Andreas Dushi: Për xhuxhët e Wrocław-ës
Andreas Dushi
Falë rezidencës letrare #CultureMovesEurope të mundësuar nga Creative Europe, pjesën e fundit të romanit që pritet të dalë së shpejti “Lundro me mua diku larg” e shkrova në Wrocław, qytet njëmijë vjeçar në Poloni. Natyra historike e kulturës me gjurmë të lëna prej të gjitha fazave të qytetërimit, kryesisht ato gjermane të periudhës kur qyteti ishte pjesë e Prusisë, i bënte hije një elementi shumë të lezetshëm, praktikisht të ri të atij vendi aq të këndshëm e të përzemërt për mua nga tash e në vijim. Fjalën e kam për xhuxhët e vegjël prej bronzi të cilët popullonin ngado rrugë e rrugica, shtigje e sokaqe, si shoqërues të cilët edhe vetminë që kërkoja për të shkruar ma cenuan heshturazi, si të ishin miq të pafjalë por ngahera të gatshëm të të gjendeshin pranë.
Nga data 29 shtator, pasi u sistemova mjaftueshëm për t’ia filluar nga puna, deri ditën e fundit më 12 tetor, ata i gjeja kudo, në secilën pjesë të rrugës prej AirBnB-së ku po rrija, deri te Starbucks-i në qendër ku u gjeta aq mirë për të punuar. Dhe secili, me formën e vet, tregonte diçka të veçantë që njëkohësisht, rastësisht, në shumë raste përkonin me mua apo me personazhet e mi.
Banorët e romanit tim kështu gjetën shëmbëlltyra të vetvetes në xhuxhët e Wrocław-ës dhe nga ana tjetër, mes tyre unë vetë e gjeta veten: Tek ai që i ulur punonte në laptop, një tjetër që i shtrirë lexonte diçka apo te i vetmuari pranë një bari që përpëliste mes duarsh një shishe nga ku, sado të përpiqej, nuk dilte asnjë pikë tjetër alkooli.
Por ato ishin më shumë se të lezetshëm, cute. Po! Secili syresh komunikonte me tjetrin çka krijonte një ansambël që, në fund të fundit ishte provë për një ndikim antikomunist në vitet e fundit të atij regjimi. E gjitha kjo s’kishte si të mos më kthente në qytetin tim, ku humori është përdorur si arma më e fuqishme, ndoshta e vetmja, kundër diktaturës. Jo i treguar me xhuxhë, për me barcaleta; jo i ngrirë në imazhe, por dinamik ndër fjalë.
Kjo ngjashmëri në përmbajtjen e ironisë së fshehur ndaj një sistemi, paçka se me formë krejt tjetër, më nxit të krijoj të tjera lidhje përtej atyre të ficton-it mes dy qyteteve ku një pjesë e ngjarjeve kyçe të romanit zënë vend. Në një botë me komunikim përherë e më të lehtë, gjithmonë e më shumë të lidhur në një zinxhir ngjarjesh shkak-pasojë për të cilat largësitë gjeografike janë krejt të parëndësishme, lëvizja e ngjarjeve prej një vendi në tjetrin kontribuon në krijimin e kushteve për mirëkuptim më gjithëpërfshirës. Dhe, ajo çka kultura e heshtur bashkon, asgjë e zhurmshme nuk mund ta ndajë.