasqyrë e realitetit, e botës dhe e përvojës së krijuesit, të ketë një objekt të caktuar poetik, të jetë me shumë objekte poetike ose, siç ndodh te romani modern, pa objekt në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Me këtë përligjet mendimi se romani synon të jetë shumësi dukurirish nga jeta, nga bota shpirtërore ose matanë jetës, përfytyruese ose mitike.
Si përligjet kjo te “Të gjithë premtojnë Parisin”?
Romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” duhet parë dhe interpretuar në dritën e asaj që u tha më lart, në veçanti me natyrën e romanit modern, gjë që mund të lidhet dhe me mendimin e Floberit, ku theksohet rëndësia e fuqisë së brendshme dhe e stilit të një vepre letrare poetike: “Ajo që më duket e mrekullueshme, që dua të shkruaj, është një farë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron pezull dhe nuk e mban asgjë”.
Diçka te romani “Të gjithë premtojnë Parisin” ndoshta duhet parë në dritën e ndjenjës së Sanço Panços, shërbëtorit i cili jeton pas zotërisë së tij, Don Kishotit, që i afrohet dukurisë (lexo: rrezikut) që e kishte çuar zotërinë e tij drejt shkatërrimit të pashmangshëm: në procesin e mësimit e të shkrimit të romaneve, Sanço vëren se bota nuk mund të ndërrohet nga jashtë, po nga brenda. Ai jeton si krijues i romaneve për arsye se veprimtarinë e përqendron në premtim. Ai sikur thotë: diçka e ngjashme sikur jeta e menduar nuk ekziston, e as që ka qenë ndonjëherë, por nëse e pranoni fiksionin tim, keni pranuar edhe mundësinë që diçka e tillë një herë, në të ardhmen, mund të ndodhë me të vërtetë[2]. Ky qëndrim (përcaktim) të kujton mendimin e Aristotelit për të vërtetën historike dhe të vërtetën e mundshme (poetike)[3].
Kështu, në romanet e mëdha të shekullit njëzet rrëfimi bëhet e vërtetë, sikur që e vërteta bëhet rrëfim. Me një anë rrëfimi bëhet forcë absolute, të cilës askush nuk mund t’i bëjë ballë, ndërsa po kjo forcë e të folurit s’ka asgjë të përbashkët me realitetin (natyror), që mund të përfshihet në rrëfim[4].
Ndodh kështu nga se romani e ndërton dhe e shpreh realitetin përmes strukturës gjuhësore. Pra, ky realitet ekziston dhe funksionon vetëm brenda shenjave, fjalëve dhe mendimeve që ngërthen teksti. Mirëpo, mënyra se si përftohet dhe shprehet realiteti (sidomos te romani modern) e krijon edhe iluzionin ose bindjen te marrësi se gjithë ajo është e vërtetë.
Në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” thy-hen rregullat e romanit tradicional dhe qasja dhe inter-pretimi i tij si vepër e tillë të shpien në rrugë të gabuar dhe, çka do që të thuash, mbetesh jashtë qenësisë së kësaj krijese poetike. Në të futet natyrshëm diçka nga “tablotë” e jetës së përditshme, nga “modelet” prej të cilave e përditshmja mund të ndërtohet, që në qëllimin e vet të “përfshijë” edhe diçka nga jo e përditshmja, nga përfytyrimi, imagjinata.
Fytyra e kohës – realitet i përmbysur
Nisur nga fakti se “Të gjithë premtojnë Parisin” është roman modern, atëherë del e paarsyeshme të kërkosh në të përcaktimin e mirëfilltë të objektit poetik, të një ideje ose dukurie kryesore nga se ato në të janë të shumta e të ndryshme dhe nuk i nënshtrohen hierarkisë as rrafshit të vlerës e të peshës së tyre. Secila është e rëndësishme dhe të gjitha së bashku bëjnë atë që te romani tradicional mund të bëjë ideja kryesore ose personazhi kryesor. Tërë ajo që rrëfehet në këtë roman ka si qëllim që ta shprehë e ta përligjë fytyrën e kohës, domethënë kohën, rrethanat dhe gjendjen (botën) shpirtërore të njerëzve. Është e vërtetë se, fjala vjen, personazhet e Evës F. dhe të Simonit janë mjaft të pranishëm në roman, po edhe personazhet e tjerë, Vesa Destani, Eni D. ose kamerieri, Ardi, ose dhe vetë deti (shiu po se po, për këtë do të behet fjalë veçmas) janë po aq të rëndësishëm, jo për praninë dhe hapësirën që zënë dhe kanë në roman, po për kuptimësitë që ngërthejnë dhe për funksionin që kanë në vepër. Kështu, fjala vjen, “historia” e Ardit dhe akuza e pabazë dhe dënimi i tij, nuk zë shumë vend në roman, po është po aq e rëndësishme sa vetë “historia” e dashurisë së Simonit me Evën F. Njëjtë ndodh dhe me dukuritë e “vogla” si, fjala vjen, me ankandin publik të qenve, me paraqitjen e librit në Sheraton dhe me praninë aty të udhëheqjes së shtetit etj.
Çështja kryesore për autorin, Nasi Lerën, është të shqiptojë një varg dukurish të ndryshme që e shprehin në mënyrë të thellë e të shumanshme fytyrën e kohës, përbërësit që e dallojnë atë dhe lexuesi mund e duhet të vihet në komunikim me të dhe ta njohë atë sa më mirëfilli: ta përfillë, ta prapësojë ose t’i përjetojë njësoj të dyja.
Duhet thënë se fytyra e kohës në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” nuk shqiptohet si dukuri e thjeshtë, njëpërmasore, një rrafshore dhe njëdrejtimore, po është e ndërliqshme, shumëkuptimore dhe shumëkahore. Ky degëzim është i qëllimtë dhe shprehet përmes një teksti poetik të lartësuar, shprehet përmes artit, siç mund të përligjet nga fjalët e Simonin, ku vajza, Eva, është vetë fytyra e kohës po dhe kundërvënie e saj: “[…] zhdukja e fytyrës së asaj vajze ishte për mua zhdukja e vetë fytyrës së kohës. Asnjëherë nuk e kisha kërkuar, si po e kërkoja atë mëngjes, fytyrën e kohës sime […] Ajo hyri në lokalin ku pinim çdo mëngjes kafe, sepse iu tremb shiut, sikur ai do t’i zbulonte fytyrën e vërtetë. Po ajo ishte një fytyrë e bukur dhe në ndryshim nga koha, që nuk e fsheh fytyrën e bukur, donte që ne të mos e shihnim”.
Eva F. mundëson njohjen e vetëm një pjese, një këndvështrimi të fytyrës së kohës: “Befas ajo vajzë nuk ishte gjë tjetër veçse koha që përpiqej të fshihte fytyrën e saj. Dhe koha kullonte nga flokët e saj shiun e fundit të vjeshtës dhe shiun e parë të dimrit. Edhe koha është përpjekur gjithmonë të fshehë fytyrën e saj. Kur e zbulon sheh se nuk ka fytyrë më të frikshme, më tragjike, më cinike, më hipokrite, më mediokre se fytyra e kohës me të cilën ke jetuar si mes një makthi. Ishte hera e parë që po më buisnin mendime të tilla, që i zhvlerësuan në çast të gjitha tregimet dhe novelat që kisha shkruar deri atëherë”.
Nuk janë vetëm personazhet dhe rrethanat shoqërore, veprimet e ndryshme konkrete që shprehin kohën që shqiptohet në vepër. Janë edhe dukuritë natyrore. Pra, format e përligjjes së fytyrës së kohës shprehen edhe përmes shiut: “[…] aty ishin të gjithë si brenda një strehimi, ku ishin strukur për t’i shpëtuar jo shiut, por kërcënimit të kohës, që kishte formën e shiut”[5]. Këtë e shpreh dhe rënkimi i detit që, simbolikisht, bëhet pjesë e fytyrës së kohës: “Atë natë nuk kishte njeri në hotel. Ishte kulmi i dimrit. Rënkimi vinte nga Perëndimi. U çova nga shtrati dhe shkova dhe hapa dritaren. Në trup m’u përplas nata me të ftohtit e saj të hidhur e tërë lagështi. Qielli ishte gjithë yje. Më në fund e kuptova se rënkimin e lëshonte deti. Më erdhi keq për detin. Rënkimi që përhapte nëpër natë ishte vetë ulërima dhe rënkimi i vetmisë sime” ose “[…] dhe ajo kishte një fytyrë të bukur që fshihte një dhimbje të thellë”.
Pikërisht fytyra e kohës konkrete, gjithë ajo që zien brenda saj dhe pasojat që shprehen në marrëdhëniet shoqërore dhe në shpirtin e njerëzve, kushtëzojnë që Simoni të mos ia dalë ta shkruajë romanin e tij.
Shiu – simbol i shqetësimit dhe i pësimit
Brenda veçantive të tekstit poetik e të figurshmërisë së pasur që e cilëson romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” simbolika e shiut shtrihet në gjerësi dhe në thellësi. Të thuash s’ka ndonjë veprim të rëndësishëm të personazheve dhe të pësimit të tyre ose përsiatje të autorit që nuk lidhet ose nuk përshkohet nga rënia e shiut dhe simbolika e tij.
Fjalia e parë e këtij romani fillon me shi: “Ajo nuk priste të na shihte në lokalin e vogël, ku mblidheshim çdo mëngjes për të pirë kafe, prandaj kur ia ngulëm sytë, u hutua aq shumë, sa u kthye përsëri nga dera dhe sikur shiu të mos ishte bërë papritmas i rrëmbyeshëm, do të ishte larguar menjëherë […] ajo iu tremb shiut më shumë se pranisë sonë”. Në faqen e parë të romanit shiu është jo vetëm i pranishëm, po përligj pjesërisht edhe rëndësinë e simbolikës që ka në gjithë veprën: “Brenda atij poçi të djegur përpëlitej jo vetëm shkretia që kishte mbuluar plazhin, por edhe fundi i vjeshtës. Edhe shiu, që përplasej pas qelqeve të lokalit, nuk ishte aspak si shirat që kishin rënë deri atëherë, që shfaqeshin zakonisht në perëndim, derdheshin në det dhe pjesën e mbetur retë e shkarkonin mbi bregun e shkretë […] shiu i sotëm nuk dihej sa do të vazhdonte, sepse kishte ardhur nga veriu dhe ishte i ftohtë”.
Një çast shumëfish i rëndësishëm për nismën dhe rrjedhën e romanit “Të gjithë premtojnë Parisin” lidhet, po ashtu, me shiun, kur Eva F. hyn një kafene: “U bëra gati ta fajësoj edhe shiun për dështimin tim, kur thashë me vete, se po të mos binte shiu, ajo nuk do të hynte në lokalin tonë, ku pinim zakonisht kafen e mëngjesit”.
Edhe në fjalinë e parë të romanit, që shkrimtari, Simoni, mendon ta shkruajë, është i pranishëm shiu: “Ajo hyri në lokalin tonë dhe nuk e dinte se shiu që pikoi nga flokët e saj ishte shiu i fundit i vjeshtës dhe shiu i parë i dimrit…”
Simbolika e shiut degëzohet dhe përligjet në mënyra, në forma dhe në rrjedha të ndryshme të tekstit; është ose paralajmërim i ndonjë drame që do të ndodhë ose shënon dramën që ndodh, qoftë kur bëhet fjalë për dukuri të caktuara, qoftë për atë që përjetojnë dhe pësojnë personazhet në jetë dhe në botën ebrendshme. Kështu, që në fillim të romanit, shqiptohet simbolika dhe metaforike e njësimit të fatit të njerëzve me shiun, që secili e ka brenda tij dhe që, në vend që të dalë jashtë, derdhet brenda qenies: “[…] na kishte shqetësuar (vajza që hyn në lokal – v. ime), duke u frikësuar nga gjëmimi shurdhues dhe atë çast pashë se pikoi nga maja e flokëve të saj dhe pika e fundit e shiut. Ne u përpoqëm t’i buzëqeshim, ndërkohë që ajo pikë shiu futi në lokal një shi tjetër, që filloi të bjerë pa zhurmë në kujtesën tonë, sepse isha i sigurt që secili prej nesh e kishte në jetën e tij një shi të largët që pikonte nga flokët edhe më të largët”.
Simbolika e shiut përdoret edhe kur shqiptohet ndërrimi i stinëve: “Vjeshta nuk kishte më forcë të shfaqej dhe ishte tërhequr e drobitur, për t’ua lëshuar vendin shirave të ftohtë të dimrit. Mbi breg ranë hijet e rënda të muzgjeve dimërore, ndërsa thellë, atje ku ndodhej vija e horizontit, u shfaq dhe u shua në një të qindtën e sekondës, shkreptima e parë dhe mbi sipërfaqen e detit, era që frynte nga veriu, formoi mornicat e para”.
Shiu bëhet shenjëzim dhe i bukurisë dhe i prehjes së personazheve, siç ngjet me Simonin dhe Vesa Destanin: “Të dy ishin të çliruar dhe nata ishte e bukur dhe shiu ishte i bukur dhe deti që nuk shihej duhej të ishte i bukur dhe avulli që mbështillte trupin e Eni D. ishte i bukur dhe flokët e Vesa Destanit ishin të bukur dhe gjithçka kishte ndodhur ishte e bukur, përveç asaj që i kishte ndodhur Eni D. Sepse asaj i kishte ndodhur diçka tronditëse”.
Autori e shfrytëzon shiun edhe për të shprehur bukurinë e femrës, Evës, siç ndodh kur ajo hyn në pijetore: “Ajo hyri në lokal dhe ishte aq e bukur sa e bëri të tillë edhe shiun e ftohtë dhe të mërzitshëm që binte jashtë”.
Shiu simbolizon edhe njësimin me kënaqësinë shpirtërore të personazhit: “Dola nga dhoma (Eni D. v. ime) dhe u lehtësova kur shiu më rrahu fytyrën. Kisha nevojë për atë shi”.
Mirëpo, shiu nënkupton, po ashtu, frikën dhe pësimin: “Vajza nuk dinte ç’të bënte. Po të largohej nën shi, tërë faji është i yti, qortova veten. Ajo të ka parë të dehur dhe është trembur. Vajza qëndronte midis frikës nga një i dehur, që isha unë, dhe frikës së shiut, që ishte vetë shiu” ose “Asnjëri nuk guxonte të pyeste se kur filloi shiu. Rrinin zgjuar dhe mbanin vesh si ai binte shtruar. Simoni ishte i sigurt se shiu nuk kishte rënë gjithmonë ashtu, shtruar, si po e dëgjonte tani. Atij i kujtohej se shiu kishte ardhur nga deti tërë zhurma ere dhe degët e pishave të buta kishin ulëritur si të jetonin natën e tyre të fundit”.
Në kreun e fundit të romanit (kreu 41) shiu zëvendësohet me dëborën (borën), e cila bëhet pjesë e veprimit dhe e frymëmarrjes: “Dëbora kërciste nën hapat e tyre dhe dielli, që kishte shpërndarë retë, të verbonte duke u përshëkënditur në miliarda kristale të kaltra, si të ishin situr tërë diamantet e qiellit. Çatitë heshtnin nën shtresën e trashë të dëborës dhe shtëpitë, shumica të mbyllura, të fusnin në mendime ndjenjën e vetmisë dhe të shuanin çdo dëshirë për të folur”.
Dëbora shpreh edhe pësimin dhe tragjiken që ndodhin për shkak të saj: “[…] dhe gjithçka ndodhi për faj të dëborës”.
Qenësia e dashurisë: Nisja drejt vetvetes
Brenda fytyrës së kohës, siç thuhet në romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” ose brenda kohës që Kishte koha ethe, kishte koka frymë, siç do të thoshte shkrimtari, Azem Shkreli, ose kohë e vrarë në sy, siç thotë shkrimtari, Visar Zhiti, vetë njerëzit dhe dukuritë mbajnë ngjyrimin dhe frymën e saj. Tek e fundit, kohën e bëjnë njerëzit, rrethanat, kushtet që i krijojnë ata. Koha në vetvete dhe për vetveten s’ka rëndësi.
Fytyrën e kohës që shqiptohet në roman Nasi Lera synon ta shprehë edhe përmes dashurisë. Fytyrës së kohës së tillë, përkatësisht kërcënimit të saj ia kundërvë dashurinë dhe artin, si dy forma të rëndësishme, po të mundshme për përballim dhe ngadhënjim mbi të.
Vepron kështu për arsye se përmes dashurisë koha shpaloset mirëfilli, shprehen përbërësit e saj më thelbësorë e më të ndieshëm. Kështu, në projektin reality show “Kështjellari” dashuria i përligj rrethanat dhe frymëmarrjen e mirëfilltë të gjallimit, gjendjen shpirtërore të njerëzve. Dashuria midis Evës dhe Simonit dëshmon të kundërtën. Në thellësinë e saj ajo i kundërvihet realitetit të tillë që është zhveshur nga virtytet, nga dinjiteti dhe mirësia. Mirëpo, autori Lera këtë nuk e thotë, nuk e pohin, po gjithë kjo del nga thellësia e rrëfimit poetik për dashurinë e tyre. Eva F. është edhe fytyra e kohës, po në një çast ajo vetëdijesohet dhe bëhet fytyra e vetvetes. Ajo niset drejt Simonit, po në të vërtetë niset drejt vetvetes, siç ndodh dhe me të dashuruarit e Këngës së këngëve[6] të Biblës së Vjetër. Në këtë krijesë poetike të dashuruarit ballafaqohen me veten e me tjetrin, siç thekson dhe Christos Yannaras: “Tjetri bëhet ‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës sonë. Ndoshta nuk jemi dashuruar në personin e Tjetrit, po në etjen tonë të mishëruar në personin e tij[7]”. Së këndejmi, dashuria barazohet me vetë jetën: “Tjetri përbën mundësinë e vetme për arsye se marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive. Logosi që më drejtohet mua dhe më fton në universalen e bashkë-ekzistimit[8]”.
Në Këngën e këngëve e dashura jeton brenda të dashurit, siç i dashuri jeton brenda saj. Shprehja hebraike “Ləki lak” shpreh pikërisht “Nisjen drejt vetvetes” (Shih dhe Zan 12, 1). Qëllimi i të dashurit nuk është ta bëjë atë (të dashurën) të veten, po ta lirojë, t’i ofrojë gjithë zjarrin e dashurisë absolute[9]. Edhe kur ata nuk janë afër njëri – tjetrit, ajo është krejtësisht e tij dhe anasjelltas:
I dashuri im është i imi e unë jam e tij
ai kullot midis zambakëve. (2, 16)
Dashuria e Evës me Simonin synon të jetë e pakushtëzuar, po rrethanat dhe kushtet e jetës konkrete bëhen pengesë, ia zënë frymën dhe në fund ajo (dashuria), bashkë me ta, shkatërrohen nga të tjerët, që janë fytyra e njëmendtë e kohës për të cilën rrëfehet në roman.
Romani – dëshmi e artit të madh
Ajo që e bën romanin “Të gjithë premtojnë Parisin” të rëndësishëm, për shumëçka të papërsëritshëm brenda prozës sonë, është mënyra e ndërtimit të tekstit poetik, është rrëfimi poetik i lartësuar nga fillimi në fund. Pra, të shprehurit poetik, përkatësisht përmasa artistike që e cilëson tekstin e këtij romani, paraqet vlerën kryesore të tij. Gjithçka tjetër është e dorës së dytë: shqiptimi i realitetit të përmbysur e të dhunshëm, paradokset shoqërore, vetëdija e fjetur, bota e brendshme e personazheve, pësimet dhe fatkeqësitë.
Nasi Lera nuk pohon, nuk e përdor të shprehurit retorik, nuk klith, nuk akuzon pandërmjetësisht, nuk shpreh as pezëm e as urrejtje, as ndaj personazheve dhe veprimeve që dëshmojnë zhvlerësimin shpirtëror, që janë të ligj. Ai gjithçka e shpreh përmes një gjuhe poetike sa të veçantë aq dhe të pasur; i vë përballë faktet e të dhënat, karakteret, rrjedhat dhe veprimet e ndryshme të personazheve dhe gjithçka ia lë lexuesit; atij i mbetet të vlerësojë vetë, të përcaktojë se çka është e mirë ose e keqe, ose as e mirë e as e keqe; çka duhet të vihet në peshojën e dyshimit e të ndërgjegjes ose pse duhet ta pranojë ose t’i kundërvihet.
Rrëfimi i Nasi Lerës në këtë roman, siç ndodh dhe në romanet e tjerë të tij, nuk është i shpifur, po i lirë dhe i çliruar; autori është i sigurt në atë që e rrëfen; nuk i fsheh gjërat as nuk e i zbukuron ato; asgjë nuk paragjykohet e as nuk të detyron.
Brenda këtij koncepti, gjërat dhe dukuritë nuk shqiptohen sipas hierarkisë ose rëndësisë së tyre. Ato kanë vlerë të barabartë. Kështu, burgosja e Ardit, vendosja e Evës F. në vilen e një bosi dhe “shndërrimi” i saj pronë e tij (edhe në telefon duhet t’i përgjigjet bosit pa u vonuar), prania në Sheraton e njerëzve më të lartë të pushtetit, shikimi me përbuzje i Evës nga të tjerët, pastaj, në fund, dhuna dhe pësimi i Simonit dhe i Evës dhe ndërprerja e dashurisë së tyre, kanë të njëjtin status dhe vlerë dhe nuk synojnë ngritjen mbi tjetrën. Secila nga dukuritë e përmendura i ka veçantitë dhe dramën e vet. Për dikë njëra dramë heq më shumë peshë, për një tjetër, tjetra.
As rëndësia dhe vlera e dukurive dhe e përbërësve të botës së brendshme (të personazheve) nuk përligjet nga prania e gjatë ose e shkurtër në tekstin e romanit ose nga rastësia, po nga shtresimi dhe mbishtresimi kuptimor që kanë dhe marrin brenda strukturës gjuhësore shprehëse dhe barten te secili lexues, sipas natyrës që ka, njohjes së artit të fjalës dhe shpirtit të tij.
Teksti i romanit “Të gjithë premtojnë Parisin” dëshmon për shtjellim e për të shprehurit modern dhe për artin e madh që e cilëson. Në tekst zbatohet një sistem sa i veçantë aq dhe i pasur, sidomos i të shprehurit metaforik.
Nga llojshmëria e shqiptimit të tillë bindesh se qëllimi i autorit ishte arti, hartimi i një krijese letrare sa më të lartësuar poetikisht.
Pra, në tekstin e romanit mbisundon rrëfimi poetik i menduar dhe i përftuar me përkushtim e dije, ku përligjet mirëfilli gjithëpushtetshmëria dhe vlefshmëria e tij.
Brenda kësaj duhet përmendur mënyrat e shumta e të ndryshme të përftimit të pamjeve poetikisht të rralla, që shkrihen natyrshëm në kuptimësitë që dalin nga teksti; shmangien e përsëritjeve e të modeleve të caktuara, ku krijohet sistemi i mozaikëve poetikë të pasur që nuk i gjen tek prozatorët tanë të sotëm.
Nasi Lera dëshmohet mjeshtër i kapjes dhe i shqiptimit të çasteve të veçanta, nga të cilët dalin e degëzohen kuptimësi të shumta; imtësi që nxitin përsiatje dhe meditime të thuash të pafund, pra te lexuesi shndërrohen në “dukuri” të mëdha e të rëndësishme. Veti e shkrimtarëve të mëdhenj.
Fjalia e tij është e menduar dhe kuptimisht shumësore; e cilëson drejtpeshimi; metaforat, krahasimet dhe figurat e tjera në këtë roman janë të rrafshit të lartë dhe me shumicë. Këtë rrafsh dhe harmoni ndonjëherë e lëkundin rastet kur fjalia fillon me sepse, me por dhe me prandaj, ose ndonjë përsëritje e fjalës brenda një fraze.
Të sjellësh vetëm një pjesë që dëshmojnë veçantitë dhe pasurinë e tekstit poetik të këtij romani do të duhej shumë vend. Po sjell disa që mjaftojnë për të fituar idenë e artit të madh dhe mundësinë e ndikimit estetik që teksti mund të bëjë në marrësin.
*
Ishte hera e dytë që ajo largohej si një ëndërr e shqetësuar, duke lënë pas një hije të mjegullt trishtimi.
*
Edhe vetë qenia e saj nuk ishte gjë tjetër veçse një shkrirje e dhimbshme e fundit të vjeshtës dhe e fillimit të dimrit.
*
Nata kishte filluar brenda saj.
*
Plazhi ishte i shkretë, kurse deti ishte i thinjur. Asnjë siluetë njerëzore nuk dukej sa të hanin sytë. Shiu binte i heshtur si të sitej në dritën e mugët. Heshtja që shtrihej e lodhur pas gjëmimeve dhe rrebeshit, të fuste në mendime trishtimin e stinës që po fillonte. Ishte një trishtim që të ngjitej dhe nuk të shqitej si një mjegull e ftohtë
*
Ai zë kishte për mua butësinë e reve puplore pas shiut.
*
Unë iu trembesha syve të saj. Ata vlonin nga një vullkan i brendshëm për të sunduar mbi çdo gjë.
*
Kishim kaluar një mbrëmje shumë të bukur dhe duke thithur erën dehëse të flokëve të Vesa Destanit, thitha dhe gjithë aromat e asaj nate. Ne ishim pjesë e saj, pjesë e shiut që filloi të trokasë mbi dritare dhe kur e largova pak nga vetja, që ta shihja në sy, ajo nuk kishte asnjë lloj frike. Një shkreptimë e fuqishme, e pasuar nga një gjëmim edhe më i fuqishëm, drodhi qelqet. Nata kishte shkrepur blicin e saj për ta përjetësuar në kujtesën e vet…
*
[…] Valixhja me rrota kaloi para meje, se pse m’u duk sikur po tërhiqte një arkivol. U trondita, sepse vegimi i arkivolit nuk m’u shqit edhe kur nisi të binte shi. Brenda valixhes dergjeshin ditët e fundit me diell të vjeshtës.
*
Sa këmbë të bukura që paske. Vithet e kërcyera, si dy maja kodrash dhe shpatullat e gjera mbi të cilat prehej perëndimi i përflakur i reve të floknajës së saj, më turbulluan më shumë se fërneti që kisha pirë. Ajo qëndronte si një statujë e nxjerrë nga viset ku nuk binte shi.
*
Ajo shkoi drejt çelësit, e hapi dhe kur u ndezën të gjitha dritat u kthye nga unë, e bukur […] Ashtu si derdhen në vjeshtë të gjitha ngjyrat e pyjeve të përzierë, ashtu derdheshin prej saj hiret e moshës.
*
Gjoksi, si të mos duronte dot prangat e një trikoje të hollë, të hapur para, u tund kur më kaloi para si një ninullë e vjetër.
*
Qielli ishte i kaltër, kurse deti kishte dallgë të vogla. Ato vinin njëra pas tjetrës si një buzëqeshje tërë dritë. Më pushtoi dëshira të dilja dhe të futesha mes tyre. Gëzimi i tyre do të më përfshinte edhe mua. E doja detin, megjithëse ai sa nuk më mashtroi atë muzg…
*
Në flokë më kishin mbetur disa fije bari. I hoqa […] edhe pse doja t’i merrja me vete, si të ishin reliktet e një muzgu të vdekur.
*
Ngjyra e artë që merrte mbarë horizonti, mbasi perëndonte dielli, sikur ma afronte edhe më shumë detin dhe, megjithëse nuk ia dëgjoja zhaurimën që përhapnin gurët e vegjël dhe të bardhë në breg, kur uji tërhiqej, ndjehesha e spërkatur nga stërkalat, si të ishin grimcat e yllit të fundit që ishte shuar miliona vite më parë.
*
Dora e saj u lëkund para syve të tij si një degë e njomë, ku gota u duk si një fole e zhveshur, e braktisur, si të ishte fole zogjsh shtegtarësh, kur bien gjethet në vjeshtë dhe degët heshtin në pritje të dimrit.
*
Dhe të dy u stepën. Gjaku sikur ua preu këmbët. Si të ishin zgjuar papritur edhe avujt e harruar të Martinit të bardhë. Evës iu mjegullua shikimi. Asnjëherë nuk e kishte ndjerë aq tronditëse praninë e një burri. Aq më shumë që ishte dhe hera e parë që ndodhej vetëm për vetëm me një burrë në një dhomë hoteli. Edhe kraharori sikur po i zhurmonte, si të përplaseshin aty dallgët e një deti të panjohur. Ajo ishte e sigurt se kishte ndryshuar edhe në fytyrë. Veçse nuk po e kuptonte se ç’ishte ajo mrekulli që rridhte nga heshtja. Dhe priti. Ajo ishte e gjitha një pritje. Ajo që po ndodhte brenda saj ishte e ngjashme me pjalmimin.
*
Hija e vilës ishte ende në fytyrën e saj, si të ishte mbërthyer pas poreve të lëkurës me rrënjët e padukshme të netëve, të frikës dhe të vetmisë. Edhe ajo e kuptoi se nuk po ecnin në rrugën nga kishin ardhur, por nuk pyeti ku po shkonin. Eva donte vetëm të udhëtonte […] Për të udhëtimi ishte i barabartë me harrimin dhe me fillimin e një diçkaje që nuk mund të ishte kurrë më e keqe se ajo që po linte pas, megjithëse ende nuk e kuptonte plotësisht ç’kishte lënë pas.
*
Simoni po e shihte si të ishte një krijesë e tejdukshme, dalë nga shkrirja e rrezeve të hënës me bardhësinë e kreshtave të valëve.
*
Dhe ndërsa dielli po zhytej në det, mbi njollën e madhe të reve ngjyrë portokalli, u krijua një lumë i ngushtë, i verdhë drite, që dukej sikur kishte ngrirë gjithë limfën e ajrit. Pastaj deri në horizontin e largët, ndërsa shuhej drita e asaj dite, kishte nisur përpëlitja e heshtjes së mbrëmjes. Ajo do të endej e pakapshme mbi det dhe do të hidhte menjëherë rrjetën e yjeve mbi plazhin e shkretë.
*
Drita e filtruar nga qelqi akull, ia kishte thithur gjithë kohën, duke e kthyer në një pakohësi, ku ajo ndjehej sa e dehur aq edhe e lumtur […] Dhe Simoni nuk po e kuptonte ku po humbiste ashtu, në ç’limbe, në ç’ujëra, në ç’pyje të përzierë, që jetonin, vetëm se katër stinët ishin të përziera në të njëjtin çast. Ai flaku tej mbulesat dhe trupat e tyre u shkrinë me natën, ndërsa indet e trupit thërrmoheshin mes një kënaqësie […] si të ishte zjarri i brendshëm i një planeti në krijim e sipër […] Ulërima e ndrydhur shpërtheu si një burim uji që ka çarë mes errësirës së rrënjëve të gurit.
*
Sa mbetën vetëm, Eva u zgjat mbi tryezë dhe puthi Simonin. Ajo u harrua në buzët e tij, si të mos ndodhej në restorantin e hotelit të vogël, por mes një dëbore të çuditshme, që mund të shihej vetëm me sytë mbyllur […] Mes tyre ishte një qiell tërë re të zbardhuara, që derdhnin dëborën e parë të atij viti.
*
Ajo (dëbora) kishte thithur erën e flokëve të Evës dhe ai u deh. Ai e tërhoqi pas vetes dhe e puthi marramendës. Dëbora që kishte mbuluar një anë të fytyrës së tyre u shkri dhe puthja kishte një shije krejt të re, të panjohur, sikur brenda saj të ishin shkrirë bashkë qielli, retë, toka, dielli dhe ajri i asaj dite dimri.
*
Në mbyllje them se romani “Të gjithë premtojnë Parisin” i Nasi Lerës dëshmon mirëfilli për rrafshin e lartë poetik që ka mbërritur proza jonë e gjatë.
Prishtinë, fillim shtatori 2024
[1] Shih rreth natyrës së romanit si lloj letrar dhe veçantive të tij dy punimet e mi Romani – zhanër pa kanone, f. 139 – 142 dhe Romani tradicional dhe romani modern, f. 143 – 155. Në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica, Prishtinë 2005.
[2] Shih punimin tim Romani tradicional dhe romani modern. Në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 146 – 147.
[3] Shih më gjerësisht në studimin tim Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit.. Faik Konica, Prishtinë 2018 dhe Aristoteli, Qasje artit poetik. Përkthimin, studimin hyrës dhe shënimet Anton Nikë Berisha. Argeta LMG, Tiranë 2020.
[4] Shih punimin tim të përmendur Romani tradicional dhe romani modern, f. 149.
[5] Kjo të kujton mbylljen në shpellë të personazheve të romanit “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit. Shih më gjerësisht studimin tim Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. “Argeta – LMG”, Tiranë 2011.
[6] Shih për Këngën e këngëve studimin tim Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
[7] Christos Yannaras, Variazioni sul Cantico dei Cantici. Edizione Qiqajon. Comunità di Bose. Magnano (BI) 2012, f. 8.
[8] Christos Yannaras, Po aty, f. 9.
[9] Po aty, f. 119.