More
    KreuEditorialAndreas Dushi: Po mirë, çfarë lexojmë ne?

    Andreas Dushi: Po mirë, çfarë lexojmë ne?

    Në harkun e një muaji, kam marrë pjesë në tre panaire ndërkombëtare, atë të Parisit, të Lajpcigut pak ditë më vonë dhe javën e kaluar të Torinos. Organizimi dhe paraqitja e librave, stendat dhe koncepti estetik i përdorimit të hapësirës ta ndryshonin kryekëput mendimin për botën e lexuesit, atij që nuk grishet drejtpërdrejtë nga autori të cilin e ka shok në fb, por synon t’i qaset nga një portë larg personit-autor: letërsisë. Pra, ne këtej kur kemi promovime i ftojmë lexuesit të na bashkohen me postime, mesazhe e telefonata, shpesh madje ftojmë njëri-tjetrin, shkrimtarë në promovime shkrimtarësh, shkrimtarë të cilët kur moderatori thotë se tani mund të flasë publiku, marrin mikrofonin dhe bëjnë pyetje mbresëlënëse duke krijuar kontekste bisedash mes dy shkrimtarëve, dialogje mbi çështje të caktuara, aq të pranishme në këtë trajtë te sallat e panaireve të lartpërmendura. Në Panairin e Tiranës, stendat e vogla një hapësirë ia lënë tryezës me libra të rinj për t’i shitur dhe një tjetër autorëve për t’u promovuar, ku më së shumti mund të ulen njëzet vetë dhe poaq, le të themi mund të rrinë në këmbë. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe në Panairet e huaja, por kjo hapësirë nuk është e vetmja. Aty, sallat nuk mbushen dyndas me stenda (ndoshta sepse ekziston mundësia e hapësirave më të mëdha sesa në Tiranë), por lejohet krijimi i sallave të përkohshme ku autorët u flasin lexuesve.

    Mirë, gjithë kjo hyrje nuk thotë ndonjë gjë të re, e ndoshta as vazhdimi, veçse po nuk u tha gjëja, e re a e vjetër qoftë, atëherë pyetjes si titull nuk i kthejmë dot përgjigje. Madje as nuk e shtrojmë dot në hapësirën e duhur të diskutimit. Po nga lind kjo pyetje?

    Para Panairit të Tiranës vitin e shkuar, Euronews Albania nxori një të dhënë nga një sondazh: Lexuesit në Shqipëri ishin rrudhur aq sa t’i zinte një krater i vogël në malin e Tomorit. Ndonëse për arsye të lidhura me punën time e di se numri i lexuesve ka rënë, regresioni i shpallur nga televizioni më duket sikur e gërryen edhe më atë çka është reale. Por sido që të jetë, jemi në situatë alarmante.

    Sipas institutit të statistikave në Itali, në vitin 2000 numri i lexuesve ishte 38.6%. Atëherë u bë problem kombëtar dhe brenda një dekade, numri shkoi në 46.8%. Në 2016 ra prap në nivelin e 2001, 40.6% dhe mes 2020 dhe 2021 u krijua një stabilitet i ri duke shkruar në 45.7%.[1]

    Po në Shqipëri, pas rezultatit të dalë nga Euronews Albania, çfarë u bë? Personalisht nuk kujtoj asgjë dhe besoj duhet pritur fundi i këtij viti për të zbuluar ndryshimin e lakores, përthyerjen e saj të re përherë duke qenë sado pak dyshues në rezultatin e anketimit (ose ndoshta duke dashur të jemi, për të mos e besuar).

    Tani e shtroj sërish pyetjen e titullit. Çfarë lexojmë ne?

    Letërsi shqipe jo. Është fakt i pranuar edhe nga botuesit, edhe nga autorët. Leximi i letërsisë shqipe në Shqipëri, duke e parë si përqindje në raport me popullsinë, nuk i afrohet asfare letërsisë kombëtare të ndonjë vendi tjetër evropian në vetë vendin ku ajo është shkruar. Prandaj shumica e botuesve i kthejnë kurrizin shkrimtarëve shqiptarë duke u thënë “Më vjen keq, por nuk shiteni!”, dhe i kërkojnë ta paguajnë vetë botimin e librit të tyre. Edhe libraritë madje, shpesh s’i pranojnë këto libra e kështu shkrimtarëve u duhet të heqin picir për të bërë atë që Fishta thotë se ka ndodhur me dom Ndoc Nikajn, tre vjet ju deshen me i falë kopjet e Historisë së Shqipërisë shkruar prej tij.

    Mos lexojmë letërsi të huaj?

    Paraprakisht duhet të ndahet letërsia nga BookTok. Në secilin prej këtyre panaireve dhe në të gjitha libraritë e këtyre vendeve, por jo vetëm, kudo në Evropë gjendet një stendë e quajtur BookTok, libra të famshëm në rrjetin Tik Tok. Ndër to, më të njohur janë ata me autore Colleen Hoover, shitjet e së cilës arrijnë në numra të paimagjinueshëm. E gjitha falë këtij rrjeti ku ke një kohë të reduktuar për të bërë një video e aty flet për çfarë të duash. Lexuesit e BookTok janë vetëm lexues të BookTok, jo të letërsisë ku mund të përfshihet edhe BookTok. Meqë numri i tyre po shtohet përherë e më shumë kudo në botë, le t’i shohim si një trend i përkohshëm (mos o Zot të jetë i përhershëm) të cilët, gjatë katër-pesë muajve që i duhet Colleen Hoover-it të prodhojë romanin e ri, mund edhe t’i japin ndonjë shans një libri tjetër, të lutur nga librarët e kujdesshëm.

    Mendoj ama se Tik Tok i paraqet sot botës një problem shumë të madh që ka përmbysur një nga raportet më solide të deritanishme, atë mes shenjës dhe të shenjuarit. Krisja e kësaj dysheje ka filluar me rrjetet sociale prej diku një dekade, ku me Instagram-in, shenjës i humbi vlera pasi vetëm i shenjuari, imazhi mjaftonte. Në fakt, disa do të thonin se kjo ka filluar me përdorimin dhe riprodhimin në masë të teknikës së fotografisë, dhe ndoshta kanë të drejtë por gjithsesi, nivelin për të krijuar shqetësim e arritur pikërisht falë Instagram-it. Ndërsa tani me Tik Tok-un, kemi një të shenjuar i cili i përgjigjet një shenje krejt tjetër: është metodë shumë e përhapur që merr zërin apo fjalët e dikujt dhe ia mvesh vetes dhe shenja që përdor i vishet një të shenjuari të ri, kështu krijon një sistem tjetër shenjash që është unik dhe prish apo sfumon raportin arbitrar a të përligjur që këto dy elemente kanë njëri me tjetrin qysh me zanafillën e komunikimit.

    Tani shkojmë te letërsia bashkëkohore ndërkombëtare, ku shembulli është konkret dhe nxitës.

    Vitin që shkoi, Javier Cercas ishte në Tiranë. Bashkë me botuesen e tij në shqip Arlinda Dudaj dhe përkthyesin e veprës së tij Bashkim Shehu, u organizuan dy takime, një i hapur për publikun te Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe një te COD. Në asnjërën ngjarje nuk kishte radhë për të hyrë dhe në fund, autori dha autografe për disa lexues të pranishëm e me ndonjërin bëri dhe foto. Po në atë kohë, falë Bashkimit munda të realizoj një intervistë me të për në “ExLibris”. Asnjë reagim i veçantë. Linku i intervistës në faqen online të gazetës është klikuar 150 herë.

    Në Torino, Cercas ishte i ftuar. Njerëzit kishin paguar biletë për të hyrë në panair (13 euro) si dhe biletë për të ardhur deri aty, pasi ambienti ku panairi mbahej ishte jashtë qytetit, le të themi një mesatare 5-10 euro, ndonëse shumë ishin nga qytete të tjera të Italisë. Edhe një libër i Cercas-it  që shitej te dera e sallës ku do të mbahej takimi, 20 euro. Me këto kosto, mbi 400 vetë mbanin radhën ta dëgjonin, për mbi një orë e më pas, po këto mbajtën dy orë radhë për autograf nga autori. Një radhë e përkryer, e drejtë si të ndiqte linjën e një spangoje të padukshme.

    Me trishtim si pikëpyetëse pashë prap faqen online të gazetës dhe nga 150 vajtën 152 klikime, ku me siguri 90% vetëm e kanë hapur, as që e kanë lexuar.

    Edhe për nobelistin Wole Soynika radha ishte e atillë. Madje edhe për të dëgjuar bisedën online me Julian Barnes po e njëjta radhë, po i njëjti interes, fytyra përherë të ndryshme. Mes të pranishmëve, shumë mbanin shënime. (Edhe te takimet në stendën e Shqipërisë, shumë nga publiku mbanin shënime ndërkohë që flisnim dhe kjo më bëri shumë përshtypje. Asnjëherë s’e kisha parë të ndodhte në takimet me shkrimtarë këtu.)

    Po mirë atëherë, ne çfarë lexojmë? Shkrimtarë shqiptarë, jo. Bashkëkohorë të huaj, jo. Klasikët themi se duhen ripërkthyer pasi brezi i ri s’i kupton dot. Mos mbeti vetëm BookTok-u? Jo! Asnjë nga lexuesit që unë njoh nuk bën pjesë aty. Po atëherë, çfarë lexojmë? Sepse druaj ta bëj pyetjen ndryshe, ashtu sikurse mund të duhet: A lexojmë?


    [1]  Istituto Nazionale di Statistica (italia), “Produzione e lettura di libri in Italia”, anno 2021, publicatto 7 dicembre, 2022.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË