Intervista në Chicago Review of Books për memuarin e autores Ani Gjika botuar në anglisht me titullin, “An Unruled Body”.
Përktheu: Granit Zela
Shkrimtarja Ani Gjika është autore dhe përkthyese letrare e tetë librave, ndër ta edhe e librave me poezi, “Bread on Running Waters” (Fenway Press, 2013), finalist për çmimin e poezisë Anthony Hecht 2011 dhe për Çmimin May Sarton New Hampshire 2011. Gjika u zhvendos në SHBA kur ishte tetëmbëdhjetë vjeçe, duke fituar të drejtën e studimeve unversitare për gjuhë angleze në Atlantic Union College, më pas pëstudimet Master në gjuhë angleze në Simmons Universitety dhe një Master në Artet e Bukura në poezi në Universitetin e Bostonit. Ani Gjika është përkthyese e njohur letrare, fituese e Çmimit të Përkthimit Robert Fitzgerald. Ajo ka përkthyer “Hapësirë negative” (Negative Space) të Luljeta Lleshanakut (2018; WLT, Nëntor 2014, 12) dhe poezi të poetit Xhevdet Bajraj “Vrasja e mushkonjës” (Slaying the Mosquito) (2017). Përkthimi i saj nga gjuha shqipe i vëllimit me poezi “Hapësirë negative” të Luljeta Lleshanakut u botua në vitin 2018 nga Bloodaxe Books në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishte përkthimi i rekomanduar i Shoqatës së Librit Poetik dhe në listën e ngushtë për Çmimin Ndërkombëtar të Poezisë Griffin. Libri u botua në të njëjtin vit nga shtëpia botuese New Directions në SHBA, ku ishte finalist për një çmim PEN dhe për Çmimin e Librit më të mirë të Përkthyer.
Gjika është fituese çmimesh dhe bursash për shkrimin krijues nga English PEN, Bursa Globale Robert Pinsky, Bursa Pauline Scheer, 2019, dhe së fundmi, fituese e Çmimit të Librave të Emigrantëve të Rinj të shtëpisë Botuese Restless Books për memuarin me titull “An Unruled Body.
Siç shkruan Kathryn Savage, në recensën e saj për “An Unruled Body” në World Literature Today, mars 2024, “Në memuarin debutues të Ani Gjikës, lexuesi ftohet të mendojë për përkthimin si një përvojë e trupit. Kujtimet e Gjikës, shtrihen në nivel hapësinor global dhe në kohë, duke filluar nga fëmijëria dhe mosha e re të poetes dhe përkthyeses dhe gjurmon jetën e sotme e cila që përfshin Tajlandën, Indinë dhe Amerikën. Gjatë gjithë librit, trupi i rrëfimtares funksionon si arkiv dhe si vend përkthimi. Trupi është vendi ku trauma dhe dëshira shfaqen dhe bëhen të njohura. Në këtë memuar kalimi nga vajzëria në të qenët grua, bëhet i dyfishtë duke u bërë njësh me kalimin në një gjuhë të re dhe me përvojat që rrjedhin prej saj. Libri nxjerr në pah kryqëzimin e politikës dhe trupit – të kristalizuar në përsëritjen shqiptare të mitit ballkanik të murimit – dhe të pathënat e ngurosura që shpërfaqen përmes introspeksionit, një lloj leximi nga afër dhe dëgjimi i mesazheve dhe sinjaleve të trupit.
Pas përvojës si mësimdhënëse e Shkrimit Krijues në universitete të ndryshme në SHBA dhe Tajlandë, Ani Gjika aktualisht është mësimdhënëse e të shkruarit, studimeve sociale dhe letërsisë në Shkollën e Mesme Framingham në Masaçuset.
Suzana Vuljevic është shkrimtare, redaktore dhe përkthyese nga shqipja, dhe gjuha boshnjake, kroate, malazeze, serbe në anglisht. Ajo ka mbrojtur doktoraturën në Histori dhe Letërsi Krahasuese në Universitetin e Columbia-s dhe ligjëron Historinë e Ballkanit në Universitetin DePaul.
Suzana Vuljevic: Cila ishte shtysa për ta shkruar këtë libër? Si u formësua?
Ani Gjika: Në të vërtetë nuk ka pasur një gjë të posaçme që më shtyu ta shkruaj, por një grumbullim përvojash që ishin fundosur për një fare kohe dhe filluan të dilnin në sipërfaqe: duke jetuar jetën e një emigranteje, poeteje, përkthyeseje, edukatoreje, arritja e moshës madhore në një vend në tranzicion, më pas largimi prej tij dhe shfaqja e beftë në një kulturë dhe gjuhë të re… Para së gjithash, nuk kisha hasur kurrë personazhe si Ani dhe Ishani, ose prindërit e Anit, apo si gjyshja Meropi, apo një vend si Shqipëria si personazh, në asnjë nga librat që kisha lexuar prandaj doja të shkruaja historitë e tyre.
Suzana Vuljevic: Në panteonin e letërsisë shqipe, zërat e grave mungojnë dukshëm, heshtin dhe fshihen, megjithatë libri juaj mund të shihet si pjesë e një zhanri i cili po shfaqet ngadalë, ai i memuareve të grave për jetën në komunizëm dhe për tranzicionin, emigracionin dhe më shumë, librër që ka ardhur pas “Të lirë” të Lea Ypit, botuar në vitin 2021. Si ishte përvoja e krijimit të njëlibri që i përket një zhanri të ri, pa pika të qarta referimi? Apo, qoftë edhe të bëheshe pjesë e zhanrit të librave autobiografik të grave?
Ani Gjika: Më duhet të përmend këtu redaktoren e kritikës në Asymptote, Barbara Halla, e cila e ka analizuar kaq thellësisht dhe në mënyrë të thukët dukurinë e fshirjes së zërit të gruas shqiptare nga kanoni letrar shqiptar në esenë e saj “Peizazh shterp: kush ka frikë nga gratë shqiptare?” botuar në Asymptote më 20 shkurt 2019. Është tradita e gjatë patriarkale e burrave që u dhurojnë dafina burrave në atë kulturë, ndonjëherë vetë shkrimtaret gra e përvetësojnë mizogjininë (grua-urrejtjen) duke mos përmendur dhe duke mos vlerësuar veprën dhe idetë e kolegeve shkrimtare ashtu si dhe një sistem arsimor që i përjashton shkrimtaret nga programi mësimor, i cili vazhdon t’i bëjë jehonë asaj fshirjeje dhe heshtjeje. Por, në të vërtetë, shkrimtare si Musine Kokalari në vitet 1940 dhe Elvira Dones qysh në vitet 1990, për të përmendur vetëm dy, kanë bërë shumë përmes përmbledhjeve të tyre të hershme me tregime për t’i dhënë dikujt që shkruan sot mjetet se si të shkruajë një memuar. Kjo për shkak se, ndërsa ata shkruanin letërsi, vepra e tyre është e rrënjosur bukur në histori dhe në një traditë gazetareske, të cilat memuaret e mira sot priren t’i përfshijnë si duhet. Përveç kësaj, ekziston një traditë e gjatë e grave shqiptare që tregojnë histori në këngë që nga lashtësia. Ceremonitë shqiptare të morit, për shembull, janë të famshëm për këtë: ato që vajtojnë janë zakonisht gra që rrëfejnë jetën e të vdekurve dhe ndërtimin e botës në një mënyrë të ngjashme me Odisenë e Homerit. Kështu që unë do të thosha se zhanri i memuarëve, siç është shkruar nga gratë shqiptare, mund të mos përshkruhet saktësisht si një zhvillim i ngadaltë, por ka qenë një tipar i letërsisë shqipe gjatë gjithë kohës dhe kushdo që shkruan memuare sot duhet ta ketë parasysh.
Për sa i përket përvojës sime në shkrimin e prozës, ajo ishte çliruese, së pari sepse shkrova variantin e parë të përafërt për tre ditë në verën e viti 2015 – diçka për një mit që më pëlqen të përmend sa herë që më jepet mundësia, sepse më befasoi për mirë, nuk mund të mos e shkruaja këtë libër, dhe sepse më konfirmoi se nuk jam vetëm një gjë, thjesht poete ose thjesht përkthyese, por një shkrimtare që përdor të gjitha mjetet që zotëron. Kam botuar poezi në anglisht për të qenit emigrant dhe për jetën time në Shqipërinë komuniste dhe postkomuniste që nga viti 2001 dhe libri im i parë me poezi, “Bread on Running Waters”, i cili u botua në vitin 2013, përqendrohet në këto tema. “Un Unruled Body” i merr dhe i zgjeron ato dhe, duke e shkruar, ndjeva se zhanri i kujtimeve më dha hapësirë për të shqyrtuar çështje më të ndërlikuara gjerësisht dhe në thellësi, ndërsa poezia më dukej e kufizuar në këtë aspekt. Memuaret janë shumë të vështira për t’u shkruar mirë dhe nga përvoja personale, ajo që kam vërejtur nga shkrimtarë të tjerë që i admiroj, kërkon shumë kohë për t’u dhënë formë. Memuaret nuk janë një zhanër që fillon me një zë të veçantë dhe ne mund të shohim ende njerëz që botojnë pas sa e sa vitesh një libër për të cilin mund të kenë filluar të punojnë që në fillimi të viteve 2000. Më vjen mirë që përmendni memuaret e Lea Ypit sepse ky është i vetmi memuar i shkruar nga një shqiptare që ka pasur një ekspozim të gjerë dhe të merituar, por ka shumë gra shqiptare që shkruajnë shqip si dhe në gjuhë të tjera në të gjithë diasporën dhe ne do të jemi me fat nëse dëgjojmë historitë e tyre kur ato të botohen.
Suzana Vuljevic: Në një pikë, ju shkruani “Duke qenë vajzë apo grua, mëson të barazosh forcën me thjesht të ndjerit rehat në lëkurën tënde” dhe diku tjetër, “Unë e shkrova këtë libër në mënyrë që fjalët nga faqet e asaj kohe në jetën time më në fund të bëheshin bashkë dhe unë të flisja. Dhe kësisoj do ta shihja veten. Sepse gjuha është prani, dhe të flasësh do të thotë të bëhesh i dukshëm.” Në shumë mënyra, libri në mënyrë të natyrshme dhe të qetë e nxit lexuesin të bëjë pikërisht këtë, të zërë hapësirën e vet, të vetëdijesohet për veten, gjuhën, sistemet shtypëse ndaj grave.
Ani Gjika. Faleminderit. Po, shpresoj se bën pikërisht këtë, duke e nxitur lexuesin t’i kushtoj ndër të tjera, më shumë vëmendje gjuhës. Tashmë kam vërejtur se lexuesit e përshkruajnë martesën e Anit dhe Ishanit si një dështim apo si jofunksionale, e cila është gjuha që përdoret kur i shohim të tjerët përmes një perspektive të mangët në vend që t’ia mveshim dështimin sistemeve mbizotëruese që shtypin si gratë ashtu edhe burrat. Shpresoj se libri vë në pah edhe se si frika mund t’i kthej jo vetëm njerëzit, por edhe vende të tëra në të huaj për veten e tyre. Shpresoj që lexuesit ta shohin veten në libër, prandaj edhe ballina, e cila i bën homazh legjendës shqiptare të Rozafës që përmendet në libër – por edhe Sheela-Na-Gig, simbol, për mua, i një gruaje që nuk ka nevojë për gjuhën e askujt, aq më pak të qeverisë, për t’i diktuar se si të jetojë në trupin e saj. Nuk ka shtëpi më të shenjtë për dikë tjetër se sa trupi ynë dhe ky libër shpresoj të veprojë si një përkujtesë për këtë, për sovranitetin e trupave tanë.
Suzana Vuljevic: Gjuha është kaq tërheqëse, e bukur dhe poetike. Shpesh na duket sikur po vëzhgojmë botën me syrin e mendjes së një fëmije, ka një risi dhe të çudi tek kjo gjë – ka digresione, fragmente, poezi si pjesë organike e tekstit. A ka pasur shkrimtarë të tjerë që kanë shërbyer si frymëzim apo shembull për ju në shkrimin e këtij libri? Shkrimtarë të cilët ju kanë tërhequr si lexuese dhe të cilët përdorin qasjen tuaj? Me fjalë të tjera, me kë do të thoshit se bashkëbisedon ky libër?
Ani Gjika: Faleminderit për pyetjen! Unë i dua filmat dhe i kam dashur që fëmijë. Mendoj se kur shkruaj, kthehem në kamera. Filloj me një imazh dhe më pas gjej atë që duhet të them. Mund të them se udhërrëfyesit e mi ishin dy në veçanti – Lidia Yuknavitch dhe Katherine Angel. Ato të dyja harmonizohen me shqisat dhe shkruajnë duke u nisur nga trupi më shumë se nga mendja kur zgjojnë kujtimet e përvojave të ndryshme. Po kështu, si redaktorja ime, Jennifer Alise Drew, ashtu edhe mua na pëlqente se si Maggie Nelson luan me tekstin në hapësirën anash, tek libri i saj “Argonautët” dhe mendova t’i kishim fragmentet e poezisë të shpërndara këto hapësira, pranë fragmenteve të cilave u flasin, duke e thyer vijimësinë e prozës nganjëherë në një mënyrë që na bën të duket sikur poezia po na vështron nga një dritare e faqes së librit.
Suzana Vuljevic: Në shumë mënyra, ky libër ka të bëjë me dëgjimin nga afër dhe deshifrimin e gjuhës së trupit. Si e ka ndihmuar roli juaj si poete dhe përkthyese të shkruarit e këtij libri biografik? Sa përputhet apo e reflekton punën që bëni si poete dhe përkthyese?
Ani Gjika. Me të vërtetë që nuk mund t’i ndaj. Jam shkrimtare sepse jam përkthyese, sepse jam poete. E përdor vazhdimisht imagjinatën, duke endur e endur pëlhurën e kujtesës, dhe procesi, pavarësisht nëse jam duke përkthyer, ose jam duke shkruar poezi apo prozë, përfshin të dëgjuarit e vëmendshëm të fjalëve të duhura ndërsa ato kërkojnë dhe gjejnë mishërimin e tyre në çdo fjali.