More
    KreuForumi mbi përkthiminAndreas Dushi: Debati i viteve ’20 mbi shqipërimin nga Fan Noli...

    Andreas Dushi: Debati i viteve ’20 mbi shqipërimin nga Fan Noli të tragjedisë “Hamleti”

    “Traduttore – Traditore” thonë italianët. Ka kohë që zhvillohet debati nëse është tradhti përkthimi i një vepre. Në këtë kontekst, sa “tradhtar” është Noli? Thuajse një shekull më parë, shqiptarët e Amerikës shtruan për diskutim këtë çështje në gazetën e tyre “Dielli”.

    Gjithnjë e më tepër diskutohet mbi nevojën e përhershme për ripërkthime të veprave themelore, duke pasur parasysh faktin se gjuha evoluon. Aq më tepër, po morëm rastin e shqipes, kanonizimi në standard i së cilës është realtivisht i vonë (1972), bëhet edhe më i domosdoshëm rishikimi i veprave të përkthyera më heret. Një ndër shqipëruesit që ka ngjallur gjithmonë debat është edhe Fan Noli.

    Botimi i pesë përkthimeve të hershme që ai ka realizuar njoftohet në numrin 287 të gazetës “Shqipëri’ e re”, tetor, 1926.

    Faksimil nga gazeta “Shqipëri’ e re”

    Nga vëzhgimi im, një vit më pas, përkatësisht nga tetori i 1927 deri në janarin e 1928 realizohet debati i parë publik lidhur me përkthimin. Në gazetën “Dielli” të Amerikës, diskutohet për “Hamletin”, përkthyer nga Noli dhe botuar në Bruksel më 1926, me ndihmë financiare të shokëve të Amerikës të cilëve edhe u dedikohet ky përkthim.

    Një vit më vonë, përkatësisht në tetor të 1927, në Arlignton Theatre të Bostonit, u luajt nga The Shakespeare American Association tragjedia “Hamleti”. Ndër të pranishmit që e ndoqën ishte edhe Hito E. Sadiku, i cili shkroi një recesion për të në “Dielli” (7 tetor, 1927) ku flet për lojën aktoriale si dhe, diçka të shkurtër mbi pritjen e “Hamletit”, bashkë me kritikat e George Bernard Showt dhe Tolstoit. Ndërsa në pjesën e dytë të shkrimit, ndalet te përkthimi i realizuar prej Nolit:

    Kam dëshiruar dhe tani e solli rasti të them dy fjalë për “Hamletin” e shqipëruar. Ata që dinë gjuhën inglisht munt t’a kuptojnë se sa lehtë është përkthimi i një vepre t’atillë. Fan Noli na e paska gjetur fare të lehtë për ta shqipëruar, dhe ashtu bëri; po ata që e kanë kënduar atë përkthim kanë parë se ç’vepër u ka dhënë Fan Noli “shokëve tij t’Amerikës”.

    Më pas, vendos një pjesë nga akti III, skena I në anglisht dhe përkthimin e realizuar prej Nolit, emërtuar sise përkthimi që na ka bërë Fan Noli në mullirin e përkthimeve, ose “me industrinë” e tij letrare.

    Duke lënë të kuptohet se teksti në shqip ndryshon nga ai në anglisht, Sadiku e mbyll shkrimin me:

    Besoj që nuk duhet koment. Në qoftë se duhet, duhet të zgjatemi tepër, po s’kemi as kohë, as vend.

    Por përgjigjja nuk vonon. Një javë më pas, po në “Dielli” (14 tetor, 1927), Ismail Mevlani shkruan:

    I dashur Zoti Editor,

    Në gazetën Dielli këndova artikullin me titullin “Hamleti” të shkrojutr prej Z.t Hito Sadik. Ky mjeshtër i ri i letrave kritikon Nolin për përkthimin e Hamletit nga inglishtja në shqipe. Nuk dua të merem me njerëzit e rinj të letrave se ata atë punë kanë dhe munt që të dinë më tepër nga neve që punojmë për të bërë rojtken, po dua të them pak fjalë për përkthenjësin e veprës me famë të Shakspear-it Hamletin në gjuhën tonë.

    Jam një miku më i ngushtë i librave shqipe. Dhe meqë jam një shoku i pandarë i librave shqipe kam kuptuar se me të këndshme dhe më të vlershme janë librat e Nolit që ka përkthyer nga gjuha e huaj. Me fakte përpara syve unë Nolin e quanj si njerinë më të zotin në përkthimin dhe mjeshtërin më të mbaruar që ka kombi ynë sot në sheshin e letraturës.

    Fan Nolin e kemi një kundërshtar në sheshin e politikës, po nuk do të jetë kurrë kundërshtari ynë në sheshin e letrave. Këtë Z. Hitko Sadik nuk e kupton, si duket.

    […]

    Zoti Hito Sadik e paska kuptuar që është një punë shumë e rëndë të përkthesh një vepër kllasike nga një gjuhë e huaj. Ahere pse nuk rri urtë po kritikon ata që mundohen diç të bëjnë? Keq më vjen për Zotin Sadik që përpiqet të barabitë vehten e tij me Nolin, që Noli i ka mësuar abecenë Z.t Sadik, po ay që ka thënë se “Gjismë dija është më keq se marrëzia” nuk ka gënjyer. […] Nuk di po në e ndjen vehten më të zotin nga Noli, Z. Sadik ahere le të marrë mundimin të na japë ndonjë vepër të përktyer nga inglishtja. Po të mos harrojë, jo nga Përrallat e Oscar Wilde-it, por ndonjë vepër nga shkrimet e Shakspear-it, Victor Hugosë ose të ndonjë tjatri shkrimtari të fortë që janë vepra kllasike….

    Hito Sadiku përgjigjet menjëherë. Në numrin e radhës të “Dielli” (18 tetor, 1927) në një letër të hapur për Mevalnin, shkruan mes të tjerash:

    …Që përpiqi të m’a mohoni të drejtën e kritikës se nuk kam bërë përkthime si të Fan Nolit, nuk kini aspak të drejtë. Në është se ju kujtoni që kritikët duhet të jene dhe vetë autor, aherë dijeni për gjë të shigurtë se nukë paski as hiç haber se ç’është kritisisma e vërtetë. […] Hamleti i Shakespear-it s’përkthehet aqë lehtë; nuk munt të shqipërohet në vjershërim në gjuhen t’onë të tanishme, siç ka dashur t’a bëjë Fan Noli. Në prozë, mbase, nga ndonjë student i ditur.  […]

    Kam arësye që flas kështu; mos kujtoni se dua t’i heth gurë një njeriu që rri në punë të tij. As kurrë. Zotëria juaj, Zoti Mevlani, s’duhet të harroni që dimë dhe ne të këndojmë parathënie librash. Po prapë, në qoftë se kini kuptuar më mirë nga introduktet e Fan Nolit, bënani haber, se jo vetëm unë po dhe disa tjerë janë bërë merak nga që s’i kuptojnë dot gjuhën.

    […]

    Më duket se u zgjata shumë dhe prandaj duhet që ta pres shkurtër. Ju thoni: “Me fakte përpara syve unë Nolin e quanj njerinë më të zotin dhe mjeshtërin më të mbaruar që ka kombi ynë sot në sheshin e letraturës.” Edhe unë do të mbaroj duke nxierë në shesh ca nga këto fakte që juve mbase keni përpara syve:

    Hamleti:

    Faqe 31: U –sul, u-shtri në shtrat, n’incest pa turp!

    Faqe 49: Po, ajo shtazë incestare Dhe adultare

    Faqe 51: Të djalëris’ e t’obseravtës sime.

    Ç’janë këto – “xhevaire” të Fan Nolit? Kësisoj përkthimesh bën “mjeshtri më i mbaruar dhe më i zoti që ka kombi ynë sot në sheshin e letraturës’ – Janë fakte që themi apo janë gënjeshtra?

    Tanimë përfshihet dikush tjetër në këtë debat. Ai është Asllan Dragoti i cili i del në mbrojtje Mevlanit. Në “Dielli” (28 tetor, 1927), shkruan:

    Po këndojmë me vërejtje një bisedim që është hapur në “Dielli” midis ZZ.ve Smail Mevlau dhe Hito Sadik mbi shkrimet e Fan Nolit. Zoti Hito Sadik i quan shkrimet dhe përkthimev e Fan Nolit “zero” dhe Zoti Mevlan i quan ato më të mirat shkrime dhe përkthime që ka parë gjer më sot në gjuhën shqipe. Si Zotin Sadik, ashtu edhe Zotin Mevlan i njohim si patriotë të mirë dhe si shokë të dashur dhe s’kemi as pakë dyshim në kthjelltësia e tyre.

    Zoti Hito Sadik i ardhur ketu në Amerikë nga Shqipëria posi njeri që nuk dinte nga ç’ anë e hapesh A. B. C.-ja. Duke punuar rëndë nëpër fabrikat, ku bënte rojtjen e tija, mundi nga gazeta “Diell”i, nga “Dielli” i Fan Nolit, Chekrezit, Omarit, Loni Kristos, Andon Frashërit të mësojë shqipen, dhe duke vazhduar se vajturi në shkollat e natës të vendit dhe në disa vende private mundi të mësoje inglishten aqë sa zuri të na japë ca shkrime dhe përkthime në “Dielli” për të cilat i shtrëngojmë dorën. Dhe unë për veten time e kam mbrojtur, e kam lëvduar kudo dhe më kë kam biseduar, po Zoti Hito Sadik nuk qëndroj atje dhe të vazhdonte të bënte atë punë. Po dita me ditë zuri të rritet; mori pendën në dorë dhe gërvishti një nga një shkrimet e studentëve tanë këtu, studentë universitetesh dhe jo fabrika pambukësh, dhe si i nuk dolli njeri që t’j’ a presë hovin tani rrëmbeu shkopin dhe u derdhet me radhë gjithë shkrimtarëve shqipëtarë: Kristo Floqit, Kostë Chekrezit, Loni Kristos, Mehdi Frashërit dhe proçka e proçkave që bën i derdhet këtë radhë edhe Fan Nolit. […]

    Të bashkuar plotësisht në ide të Zotit Mevlani, i lutem Zotit Aqile Tasi, Kryetarit të vyer të Vatrës dhe Redaktorit të Diellit që t’u mbyllë derën një herë e mirë për marrëzira të tilla pseudo-studentëve dhe i thomi me gjithë kthjelltësinë e zemrës Zotit Tasi se duke i dhënë liri Hito Sadikut të goditë shkrimtarët shqiptarë, dhe veçanërisht shkrimet e përkthimet e Fan Nolit dhe nesër Zoti mos e dhëntë të Faik Konitzës, dhe kur gjithë këto proçka ngjasin në shtyllat e vyera të “Diellit”, “Dielli” bëhet palaço dhe Zoti Tasi humbet një nga një shokët dhe miqtë e tija…

    Mandej është Sotir Katundi ai që në numrin e radhës (18 tetor, 1927) i del përzot Sadikut dhe kërkon lirinë për gjithkënd të japë mendimin e vet:

    Zoti Editor,

    Në një nga numërat të gazetës “Dielli” këndova që Zoti Ismail Mevlani këshillon Zotin Hito Sadik dhe i thotë që të mos bënjë kritika kundër përkthimeve të Fan Nolit, se, pas mendjes së zotërisë tij, Hitoja na qenka çilimi. Në do të thotë Zoti Mevlani se Hitoja është çilimi nga mosha dhe nuk është e drejtë që të bënjë kritika, neve që e kemi njohur Hiton së afërmi i themi Zotit Mevlani që ay do të ketë parë ëndërra dhe nukë di se ç’ flet. Në do të thotë se Hitoja është i ri nga mësimet dhe nukë ka haber nga kritikat, ne i themi Zotit Mevlani që Hitoja është aqë plak dhe aqë mjeshter i mbaruar në kritikat sa përpara Ismailit ay i perqaset Arthur Brisbane-it.

    Zoti Mevlani për hirin të tij dhe të çështjes do të bënte shumë mirë që të mos e shtihte me ment se si bëhen kritikat, po të vinte dhe ay vetë të mësonte atje ku ka mësuar Hitoja.

    Zoti Hito E. Sadik si fisnik dhe i përparuar që është, kritikën kundra përkthimeve të Nolit e bëri në vent dhe korrekt, dhe kështu si të gjithë kritikanët e mençur, Hitoja na shtroj përpara fakte të gjalla dhe na i la t’ i matim, t’i peshojmë, dhe t’i gjykojmë. Kurse Zoti Mevlani na servir ca budallallëke që i përqasin një njeriu të nxehur nga padija.

    Le t’a dijë nga mua Zoti Mevlani se nuk do të shkojë shumë kohë kur Hitoja do të jetë në pozitë që të shkruanjë dhe të përkthenjë libra shqip aqë të bukura sa fëmija jonë do të jenë të gëzuar t’i këndojnë.

    Sa për Fan Nolin që gjoja i digjet zemra Zotit Mevlani, na duket se Ismaili bie prapë në grackë, se një Nacionalisti, dhe veçanerisht një Vatrani të vërtetë, për Nolin duhet të mos i ketë mbetur as një majë gjelpëre simpathie –së. Noli sot për sot jo vetëm nga Shqipëtarët miq dhe armiq të tij (me perjashtimin e ca majmunëve këtu në Amerikë) po dhe nga tërë bota Noli njihet si një avanturier aqë shumë i djallëzuar sa Perëndia na ruajtit.

    Pas heshtjes së shkurtër, Hito Sadiku bëhet sërish pjesë e debatit, tanimë më tepër në funksion të qartësimit të asaj pse ky debat filloi dhe ku do të dalë me të:

    Kur hapa bisedimin përmi shqipërimin e Hamletit e bëra me gjithë ment i shtyrë nga kjo arësye: Që munt të hapej nonjë bisedim seriós në mes të këndonjësve të Diellit:-të atyre që këndojnë libra, që meren me letraturë. Fundi i fjalës, një bisedim për të gjithë këndónjësit e Diellit, po nga ca njerës që marin vesh se ç’ domethene kritike letrare, dhe kuptojnë mirë dhe likësht. Po, për fat të keq, bisedimi mori një udhë fare të shtrembër, dhe u-karakterizua një çështje krejt personale dhe e trazuar. Mbasé gjithe ky mos kuptim vjen nga që s’ kemi kuptuar edhe se ç’ do methënë kritikë letrare. Ketú meret vesh se nuke kemi hiç habér per gjera qe lidhen me letraturë. […]

    Unë thashë, dhe them, që Hamleti nuk është përkthyer mirë, s’ është përkthyer ashtu siç duhet. Zotëria e tyre flasin për libra të Fan Nolit, dhe mprojnë themën që janë të mira, dhe, fundi i fjalës, në qofshin të liga, prapë mirë. Fan Noli s’ duhet të kritikohet. Mirë. Po ku e kanë gjetur këtë të drejtë? Pastaj, Zoti Asllan Dragoti, si njeri i arrirë që është, e quan si detyreë të tij që të shtierë pakëz dritë permi jetën time të shkuar. Bën të njohur që unë s’ kam dipllomë universiteti, prandaj njerëzia duhet të kenë mendjen se mos unë prokllamohem mbret i letraturës shqipe.’ Gjépura. Këtú mar lirinë të shtoj dy fjalë në biografine t’ ime që shkrojti Zoti Dragoti, i cili nuk i di, mbase. Kam lindur nga baba dhe nënë të cilët me folë shqip, dhe jam ritur duke folur shqip. Pastaj, në kohën e mësimit, erdha në Amerikë. Pata fatin e mirë të isha i prëgatitur kurse Zoti Faik Konitza ish Kryetar i ‘Vatrës’ dhe Drejtor i Diellit për disa vjet me radhë. Kështú, pra, them me lavdi që shkollës së Faik Konitzës -asáj shkolle nga e cila ka marë mësime dhe Fan Noli vetë-i jam mirënjohës për jete. Kaqë. S’kam më fjalë me Zotin Asllan Dragoti. Thema e këtij bisedimi është-t’ a them dhe një herë– shqipërimi i Hamletit.

    Tanimë është një i katërt që bëhet pjesë e bisedës, ndonëse jo lidhur drejtpërdrejtë më çështjen e përkthimit. F. I. Babameto në “Dielli” (4 nëntor, 1927) i kthen një përgjigje Asllan Dragotit dhe idesë së tij për mbylljen e dyerve të “Dielli” njerëzive si Hito Sadiku:

    Bukuria me neve Shqiptarët është që në vend të përparojmë dhe t’ecejm me çape gjigande, në çështje letrash qoftë ose në tjatër-, ecim së-prapthi, si karavidhia. Zoti Dragoti që s’ ka zotësinë të pronuncojë dhe të shkruajë drejt emrin e tij që është Arsllan dhe jo Asllan-dhe të Zotit Mevlan që është Ismail dhe jo Smail kujton që kritikat e Zotit Sadik janë proçka, dhe “Dielli” bëhet palaço me këto kritika, dhe nuk kujton proçkat mbi proçka që ka bërë vetë ne çdo rast tek “Dielli” […]. Zoti Dragoti dëshiron-dhe me insistencë të madhe të mbyllen shtyllat e “Diellit” për ata q’ay s’dësheron të shkruajnë dhe të jenë të hapura për xhevahiret e Zotrisë tij, sikur “Dielli” është mall’ i tij-dhe, s’ do të kuptojë që një student i letrave munt t’i gjejë shumë gabime një ustaji të letraturës.

    Shefqet Bença, në numrin e radhës të “Dielli” (8 nëntor, 1927) boton një artikull bukur të gjatë, jo veç si përgjigje ndaj Ismail Mevlanit, por bashkë me arguemente në mbrojtje të tezës së shkruar nga Sadiku.

    …Tani me që ky artikull është shkrojtur përmi zotësin e Fan Nolit si njeri letrash, le t’a hedhim bisedimin në palcën e vërtetë të çështjes. Fan Noli kish dëgjuar se shumica e kryeveprave që ka bota sot janë shkruar kurse shkrimtarët kanë qenë në “exile”. Dhe me që dhe këtë e dënoj fati që të jetë në “exile”, dhe si njeri letrash mjaft i math, vendosi që t’u jepte bashkëkombasve të tij disa kryevepera prej ajkës së literaurës së botës. Po me që nuk e dinte se sa kohë do të rinte jashtë, vendosi që të pesë përkthimet t’i bënte në një kohë shumë të shkurtër, në një mot. Për njerëzit që kuptojnë se sa të rënda janë letrat, përkthimi i të pesë librave ish fare i pamaundur, po për Fan Nolin vetë, një punë shum’ e lehtë. Në një kohë të shkurtër, Fan Noli, me pakë mundime, mundi që t’a masakronte dramën më me rëndësi të letraturës së botës dhe kryeveprën me famë të William Shakespeare-it, Hamletin. Shqipërimi i Hamletit është aqë i vobektë sa po të mos ish shkrojtur emëri i dramës korrekt, njerëzit që meren me dramatistin e dëgjuar ingliz, nukë do ta kuptonin dot. Përmi këtë pikë Z. Hito E. Sadik bëri një kritikë miaft të matur, tepër të logjikeshme, dhe fare me vent. Dhe ka përkrahës gjith’ ata që interesohen me gjithë zemër në çështjen letrare dhe nuk u a ka zënë sytë nonjë cergë e hollë. Zoti Ismail Mevlani, nga ana tjatër, me që i pëlqen të jetë në opozitë, përpiqet që të mprojë të pamundurën: insiston me kryengjeshje se shqipërimi i “Hamletit” të Fan Nolit është shumë i shkëlqyer. Mbase për Zotin Mevlan ashtu është me të vërtetë, po faktet flasin më tepër se sa mprojtja që bën zotëria e tij. Z. Hito Sadiku bisedoj me rëndësi një çështje letrare shumë të rëndë, se Fan Nolin, shumica e Shqipëtarëve e kujtojnë për njeri të math; Z. Ismail Mevlani e bisedon me një mënyre të palidhur hiç, me shkel e shko; dhe e këqyr si nonjë çështje kafeneje të pa rëndesi fare.

    […]

    Që Noli nukë ka bërë gjësendi hiç fare, nukë duhet që të bisedohet; gjithë njerëzit që kuptojnë inglisht mirë e kuptojnë këtë gabim. Faktet, Zoti Mevlan, flasin kurdoherë më tepër se fjalët e njerëzve; dhe këtu Noli dënohet prej fakteve. Gjithë përkthimet që Noli ka bërë tani janë zero për njerëzit që kuptojnë: të verbrit le t’i quajnë kryevepra.

    Më pas, në “Dielli” (11 nëntor, 1927) vjen përgjigjja e Dragotit, personale me akuzën e Babametos dhe në mbrojtje të qendrimit shprehur më heret. Në asnje pjesë të asaj përgjigjeje nuk gjendet ndonjë gjë lidhur me përkthimin e “Hamletit”, prandaj, për sa kohë çështja që ky shkrim trajton është pikërisht ajo, nga ai artikull nuk ka një pjesë që vlen të vendoset.

    Të gjithëve që i dalin kundër, në numrin e radhës (15 nëntor, 1927) i përgjigjet Mevlani. Sërish, nuk ka asgjë të re për përkthimin e realizuar nga Noli, vetëm përsëritje dhe akuza, kryesisht në rafsh personal.

    I bindur se ky diskutim nuk po merr fund (tanimë, përgjatë dy muajve janë shkëmbyer nëntë shkrime me përsiatje rreth kësaj çështjeje), Hito Sadiku në “Dielli” (18 nëntor, 1927) shkruan Fjalën e fundit për këtë çështje:

    …Sido në qoftë, mua më duket më interesante që përmi këtë çështje të dinim mendimin e një njeriu si Profesori Jobson. Zoti Jobson, si një profesor i inglishtes dhe një student i gjuhës s’onë, është në shkallë të flasë me tepër autoritet.

    Unë, nga ana ime, do të marr guximin t’i dërgoj Profesorit Jobson një kopje nga Hamleti.

    Duket sikur tanimë bie qetësia. Për herë të parë, që nga 7 tetori kur zë fill ky diskutim, dalin disa numra radhazi pa asnjë shkrim lidhur me çështjen e sjelljes në shqip të “Hamletit” nga Fan Noli, ndonëse Babameto sërish shkruan kundër Dragotit në numrin përkujtimor të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë dhe në numrin e radhës, atë të datës 3 dhjetor, 1927, kundër Ismail Mevlanit.

    Shefqet Bença boton sërish në “Dielli” (6 dhjetor, 1927), si përgjigje ndaj akuzave të Mevlanit. Nuk po ndalemi në sulmin personal lidhur me të, pasi nuk kam thënë as çfarë shkruan Mevlani për të, por në çështjen e gjykimit të përkthimit:

    …Si një njeri i cili meret me letraturë dhe e harxhon të shumen e kohës së tij duke kënduar kryevepera klasike, jo për të zbavitur dhe shkuar kohën si bëjnë disa të tjerë, po me qëllim shvillonjës, mora pjesë në bisedimin e librave të Fan Nolit. Me artikullin që shkrojta, çfaqa mendimin tim të bazuar mi arësye përmi shqipërimin e vobektë të Hamletit dhe përkthesave të tjera letrare që Fan Noli bëri në një mot e sipër. […]

    Në artikullin e parë thashë, dhe thom përsëri tani, se ay, Noli, si një njeri i cili e ka mësuar gjuhën tonë kurse ish tetëmbedhjet vjetsh nukë munt dot kurrën e kurrës që të bëjë përkthime me rëndesi. Pastaj, një njeri i cili nukë di rrënjët e fjalëve shqipe, si munt që të jetë në pozitë dhe ti përdorë ato në vendin e duhur? Dhe si provë që Noli nuk e di shqipen, japim gjithë përkthimet e tij që kurse ka hyrë në sheshin e letrave. Njerëzit që këndojnë shqip mirë dhe kuptojnë inglisht aqë sa të zbulojnë gabimet e trasha të Nolit, le t’i barabitin përkthimet e Fan Nolit me origjinalet, dhe aherë do të sigurohen se sa themi ne janë në vent. Të pesë librat që mori përsiper të bënte njeriu që ka vetëm shpejtesi gurmazi nuk i përkthen me qellim për të stervitur Shqipetarët, siç duan të thone disa njerës të verbër, po për të bërë rojtjen mi kurrizin e tyre. Ay vetë e dinte fare mirë se të pese kryeveprat nuk munt qe t’i shqipëronte dot në kohën që caktoj, po ky ish i vetëmi mjet për të bërë rojtjen disa kohëve. Mendimi i Nolit është ky: kurse të vérberit nukë, shohin, pse të mos i gënjesh; të shurdhërit nukë dëgjojne ata që flasin kundër tij: turma përgjithësisht beson se ay është një njeri letrash i vërtetë dhe e duartrokit duke qeshur. Jam i mendjes, dhe besoj se pakë njerës do të më kundërshtojnë, që pesë kryeveprat klasike janë një gjë fare e pamundur që të përkthen në një mot e sipër. Të netshiturit le të vazhdojnë së besuari që janë miaft të lehta. Është një turp shumë i math që një njeri fjalësh si Noli të paraqitet përpara posteritetit si një mendonjës i thellë, dhe të lartësohet prej disa të verbërve në shkallen e një shkrimtari të math dhe një heroji të vërtetë. […]

    Tanimë pas dy numrash, në “Dielli” (13 dhjetor, 1927) Asllan Dragoti përgjigjet sërish, por pa u ndaluar fare në përkthimet e Nolit.

    Duket sikur rendi i çështjes ndryshon dhe polemika nga parimore për letërsinë kthehet në parimore për lirinë e shprehjes. Pjesëmarrësit në të, si për shembull H. Emin Zise, tani në “Dielli” (16 dhjetor, 1927) flasin për rëndësinë e saj, si dhe shkruajnë se diskutimi duhet të vijojë, ashtu i paanshëm nga redaksia, sikurse deri tani ka qenë.

    Sërish në “Dielli” (20 dhjetor, 1927) shfaqet Ismail Mevlani që, sikundër kohët e fundit, u përgjigjet personalisht atyre që dalin kundër ideve të tij. Po ky shkrim vijon edhe në numrin e radhës (23 dhjetor, 1927).

    Më vitin e ri, debati nuk mbyllet. Në “Dielli” (6 janar, 1928), Sotir Katundi shkruan:

    Jo shumë kohë të shkuar kur bisedimi i Hamletit të Fan Nolit’ qe bisedimi i ditës, pa dashur gjeta në një zyrë një tok Vatranë intellektualë ku po fjaloseshim për Hamletin e Nolit. Në pakë kohë që qëndrova atje vura re se të gjithë qenë të idesë që qëllimi i Nolit në përkthimet e tij të fundit nukë qe aspak që t’i shërbente letraturës s’ onë, po që dreq-për-dreq që si dhe me ç’ mënyre t’u rëmbente ca dollarë më tepër ca gjysmakëve si Ismail Mevlani.

    Dhelpera plakë, Noli ynë, e dinte fort mirë që koha nuk kish harrirë që të përktheheshin vepra klasike, mirë po qe nevojë e madhe për një bluf dhe bluf teknik; se rasti qe shumë i mirë që t’i bëhej halli për ca mijë dollarë. Dhe kështu dordoleci i njohur nuk humbi kohë dhe na dolli me reklamat e tij bombastike: Vepra klasike! klasike! Shakespeare-ane! Shakespeare-ane!

    Ata po ata që i paguan ato libra do-e-mos se i muar; po  ata që i kënduan dhe i kuptuan se ç’ libra janë, ata janë të pakë.

    […]

    Neve si në kohët e para dhe tani më së fundi kudo që kemi gjetur rastin kemi pyetur shumë Shqipëtarë, dhe veçanërisht nga miqt’ e Nolit, që në i kanë kënduar dhe ç’ kanë kupëtuar nga përkthimet e fundit të Nolit. Një nga ata (S. I.) që pyetëm na tha që me të vërtetë ato libra s’kupëtohen mirë se ç’thonë, po le t’i përkthejë ay juaji më mirë. Tjatri që pyetmë (S. K.) na tha, ç’i do këto librat e Fan Nolit kur s’ kupëton dot se ç’ duan të thonë! Një tjatër tha, e ç’ t’i dua unë këto libra kur unë s’ i kupëtoj dot se ç’ bëjnë dhe se ç thonë, pa kur të vdes unë dhe në u-kupëtofshin, mua s’ më hyn gjë në qese!

    Një numër më pas të “Dielli” (10 janar, 1928) Shefaqet Bença jep një ide të re:

    Tani bisedimin për Hamletin duhet që ta paraqesim shkurtër se i lothme gjithë shqiptarët. Jam gati që të vë një bast me juve përmi Hamletin prej një qint dollarësh me këto kondita: Të zgjedhim një komision prej tre vetash që t’a kqyrin se a ka përkthyer mirë kryeveprën e Shakespeare-it Noli ose jo; dhe në qoftë se fitoni juve kini një rast shumë të mirë që këto të holla t’ja dhuroni shkollës letrare të Nolit si shenjë mirënjohjeje për veprat që u ka dhënë.

    Shkrimi vijon edhe në numrin tjetër të “Diellit” (13 janar, 1928), tanimë si sulm i Bençës për mënyrën se si Mevlani e shkruan dhe e përdor gjuhën shqipe.

    E gjithë kjo merr fund në Diellin e datës 24 janar, 1928 ku Ismail Mevlani, sërish i përgjigjet gjithë kritikëve të tij, jo për përkthimin e realizuar nga Noli, por për akuzat që ngrihen mbi të. Atij askush nuk i përgjigjet më dhe ky debat mbyllet.

    Faksimil nga Fletorja Zyrtare, 1926 ku tregohet vendimi i dënimit me vdekje (në mungesë) të Fan Nolit

    ***

    Fan Noli nuk merr pjesë asnjëherë në këtë diskutim e bashkë me të, as mbështetësit e tij të njohur. Kjo më shtyn të shtroj dy hipoteza, që ndërthuren njëra me tjetrën. E para, në vitin 1926, pra kur u botua “Hamleti”, u dha vendimi me vdekje për të në mungesë, vendim që vitin e ardhshëm do të kthehet në dënim me pesëmbëdhjetë vjet burg. Prandaj ai, në emigrim, udhëtonte sa në një vend, në tjetrin, pasi akoma nuk ishte vendosur përfundimisht në Amerikë. Dhe së dyti, marrëdhënia e tij me shqiptarët e “Vatrës” ishte vërtetë shumë e paqëndrueshme, ndaj edhe mundësia e botimit të një përgjigjeje në “Dielli”, organ shtypi i “Vatrës” ishte thuajse i pamundur.

    Ndonëse Revolucioni i Qershorit ishte mbajtur në 1924, në 1927 shohim se tentativa për një tjetër revolucion të ngjashëm nuk mungojnë. Ai kudo në Evropë mblidhte gazetarë dhe thoshte se nën rregjimin e Ahmet Zogut ishte e pamundur të jetohej (“Dielli”, 19 prill, 1927).

    Besoj se debati mbi përkthimin është gjithmonë i vlefshëm e në të njëjtën kohë, diskutimi mbi gjuhën shqipe e cila, sikurse çdo gjuhë, ashtu si thotë atë Justin Rrota, “shkon tue bamë ato ndryshimet e veta”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË