More
    KreuOpinionAndreas Dushi: Edipi i maleve tona

    Andreas Dushi: Edipi i maleve tona

    Teksa po kërkoja në faqen online të bibliotekës “Marin Barleti” në sektorin “Biblioteka Digjitale” për të gjetur në kolanën e  revistës “Hylli i Dritës” mitet shqiptare, në numrin e saj të pestë të vjetit VI (1930) nga faqja 287 deri në faqen 289 gjeta një përrallë kombëtare me titull “Nama e Orës” histori e dëgjuar nga P. Marin Sirdari O. F. M. në këto vende (siç e tregoin ai vetë):

    Ket prrallë e kam ndie në dy a trí vende në Pult, por pa dyshim se do të kallëxohet se së paku në te tanë Dukagjinin, mbasi të gjitha prrallat të thuesh, kallxohen njinji nder të gjitha ato male.

    Përralla vazhdon si më poshtë.

    Nji nier shkoi për nji herë me dritë më bjeshkë me çà do drrasa për me goditë nji djep, pse së shoqes ishte me t’i falmit Zot’ yn nji fmí. Në sa ishte ky tuj shkurtu nji mré, po ndien nji orë ke prej njaj mali po i bâte zâ njaj shoqes së vet.

    O lumë, i ka lé njati orligu nji djalë; si thue t’i a njesim êmnin?

    Lé, moj dritë, – pergjegjë tjetra, – se nuk kam ngae me çâ kryet per sa nierz lejn!

    Po ajo qi lshoi zânin së parit nuk e la me aq, por i bzâni edhé dy a trí herë, e atbotë kjo e merzitun i pergjegji:

    Vraftë t’àn e mârrët t’âmën!

    Ky nier e ndie namen e orës, n’e parë, u pre, por mandej s’i vû aq vesh atyne fjalve e vijoi punen e vet.

    Mbasi goditi djepin, e çoi fíll e te shpia, kû gjet fmin e lém, të cilin e àma e vendoi mejherë në djep e i vûni gjerdanin  (nji farë kolanet) në qafë për shéj.

     Porsa u rrit pakes fmija, i ati, tuj mos mujtë me hjekë mendjet namen qi i kishte lshue ora fmís u muer vesht me të shoqen e sajoi me e shporrë; prandej goditi nji arkë e shtini mbrendë e shkoi e e qiti në dét. Tallazet e detit e mueren me veti e e çuen larg e larg e e qiten dikûr në breg; kû premtoi Zot’ ynë që nji dhí të vîte per ditë e ta lête me e ndergue. Nji ditë prej ditësh tuj kalue nji shtegtar  aty pari ndeshi në fmí, e tuj i u dhimbtë e mori me veti e e çoi te shpija, e aty e mbajti si rob të vetin. Si u bâ ky nji farë tarabecit, i ra n’ér se ishte bír mbretit, prandej nuk ndigioi me ndêje mâ aty te bâmirsi i vet, por shkoi tuj kerkue dhé palé a di t’i bijte n’ér se i çë mbretit ishte bíre ashtû me kërthye e me jetue ngjat babës së vet.

     I kishin kalue do vjet të mirë këtij tuj kërkue dhén, kúr e qet puna me zazetë në nji vend kû populli po ankote fort per mretin e vet. Mbasi e dijte ky vetin per fort të zotin, u bâ me partin kundershtare t’atij mbreti, me mende me mujtë ai me dorë të vet me e shporrë atê kso jete e me i marr kâmen.

     Në sa ky po shkote dita me ditë tuj blue në mend se si me mujt me e çue në vend dishirin e vet, po ndéshë pa pritë pa kujtue, pak jashta gjyteti, në trí koçija (karroca), e mbasi do vetë i kallxuen me shêj se në të cilën ishte mbreti, ky u avit kinsé po kam dishka me i thânë, e porsa e gjet ngjet tij t’i a mshoi në topuz e e mbyti; e me aty hypi në koçí e t’u dha kualve skatrash e hîni në gjytet. Populli, mârrë vesht punen gjithsesi, e zgjodhi per mbret, e i dha per grue, mbasi pelqyen shoqisho’in, mbretneshen e metne pa fat.

    Per me mujtë me râ në tê se çë kobi do t’ishte ajo punë, qi s’mujshin me u qortue kurr, sado qi i a vêshin menden; çuen e pveten nji shortare. Kjo u përgjegji se kishte të tana gjasët so do t’ishin gjak e gjíni ndër shej vedi. Mbas fjalës së shortares u vûn këta nji ditë e folen gjatë e giatë mbî të gjith jeten e vet, e sidomos mbasi burri i diftoi së shoqes gjerdanin qi i a kishte pasë vû në fyt e âma per shêj qyshë së vogli, u kujtuen se ata ishin pernjimend nanë e bír, e sa ai kishte pasë mbytë, pa dijtë, t’an, prandej prej disprimit burri i nguli në zêmer thiken së parit së shoqes mandej të birit, e së mbrami edhe vedit. Grueja tuj dhanë shpirt i këndoi të birit tuj dekë: – Nina ninë bir!

    I biri t’ëm bir, – I biri s’ême ré; – S’ate vjeherr i ke lè! e tuj lshue syt per rreth, pau, se shpija po rrenohej e po i xête mbrendë.

    Ât Marini në po të njëjtin shkrim thotë se në malet ku ai kishte shëtitur, ekzistonin edhe raste të tjerë, të ngjashëm me atë që ai tregon. Në shpjegimin e  këngës që i këndon e ëma djalit ai thotë:

    Kjo eju po më qet nder mend nji ojn tjeter qi kam ndi në Zadrimë, e âsht kështû. – Nji grue ndeshi në nji shoqe të veten qi kishte nji fmí në grykë, të cilen e pershëndeti: – Marshallà, moj nuse, djali! – Syt të lumshin, nuk âsht i êmi, – pergjegji ajo – por âsht i birit t’êm bír – e vllai i t’êm shoq. Kjo do të thotë se ajo është martuar me vëllanë e nipit. Ka dy mundësi. Ose gruaja me të cilën i biri ka bërë fëmijën që gruaja ka në grykë ka pasur edhe martesë tjetër duke lindur të shoqin e gruas me fëmijë në grykë, ose gruaja me fëmijë në grykë është martuar me nipin e vet.

      Pas kësaj historie, tregohet edhe një tjetër: Në bajrakë të Pukës kallxojnë nji ojn tjetër. – Nji barí tuj u príj dhenve, pau tuj pushue nji burrë e nji grue e i pershendeti: – Mirë se rrini burrë e grue! – Grueja i pergjegji: – Nuk jem burrë e grue, por e âma e këtij trimi âsht vjehrra e nanës s’ ême.

    Ndonëse kjo histori ka disa probleme si mungesa e vijës logjike që lidh ngjarjet njëra me tjetrën, arsyeja përse mbreti del vetë që të presë dru në mal për djepin e të birit etj., vërehet qartë se ekziston një lidhje mes saj dhe mitit grek të Edipit, sikurse vë në dukje edhe vetë Ât Marini:

    Kallximi përkon shqimir me at të mitologís greke qi si dihet âsht kështû.

     Laji, sternipi i Kadnit, mbretit të Tebes kishte ndie prej orakullit se kishte per t’u mbytun prej të birit, i cili kishte per të mârrë mandej per gru t’âmen e vet. Per me bâ qi mos t’u vërtetote fjala e orakullit, Laji bâni me lidhë e me shporue kamët e të birit qi kishte pasë më Gjakostën, e mandej bâni me e tretë. Robi qi do të çote në vend urdhnin, ia dha djalin njaj bariu, e ky Polibit, mbretit të Korintit i cili nuk kishte fmí. Per shkak të kamve t’éjuna, fmiut i u njit êmni Edip. Si u rrit ky, mârrë vesht se nuk ishte i biri i Polibit, veti orakullin se çë gjetit ishte, e pat të gjegjun se kishte për të mbytë t’àn e mârrë r’amen. Per mos me rrezikue me bâ at faqe të zezë sajoi mos me këthye në Korintë, por me shku në Tebe. Tuj udhtue ndeshi në baben e vet, Lajin, qi nuk e njifte, qerri i të cilit ishte i prîmun prej njaj kasneci. Tuj dashtë ky me ngushtue Edipin me shmangë rrugen, u ngreh shamata e cila mbaroi me mbytje t’et për dorë të birit, qi nuk e njifte. Mbrrijtë në Tebe, Edipi pshtoi gjytetin prej shum të zezave, e në shpërblim pat me mârrë për grue mbretneshen e vejë ase nanen e vet. Kur mâ vonë rà murtaja në Tebe, e kje lypë ndihmë prej orakullit të Delfit, ky dishmoi se ishte nevoja, per pshtim të popullit, me ndishkue at qi kishte pasë mbytë Lajin. Shqertimi qiti në shesh se ishte kênë Edipi; Gjokastra prej disprimit u vierr, Edipi i xori syt vedit.

     Ky rast i pranisë së personazheve apo ngjarjeve që i përkasin mitologjisë botërore në kallximet kombëtare shqiptare nuk është i izoluar. Ât Justin Rrota në “Prralla Kombtare”, herë  pas here vë në dukje përkimin e elemeteve të prrallave tona me ato të mbledhura nga Vëllezërit Grim në Gjermani. Kjo dukuri mund të përbëjë interes për kopmeratistët vendas e të huaj, çka do të sillte kontribut me vlerë në këtë lamie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË