More
    KreuIntervistaAndrey Kurkov: Personazhet e romanit tim të pambaruar ishin refugjatët e parë...

    Andrey Kurkov: Personazhet e romanit tim të pambaruar ishin refugjatët e parë të luftës në Ukrainë

    Përgatiti dhe përktheu Andreas Dushi

    Në tetor të vitit 2022, Instituti i Librit dhe Promocionit më ftoi në festivalin letrar Tirana Gate ku, mes të tjerëve, u njoha edhe me shkrimtarin ukrainas Andriy Lyubka. Pas bisedave të shkëmbyera në dreka dhe darka që ndanin festivalin, vendosëm të realizonim një intervistë e cila u botua në ExLibris, nr. 216, bashkë me disa poezi të tijat të përkthyera nga Maniela Sota.

    Pak kohë më vonë, Eric Bloemkolk, ekspert ndërkombëtar i arsimit parauniversitar, gjatë një takimi pune më tregoi për shkrimtarin Andrey Kurkov, teksa unë po i rrëfeja dëshirën time që në gjuhën shqipe të ekzistonte një kolanë që përshkruante me nota letrare tranzicionin e vendeve të lindjes. E dëgjoja për herë të parë emrin e tij dhe titullin shumë interesant të librit që Bloemkolk më sugjeroi: Vdekje dhe Pinguini. E mora në Kindle dhe e lexova. Më pëlqeu shumë, ndaj edhe i propozova “Onufrit” që ta botonte.

    Kaloi sërish kohë derisa, në mars të këtij viti, gjendesha në Bukuresht si pjesë e një delegacioni të Bibliotekës Kombëtare, i ftuar nga simotra e saj rumune dhe Lidhja e Shqiptarëve në Rumani. Gjatë qëndrimit tim aty, pashë në Facebook se në të njëjtin orar kur ne kishim takim me Ministrin e Inovacionit, dy shkrimtarët e vetëm ukrainas që njihja, Andrey Kurkov dhe Andriy Lyubka, do të diskutonin mbi letërsinë dhe të tjera tema në një prej universiteteve të qytetit. “Onufri”, ndërkohë, i kishte marrë të drejtat për tre prej librave të Kurkovit, ndaj edhe u ndjeva pak më i sigurt në vete teksa vendosa t’i dërgoja një mesazh dhe ta pyesja nëse mund të takoheshim. “Patjetër,” u përgjigj, dhe më tregoi hotelin ku po rrinte. Mbante emrin “Hemingway”.

    Pas darke, mora një taksi dhe vajta, i veshur me kostum, kravatë dhe pallto. Kurkovi më priti në holl, ku edhe pimë nga një gotë verë, i veshur tejet sportiv. Natyrshëm i thashë, sapo iu prezantova, se edhe unë jam njeri normal dhe nuk vishem kështu zakonisht. S’e di pse e bëra, pasi qe një shaka që ai, nga sa u duk, nuk e mori si të tillë.

    U ulëm dhe i tregova se e njëjta shtëpi botuese që botonte Ismail Kadarenë, bashkëkonkurentin e tij atë vit për International Booker Prize, do të botonte edhe disa nga veprat e tij. U gëzua, më tha se e njihte mirë letërsinë e Kadaresë, madje para pak vitesh e kishte ftuar në një festival në Irlandë, ftesë e refuzuar për arsye të moshës. Pastaj, me drojë e mburrje, i thashë se i njëjti botues më botonte edhe mua dhe nga ai çast, filloi një bisedë shumë e përzemërt. Sigurisht, nuk do ta përshkruaj me detaje, pasi do të ngjante patetike, ama gjatë saj më tha disa gjëra që më mbetën veçanërisht në mendje, se si që prej fillimit të luftës, në Kiev ishin çelur dhjetë librari të reja apo mënyra si shkrimtarët ukrainas po ndihmonin njëri-tjetrin. Të gjitha këto i gjeta në dy materialet e mëposhtme, e para një ese e shkurtër për çështjen e luftës dhe e dyta, pjesë nga një intervistë ku flet pak më gjatë për dy prej librave të tij që së shpejti lexuesi shqiptar do t’i ketë në dorë, nën përkthimin e profesor Korab Hoxhës: Vdekje dhe Pinguini dhe Jimi Hendrix Live në Lviv, ndërkohë që librin e tij për fëmijë Përse askush nuk e ledhaton iriqin të përkthyer nga Bujar Hudhri mund ta gjeni në çdo librari.


    Një intervistë me Andrey Kurkov

    Nga Sarah Gear, Asymptote Journal

    Teksa shumë lexues e kanë hasur veprën tuaj para 2022, është e drejtë të thuhet se që prej pushtimit të paligjshëm rus të Ukrainës, jeni bërë veçanërisht i njohur në perëndim me shumë intervista, qëndrime në media sociale dhe artikuj gazetash të lidhura me luftën. Këtu përfshihet vepra jo-fiction “Ditaret e Ukrainës” dhe “Ditaret e Luftës”. Në maj të 2022, dhatë një leksion mbi Lirinë për të Shkruar ku u ndalët në faktin se gjatë luftës, nuk shkruanit dot fiction, por mund të silleshit si dëshmitar dhe të regjistronit atë çfarë po ndodhte në Ukrainë. Deri në cilën pikë vijon të jetë njëlloj? Dhe si e vlerësoni rolin e shkrimtarëve bashkëkohorë ukrainas sot?

    Sinqerisht, do të doja që interesi për Ukrainën të ishte nxitur nga të tjera gjëra, por është e vërtetë se agresioni rus ka nxitur lexuesit, thuajse nga çdo vend, t’i kushtojnë më shumë rëndësi autorëve ukrainas dhe veprës së tyre. Romani im Grey Bees shkruar më 2017 qëflet për zonën gri të krijuar gjatë fazave të hershme të konfliktit, u dha lexuesve mundësinë ta kuptojnë pak prapaskenën e situatës së sotme. Duke gjykuar nga pyetjet që më bëhen në një aktivitet letrar, edhe dy romanet e mia historike rreth Kievit në 1919, shkruar mes viteve 2017 dhe 2022, janë lexuar me sy në ngjarjet e tanishme. Por romani i tretë i kësaj serie ka mbetur i papërfunduar. Nuk përqendrohesha dot në të, pak ngase më duhet të përshkruaj atë çfarë po ndodh tani në Ukrainë, dhe pak ngaqë ndodhitë e tanishme ma kanë mbushur mendjen dhe zemrën. Mendoj se ka të ngjarë të jetë e vërtetë që kultura ukrainase, e cila në fakt nuk është se po lufton në vijën e parë të luftës, ka për t’i përdorur aftësitë e veta për të shpërndarë fjalën rreth asaj çfarë po ndodh dhe për t’u dhënë kurajën njerëzve të bëjnë pyetjet e duhura.

    Mund të na tregoni për ndikimin që ka lufta në skenën e brendshme letrare të Ukrainës? Si ka ndikuar në tregun letrar ukrainas rritja e interesit të perëndimit ndaj letërsisë ukrainase që prej pushtimit në shkallë të gjerë të 2022? Si po i përgjigjen autorët ukrainas?

    Më së pari, duhet të kujtojmë se më shumë se tridhjetë shkrimtarë, poetë, botues dhe përkthyes ukrainas kanë vdekur në luftë, ose prej bombardimeve, ose duke luftuar, ose janë ekzekutuar, për shembull Volodymyr Vakulenko, autor librash për fëmijë. Më shumë se tridhjetë të tjerë po luftojnë akoma në front. Një numër i madh pra i figurave letrare as nuk janë të angazhuar me të shkruarin rreth luftës. Në të njëjtën kohë, në 2023, më shumë se dhjetë librari të reja u çelën në Kiev. Njerëzit duket se tani po lexojnë më shumë, por nuk po lexojnë ato çfarë lexonin para lufte. Tani po lexohet më shumë non-ficiton dhe libra popullorë rreth historisë ukrainase. Po ashtu, librat e autorëve ukrainas nga vitet ’20 – ’30 janë mjaft në modë, por edhe kjo lidhet me interesin ndaj historisë ukrainase. Këto autorë, thuajse të gjithë, u vranë nga regjimi i Stalinit në vitet 1937-1938 dhe librat e tyre u ndaluan dhe u harruan deri më 1991. Tani, disa nga këto autorë janë bërë popullorë. Sigurisht, ka libra të rinj rreth luftës nga autorë po ashtu të rinj, që në të njëjtën kohë janë edhe ushtarë: Markyian Kamysh apo Artem Chapeye. Librat e rinj për fëmijë, po rreth luftës, po fitojnë popullaritet gjithashtu.

    Çfarë mënyrash praktike po gjejnë autorët ukrainas për të mbështetur njëri-tjetrin?

    Në fillim të pushtimit, shumë shkrimtarë ukrainas patën mundësinë të shkonin jashtë dhe të kalonin kohë në rezidenca letrare; këto grante u promovuan dhe u shpërndanë nga PEN Ukraina. Më vonë, për ata që nuk mundën ose nuk deshën të udhëtonin jashtë, u organizuan rezidenca online me mbështetje të rregullt financiare. Kishte po ashtu disa qindra grante për autorët e rinj/fillestare të cilat u mbështetën nga organizata të ndryshme, ukrainase dhe të huaja, dhe u administruan nga PEN Ukrainë. Shkrimtarët nga perëndimi i vendit ftuan shkrimtarë nga rajone më të rrezikuara që të shkonin e të rrinin me to. Volodymyr Rafenko, një shkrimtar nga Donetksu që shkruan në rusisht, pas 2014 ka jetuar, bashkë me të shoqen për tetë vjet në shtëpinë e fshatit të një tjetër shkrimtari/ poeti, Andriy Bondar.

    Në intervistën për International Booker Prize të 2023, përmendët se libri Jimi Hendrix Live në Lviv duke qenë pjesë e listës së ngushtë do të sillte më shumë vëmendje letrare ndaj Ukrainës dhe ndaj Lviv-it. Ashtu sikurse në romanin e 2018 Grey Bees, ju ofroni kontekst politik për lexuesin perëndimor. A është edukimi i lexuesit të huaj për Ukrainën një nga synimet tuaja kur romanet ju përkthehen në gjuhë të tjera? Si shkrimtar, merrni parasysh rolin që librat tuaj mund të luajnë në vende të tjera përveç Ukrainës? Dhe a ka ndryshuar kjo perspektivë juaja që nga 2014?

    Para lufte, nuk mendoja shumë për “edukimin” e lexuesit. Në vend të kësaj, mendoja, shkruaj për ta kuptuar më mirë veten time. Romanet e mi të hershëm The Birckford Fuse dhe The Geography og a Single Gunshot përshkruajnë zhvillimin e mendësisë sovjetike. Këto romane nuk janë të thjeshtë për t’u kutpuar nga njerëz të lindur jashtë botës sovjetike, por mendoj se po i shkruaja për njerëzit e lindur brenda saj, përfshirë dhe veten time, kështu të mund ta kuptonim më mirë se nga vinim.

    Sot, mendoj se ndonjëherë është njëlloj e vështirë si për një ukrainas të ri, si për lexuesit nga vende të tjera për të kuptuar se çfarë po ndodh. Por ukrainasit tani janë shumë të interesuar në të kuptuarit e historisë së tyre. Edhe ushtarët në front kërkojnë libra rreth saj.

    Mund t’ju pyes për rolin e kafshëve dhe natyrës në romanet tuaja? Theksoj se The Silver Bone çelet me një referencë të ngjashme me Babelin ndaj diellit dhe se stinët dhe moti luajnë një rol të rëndësishëm në roman, ashtu sikurse sigurisht ndodh edhe në Jimi Hendrix Live në Lviv. Po ashtu, te Vdekje dhe Pinguini dhe sigurisht, te Grey Bees janë në qendër kafshë që nga shoqëruesi besnik i Viktorit (te Vdekje dhe Pinguini). Kafshët duket se kanë një rol domethënës edhe në romanet tuaj të tjerë, pulëbardhat në Jimi Hendrix për shembull. Mund të na thoni pse bota natyrale është kaq qendrore në veprën tuaj?

    Kafshët janë pjesë e natyrës, janë të parashikueshme prandaj shërbejnë edhe si metafora të thjeshta. Po ashtu, janë të pafajshme, edhe po të jenë agresive. Në një mënyrë, kafshët ndihmojnë shumë në ndërtimin e personazheve njerëzore sepse lidhja mes një njeriu dhe një kafshe mund të na ndihmojë të kuptojmë njeriun dhe mund të na drejtojë për nga një krahasim i thjeshtë dhe i dukshëm me kafshët. Ashtu si pinguini Misha i cili është alteregoja e personazhit kryesor Viktor, pinguinët janë kafshë që jetojnë në bashkësi dhe bëjnë gjithçka brenda kornizës së jetës kolektive në atë grup. Edhe Viktori është një riosh post-sovjetik i mësuar për të jetuar brenda jetës kolektive sovjetike dhe tani po mëson të jetojë vetë. Kështu, vetmia dhe të qenurit i pavarur janë sfiduese për të dy. Vetëm Misha, si kafshë që është, reagon me depresion ndaj këtij habitati jonatyror dhe vetmitar ndërsa Viktori është duke u përpjekur të mësojë si të shndërrohet në individ, shkëputur nga kolektivja.

    Sikundër keni theksuar në intervista të mëhershme, është e pamundur ta dish çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por për aq kohë sa e ardhmja e afërt është shqetësuese, me çfarë e shihni veten të punoni në vijim? Dhe si mund ta mbajmë në qendër të vëmendjes së njerëzve luftën në Ukrainë? Çfarë duhet të lexojmë? Ose ndoshta, akoma më e rëndësishme, çfarë duhet të bëjnë njerëzit në perëndim?

    Do të vazhdoj të shkruaj artikuj për atë çfarë po ndodh në Ukrainë dhe do të vazhdoj t’u them njerëzve të lexojnë rreth historisë së Ukrainës nga ukrainas dhe autorë ndërkombëtarë. Do t’u sugjeroja lexuesve t’i kushtonin më shumë vëmendje Serhi Plokhy, Philippe Sands, Timothy Synder, Anne Applebaum e sa e sa të tjerëve që kanë shkruar për historinë ukrainase. Nuk duhet të harrojmë se kjo luftë është më shumë se 300 vjeçare dhe për ta kuptuar më mirë, duhet të lexojmë më shumë.

    Po ashtu, duhet t’i rikthehem librit tim të tretë në serinë Samson. Mezi po i pres ditët e gjata në skrivaninë time në shtëpinë tonë të fshatit pranë Kievit.

    Sarah Gear është asistent redaktore, intervistuese në Asymptone. Ka një doktoraturë në Rusisht, bazuar në kërkimet mbi ndikimin e politikës personale dhe institucionale, bazuar në qarkullimin e fiction-it bashkëkohor të përkthyer.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË