Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur për mua deri atëherë, erdhi të më kërkonte këshilla për botimet. Më shpjegoi se deri atë kohë veprat e burrit të saj të shquar i botonte librashitësi Sallaev dhe i paguante të drejtat e botimit për një shumë pothuaj modeste (nëse nuk gabohem, njëzet e pesë mijë). Kishte mësuar nga të njohurit e saj që unë i botoja suksesshëm vetë veprat e burrit tim, kishte vendosur të bënte përpjekje t’i botonte vetë veprat e kontit Lev Nikollajeviç dhe kishte ardhur të mësonte prej meje nëse botimi i librave të sillte veçanërisht andralla dhe vështirësi. Ajo më la një përshtypje jashtëzakonisht të mirë dhe me një kënaqësi të çiltër i besova të gjitha “të fshehtat” e botimeve të mia, i dhashë mostra të librave të abonuar, shpalljeve që kisha dërguar, e paralajmërova për disa gabime që kisha bërë etj. Meqenëse hollësitë ishin të shumta, m’u desh ta vizitoja konteshën te motra e saj T. A. Kuzminskaja dhe ajo gjithashtu erdhi nja dy-tri herë tek unë, për gjërat që i kishte të mjegullta.
Për gëzimin tim të madh, këshillat e mia “botimore” i kishin ardhur për shtat Sofia Andrejevnës; botimet e saj dolën të mrekullueshme dhe i sollën mjaft fitime. Që nga ajo kohë, më shumë se dy dhjetëvjeçarë ajo i botoi vetë, me shumë sukses, veprat e kontit Lev Nikollajeviç.
Takimet e shpeshta dhe bisedat me konteshën na krijuan mundësinë ta njihnim njëra-tjetrën dhe u miqësuam. U binda se Sofia Andrejevna ishte vërtet engjëlli mbrojtës i burrit të saj gjenial. Kur ndodhej në Peterburg, ajo më vizitonte; gjithashtu edhe unë, kur ndodhesha në Moskë, patjetër që shkoja drejt e tek ajo dhe pastaj i dhashë mundësi asaj dhe familjes së saj të shihnin nga dritaret e “Muzeut të Dostojevskit” transportimin e trupit të imperatorit të ndjerë, Aleksandrit III, për në Katedralen e Arkhangelsk.
Shkoja në Moskë zakonisht në pranverë (për të vizituar “Muzeun” tim) ose në vjeshtë, kur kthehesha nga Krimea, dhe kur takoja konteshën, kurrë nuk e gjeja atje kontin Lev Nikollajeviç: ai ose kishte ikur në pranverën e hershme në Jasnaja Poljana ose kalonte atje vjeshtën. Por, një dimër, si erdha te kontesha në mbrëmje, mora vesh se konti Lev Nikollajeviç ishte në Moskë, por nuk pranonte njeri sepse ishte i sëmurë. Pasi foli me mua, ajo shkoi te burri, kurse unë mbeta me familjen e saj. Pas nja dhjetë minutash u kthye dhe më bëri me dije që burri i saj, si mësoi për ardhjen time, donte me çdo kusht të më shihte dhe më lutej që të shkoja tek ai. Më paralajmëroi që konti kishte pasur një krizë të sëmundjes së mëlçisë dhe e kishte ndier veten dobët gjithë atë ditë, prandaj m’u lut që të mos e zgjasja bisedën. Shkuam me konteshën nëpër disa rrugina të pastra moskovite, nga njëra shtëpi në tjetrën, dhe ndërsa ecja, nuk isha dhe aq e gëzuar që po shkoja tek ai. Pa marrë parasysh gjithë dëshirën për të parë shkrimtarin gjenial, veprat e mrekullueshme të të cilit kurdoherë më kishin magjepsur, s’di pse më përfshiu njëfarë tmerri dhe më bëhej sikur do të lija përshtypje të pakëndshme tek ai, çka nuk do ta dëshiroja kurrsesi.
Hymë në një dhomë të madhe me qiellzanë të ulët, ku në një divan ishte ulur konti Lev Nikollajeviç, me atë bluzën e hirtë, aq të njohur nga fotografitë e tij. Tmerri m’u fashit në çast prej thirrjes së përzemërt, që më përshëndeti.
– Sa e habitshme, të gjitha gratë e shkrimtarëve tanë u ngjajnë kaq shumë burrave të tyre!
– Vallë, i ngjaj Fjodor Mihajlloviçit? – e pyeta gëzueshëm.
– Jashtëzakonisht! Pikërisht të tillë, si ju, e kam përfytyruar gruan e Dostojevskit!
Natyrisht, kurrfarë ngjashmërie nuk kishte midis burrit tim dhe meje, por me asgjë tjetër Tolstoi nuk mund të më sillte aq gëzim, sesa duke më thënë një të pavërtetë të kulluar, se unë i ngjakam burrit tim të paharruar. Konti sikur përnjëherë u bë për mua i afërt dhe i dashur.
Lev Nikollajeviçi më uli në kolltuk pranë vetes dhe duke më treguar kraharorin e mbuluar me ca jastëçka (me hi të nxehtë apo tërshërë), filloi ankohej për pashëndetin e tij.
Një minutë heshtëm.
– Prej kohësh kam ëndërruar t’ju shihja, i dashur Lev Nikollajeviç, – i thashë – që t’ju falënderoja nga zemra për atë letër të mrekullueshme që i shkruat Strahovit me rastin e vdekjes së burrit tim. Strahovi ma dha këtë letër dhe e ruaj si një gur të çmuar.
– Unë shkruaj me sinqeritet atë që ndiej, – tha konti Lev Nikollajeviç. – Sot e kësaj dite më vjen keq që nuk u takova kurrë me burrin tuaj.
– Po sa keq i vinte atij! Por ka qenë një mundësi për takim – kjo ka ndodhur kur ju ishit në leksionin e Vladimir Sollovjevit në qendër të Peterburgut. Mbaj mend, madje, Fjodor Mihajlloviçi e qortoi Strahovin përse nuk i tha se ju ishit në leksion. “Qoftë ta kisha parë, – thoshte atëbotë burri im, – nëse nuk do të mund të bisedoja dot”.
– Vërtet? Ishte edhe burri juaj po në atë leksion? Po përse Strahovi nuk më tregoi për këtë? Sa keq që po më vjen! Dostojevski ka qenë për mua një njeri i dashur dhe, mbase, i vetmi që mund ta pyesja për shumëçka dhe për shumëçka mund të më përgjigjej.
Hyri kontesha. Duke e kujtuar paralajmërimin e saj, u ngrita që të largohesha, por konti më mbajti, duke thënë:
– Jo, jo, rrini ende. Më thoni, ç’njeri ishte burri juaj, si ka mbetur ai në shpirtin tuaj, në kujtimet tuaja?
Isha thellësisht e prekur nga ai ton i sinqertë, me të cilin foli për Fjodor Mihajlloviçin.
– Burri im i dashur, – thashë unë gjithë entuziazëm, – ishte njeriu ideal! Më të lartat cilësi morale dhe shpirtërore që zbukurojnë njeriun shfaqeshin tek ai në shkallën më sipërore. I mirë, shpirtmadh, përdëllimtar, i drejtë, i çiltër, delikat, i dhembshur – si askush! Por drejtësia e tij, çiltërsia e tij e paepur i solli kaq armiq! A ka ndodhur, sikur një njeri, të largohej nga burri im pa marrë një këshillë, një ngushëllim apo një ndihmë në njërën a tjetrën formë? Vërtet, nëse u ka ndodhur ta gjenin të sëmurë pas krizës apo në kulmin e një pune serioze, atëherë ishte i rreptë, por kjo rreptësi në çast këmbehej me mirësi, kur e shihte që tjetri kishte nevojë për të. Dhe sa ndjeshmëri prej zemre nxirrte, që të zbuste ashpërsinë dhe vrazhdësinë e tij. E dini, Lev Nikollajeviç, askund kaq qartë nuk shprehet karakteri i njeriut, sesa në jetën e zakonshme, në familjen e tij, dhe ja po ju them, pasi kalova me të katërmbëdhjetë vjet, unë veçse mund të habitesha dhe të mallëngjehesha duke parë veprimet e tij, duke e ndier krejt që nuk ishte praktik, madje edhe na sillte dëm, duhet ta pranoj që burri im, në rastin më të mirë, ka vepruar pikërisht ashtu sikundër duhej të vepronte një njeri që e çmon lart fisnikërinë dhe drejtësinë.
– Kurdoherë kam menduar kështu për të, – tha disi mendueshëm dhe depërtues konti Lev Nikollajeviç. – Dostojevskin kurdoherë e kam përfytyruar si një njeri që kishte mjaft ndjenja të vërteta kristiane.
Hyri përsëri kontesha dhe unë u ngrita, i shtrëngova fort dorën që më kishte zgjatur shkrimtari im i dashur dhe u largova me përshtypjen e një magjepsjeje, që rrallë e kisha provuar. Po, ky njeri dinte t’i përunjte zemrat e njerëzve!
Duke u kthyer në shtëpi përmes rrugëve të zbrazëta të Moskës dhe duke e përjetuar përshtypjen e thellë që sapo kisha provuar, i dhashë fjalën vetes (dhe e kam mbajtur) që kurrë të mos e shihja herë tjetër kontin Lev Nikollajeviç, pavarësisht se kontesha e mirë, kaq herë madje më ftoi si mysafire në Jasnaja Poljana. Trembesha se mos në takimin tjetër do ta gjeja kontin Lev Nikollajeviç të sëmurë, të pezmatuar apo pa vullnet dhe do të shihja tek ai një njeri tjetër dhe përjetë do të zhdukej tek unë ajo magjepsje që kisha provuar dhe që e kisha kaq të çmuar. E përse t’ia privoja vetes ato thesare shpirtërore që fati na i sjell rrallë në rrugën e jetës?
Përktheu Bujar Hudhri
Faleminderit shume per perkthimin zoti Hudhri.
U futa ne ambjentin magjepses te Letersise se madhe Ruse dhe te nje epoke te ndritur te kultures evropiane.