More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Në udhëtimin bibliografik ku na shpien personazhet e “Kutia e...

    Andreas Dushi: Në udhëtimin bibliografik ku na shpien personazhet e “Kutia e Agatha Christie-t”

    Prej vitesh mendoj se historinë e letrarizuar të Shqipërisë, më mirë se kushdo e ka shkruar dhe treguar Mira Meksi. Nga antikiteti ilir që e rrëfen Teuta në Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, deri te periudha pas Luftës II Botërore me Diktatori në Kryq, zbërthimi i veprës së ikonografit më të njohur shqiptar Onufri në E kuqja e demave, llahtaret e Mesjetës së Vonë te Frosina e Janinës apo edhe një problem bashkëkohor, i kthyer shumë shpejt në histori që dëshiron të harrohet, ai i covidit treguar te Puthja e Amazonës nga pika e përjetimit të një shqiptareje në analogji me historinë e amazonave.

    Fragment i historisë së letrarizuar të Shqipërisë është edhe Kutia e Agatha Christie-t ku rrëfehet një histori pasionante dashurie e figurës qendrore intelektuale të vendit në periudhën mes dy luftërave, Mid’hat Frashërit. Aty ka buruar edhe përkryerja e një dëshire time të kahershme për të ngërthyer në një dy angazhimet e mia të përditshme, atë si redaktor përgjegjës i “ExLibris” dhe tjetrin si bibliotekar pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

    Ta shpjegoj pak më qartë:

    Qendra e Librit “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare e ka koleksionin e ngritur mbi themelet e disa bibliotekave private, mes të cilave vendin kryesor e zënë dy, ajo e Mid’hatit dhe tjetra e Institutit Herbert. Arsyen që solli krijimin e këtij instituti e tregon Meksi te romani i sipërpërmendur (i fundit nga ata që përmenden) kur në rastin e takimit mes Frashërit dhe të dashurës së tij të mëvonshme, Elisabeth-Louise Herbert-i në shtëpinë lady Carnarvon-it, biri i së cilës Aubrey Herbert-i, ishte shuar përpara një viti në moshë të re dhe kontesha nënë dëshironte të vazhdonte veprën e tij në të mirë të çështjes shqiptare. Si do ta vazhdonte?

    Më pastaj kishin parë projektin e Bibliotekës së Djelmurisë, faltoren e vogël të urtësisë dhe diturisë, siç u shpreh ajo, të cilën dëshironte ta ndërtonte në Tiranë, si dhe atë të institutit me emrin e të birit që do të krijonte pas bibliotekës.

    Kjo ndodhi, instituti bashkë me bibliotekën e vet u krijuan dhe tani, vite më vonë, kur biblioteka e vjetër e Tiranës i riçeli dyert nën një emër dhe nën një formë të re tanimë, si qendra e librit “Sotir Kolea”, ajo bibliotekë u rikrijua nga e para, me njësitë që mbajnë vulën e vendosur pikërisht nga zonja e nderuar, bamirësja e shquar Carnarvon.

    Janë shumë libra, nga të gjitha fushat e në gjuhët kryesore (italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht). Te këto të fundit, ndalemi pak, në tituj të veçantë që na nxisin fantazinë e një udhëtimi orinik në Alephin e Borgesit brenda sallës “Herbert” në BKSh, por dhe një udhëtim real, bibliofilik në vepra që kushdo ka kureshtinë të dijë se çfarë përmbante biblioteka e parë publike, mund të vijë t’i shikojë, konsultojë apo lexojë.

    Shumë interesant është i gjithë fjalori i historisë së letërsisë angleze, botuar në fillimin e shekullit XX nga Cambridge (The Cambrigde History of English Literature). Po ashtu, ka libra historikë si Historical atlas with chronological notes i A. E. Beniansit, botuar në Londër apo mitologjikë, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, The Mythology of Greece and Rome, Londër, 1877. Është i vleftë koleksioni i plotë i veprave të Shakespeare, botim i 1857 e po ashtu, një botim shumë i bukur i viteve 1700 ku përfshihen Iliada dhe Odiseja, ekzemplar i cili për arsye ruajtjeje në kushte optimale gjendet në ambientet e qendrore të Bibliotekës Kombëtare.

    Lexuesit shqiptar të para Luftës II Botërore, me një qasje të vonë e të brishtë në politikë e të tjera disiplina të ngjashme, i jepet edhe mundësia ta njohë gjithë mendimin politik britanik nëpërmjet Political Thought in England në disa vëllime botuar mes viteve ’25-’30.

    Ka libra farmaceutikë, Extra Pharmacopeia e ’24 dhe ribotimi i mëvonshëm i vitit ’25; libra referencial për bibliotekat, akoma thuajse tërësisht të paqena në Shqipëri, si A Library Primer e J. C. Dana; libra arti e pikture të viteve 1904-1905, Modern Painters e John Ruskinit madje edhe libra ekonomikë si i mirënjohuri i Gustav Cassel Money and Foreign Exchange.

    Vendin kryesor, megjithatë, e zë letërsia. Nga Charles Dickens te Eskili, shkrimtarët kryesor botërorë, më të njohurit e kohës, kanë vendin e tyre në raftet e kësaj biblioteke për djelmërinë. Dhe secili është në disa ekzemplarë, por sidomos librat e klasicizmit grek, vlera e të cilëve në kontekstin e një vendi filiz, të ri, me shtatin akoma të njomë, ishte thelbësore në mënyrë që ky shtat të lëshohej ashtu e andej nga duhet, duke marrë forcën e nevojshme për t’u ngritur më së pari kulturalisht e nga aty, edhe politikisht e poetikisht.

    Po Mid’hati, personazhi qendror i librit të Meksit dhe miku i Herbertit, emri i të cilit u përjetësua nga e ëma, kushëri i të dashurës së Frashërit, ai pra nëpërmjet bibliotekës së tij personale vendos bazat për një institut albanologjik i cili, fati i keq deshi të mos themelohej që m’atë kohë. Librat e destinuar të kishin këtë fat u bënë pjesë e koleksioneve të Bibliotekës duke u kthyer në një ndër pasuritë e saj qendrore e më të rëndësishme.

    Kutia e Agatha Christie-t, historia letrare e takimit të Frashërit me shkrimtaren e njohur, më e shitura pas Shakespeare flitet pak për Shqipërinë si dhe për atë Institut Albanologjik:

    – Kam marrë vesh që jeni dorëhequr nga posti në Athinë, – i tha Agatha Christie, që dukej se kishte dijeni për shumëçka.

    – Po, – tha ai. – Tani më duhet të përtyp dhe të ripërtyp dashurinë time të vrarë. Sa të kem frymë. Kam hapur një libërtore në Tiranë.

    – Kam lexuar për vendin tuaj, – ia ktheu ajo. – Së fundmi kam lexuar librin High Albania të Edith Durham-it, mikes suaj. Më mrekullon lashtësia e gjuhës shqipe. Diku kam parë një studim që hedh dritë mbi faktin se gjuha e përdorur nga Homeri mund të shpjegohet me gjuhën e sotme shqipe të Veriut të vendit, dhe kjo është e jashtëzakonshme!

    – Im ungj, Sami Frashëri, – iu përgjigj ai, – që ka bërë studime të mrekullueshme në këtë fushë, thoshte se, po të ngrihej sot nga varri tremijëvjeçar një pellazg, mund të komunikonte me një shqiptar të tanishëm sikur të flisnin në dy dialekte të ndryshme të së njëjtës gjuhë. Kam shumë dëshirë, – e përfundoi ai, – të përpiqem për ngritjen e një Instituti Albanologjik. I duhet Shqipërisë.

    Sigurisht, kishte shumë të drejtë, Instituti Albanologjik i duhej Shqipërisë. Dhe ai ishte kujdesur të blinte libra bazë për të, e jo vetëm, edhe të tjerë nga më të rrallët e më të vlefshmit për historinë e vendit tonë, Ballkanit, Europës dhe sidomos, raporteve mes këtyre të trijave.

    Mid’hati kujdeset që në pjesën e brendshme të kopertinës së passhme të secilit libër që blinte të shënonte vendin e blerjes, datën, çmimin e shpeshherë edhe nënshkrimin Lumo Skendo. Kështu, kuptohet se në gjithë udhëtimet e tij, një pjesë të të cilëve i përshkruan edhe Meksi, Frashëri gjëmonte, gjente dhe blinte libra e më vonë, lidhte dhe marrëveshje me shpërndarës të huaj për të sjellë libra në librarinë që çeli në Tiranë me emrin e tij. Më poshtë është një kartë shoqëruese nga një kompani shpërndarjeje italiane për një ekzemplar të porositur e të mbërritur.

    Libri më i vjetër që gjendet në fondet e Bibliotekës Kombëtare i përkiste bibliotekës së tij. Fjala është për botimin e vitit 1473 të “Letra të Papa Piut II. Mbi Kuvendin e Mantovës” (Pii Secvndi Pont[ificis] Max[imi] Epistolae. De Conventv Mantvano) në fund të të cilit thuhet se është blerë në Torino më 1941. Po ashtu janë edhe dy libra të gjysmës së parë të shekullit XVI, “Komentar për bëmat e turqve, nga Pal Jovi, peshkop i Noçerës, kushtuar perandorit Karli V” (Jovius, Paulus. Commentario de le cose de Tvrchi, di Pavlo Iovio, vescovo di Nocera a Carlo Qvinto Imperadore Avgvsto) i 1538 dhe “Komentar i fiorentinasit Andrea Kambinit për origjinën e turqve dhe për Perandorinë e Shtëpisë Osmane” (Cambini, Andrea. Commentario de Andrea Cambini Fiorentino, della Origine de Turchi et Imperio della Casa Ottomanna) e vitit 1541. Të dy po ashtu janë blerë në Itali, i pari në Torino dhe i dyti në Milano.

    Por po ashtu kemi libra që Frashëri i ka blerë në Munchen, “Relaccam diaria do sitio de Corfu com a descripccam desta importante Pracca, & da Ilha em que està situada. Operac,oens [sic] dos sitiados, e dos Turcos com todes os successos, que nelle houve atè estes se recolherem destruiolos à sa Armada. Expugnaccam, e rendimento do Castello de Butrinto” (Relacion ditor për vendodhjen e Korfuzit me një përshkrim të rëndësishëm të qytetit dhe të ishullit. Veprimet e vendasve dhe të turqve me të gjitha sukseset… Pushtimi dhe dorëzimi i kështjellës së Butrintit) i vitit 1716, Leipzig: “Reise durch Sicilien und Griechenland nach Janina in Albanien” (Udhëtime nga Janina në Shqipëri përmes Sicilisë dhe Greqisë) i vitit 1821; në Gjenevë “La grande Grèce. Paysages et histoire. Littorale de la mer Ionienne” )Greqia e madhe. Peizazhe dhe histori. Bregdeti Jon) i vitit 1823; në Paris: “Bulgares et russes vis à vis la Triple Alliance. Traité de San Stephano, traité de Berlin (3 Mars, 13 Juillet 1878). Alexandre I, prince de Bulgarie (29 Avril 1879). Traité de Kasar-Saïd (12 Mai 1881). Entrevues de Gastein, de Kissingen, de Vienne (Juin, Octobre 1881)” (Bullgarët dhe rusët përballë Aleancës Tripalëshe. Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Berlinit (3 mars, 13 korrik 1878). Aleksandri I, princ i Bullgarisë (29 prill 1879). Traktati i Kazar-Saidit (12 maj 1881). Ndërhyrjet e Gastajnit, të Kisingenit dhe të Vjenës (qershor, tetor 1881)) e në sa e sa vende të tjera.

    Prandaj, ndoshta mund të thuhet se në rastin e tij nuk e kemi vetëm bibliofilik udhëtimin, por edhe gjeografik e historik. Ah, po, dhe diçka: Librat që janë pjesë e bibliotekës së Mid’hatit, shumica gjenden në ambientet qendrore të BK, për arsye të ruajtjes dhe sigurisë që duhet të jetë në kushte optimale.

    Nëse Shqipëria do të ishte një çift të dashuruarish, historia letrare që Mira Meksi na rrëfen, duke treguar botën e brendshme të vendit tonë, evoluimin e saj, ndryshimin e lakores së pasionit dhe përthyerjen që pëson në pika e personazhe pa të cilët kombit do t’i mungonte diçka, kjo histori pra është si vajza më e hijshme që i rri nga pas të shoqit (luftëtar e gjeograf) duke e përqafuar, me duart e veta në gjoksin e tij e gjoksin e saj në dy anët e shtyllës së tij kurrizore. Dhe kur ky çift ta shohë veten në pasqyrën e Europës, pa asnjë diskutim burri do të marrë pamjen e Mid’hatit dhe vajza, atë të Elisabeth-Louise Herbert-it.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË