More
    KreuOpinionAndreas Dushi: Në Frankfurt, ku në Panairin e Librit u prezantua romani...

    Andreas Dushi: Në Frankfurt, ku në Panairin e Librit u prezantua romani i lënë në dorëshkrim, i nobelistit G.G. Márquez

    Botuesit e Márquez nga e gjithë bota u mblodhën në Panairin e Librit të Frankfurtit, stenda e Penguin Random House ku agjentja e autorit prezantoi romanin e lënë në dorëshkrim prej tij, i cili do të botohet në të gjitha gjuhët (përfshirë edhe shqipen, nga “Onufri”, të përkthyer nga Mira Meksi) me datë 6 mars 2024, në datëlindjen e 97 të autorit.

    Një sfond i përgjithshëm

    Agjentja e Márquezit, Maria-Pau Roca dërgoi pranë redaksisë së “Onufri”-t lajmin se nobelisti kolumbian kishte shkruar edhe një libër tjetër, En Agosto Nos Vemos, i mbetur në dorëshkrim dhe i cili, më në fund do të botohej me dakordësinë e djemve të tij. Nëpërmjet ftesës së mëposhtme, ftohej edhe botuesi shqiptar për të marrë pjesë në konferencën për shtyp ku ky lajm do të jepej për publikun e gjerë dhe bashkë me të, do të prezantohej kopertina që romani do të ketë në botimin spanjoll.

    Po atë ditë, kur u konfirmua pjesëmarrja, sollën edhe materialin të cilin e mori menjëherë shkrimtarja dhe përkthyesja Mira Meksi, ndërtuesja më e njohur e urës nëpër të cilën Márquez erdhi dhe vazhdon të vijë në gjuhën tonë. Pasi e lexoi, e lumtur për një tjetër roman të autorit të saj të dashur, mori përsipër përkthimin e tij.

    Dhe ne, Enxhi, drejtoresha e “Onufri”-t dhe unë, redaktori përgjegjës i “ExLibris” vajtëm në ngjarjen më të bukur letrare ku ndonjëherë kishim pasur mundësinë të ishim, ditën e mërkurë me datë 18 tetor, 2023.

    Por pak më përpara

    Në ceremoninë e çeljes së panairit, mes të tjerëve foli edhe filozofi i njohur slloven, Slavoj Žižek, fjala e të cilit u prit si s’kishte më keq, me disa prej të pranishëmve që lanë sallën. Vështrimi i njëanshëm i asaj çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme dhe vendimi për të shtyrë ndarjen e një çmimi të rëndësishëm letrar për autoren palestineze Adania Shibli, u cilësua prej tij, me tone shumë të ashpra, si një formë e cancel culture. Kjo shkaktoi zemërim dhe fjala iu lexua si manifest për relativizimin e terrorizmit. Por kaq ishte, konflikti në Lindjen e Mesme nuk e ndikoi më panairin, të paktën jo në optikën time, paçka se mediat që e mbulojnë ngjarjen, si për shembull DW, nuk vonuan të shkruanin për të kundërtën.

    Të nesërmen, ditën e mërkurë, në një prej sallave kryesore të ambienteve ku panairi mbahet, drejtori ekzekutiv i Penguin Random House, Nihar Malaviya qe i ftuar në një bisedë me Porter Anderson, kryeredaktor i Publish Perspectives, revistë e cila merret vetëm me çështje të industrisë ndërkombëtare të librit. Diskutimi jashtëzakonisht interesant sillte në vëmendje tema të reja, krejt të parrahura e të padëgjuara në diskutimet e zakonshme që bëhen për librin në vendin tonë. Mes të tjerash, Malaviya tha se periudha e karantinës e rriti ndjeshëm numrin e lexuesve, rritje e cila vijon të ndihet akoma dhe sot, tre vjet pasi e gjitha ka marrë fund. Sipas tij, njerëzit lexojnë sot më shumë se më parë dhe mbi të gjitha, çdo histori ka të drejtë të tregohet dhe çdo lexues ka të drejtë t’u qaset atyre historive. E thënë kjo nga dikush që drejton botuesin e mbi gjashtëmbëdhjetë mijë titujve në vit, nuk mund të shihet si statistikë rastësore. Aq më tepër, në një kontekst politiko-social që në vende të ndryshme, shumë më ndjeshëm në Amerikë, po ndalohen libra të ndryshëm si të papërshtatshëm, diskriminues apo racistë. Lëvizje kjo e grupimeve të ekstremit të majtë që konsiston edhe në rrëzimin e statujave të personave me sjellje raciste e të tjera e të tjera…

    Po ashtu, interesante ishte edhe udha editoriale që ndjek botuesi më i rëndësishëm i botës: Me mbi 350 imprint-e anë e mbanë, drejtori Malaviya tha se secili syresh kishte lirinë e vet editoriale, pasi nuk ndodh që një libër shumë i njohur në një vend, shumë i shitur në një gjuhë të ketë të njëjtin fat edhe në vende apo gjuhë të tjera. Në perspektivën e botuesve shqiptarë, kur vihet përherë në krye Bestseller Nr#1 në New York Times, apo Libri më i shitur nëvend, ky mund të konsiderohet si një leksion me vlerë. Po njëlloj për lexuesit, që shpesh mund të zhgënjehen nga libra me këto mbitituj… Nuk është faji i tyre, edhe në globalizëm, veçanësitë i dallojnë kulturat e ndryshme.

    Shumë bukur u trajtua çështja e të drejtës së autorit kur flasim për Inteligjencën Artificiale. IA trajnohet, mësohet dhe kjo ndodh nëpërmjet librave. Praktikisht, kjo inteligjencë tejçon të dhëna që i ka marrë nga disa tekste paraprake të shkruara. Po mirë, me ç’të drejtë e bën këtë? Me çfarë tagri, sipas cilës kontratë riprodhon pjesë nga to në mënyra nga më të ndryshmet e thuajse të pamundura për t’u zbërthyer aq sa të arrihet në zbulimin e teksteve burimore? Por pavarësisht kësaj, sipas Malaviya-s, kur flasim për temën e inteligjencës artificiale, nuk kemi të bëjmë me një diskutim të llojit makineritë përballë njerëzimit, por makinëritë në dobi të njerëzimit. Bota e industrisë, çfarëdolloj industrie qoftë, po punon apo duhet të punojë për ta vënë në zbatim këtë.

    Thjeshtësia e CEO-së së Penguin Random House-s, gatishmëria e tij për biseda të shkurtra, mungesa e një shpure shoqëruese që i vente nga pas, lehtësia për të qëndruar vetëm, në një cep, me celular në dorë teksa të tjerët, kryesisht punonjës të tij në ndonjë prej 350 imprinteve në shtatë kontinente, që jo domosdoshmërisht e njihnin, e gjitha çka e karakterizonte tregonte një lloj kulture të veçantë, larg, shumë larg dëshirës për të qenë në qendër të vëmendjes, dhe tërësisht në përmbushje të misionit kryesor që ka një botues: kthimin e syve, mendjeve dhe zemrave të sa më shumë njerëzve drejt autorit, duke u shmangur vetë sa më larg, sa më fshehurazi për ta bërë këtë punë pa pretendime personale, pra për ta bërë këtë punë mirë.

    Në Press Release

    Bashkë me Enxhin, ishim më të rinjtë. Një zonjë e moshuar, botuese e Márquez në një gjuhë që nuk e morëm vesh, na pyeti nga ishim. Shqipëria, iu përgjigjëm. “Vërtetë? Sa mirë që të rinjtë punojnë me Márquez-in atje tek ju.” S’di të them nëse kishte të drejtë, por vërtetë u ndjemë pak në siklet, sidomos gjatë takimeve, përshëndetjeve, shkëmbimeve të kartvizitave, Enxhi kryesisht me të tjerë botues, ku diskutohej edhe për autorët shqiptarë, të panjohur në shumicë dërrmuese, dhe theksohej se ishte shumë e vështirë të njiheshin për aq kohë sa nuk përfaqësohen prej një agjenti letrar, koncept inekzistent në Shqipëri. U përpoqëm edhe ne, disi, ta bënim këtë punë, ashtu sikurse dinim, a më mirë sikurse s’dinim, duke parë të tjerët çfarë bënin, por për këtë do të shkruaj në fund, si problem dhe shqetësim, mund të them edhe turp, pse si shqiptarë në atë hapësirë të pafundme me më shumë se katërmijë e pesëqind stenda, ndiheshim jetimë, pa një hapësirë kuq e zi ku të uleshim, dhe po mos të ishte për mikpritjen e stendës së Kosovës, shumë sinqerisht, s’do të kishim ku të pushonim, përveç kafeneve, tamam si shqiptarë që gjithçka synojnë ta bëjnë në kafe.

    Para fillimit, punonjës në stendë na ftuan të afroheshim për nga një gotë verë. Pak çaste më pas na u bashkua Maribel Luque, drejtoresha e agjencisë letrare Carmen Balcells, agjencia e shkrimtarëve kryesorë të botës hispanike, mes të cilëve edhe gjashtë nobelistë, Gabriel García Márquez, Mario Vargas Llosa, Julio Cortázar, Pablo Neruda, Carlos Fuentes, Álvaro Mutis, Camilo José Cela dhe Miguel Ángel Asturia. Kur Enxhi u prezantua si botuesja e “Onufri”-t, Luque e njohu dhe shprehu kënaqësinë e ndërsjelltë për takimin. Më bëri shumë përshtypje mirinformimi i saj, menjëherë na pyeti, për t’u siguruar, nëse kishim botuar nëntë libra të Márquez, tha dhe titujt e tyre si dhe nuk e fshehu entuziasmin për takimin e asaj dite.

    Nuria Cabuti & Maribel Luque

    Drejtoresha e Penguin Random House Grupo Editorial[1], Nuria Cabutí e çeli takimin duke u ndalur për një çast në historinë e gjatë mes Márquez-it dhe Random House, histori e cila zë fill këtu e pesëdhjetë e pesë vjet më para, me botimin nga kjo shtëpi botuese të 100 vjet vetmi. Mandej foli pak për historinë e romanit të ri. Dorëshkrimi, tha, gjendej bashkë me dorëshkrimet e tjera të autorit në arkivin e Universitetit të Teksasit. Pas disa bisedave me djemtë e autorit, Rodrigo dhe Gonzales, vendosën bashkë me agjencinë, Carmen Balcells Agency, se tanimë kishte kuptim ta botonin këtë vepër të rëndësishme dhe t’ua mundësonin lexuesve gëzimin e zbulimit të një tjetër libri nga ati i tyre. Ata e kishin rilexuar librin dhe ishin tanimë të bindur se bëhej fjalë për një roman që meritonte të ndahej me të gjithë botën.

    Më pas, së bashku me Malaviya-n zbuloi kopertinën e botimit në spanjisht, për t’ia lënë kështu radhën ngritjes së gotave, fotografimit të saj nga gjithë të pranishmit dhe në fund, drejtoreshës së agjencisë, zonjës Luque. Ajo e quajti veprën si një eksplorim i feminilitetit, seksualitetit dhe dëshirës, ndjelljes, si një vepër e cila rri shumë mirë në vendin ku përket, mbyllje përfundimtare e udhëtimit letrar të Márquez-it. Prologu, shkruar nga djemtë e tij, Gonzalo dhe Rodrigo, është një homazh për gjuhën poetike të atit të tyre, narrativës mbërthyese dhe kuptimit të thellë të qenies njerëzore që ai arrin nëpërmjet letërsisë së tij.

    Dhe kaq, duartrokitje sërish, shprëndahen fletëpalosje me kopertinën e sapozbuluar, jetën e Márquez-it, disa të dhëna për librin dhe emrat e gjithë botuesve në botë, që tanimë kanë marrë të drejtat për këtë libër. Mes tyre, secili nxiton të gjejë veten, edhe Enxhi të gjejë “Onufri”-n, me gëzim për praninë mes emrave të tjerë, shumë të rëndësishëm në tregun botëror të librit si “Mondadori”, “Knopf”, “Random House” etj..

    Mbarojmë gotat, edhe bisedat, përshëndetemi, me kolegë, gazetarë e botues, shumë punonjës të Penguin-it dhe ngadalë, shpërndahemi, secili shkon në stendat e shtetit të vet, përveç nesh, sigurisht, e thashë, nuk e kemi një stendë.

    Dhe pak më pas

    Vizitojmë panairin, ashtu të stërmadh, kemi bërë mbi njëzet mijë hapa, kudo janë stenda të mëdha, korridore me botues privatë që kanë në krye stendën e vendit të vet. Aty të drejtojnë, këtu gjendet kjo apo ajo shtëpi botuese, orientuar drejt këtij apo atij lloj libri, pak më tej janë agjentët e shkrimtarëve, takojmë disa, me të cilët Enxhi bisedon për të drejtat e librave që ka parë qysh më përpara. Po stenda juaj ku është, pyesin në ndonjë rast, kur u mungon, fjala bie, një libër që ne e kërkojmë, libri vjen të dielën, thonë, dhe jua sjellim aty. Në siklet, i themi se do të vijmë vetë ta marrim atë ditë, duke e fshehur disi mungesën e një stende shqiptare, ose i orientojmë te e Kosovës.

    Vendet e vogla, ose me letërsi jo shumë të njohur, nxitojnë të na japin katalogje me autorët e tyre, ku ka një biografi në anglisht, përmbledhje po në anglisht të librave dhe mënyra për t’i kontaktuar. Në shumë raste, po ashtu gjen edhe pjesë të shkurtra të përkthyera, të cilat shërbejnë për të krijuar një ide të përgjithshme. Ndërsa vendet e mëdha, presin, kanë me dhjetra tavolina në hapësirën e tyre, ku ne të tjerët ndihemi të ftuar se mund të ulemi, të flasim, të diskutojmë për çështje nga më të ndryshmet.

    Vend i ftuar sivjet si vend mik është Sllovenia. Njëlloj sikurse ishte Shqipëria vend mik në Torino. Por stenda e Sllovenisë nuk mburret me autorë të përkthyer në gjermanisht, nuk i fton gjithë këto autorë të flasin përpara një publiku (e kush është në publik?!), por ndan me agjentët e botuesit ndërkombëtar katalogje, libra, mënyra të llojllojshme për të prezantuar veten, autorët e saj, letërsinë e re që po shkruhet. Stenda e tyre është konceptuar si një zgjua blete, çka ngjalli dhe sarkazmën e Zizek-ut kur tha se ishte budallallëk një stendë e tillë, pasi s’ka shoqëri më diktatoriale se ajo e bletëve, ndaj ky konstrukt i bie ndesh temës së panairit. Por askush s’u zemërua me të, vetëm vunë buzën në gaz dhe ashtu, shumica, e miratoi.

    Sigurisht, vendin kryesor aty e ka Drago Jančar, autori më i njohur slloven, por ai shërben si magnet për të treguar se Sllovenia ka letërsi interesante, ka nxjerrë Jančar-in, ejani zbuloni dhe të tjerët.

    Më vjen keq pse Shqipëria nuk përfaqësohet zyrtarisht nga institucionet e saja, asnjëherë nuk ka ndodhur, kanë qenë vetëm iniciativa private të botuesve, për vite me radhë. Tek ecnim në njërën nga sallat, Enxhi tha se këtu e kishte “Onufri” stendën, dhjetë vjet rresht. Vinim si botues të letërsisë shqipe, dhe prezantonim autorët e saj, tha, ashtu sikurse mundeshim. Po një shtëpi botuese, apo dy, tre, pesë, ndonëse asnjëherë nuk kanë qenë kaq shumë, i kanë mundësitë e kufizuara e po ashtu, mund të tejçojnë vetëm një pjesë të shijeve letrare, shkrimtarëve apo letërsisë së vendit të tyre. Atëherë, kush pra do t’i sjellë, përfaqësojë, mbështesë shkrimtarët shqiptarë në ngjarje të atilla?

    Sepse shteti, Shqipëria, po, merr pjesë në panire, por jo në ata me nivele të tilla prezantimi, ku vërtetë mund të bësh shumëçka për letërsinë shqipe. Këtë e them me bindje, sivjet e kam shoqëruar në secilin panair ndërkombëtar ku vendi jonë ka qenë, në Leipzig ku isha i ftuar prej Qendrës së Librit dhe në Torino ku vajta vetë, dhe meqë i vura në dijeni organizatorët se do të shkoja, u realizua një takim bashkë me dy miq e kolegë, Liridonin e Tobiasin, për një antologji në atë gjuhë, pjesë e së cilës jemi me tregime. Dhe kaq.

    Këtu në Frankfurt, sheh stenda të stërmëdha, me logot e Qendrave të Librave, Shoqatave të Botuesve, Ministrive të Kulturës nga çdo vend, nga çdo anë, por nuk sheh gjëkundi logo të institucioneve shqiptare. Po pse?  Pse as sivjet kur në Tiranë erdhi edhe drejtori i Panairit të Frankfurtit, u takova dhe unë me të. Shqiptarët i kanë të shenjta këto gjëra, s’mund të merrnin pjesë qoftë edhe veç për t’i kthyer vizitën mikut?

    Gjithë ajo energji e shpenzuar në agorën e letërsisë shqipe për shumëçka tjetër, por jo për këtë… Në shtëpinë e Goethe-s, këtu në Frankfurt, shkrepa foton e mëposhtme, dhe m’u kujtua debati për poetin laureat, që mesa di unë, quhet i tillë nga lari, dafina në standard, me të cilën thuret kurora mbi kokën e tij. Po a ia vlen gjithë ai debat, gjithë ajo prani në media, gjithë ato sulme e kundërsulme, deklarata e kundërdeklara, investim shtetëror dhe shterrues, i lodhshëm, gjithë kjo pra për një gjë të tillë, për një detyrë të tillë me funksion jo dhe aq të qartë? Dhe a ia vlen, a ka kuptim që kjo të marrë më shumë vëmendje e angazhim, kur funksioni pra s’është dhe aq i qartë, sesa prania e Shqipërisë në Frankfurt, prani e cila do të sillte dobi të panumërta për ne si autorë të gjuhës shqipe?

    Bashkë me Enxhin, “shfrytëzojmë” emrin e Ismail Kadaresë dhe u prezantojmë botuesve të tij anë e mbanë botës disa prej shkrimtarëve shqiptarë, me materiale të përgatitura vetë, sipas modeleve të lartpërmendura, por e vërejmë se më tepër na dëgjojnë për mirësjellje, na buzëqeshin, marrin ato libërtha që u japim me pasazhe tekstesh të përkthyera në anglisht a gjermanisht dhe i lënë diku. E  kuptojmë se pa qenë të mbuluar nga prania e vendit tonë aty, nuk na kushtohet rëndësia e as serioziteti i duhur, prakitkisht asgjë përtej mirësjelljes.

     Ndërkohë të shtunën, në këtë datë kur ju po e lexoni gazetën, stenda e Kosovës organizon Orën e Madhe Letrare. Me të ftuar tre autorë, njëri shqiptar i Kosovës, Ag Apolloni dhe dy shqiptare të Shqipërisë, Rita Petro dhe Loreta Schillok. Kështu, mungesa e Shqipërisë sikur zbehet pak, sepse Shqipëria gjen vend në stendën e përgatitur prej institucioneve të Kosovës, paçka se jo rrallë herë, Kosova nuk ka gjetur vend në aktivitete, ngjarje apo botime të mbështetura nga institucionet e Shqipërisë.

    Ndërsa tani, mbyllja

    Vetëm në panaire të tilla, një gazetar kulture mund ta mësojë si mbulohet një ndodhi kulturore, një botues mund ta kuptojë si funksionon industria e librit në botë, një shkrimtar mund ta zbulojë çfarë duhet për të kaluar kufijtë e lagjes së tij. Në Shqipëri mungon koncepti i agjentit letrar, mungon mbështetja konkrete për krijimin e konteksteve për njohje ndërkombëtare të letërsisë kombëtare (ne mbështesim gjashtë libra në vit për përkthim në gjuhë të huaj, ndërsa Serbia, për shembull, 20 herë më shumë, pra 120 tituj) dhe mbi të gjitha, mungon dashamirësia për ta pranuar tjetrin si dikë me të cilin nuk lufton, por bashkëjeton.

    Por le t’i kthehem sërish lajmit të mirë, arsyes pse u gjendëm këtu, zbulimit fantastik të një romani të humbur sikurse e vë në dukje që në kopertinën e sapozbuluar botuesi anglez i Márquez. Historia fantastike, përnjëmend markeziane e një vajze që çdo gjashtëmbëdhjetë gusht, dita e Santa Maria Maggiore, festa më e madhe përkujtimore e Marisë në botën katolike, kthehet në një ishull ku rijeton aventurat që zbulojnë gjithë përmasat e botës së saj shpirtërore, fizike e psikologjike. Dhe sikurse nuk ndodh shpesh, kësaj premiere botërore i bashkohet edhe Shqipëria. Ndoshta është hera e parë kur lexuesit shqiptarë që adhurojnë një autor të huaj, s’do të kenë nevojë ta kërkojnë librin e ri në anglisht fillimisht e pastaj, muaj a vite më vonë, ta gjejnë dhe në shqip. Jo, ky libër do të vijë për lexuesin shqiptar në të njëjtën kohë si për atë spanjoll, kolumbian, italian apo amerikan. Të paktën në këtë, jemi në të njëjtën kohë me botën.


    [1]  Për ta qartësuar: Nihar Malaviya është drejtor ekzekutiv i Penguin Random House worldwide, pra në të gjithë botën, ndërkohë secili vend ka grupin e vet editorial, ku përfshihen imprinte në atë vend dhe në atë gjuhë. Për grupin e botuesve në spanjisht që janë nën ombrellën Penguin Random House, drejtoresha ekzektuvie është Nuria Cabutí.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË