More
    KreuOpinionAndreas Dushi: Me Visar Zhitin, ia mbathëm Shqipërisë 'Këpucën e aktorit'

    Andreas Dushi: Me Visar Zhitin, ia mbathëm Shqipërisë ‘Këpucën e aktorit’

    Atëherë kur Visari u largua nga atdheu, atdheu nuk u largua prej tij. Nëse poezia është një produkt i brendashkruar në shpirtin e njeriut që mandej del porsi tekst dhe po të kujtojmë poezinë e shkruar prej tij në burg më 1985, Harta e atdheut tim, porsi dy metafora të ngritura në fakte, e shohim atdheun që brenda Visarit rri e pret vetveten për t’i kthyer sado pak nga ajo që i mori e që ai bujarisht i dha. Kështu i thanë te Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë kur deshëm të paguanim biletën, Shqipëria të është borxhlie aq sa ti je përjetë mik i çdo muzeu të saj.

    Tek ishte në Jerusalem gjatë nëntorit, i premtova se kur t’i dilja për ta pritur në aeroport, do të kisha në dorë librin e tij të ri. Qeshi lehtë dhe mua mu duk sikur s’më besoi. Edhe tani ashtu mendoj kur kujtoj se sa u befasua paraditen e 19 nëntorit në Rinas. “Paska dalë kaq mirë!” tha, pa e hequr nga dora, ndonëse Eda ia kërkonte. Faji im që s’kisha dy kopje, s’më shkoi mendja, ndoshta ngase atë çift e shoh si një e vetme, i bashkuar për të qenë i pandarë, i pandashëm. Ishin akoma ditët e panairit. Me të ardhur të nesërmen aty, i tha gocave të Onufri-t në stendë “Po që qenka bërë punë e paçme, libri im qenka në miqësi të mirë!”

    Për orë të tëra, deri sa tirazhi mbaroi, qëndroi dhe dha autografe. Lexues të shumtë, miq të vjetër e të rinj, disa me të cilët e krijoi në atë çast miqësinë, e shihnin, afroheshin, merrnin Këpuca e aktorit dhe zinin radhën e bukur, të shprishur, si kaçurela përballë tavolinës me në anën tjetër Visarin.

    Në bibliotekën “Marin Barleti”, Shkodër

    Paraprakisht kisha bërë një lloj kalendari ku do të shkonim dhe si do ta çonim librin te lexuesi. Fillimisht në Shkodër, Shkodra ime sepse është Shkodra jonë kujtoj t’i kem thënë Visarit në promovimin që u mbajt te biblioteka “Marin Barleti”, biblioteka e qytetit. Lexuesit e prisnin, erdhën, e takuan dhe e ndoqën me interes diskutimin, me ndërhyrje të herëpashershme, mes tyre edhe të profesorëve si Alfred Çapaliku apo shkrimtarëve, për shembull Xhahid Bushati.

    Po atë ditë paradite, me ftesën e nanës time, mësuese letërsie pranë gjimnazit të jezuitëve “Atë Pjetër Meshkalla”, Visari bisedoi me gjimnazistët e atyshëm për çështje nga më të ndryshmet. Takimi ishte konceptuar bukur, fillonte me interpretime të poezive të shkruara prej Zhitit para se të arrestohej, mandej pyetje nga nxënësit për to; poezitë e shkruara prej tij në ferrin plot rrugë që më në fund u ça, sërish pyetje e së fundmi, poezitë e lirisë, liri më e gjerë se çdo përgjigje.

    Në gjimnazin “Atë Pjetër Meshkalla”, Shkodër

    Aq ishte Shkodra… E thjeshtë dhe e dashur me shkrimtarin.

    Disa ditë më vonë ishim në Durrës. Biblioteka e atjeshme organizoi gjithashtu një promovim për librin, nga ato soj promovimesh që ngrihen mbi naivitetin e bukur e të dashamirësve më të sinqertë. Visarin e pritën me poezi, me këngë, me lule e me libra, aq sa s’di të them nëse më shumë libra kishim kur ikëm apo kur u kthyem prap në Tiranë.

    Në Bibliotekën Publike të Durrësit

    intermexo

    Me rastin e ditëlindjes së tij, më 2 dhjetor 2022, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizoi një ekspozitë me të gjithë krijimtarinë e Zhitit. Poezia e tij e parë me titull Prapë botuar në “Nëntori”, cikli i parë mandej botuar në “Shtigje lufte”, heshtje, prap, prap, prap, tmerri i ferrit në Spaç e Qafë të Barit, poezitë e shkruara në burg, liria!, cikli i parë në Zëri i rinisë, i dyti në RD, libri i parë me poezi Kujtesa e ajrit i dyti me poezi të burgut Hedhë një kafkë te këmbët tuaja, e të tjera, e të tjera, e të tjera, përkthime të tij në gjuhë të ndryshme, përkthime prej tij nga gjuhë të ndryshme, me dhjetra botime, proza e poezia. Të gjitha në ekspozitorë të vegjël, mbuluar nga kapakë të kristaltë ku bardhëllente liria, dhimbja, vuajtja, dashuria.

    Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë

    Në çeljen e saj foli drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha që kujtoi se si u përfol arrestimi i Visarit, si u tha se u arrestua një poet, si u prit, me ç’ndjesi u shoqërua. Pastaj drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit Alda Bardhyli u ndal në detaje nga krijimtaria e Zhitit, unë si moderator thashë se isha i lumtur, shumë, për gjithë këtë. Ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta na kujtoi se si mund ta gjejmë pikërisht në personin e Visarit modelin e forcës dhe qëndrueshmërisë në shpresë, jo duke pritur por duke punuar për të. Në fund e mbylli botuesi Hudhri, me vlerësimin për krijimtarinë e Visarit dhe njoftimin se lexuesi tanimë do ta gjejë veprën e tij nën logon e Onufri-t.

    Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë

    Sado u munduan diktatorët, s’ja morën dot poetëve vendin që u takon në shprehjen se ata kanë vetëm lindje, pasi datëlindja e një poeti është ripërtërirja e datlindjes së gjuhës me të cilën ai shkruan.


    Disa ditë më pas, në Vlorë u mirëprit Këpuca e aktorit nga nxënësit e gjimnazit “Ali Demi”. Me himnin e shkollës shkruar prej Timo Fllokos, ata i uruan Visarit mirëseardhjen dhe e pyetën lidhur me poezi, vargje, citate apo shprehje të marra prej romaneve e tregimeve të tij. E shoqëroja edhe unë, sërish. Hera e parë në Vlorë për mua. Një grua, besoj mësuese, mes të pranishëmve mbante në dorë një kopje të “ExLibris” me disa poezi të përktheyra nga Visari dhe e shihja që e shfletonte me sytë mbi të, mandej i ngrinte e më shihte ngultazi. Me të mbaruar, më erdhi afër dhe e hapi gazetën në faqen e dytë. Ishte një intervistë e realizuar nga unë dhe përkrah titullit, sikurse është formati, një foto imja. “Ti je ky, apo jo?” tha. “Po…” “Sa i mirë qenke. Të ndjek çdo javë.” dhe iku. U gëzova që lexoheshim, lexohesha edhe atje e besoj edhe ajo do të gëzohet kur ta shohë veten këtu.

    Në gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë

    Të martën me datë 6 dhjetor, e gjitha u mbyll në Korçë. Biblioteka “Thimi Mitko” në bashkëpunim me klubin letrar “Bota e re” organizuan promovimin e dy romaneve, të Këpuca e aktorit dhe romanit tim Në besë te tatuazhit tënd. E kisha me dyshim, s’kisha parë promovime të tilla, por e gjitha shkoi natyrshëm pasi i njihnim tekstet e njëri-tjetrit që në dorëshkrim dhe kishim kontribuar me këshilla te tjetri përgjatë shkrimit të tyre. Visari foli për librin tim, unë për të tijin, ju përgjigjëm pyetjeve, dëgjuam akuza, dhamë mendime, nga ato që ka shumë të ngjarë tani mos t’i kujtojë më njeri, dhe bëmë foto, ndonjë autograf, intervista. Prap mes miqsh e lexuesish, nga moderatori Eris Rusi, pedagog e shkrimtar; drejtoresha e bibliotekës Jorida Tollkuçi; pedagogu e studiuesi Neli Naço u ndjemë mirë, mbi të gjitha u ndjemë të mirëpritur.

    Në bibliotekën “Thimi Mitko”, Korçë

    Dhe tani, kaq. Visari nesër në mëngjes herët niset për në Çikago, unë i rikthehem punës së përditshme, ata që e morën librin ndoshta kanë mbaruar leximin apo akoma s’e kanë filluar. Nuk e di. Veçse uroj që gjurma e Këpucës së aktorit të mbetet përmbi Shqipëri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË