More
    KreuTeatërAndreas Dushi: “Edmond”, historia e një komedie në Teatrin Kombëtar

    Andreas Dushi: “Edmond”, historia e një komedie në Teatrin Kombëtar

    Një shënim i shkurtër për shfaqjen e fundit të Teatrit Kombëtar shoqëruar nga një përsiatje e përkthyesit si dhe copëza bisedash me regjisorët Indrit Çobani dhe Andia Xhunga e aktorët Lulzim Zeqja dhe Genti Deçka

    Nga pikëvështrimi im si dikush që e do shumë teatrin, niveli i pjesëve që vihen në skenë nga Teatri Kombëtar bind këdo se të mos ndjekësh ndonjërën syresh, humbet shumë. Sëfundmi, “Edmond” i autorit Alexis Michalik, mjaft i njohur kudo në botë, tërhoqi vëmendjen e duartrokitjet e spektatorëve të shumtë, përgjatë netëve kur u shfaq në skenën e Turbinës.

    I lindur më 13 dhjetor, 1982, Michalik është një aktor, dramaturg e regjisor francezo-britanik. Pjesët teatrale që kanë autorësinë e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe luajtur në skenat më të rëndësishme jo vetëm evropiane. Që nga 2001 kur luajti rolin e Romeos në “Romeo dhe Zhulieta”, vënë në skenë nga Irina Brook në teatrin e Chaillot, Michalik ka veshur petkun e shumë prej karaktereve më të famshme të tragjedisë, dramaturgjisë e komedisë botërore. Në vitin 2006 vuri në skenë shfaqjen e tij të parë, një komedi muzikore me motiv të marrë nga veprat e Shekspirit. Që nga ajo kohë e deri tani, ka fituar disa herë çmimin Molier në Francë për pjesë të ndryshme.

    Tejet interesante është gjithpërfshirja e tij në vepër. Nga autor i saj, kthehet në regjisor për t’u bërë mandej edhe aktor, duke mbajtur jo rrallë herë mbi shpatulla role kryesore.

    Njohja më e madhe i erdhi pas vitit 2008 kur vuri në skenë R&J, një adaptim i Romeos dhe Zhulietës me vetëm tre aktorë që luanin të gjithë personazhet, njëri ndër të cilët ishte edhe vetë ai.

    E njëjta frymë, pra ajo e një aktori që mbulon disa role ruhet edhe në shfaqjet e tjera, mes të cilave “Edmond” që, edhe nga trupa e Teatrit Kombëtar u vu në skenë pikërisht kështu. Lulzim Zeqja, Vasjan Lami, Helidon Fino, Luli Bitri, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Arben Derhemi, Flaura Kureta, Myzafer Zifla, Genci Fuga, Ina Gjonçi, Besmir Bitraku dhe Genti Deçka luanin dy a më tepër role, krejt të ndryshme njëri prej tjetrit.

    Historia e Edmond de Rostand ndërkohë që shkruante komedinë e tij më të njohur Sirano dë Berzhërak, për më tepër se dy orë krijoi një të tillë atmosferë ku e qeshura bashkohej me përsiatje të thella të natyrave nga më të ndryshmet. Përtej saj, kjo pjesë paraqiti sërish ndryshimin rrënjësor që arti ka pësuar në të gjithë rrafshet, kryesisht atë estetik pasi, as nuk mund të imagjinohej jo shumë vjet më parë shkruarja e një teksti dramatik dhe vendosja e tij në skenë në qendër të të cilit të ishte historia se si u shkrua një komedi, pra kthimi i autorit në personazh nga një tjetër autor, me ndërmjet tyre thuajse një shekull.

    Ulje-ngritjet e shpeshta e të papritura, marrjet e dhëniet mes personazheve që i luan i njëjti aktor, loja gjeniale e secilit prej zotëruesve të skenës, skenografia e mrekullueshme… E gjitha pak ditë para, atë ditë e pak ditë pas Ditës Botërore të Teatrit.

    Kjo pjesë është përkthyer nga shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Nasi Lera i cili, ndër të tjera, kur e kontaktova për t’i kërkuar një mendim, ide, përqasje a përsiatje rreth tekstit, më tha:

    Që kur lexova për herë të parë tekstin e “Edmond”, u mahnita nga ideja e teatrit për teatrin. Dramaturgu Alexis Michalik ia ka dalë të ndërtojë jo vetëm një homazh për shkrimtarin, poetin, dramaturgun e jashtëzakonshëm Edmond de Rostand, por edhe një homazh për vetë teatrin, artin e arteve.

    Atëherë kur mora ta përkthej “Edmond”, pata fatin të shkoja në Francë dhe gjëja e parë që kërkova ishte nëse në një teatër atje do të luhej kjo shfaqje. Bashkë me time shoqe vajtëm dhe e ndoqëm ku, vetë autori ishte edhe regjisor, edhe aktor në të. Ndërkohë më pas, pamë në skenën e Teatrit Kombëtar premierën e vendosur nën regjinë e Indrit Çobanit dhe Andia Xhungës. Ishte e mrekullueshme dhe (biseda mes meje dhe Nasit po zhvillohet në telefon) kam time shoqe pranë e cila më thotë se “Edmond” i Teatrit tonë Kombëtar ishte më i bukur se “Edmond” i teatrit në Francë!


    Aktori Lulzim Zeqja është në rolin kryesor, atë të dramaturgut Edmond de Rostand, personazh nga i cili edhe komedia e merr titullin. Sikurse e thashë, Edmond është një personazh real, lindur më 1 prill 1868 në Marsejë të Francës. Vepra e tij shihet si e ndërlidhur me neo-romantizmin, ndërsa dramat e komeditë, mes të cilave më e mirënjohura është Sirano dë Berzhërak duket sikur i kundërvihen teatrit natyralist aq të përhapur në të vonët e shekullit XIX. Në kohën e tij, vendosi në skenë disa pjesë, të cilat kaluan thuajse pa u vënë re nga askush, deri kur shkroi kryeveprën, Sirano mbi të cilën është ngritur edhe subjekti i komedisë së vënë në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar. Ndër punët e tij, përtej krijimtarisë vlen të përmendet edhe fakti se është përkthyes i poetit latin Katuli (Catullus në origjinalin latinisht). Pavarësisht kësaj dhe lidhjes së tij me skenën e teatrit, ai e ka quajtur veten poet.

    Sirano dë Berzhërak, ndonëse u shkrua në një atmosferë të çuditshme, që trajtohet aq këndshëm në “Edmond”, u kthye në triumf për vetë de Rostandin, atëherë 29 vjeç, por jo vetëm. Secili nga aktorët u bë i njohur menjëherë, pasi ajo u luajt mbi 300 net dhe në shumë pak kohë u përkthye në anglisht, gjermanisht, rusisht e të tjera gjuhë evropiane. Qysh nga Hygoi, nuk ishte shfaqur një entuziazëm i tillë për një pjesë teatrale të shkruar në vargje.

    E pyeta Zeqjan fare shkurt për këtë rol, duke pasur parasysh natyrën e tij komplekse, edhe nga pikëvështrimi që më nxiti komenti i Lerës, ai i teatrit për teatrin.

    Andreasi: Për ju si aktor, si ishte kthimi jo thjesht në një personazh të krijuar prej një dramaturgu, por në një personazh që vetë është dramaturg? Në këtë rast, roli i ndërmjetësit mes tekstit dhe spektatorit ngjan më kompleks dhe më i ndërlikuar sesa zakonisht, apo e kam gabim…?

    Lulzimi: Të them të drejtën, Aleksi, autori i vërtetë i Edmond, me atë tekst të mirë e të vlerësuar thellësisht në Francë, e ka bërë të lehtë të përtypet nga krijuesi i figurës artistike që në këtë rast është aktori që luan Edmondin. Për mua ka qenë një punë goxha e vështirë marrëdhënia me trembëdhjetë personazhet e veprës. Dua të them kjo vështirësi më dha dhe çelësin për t’ju afruar figurës së dramaturgut. Arritja për të krijuar unë marrëdhënie si aktor me personazhet e tjerë të veprës më dha këtë çelës magjik që më hapi derën për të takuar personazhin e dramaturgut që në rastin konkret është Edmond! Procesi ka qenë fantastik!

    Andreasi: Shfaqjet e ndryshme ku ju luani, a kanë një kuptim të veçantë për ju, si të thuash një kuptim unik? Nëse po, parë nga perspektiva juaj personale, në këtë rrafsh si i jeni qasur “Edmond”?

    Lulzimi: Të gjithë personazhet që unë luaj kanë kuptim unik, sepse janë të gjithë personazhe unikë! Por ka personazhe që të lënë njolla ose bëhen pikë kyçe për aktorin në karrierë… dhe sa për Edmondin, besoj se është i tillë!


    Ndërsa Genti Deçka, aktori i dashur për publikun dhe edhe për mua personalisht, luan disa role episodike, karaktere krejt të ndryshme, që, parë nga një sy i pastërvitur, ngjan vërtetë e çuditshme se si dikush ia del me sukses të futet nën lëkurën e gjithë atyre personazheve, për shumëkënd një gjë e pamundur. Ndër to është edhe ai i shkrimtarit të madh rus, Anton Çehov për të cilin thuhet se vërtetë, për hir të rastësisë, është takuar me Edmond de Rostandin në Paris.

    Në vijim, shkurt e përmbledhtazi, Deçka e tregon në këtë eksperiencë të veçantë e tejet të bukur…

    Andreasi: Në galerinë e personazheve që luani në “Edmond”, kë do të veçonit dhe pse?

    Genti: Nuk mendoj se ka një aktor i cili nuk do të ëndërronte të luante Çehovin në skenë. Fatkeqësia e rolit në fjalë është jetëgjatësia shumë e shkurtër në skenë. Sa herë Çehovi im personal del nga skena, një fije keqardhje më përshkon dhe më bën të dua ta mbaj fort atë çast. Por teatri i tillë është, lind aty dhe vdes aty…

    Andreasi: Si e perceptoni raportin e publikut me atë aktor që gjatë një shfaqjeje vesh petkun e disa personazheve?

    Genti: Sfida e aktorit me veten në radhë të parë është qasja ndaj rolit çdo herë me unikalitet, i cili në sytë e publikut duhet të përkthehet në disa personazhe të mirëtheksuar dhe të ndryshëm prej njëri-tjetrit.

    Në rastin e shfaqjes “Edmond” kjo sfidë shumëfishohet duke e vendosur aktorin para një përgjegjësie akoma më të madhe krahasuar me shumë vepra të ngjashme. Shpejtësia, sinkronizimi, kostumet, dinamikat e ndryshme të skenave të “Edmond”, e vendosin aktorin përballë një përgjegjësie të madhe duke mos e lënë këtë të fundit plotësisht të qetë as kur magjia e “Edmond” mbaron dhe aktori shkon në shtëpi. Do të doja të dija çdo natë, të kuptoja atë që përpiqemi të përcjellim te publiku më këtë gjerdan rolesh, por fatkeqësisht nuk mund të lexojmë mendjet e tyre.

    Andreasi: Rolet tuaja janë episodike, si copëzat e vogla të mozaikut pa të cilat, ai është i çalë, i paplotë… Ky mozaik, pra kjo shfaqje, mendoni se i flet në të njëjtën mënyrë kujtdo, pa kufij gjeografikë, pra njëlloj flet me spektatorin shqiptar ashtu sikurse me atë francez?

    Genti: Po e mbyll me diçka nga Çehov: “Sot ndoshta jemi vetëm tre, nesër do jemi gjashtë dhe kështu me radhë… Nëse luftojmë çdo ditë për atë që është vlerë, do të shumëfishohemi patjetër!”


    Sigurisht, gjithë kjo, nga përkthimi i Nasit e deri te gjenialiteti i aktorëve, do të mbeteshin në një hapësirë eterne, të boshtë, larg spektatorit, sikur të mos ishte për punën e dy regjisorëve, partnerë në këtë projekt, por jo vetëm: partnerë në jetë. Fjalën e kam për Indrit Çobanin e Andia Xhungën, çiftin e artistëve që morën guximin ta vinin “Edmond” në skenë. Sapo i kontaktova, e mirëpritën me shumë dëshirë ftesën për t’ju përgjigjur pak pyetjeve rreth kësaj shfaqjeje, secili nga pikëvështrimi i vet si dhe nga ato çfarë kujtojnë apo përjetojnë.

    Andreasi: Nga erdhi njohja e parë me tekstin dhe çfarë ju shtyu të mendonit vendosjen e tij në skenë?

    Andia:Edmondin e kemi takuar për herë të parë në Paris. Ishe një dhuratë nga mikja jonë e ngushtë, shoqja ime e klasës në Akademinë e Arteve, Ervina Kotolloshi, e cila prej vitesh jeton aty dhe punon si Pedagoge në një universitet pranë Parisit.

    Takimi i dytë dhe më i rëndësishëm ishte pasi mjeshtri i përkthimit dhe letërsisë Nasi Lera na e dha tekstin e përkthyer. Pasi ia propozuam për përkthim, Zotit Lera, ai e mori si fillim vetëm për ta lexuar dhe do të na kthente një përgjigje nëse do ta ngacmonte vepra apo jo. Por brenda pak ditëve që na kërkoi takimin e dytë, na e solli të përkthyer. I mrekulluar nga pjesa dhe njëkohësisht i habitur nga vështirësia që ai imagjinonte sesi do vihej kjo pjesë në skenë. Në të dyja takimet, qoftë kur e dëgjova të treguar, qoftë kur e lexova, zemra rrihte fort dhe thoshte vetëm PO.

    Indriti: Në vitin 2017 kam qenë në Rene në TNB festival me shfaqjen Lucrezia Borxhia të regjisorit Eric Vigner. Këto janë mundësi që kontakti me teatrin bashkëkohor të jetë i drejtpërdrejtë, dhe sigurisht unë e shfrytëzova për të njohur dhe krijuar kontakte jo vetëm me aktorë, regjisorë, por edhe me dramaturgjinë moderne. Por surpriza më e bukur ishte në Paris, kur mikesha ime dhe e Andias, Ervina Kotolloshi erdhi na takoi dhe na dhuroi “Edmond” nga Alexis Michalik e botuar dhe vënë në skenë vetëm pak muaj përpara me shumë sukses në Paris. Dhe kështu ne u kthyem nga Parisi sëbashku me “Edmond” në Tiranë.

    Andreasi: Produksione të tilla, me numër aq të madh aktorësh pjesëmarrës, janë pak “të frikshme”. Ishte e vështirë për ju në këtë rast të dilnit mbi dyshimin e suksesit të kësaj shfaqjeje?

    Andia: Jo nuk ishte aspak e frikshme. Sa më shumë aktorë në skenë, aq më e bukur/intensive shfaqja. Sigurisht që numri i lartë i aktorëve kërkon një menaxhim shumë të madh. Mbi të gjitha që secili prej tyre luante nga 3-4 role. Nëse do të ishin mbi skenë aktorë, aq sa ka role vepra, duhet të ishin diku te pesëdhjetë aktorë. Po me këtë pjesë është marrë më shumë Indriti. Çdo ditë kam vërtetuar me sytë e mi, sesi i ka frymëzuar aktorët një e nga një. Sesi i ka ndenjur pranë, sesi i ka këshilluar, sesi ka këmbëngulur, për të parë rezultatin që ju keni parë sot. Dita ditës, MOS dyshimi që kishim, vërtetohej gjatë provave krenarisht!

    Indriti: Shfaqje si “Edmond” me një numër të pazakontë skenash, me një numër të pazakontë personazhesh, me një numër të pazakontë rolesh që luan i njëjti aktor, e bëjnë të jashtëzakonshme eksperiencën për një regjisor. Çdo krijimtari është një hap nga e njohura drejt së panjohurës dhe si e tillë, aty brenda janë frika, guximi, ankthi, besimi, dyshimi, entuziazmi, errësira, drita, ngjyrat, ëndrra…

    Andreasi: Spektatorët e mbushën thuajse çdo natë plot sallën e Turbinës. Ky fakt si ju bën të ndiheni?

    Andia: Për herë të fundit publikun sy më sy e kishim parë para pandemisë. Dhe ta shikoje sallën aq plot e përplot pas dy viteve shkëputje ishte një kënaqësi shumë e madhe. Jam e lumtur që “Edmond” vazhdoi e mbushi sallën plot e përplot, akoma edhe më shumë se “Familja Tot apo Tag” etj….

    Indriti: Nuk mund të ketë Teatër pa publikun. Është gjysma e trupit. Teatri është një vend ku ne mund të bisedojmë me veten, të nxisim monologjet tanë të brendshme ndërkohë që dëgjojmë dialogët e të tjerëve…

    Andreasi: A mendoni se me kohën, publiku shqiptar po del mbi vetveten duke edukuar shijet e tij estetike aq sa të përjetojë në plotni një komedi, dramë a tragjedi bashkëkohore evropiane?

    Andia: Publiku është si fëmija, çfarë t’i japësh për të ngrënë, atë do të hajë! Nëse e kultivojmë që në fëmijëri me Teatër të mirë, me kulturë, me shije të hollë për artin, atëherë kur të rritet, nuk mund të ketë shije tjetër… Është shumë i rëndësishëm Teatri për fëmijë. Që aty duhet të nisë gjithçka. Duhet të investohet më shumë te dramaturgjia për fëmijë. Brezi i ri duhet të bëjë ndryshimin dhe për këtë duhet ndihmuar. Gjithsesi Teatri i përket publikut dhe publiku kurrë nuk duhet gjykuar.

    Indriti: Për fatin tonë jo të mirë, nuk kemi nga pjesa burokrate e Teatrit asnjë studim të audiencës. Publiku na njeh shumë mirë, ata e kanë një skaner mbi aktorin, dramaturgjinë, ndërsa institucionet e Teatrit nuk e kanë. Personalisht i jam drejtuar për konsultim disa organizatave që kanë bërë disa studime jo specifikisht për audiencën e teatrit, por me fokus të afërt, por këto mbeten angazhime individuale të miat. Prezenca e publikut të plotëson, i jep kuptim ekzistencës sonë në skenë, si pasojë jam i lumtur dhe në përpëlitje për ta njohur sa më mirë publikun…

    Andreasi: Po rreth eksperiencës së të qenurit bashkëregjizor, çfarë mund të thoni?

    Andia: Kur i cakton pikat mbi i që në fillim, çdo gjë shkon më së miri. Sigurisht që orkestra ka vetëm një dirigjent. Por bashkëpunimet tona janë që nga shfaqja jonë e parë në skenë në 2003. Pra le të themi, që tashmë me apo pa emrin e të dyve mbi poster, të njëjtën gjë kemi bërë në çdo shfaqje.

    Indriti: Andia është burim energjie, pasioni, dashurie, nuk mund të bëhej “Edmond” nëse nuk do të ishim bashkë!


    Edhe për mua personalisht, është hera e parë që shkruaj për një pjesë teatrale të parë në kompleksitetin e saj, duke dalë përtej ndonjë qasjeje letrare a filologjike vetëm të tekstit. Sinqerisht, kur e ndoqa shfaqjen, mendova se nuk kishte kuptim mos të sillja te lexuesi ynë nëpërmjet zërave të disa artistëve që i çmoj shumë diçka nga kjo shfaqje. Shumëkush, jo për faj të vet por për hir të mundësive, nuk i ndjek dot produksionet e Teatrit Kombëtar. Kjo edhe për shkak të një handikapi pa kuptim falë të cilit, nuk e di se pse, trupat teatrale nuk lëvizin, të paktën brenda Shqipërisë. Nuk e di herën e fundit kur trupa e Teatrit Kombëtar ka ardhur, fjala bie, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ndonëse trupa e këtij të fundit ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen e fundit që u luajt aty para shembjes së godinës, “Gomari i Babatasit”.

    Ku i dihet, ndoshta ky shkrim nxit dikë për të shërbyer në të mirë të asaj ndërlidhjeje që mungon, kështu mungesa e jetës aktive kulturore në shumë qytete që nuk janë Tirana do të gjallërohet paksa, ndërsa shija estetike, me patjetër do të latohet edhe më!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË