More
    KreuLetërsiBibliotekëAnila Mullahi & Belfjore Qose: Poetika e romaneve të Jakov Xoxës si...

    Anila Mullahi & Belfjore Qose: Poetika e romaneve të Jakov Xoxës si shprehje e zhvillimit të romanit shqiptar

    Letërsia në çdo kohë përpiqet të ruajë qenësinë estetike që vjen nga karakteri i saj i lirë dhe universalizmi, të cilat bëjnë që ndikimi dhe vlerat e saj të mos kenë kufizim kohor. Vepra letrare nëpërmjet qenësisë së saj estetike, e refuzon imponimin e jashtëm. Sa më e fortë qenësia estetike aq më i fortë është refuzimi. Natyra e pavarur e letërsisë bën që vazhdimisht vepra nëpërmjet vlerave estetike, formës specifike të ketë një imanencë të brendshme.

    Romanet e Xoxës janë vlerësuar dhe janë analizuar në përputhje me kontekstin kohor kur janë shkruar, por edhe në një kontekst krejt tjetër siç është e tashmja. Barthes theksonte se “Një vepër është e përjetshme jo pse u imponon një kuptim të vetëm njerëzve të  ndryshëm, por, për shkak se i sugjeron kuptime të ndryshme të njëjtit njeri, i cili flet gjithnjë të njëjtën gjuhë simbolike nëpër kohë të ndryshme: vepra propozon, njeriu disponon.”

    Rileximi është një formë rizbulimi e vlerave estetike të letërsisë. Ka rëndësi koha e shkrimit por edhe koha e leximit. Teoria e receptimit e sheh veprën në një proces ndërveprimi të vazhdueshëm me lexuesin. Lexime të ndryshme në kohë të ndryshme prodhojnë përshtypje dhe të kuptuar të ndryshëm të tekstit. Horizonti i pritjes tashmë është plotësisht i ndryshëm nga koha kur është botuar libri. Jauss theksonte se ndodh që vepra e lexuar në kohë tjetër nga ajo e botimit “lexohet kundër pritjes së zakonshme” sepse lexuesi është “formuar ndërmjet eksperiencës jetësore, zakoneve dhe të kuptuarit të një bote të ndryshuar”.

    Romanet e Xoxës janë romane të ndërtuara sipas gjedhes së realizmit klasik. Organizimi mjeshtëror i strukturimit të romaneve, denduria e veprimeve, tipizimi dhe portretizimi me hollësi i personazheve, mënyra e rrëfimit, stili i detajuar dhe materia jetësore, e bëjnë veprën e Xoxës përfaqësuese të realizmit në letërsinë shqipe. Hasan Mekuli do të shkruante se “Xoxa ndjek rrugën klasike, tradicionale të kompozimit dhe ndërtimit të romanit”, ndërsa Rugova do të theksonte se romanet e tij kanë krijuar “realizmin e madh” duke mbushur në këtë mënyrë një “zbrazëti të madhe” në traditën letrare shqipe.

    Xoxa kishte një plan të qartë për romanet e tij, të krijonte një pentalogji. Duke ndjekur shembullin e shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit të XIX (Balzakut, Zolait). Synonte të shkruante pesë romane që do të ndërlidheshin në një formë ose në një tjetër ndërmjet tyre. Nuk u përfunduan dy romanet e tij “Dielli lind nga malet” dhe “Ari i zi”.

    Ai arriti të shkruajë tre romane të ndërlidhura mes tyre, por edhe plotësisht të pavarura nga njëra tjetra, që na bëjnë të kuptojmë jo vetëm modelet që ka zgjedhur nga letërsia botërore, por edhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të shkruar një letërsi që ndjek dhe krijon modele brenda sistemit të letërsisë shqipe.

    P.sh. teknika e “personazheve të rishfaqur” (tipike balzakiane), ka të bëjë me krijimin e një grupi personazhesh që vazhdimisht rishfaqen në vepra të ndryshme të të njëjtit autor. Në këtë mënyrë Xoxa do të krijonte një ndjesi uniteti mes romaneve. Ai kishte planifikuar që disa personazhe të migronin nga “Lumi i vdekur” tek “Lulja e kripës” dhe “Dielli lind nga malet”.

    Një personazh që është kryesor në një roman, është dytësor në një vepër tjetër, duke e lejuar lexuesin ta shohë atë në këndvështrime të ndryshme. Kështu Adili dhe Vito, protagonistë tek “Lumi i vdekur”, tek “Lulja e kripës” shfaqen krejtësisht sekondarë, në një fazë të mëvonshme të jetës.

    Poetika e romaneve “Lumi i vdekur”, “Lulja e kripës” është tipike e romaneve të realizmit. Xoxa në romanet e tij krijon panorama të gjera të “strukturës jetësore” të një ambienti njerëzor dhe social të përcaktuar në një kronotopi të mirë identifikuar. Teknika rrëfimore është ajo e romanit tradicional, ku ngjarjet paraqiten logjikisht dhe rrëfehen nga një narrator i gjithëdijshëm. Xoxa dallohet për një fuqi të jashtëzakonshme vëzhgimi, kujtesë fotografike dhe aftësi intuitive për të kuptuar qëndrimet, ndjenjat dhe motivimet e personazheve.

    Struktura e romaneve tregon për një synim të dukshëm të shkrimtarit për t’i rrëfyer ngjarjet në një lidhje shkak pasojë, si dhe për të krijuar një ndërlidhje mes sfondit social, kornizës kohore dhe karaktereve të krijuara, fatit të individit, duke ju larguar presionit të një skeme paraprake që do t’i kufizonte lirinë. Personazhet e tij nuk janë të ndërtuar sipas “njeriut njëdimensional” të realizmit socialist, por ato janë karaktere shumëdimensionale.

    Shtrirja e gjerë, epike e romanit “Lulja e kripës”

    Rrëfimi në romanin “Lulja e kripës” është i planifikuar në mënyrë që brenda tij të përfshihet një periudhë historike, e mbushur me shumë ngjarje komplekse, situata dhe kthesa dramatike për individin dhe kombin, duke krijuar një gjerësi epike.

    Romani zhvillohet duke ndjekur fatin e një numri të madh personazhesh, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lidhje farefisnore njëri me tjetrin ose që i përkasin të njëjtës hapësirë. Tregohet se si historitë e tyre personale lidhen me historinë e kombit. Romani ka një kronotopi të përcaktuar qartë, ngjarjet e romaneve të tij gjatë luftës së II Botërore kur Shqipëria është pushtuar nga Italia dhe bën një ekspoze të problemeve të asaj kohe.

    Vendet ku zhvillohen ngjarjet janë në një hapësirë të kufizuar Nafora dhe Kriporja, por personazhet që krijon shkrimtari kanë jetuar në Bashkimin Sovjetik, në Itali kanë marrë pjesë në luftën greko-shqiptare, duket sikur ata e dinë se çfarë ndodh në botë. Vendi i vogël ndjek zhvillimet, herë mban anë e herë i kundërshton ngjarjet që ndodhin në botën e madhe, larg të tyres. Gjerësia epike e romanit nuk vjen si pasojë e shtirjes së gjerë kohore dhe hapësinore, por nga aftësia për të krijuar panorama të gjera të përshkrimit të jetës.

    Në roman ka skena ku personazhet përfundojnë të mbytur në fund të ujërave të liqenit të Naforës, qëllohen nga plumbat e pushtuesit, tmerrohen nga mallkimet për shterpësi, që gërshetohen me skenat e gëzimit të fëmijëve që mrekullohet nga krijimi i luleve të kripës, nga përshkrimi i lojërave në majë të piramidave të kripës. Në roman ndërfuten edhe skena të punëtorëve të dëshpëruar nga lodhja dhe të frikësuar nga e nesërmja, duke krijuar një tablo të gjerë e të hollësishme.

    Xoxa e tejkalon nivelin social të vështrimit të problematikës njerëzore, duke depërtuar në analiza të fuqishme për natyrën njerëzore në një kuptim më të thellë, në zbërthimin më të tmerrshëm të egoizmit dhe perversitetit të njeriut.  

    Koha e rrëfimit zgjerohet nga ndërfutje që tregojnë për të shkuarën e personazheve. Kështu zgjerohet korniza kronotopike e zhvillimit të ngjarjeve, edhe subjekti. Thyerjet kompozicionale nëpërmjet inversioneve, përfshijnë në roman ngjarje të ndodhura në kohë të ndryshme dhe krijojë gjerësi të rrëfimit.

    Romani është i pajisur me epilog dhe prolog, ashtu siç bëjnë rëndom shkrimtarët e letërsisë klasike të realizmit në romanet e tyre. Epilogu dhe prologu karakterizohen nga një indoktrinim i dukshëm, që nuk duket në këtë nivel në roman. Në një letërsi ku zhvillimet nuk ishin të natyrshme por të imponuara, shkrimtari zgjedh këtë mënyrë për të shpëtuar tekstin.

    Romani më shumë se sa për padrejtësitë sociale, flet për fatet njerëzore

    Pasqyrimi që i bëhet shoqërisë shqiptare është në thelb realist, por nuk realizohet duke e paraqitur atë si një shoqëri me klasa të kristalizuara, por nëpërmjet raporteve konfliktuale që krijojnë individët me njëri-tjetrin. Përkatësia në një grup social shpërfaqet jo si qëllim më vete, por si karakterizuese e personazheve dhe intrigave që ata kanë. Përkatësia klasore e një grupi shihet si përputhje ose jo e interesave personale. Pozita e tyre ekonomike përcakton edhe sjelljen shoqërore të secilit, p.sh. Fëmijët e vëllait të Arhondit e urrejnë atë jo se është arhond, por sepse ai u ka marrë pasurinë. Revolta ndaj arhondit nuk është e organizuar, ajo mbetet një urrejtje individuale. Urrejtja dhe revolta e organizuar është ndaj pushtuesit italian dhe ajo përshkruhet me imtësi.

    Nga njëra anë është Petriti që dallohet edhe për vlerat e tij si njeri. Ai është teknik në korporatën e kripës dhe ka një vetëdije të qartë revolte, mbrujtur sipas ideve komuniste. Ai lexon libra të ndaluar, shtyp trakte, qëllon mbi ushtarët italian, nxit të tjerët që të përqafojnë ideologjinë e tij. Ata që e ndjekin nuk është se e kuptojnë, por varfëria dhe rrethanat e bëjnë t’i besojnë për shkak të shpresës për ndryshim. Përballë tij është Milto, një ish komunist që ka qëndruar në BS dhe pasi është kthyer ka hequr dorë nga komunizmi. Ç’të ketë parë vallë Milto në BS që ka ardhur me mend të tjera nga ajo “bota e re”?! Xoxa nuk e shtjellon këtë pikëpyetje, por ai e ndërton Milton si një njeri që zgjedh të ndryshojë, çdokush ka të drejtë të ndryshojë pikëpamjet e tij, ato nuk janë absolute.   

    Ajo që mbetet parësore në roman janë personazhet dhe fati i tyre, personazhet nuk kthehen në demonstrues të ideve. Me përjashtim të ndonjërit si Petriti, por që s’bëhet kurrë personazh mbizotërues në roman, të tjerët identifikohen për fatet e tyre.

    Personazhet e Xoxës kanë idetë e tyre politike të ndryshme, por ato nuk janë personazhe-ide, sepse ai i jep ato në zhvillim, në veprime dhe situate të ndryshme. Ata shpërfaqen në logjikën e personazheve të tipizuar realist. Personazhet e Hygoit në romanin “Viti 93” kanë ide të ndryshme, janë kundërshtarë, por shkrimtari i paraqet ato në dimensionin njerëzor në radhë të parë. 

    Krejt ndryshe nga ç’janë përpjekur studiuesit e kohës kur është botuar libri, për të evidentuar që Xoxa i ka dhënë rëndësi “tërheqjes së masave në aksione të vetëdijshme revolucionare” në roman vendin kryesor e zë rrëfimi për marrëdhëniet familjare, konfliktet e së shkuarës dhe të tashmes në dy rrethe familjare: atë të Dosarajve në Naforë dhe në atë të Sopajve në Kripore.

    Forma e romanit i jep mundësinë shkrimtarit të shkrijë ligjërimet e formave të ndryshme letrare, “Lulja e kripës” shpërfaq tiparet e romanit sagë, në mënyrën sesi ndjek zhvillimet paralele të dy familjeve. Nëpërmjet një rrëfimi sintetik, Xoxa do të na rrëfejë historinë e të shkuarës së Dosarajve, sesi ata u bënë arhondët e mëdhenj të Naforës. Në një linjë të romanit do të rrëfehen fatet e fëmijëve të Dosarajve, trashëgimtarëve të secilit vëlla që do të shpërfaqin fate të ndryshme jetësore. Linja e Sopajve, del më e fragmentuar sepse nuk tregohet për origjinën e saj, por përqendrohet në fatin e dy djemve të Miltos dhe Petrit.

    Shterpësia si frikë ekzistenciale

    Romani “Lulja e kripës” është një roman i logjikës racionale, i lidhjeve shkak-pasojë mes ngjarjeve, por në të ka edhe një linjë që ndërfut elementin e fatalizmit dhe pamundësisë për shpjegime iracionale: tmerri i shterpësisë. Në këtë linjë realja ka marrë imazhin e ireales.

    Shterpësia e tokës së Naforës që nuk prodhon asgjë tjetër veç kripës është zgjeruar në kufijtë e një frike të përgjithshme të shterpësisë së riprodhimit të banorëve. Naforiotet janë të tmerruara nga shterpësia ndaj edhe kanë krijuar rite të caktuara. Gruaja e mallkimit, që në pjesën më të madhe të romanit ngjan si një figurë e dalë nga ritualet magjike e shoqëron zhvillimin e romanit. Mënyra sesi është përshkruar, frika e madhe që shkakton dhe mungesa e informacioneve rreth saj krijojnë imazhin e një gruaje shtrigë gati mitologjike. Njerëzit nuk arrijnë të mësohen me frikën e mos trashëgimit, e vdekjes pa u trashëguar që çon në inekzistencë.

    Ankthi i shterpësisë është përshkruar në formën më të veçantë. Gratë nën ankthin e shterpësisë kanë fituar të drejtën t’i zgjedhin vetë burrat e tyre. Ndonëse në fillim kjo shfaqet para lexuesit si superioritet i gruas, shpejt kuptohet se kjo në të vërtetë vjen si rezultat i frikës nga shterpësia. Kur shterpësinë, me dashakeqësi e lidhin me paburrërinë, kjo gjë e bën gruan të hiqet si shtatzëne dhe të zhvarrosë bebe të vdekura për t’i ruajtur nderin burrit të saj. Shkrimtari përdor misterin si teknikë, më parë jepen pasojat: një grua e veshur me të zeza që mallkon gratë e Naforës, e më pas zbulohet shkallëshkallshëm misteri i jetës së saj.

    Nafora paraqitet si një botë më vete, me rregullat e saj me frikën  ndaj shterpësisë që e identifikon, dhe Xoxa nuk synon ta njëtrajtësojë atë me pjesën tjetër të botës, ai e ruan mëvetësinë e saj, duke theksuar se në shumë gjëra ata janë ndryshe. Realizmi i romaneve të Xoxës buron jo si imitim kanonesh as si një strukturë e imponuar, por ajo vjen nga intuita e brendshme e shkrimtarit dhe njohja që ka ai për natyrën e lirë të letërsisë. Aftësia për përgjithësime artistike është ajo që e bën materialin jetësor t’i mbijetojë kohës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË