More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Arti i narrativës në romanin “Pushka e Trathtarit” (1914)

    Andreas Dushi: Arti i narrativës në romanin “Pushka e Trathtarit” (1914)

    Një ndër ndodhitë më fatlume të këtij fillimviti ishte marrja në dorë e romanit “Pushka e Tradhtarit” të Zef M. Harapit, botuar në Shkodër më 1914, si pjesë e kolanës “Vepra Pijore” e shtypshkronjës së Zojës së Papërlyeme. Është e panevojshme, besoj, të sqarohet se në këtë rast, ashtu sikurse përgjatë gjithë asaj periudhe, termi shtypshkronjë i referohet në fakt një enti botues dhe ky në fjalë është më i hershmi në Shqipëri.

    Zef Harapi, i lindur më 1891 në Shkodër, i cili ndërroi jetë më 1946, i paraqiti lexuesit shqiptar këtë roman kur ishte 33 vjeç. Ishte kohë kur gjinia e romanit në gjuhën shqipe ishte tejet e brishtë, prandaj, sapo lexova faqet e para, u godita prej një vetëdijeje shumë të lartë narrative që autori tregonte. Mospërputhja e rendit të historisë me atë të rrëfimit bën që mbase në këtë tekst të gjendet analepsa e parë në historinë e prozës shqipe. Me vajtimin e Lules ndër varreza për Lekën, birin e saj, zë fill teksti, ndërsa historia në vetvete gjenezën e ka te vrasja e tij, çka rrëfehet një kapitull më mbrapa. Mandej rrëfimi gërsheton dy histori paralele, atë të Lules që shkon në qytet dhe perpecitë e saj trajtohen ndër disa kapituj që mbyllen me kthimin e saj sërish në fshat dhe pikërisht atëherë, rikthehemi prap te koha e largimit të saj për në qytet, por këtë herë, për të shoqëruar të bijën, Prendën, në peripecitë që kalon e mbetur vetëm në fshat. Historitë e të dyjave këtu njësohen dhe i bashkangjiten ritmit të rrëfimit e kështu vazhdon deri në mbarim të romanit.

    Dendësia e ngjarjeve dhe e personazheve është mahnitëse, ashtu sikurse edhe përshkrimi i tyre, me një frazeologji të jashtëzakonshme që, përtej shtresës estetike mbart edhe atë antropologjike për mënyrën se si jetonin, komunikonin apo në çfarë besonin e nuk besonin njerëzit në atë kohë. Të gjitha këto, bashkë me përfshirjen në tekst të pasazheve historike mbi madhështinë e atyre trojeve një herë e një kohë i japin romanit natyrën e një vepre të rilindjes së vonë shqiptare, me tipare të forta ama të romantizmit dhe të realizmit.

    Në këtë shkrim, do të vështrojmë pak më gjatë pikërisht kompozicionin si dhe frazeologjinë.

    Kompozicioni

    Sikundër e thashë pak më lart, bashkërendimi i linjave të rrëfimit është krejt i veçantë për kohën dhe kontekstin. Ndarja e romanit në dyzet nye i jep autorit mundësinë ta ruaj, ashtu sikurse i duket e përshtatshme, secilën qasje narrative, pa e ndërlikuar leximin, proces i cili, duhet mbajtur parasysh se në kohën kur flasim jo vetëm nuk ishte kaq masiv, por përkundrazi: kufizohej në një leksik të vogël që njihej prej asaj mase edhe më të vogël joanalfabetësh.

    Ngjarjet vendosen në Vilajetin e dikurshëm të Shkodrës, nga Tivari në veri, deri në Shkodër si skaji më lindor. Përfshijnë Tivarin e Shkodrën, Shasin, Shllakun, Mazrrekun, Drishtin, Komanin etj.

    Personazhet e shumtë sillen rreth dy kryesoreve, Lules dhe së bijës, Prendës. Djali i Lules, Leka, vendosë me buejt te një shtëpi malazezësh, por ata e vënë në lojë, andaj ai detyrohet me shtie mbi derë t’tyne. Kështu fillon një rrjet i pafundmë gjakmarrjesh i cili merr përpara shumë e shumë njerëz, nga Leka, deri te bamirësit e familjarëve të tij, sigurisht, pa kursyer as nga ana e gjaksit.

    Lules, pasi i vrasin Leken, i mbetet edhe një djalë, Marashi të cilin ia grabisin. Me shpresën se do ta gjente disi, ulet nga Shasi në Shkodër që të takojë një prift, Dom Palin e Shkodrës. Rrugës ama, gënjehet prej një bashkështegtari dhe kthen nga një hoxhë, haxhi Ramadani.

    Është shumë interesante se si, bashkështegtari që i tregon për hoxhen, kur i përshkruan këtë të fundit, përdor një numër të madh huazimesh turke, krejt të panatyrshme në tekst, që autori i vendos me kursive: «Me e diit tî kush âsht haxhi Ramadani, bir taman t’ falisë mendja! Kaa shkue dyy herë a trii n’ Qaabe; kaa çue me e thirrë vetë Stamolla, e s’e kaa bâa kabuull me vojtë atjè, por don me ndêjë n’vatan t’ vet, do me kênë vatanlii per me bâa mirë e me bâa sevaap. » (fq.28)

    Një e tillë qasje mjeshtërore ndaj gjuhës, ajo çka padër Justin Rrota nënkuptonte kur thoshte “Njeriu mundet me e dredhë giuhen nga dialekti në giuhen e shkrimit”, na tregon se autori, bashkë me vetëdijen narrative ka edhe një vetëdije gjuhësore krejt të veçantë në diakroninë e saj.

    Duke qendruar sërish te ky pasazh i romanit, te takimi i Lules me Haxhinë kemi të bëjmë, mbase, me shpërfaqjen e parë të ironisë në romanin shqiptar, diçka që më vonë do ta shohim edhe te dialogu i mjekut me bashkësortin e pacientes së tij te “Doktor Gjilpëra” e Konicës.

    Lula, kur ishte nisur nga Shasi, kishte marrë me vete një gjel që t’ia dhuronte priftit, por kur hoxha e sheh, i thotë:

    “«Qe, moj moter; tha ne e mramë haxhia, djali s›kaa me t› kthye deri saa t› dalin doret njiky gjel e me ardhë aj n›kamë t›ktii; une po t› nap nji ket pée, e tek t’vîin djali tu shpia kee me ja lidhë per fyt trii net rresht; e t’a diish se t’a kan zatetë gjiniit e s’ doon me t’a lshue…. E po tash gjelin? »

    «Nevojen t›ême t›a diftoj Hajdari, zotnii, e ket gjel e kam prûu mé e shitë per bukë” pergjegji Lula.

    «A mâa fort rrî dyy trii net paa bukë e me t›kthye djali, a por…

    «As paa bukë s› rrihet, haxhi» Ja priti Lula tuj i raa n› fjalë. E haxhia:

    «Une jam tuj thânë me m›a falë mue gjelin, e tash po t› shkruej edhe nji hajmalii; me e tretë a â punë qi bâhet? estak furullah!»

    «Nevojen t›ême… » E ju xûu fjala n› gojë Lulës prej vajit e shîni lott me rubë t› krees.

    «Kajd, hajd tî per mue; por Marashi, qi po thue, s›kaa me t› kthye» e diqyysh me idhnim u suell, e la n› kamë e shkoj.

    «Paç vedin n›çafë» i tha katundari Lulës tuj e shikjue per s› lerg haxhiin.” (fq.30)

    Zef M. Harapi me zonjën, Age Lula Harapi.
    Foto Marubi. Shkoder, 1938.
    (Foto e arkivit të S. Çapalikut)

    Raporti i së ndërgjegjshmes dhe së pavetëdijshmes që Eric Fromm trajton në esenë e tij “Natyra e Ëndrrave”[1], duket se pasqyrohet edhe në roman, ku Lula, pas një mbrëmjeje jo shumë të qetë, shtrihet dhe pasi u zë gjumi, sheh këtë ëndërr:

    “Raa e fjet: por ç’gjum t’zii bâni se ! ç’farë ândrrash pau! Ajo shifte Leken e shtrîim mjedis ť odës e vedin kahë ja bâte gjâmen, Marashin e vogel kahë ja vjedhshin do nierz t’paanjoftun e si u vête mrapa neper shtigje e shkrepa deri m’nji shéj vendit, kû dojshin me ja therë e me ja mytë…. Merrte me ngaa tu djali i vet, por nuk i punoshin kamët e mette.” (fq. 44)

    Këtij romani nuk mund t’i mungonte historia e një dashurie të pamundur, e cila përballet me vështirësi të shumta dhe, sapo ngjan sikur po realizohet, në fakt ndodh e kundërta: merr fund. Vata është djalë i familjes ku Prenda, e kërcënuar në mungesë të së ëmës, strehohet. Edhe si kushërinj të largët, mirëpritet në atë shtëpi për njëfarë kohe gjatë së cilës, fillon të krijojë një pëlqim për Vatën. Kohë më vonë, Vata e kërkon dhe e gjen e të dy i premtohen njëri-tjetrit, e ky premtim shkon drejt realizimit pasi Prenda martohet në Shllak dhe arratiset, një ditë, bashkë me Vatën që sërish, pasi e ka kërkuar për shumë kohë, e gjen. Dhe sa po arrijnë Tokën e Premtuar ku do të jetonin të lirë – Shkodrën në këtë rast – kapet prej familjarëve të të shoqit dhe kthehet në shtëpinë e tij, ndërsa Vata vritet.

    Pastaj, ajo pajtohet sërish me të shoqin dhe familjen e tij e pas shumë vitesh, e thirrur nga e ëma, pra Lula, që po jepte shpirt, të gjithë shkojnë ta shohin për të mbramen herë. Ajo e merr veten, e bija kthehet te shtëpia e saj dhe sapo Lula mbetet qyqe vetun prap, Marashi kthehet, e merr me vete e jetojnë të lumtur.

    Ngjarje të tilla madhore lidhen ndërmjet tyre falë të tjerave më pak të rëndësishme apo edhe të tjera, krejt jo të domosdoshme. Prandaj, romani është i kompozuar jo veçse në nye, por edhe në theksime, pra ngjarje që e ndryshojnë kushedi sa herë rrjedhën e romanit:

    1. Vrasja e Lekës. – 2. Grabitja e Marashit. – 3. Ikja e Lulës në Shkodër. – 4. Takimi me dom Palin e Shkodrës. – 5. Ngacmimi i Prendës nga gjaksi që e don për grua. – 6. Strehimi i Prendës te miqtë. – 7. Luftimi në shtëpinë e miqve mes gjaksit që do ta grabisë dhe atyre që duan ta mbrojnë. – 8. Ndihma nga Arqipeshkvi i Tivarit. – 9. Fejesa dhe martesa e Prendës. 10. Arratisja e Prendës me Vaten, kapja e saj dhe vrasja e tij. – 11. Kthimi i Marashit, ase Fundi i Lumtur.

    Romani pra ndërtohet i gjithi sipas raportit shkak-pasojë dhe pasoja, menjëherë ktheht në shkak për një pasojë të mëvonshme që mund të vijë edhe menjëherë mandej, ose do t’i duhet pak kohë ta tregojë vetveten. Ngjarja A pra mund të lidhet me ngjarjen B, B-ja me C-në e kështu me radhë, por ndodh edhe që A-ja të lidhet me C-në, B-ja me E-në, C-ja me D-në e sa e sa kombinime të tjera.

    Disa ngjarje marrin formë nëpërmjet kallximeve historike (rëndësia e Shasit, pesha e dikurshme e Komanit dhe e Drishtit, çfarë shkruhet në Illyricum Sacrum për trojet arbnore etj.,) e të tjera, nëpërmjet moralizimeve. Te ky rasti i fundit, moralizimi, duhet thënë se ndihet shumë qartë shqetësimi i Harapit të mos dukej sikur e përligjte arratisjen e Prendës me Vaten, prandaj ndalet dhe shpjegon pikëpamjen e vet mbi rastin:

    “Me gjith ket Prênda kaa m’u rrêjte; e kaa m’u rrëjtë sikuer do grâa tjera t’ona, qi, sidomos nder malciina, prej zakonit t’mrapshtë me i fejue e me i dhanun paa kqyrë aspak a jau do zêmra ket a njat shpii, ket a njat djal, tek e mramja çohen e ikin tuj marrë n’ qafë vedin e konakun e vet e shpiin e burrit t’paar. Fajin at herna e kaa po edhe gruja. Por shum herna e kan mâa s’ fortit njata qi e martojn tuj bâa n’asgjâa njat lirii t’arsyeshme qi kan djali e vajza me zgiedhë me urtii fatin, me t’ cillin, jo ata qi e napin, por vetë do t’rriin e do t’jetojn deri n’fiill t’mordes.” (fq. 164)

    Në një letër drejtuar Zef Harapit, shkruesi i saj i thotë O Manzoni shqiptar. Besoj se këtë mansonizëm, ai e vërente pikërisht/ edhe në kompozicionin e kësaj vepre.

    Frazeologjia

    Qysh në fillim, vajtimi i Lules te varri i të birit ofron një pasuri të jashtëzakonshme frazeologjike:

     [I Lumi] desht me t’falun n’hyll t’lig; desht me m’lânun kercun t’shkretë; shpiis s’onë ju vuu ferra n’derë… votra î a mîhë me shaat… zjarmi i â shkimë me ujë… nder nee â shkimë qiri i Shen Kollit… â bâa kulm e temel bashkë… (fq. 4-5)

    Natyra e kësaj frazeologjie, bashkë me thirrjen e të vdekurit, e pasurojnë teksti me një ndjesi të lehtë poetike, me atë fllad të poezisë epike që shprehet me një lirizëm krejt të veçantë, sikurse përgjithësisht është vajtimi.

    Për ta zbërthyer domethënien e shprehjeve, na vjen në ndihmë një botim i dalë sëfundmi, “Fjalë ári” i Aleksandër Sirdanit (Botime Françeskane, Shkodër, 2024). Përmbledhja e frazeologjisë popullore ndërmerret prej Sirdanit, tanimë i shpallur i Lum nga Kisha Katolike, si iniciativë jo vetëm për ruajtjen, por edhe dokumentimin e saj, prandaj herë pas here, punën e vet në këtë lamie, ai e boton edhe si libër më vete[2], edhe në revistat e kohës si “Hylli i Dritës” dhe “LEKA”. Ky botim e përmbledh gjithë këtë kontribut.

    Shprehja e parë e shkëputur nga vajtimi ka domethënien e lindjes në një mot të keq, pra djali ka lindur në kohë të keqe, ndërsa pjesa e dytë, të gjitha shprehjet përbërëse të saj, tregojnë se tani, me vdekjen e djalit, asaj shtëpie i janë shuar të gjitha arsyet pse të mund ta hapi derën.

    Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së jashtëzakonshme frazeologjike që thur tekstin dhe përdoret në të. Në vijim, do të tregojmë disa shembuj domethënës prej saj që gjenden në të gjithë romanin:

    Po i shti veshtë n’lesh. (fq.31); Ma mirë që i kjan shpërgajtë, se me i pas kjamun armët. (fq. 47), T’shikjoftë mordja me sy t’majtë. (fq. 60) Po na bân me ikë tym doset (fq. 75); Sa çon miza n’krah (fq. 85); Nuk m’ndrron me mish t’dashit. (gq. 85); Ka fjala del shpirti. (fq. 108)

     Është interesante se si, edhe pse në Kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet qartë se Gjaku s’bahet giobë (nye 128), prapëseprap në roman kërkohen qeset e gjakut (fq.123).

    Një pasuri e tillë etnografike në shprehitë e popullit të asaj kohe përdoret nga autori në përmbushje të misionit romantik që ai si shkrimtar, brenda periudhës së tij, i vë vetvetes. Rimarrja e materialeve prej kësaj gurre shpirtërore shihet, bashkë me faktet historiografike që përmendëm pak më sipër, si një shteg orientues nëpër të cilin arrihet te vetëdijësimi i kombit për një të shkuar aq të lavdishme, sa të ketë prodhuar jo vetëm qytetërime të lashta e ndodhí legjendare, por njëkohësisht një aftësi shprehjeje të shtresëzuar në disa rrafshe semantike që shqipja kishte ofruar në kohën kur e gjitha pati zënë fill.

    Bashkë me pak vepra të tjera, “Pushka e Trathtarit” qëndron më së miri në prozën romantike shqiptare dhe më shumë se njëqind vjet pas botimit të saj, thërret domosdoshmërinë e ripropozimit nëpërmjet ribotimit, ashtu sikurse të tjerë libra që padrejtësisht u lanë mënjanë gjatë komunizmit dhe vijojnë akoma të shoqërohen prej epitetit jo të vërtetë “letërsi minore”, duke shmangur qëllimisht vështrimin kuptimplotë të një vepre letrare: atë brenda kontekstit shoqëror, historik, gjuhësor dhe etno-antropologjik kur u shkruan dhe u botuan. 


    [1]  Shih. From, Eriç, “Natyra e Ëndrrave” në “Gjuha e harruar”, përkth. F. Dibra, shtëpia botuese “Fan Noli”, 2009, fq. 26-44.

    [2]  D. Aleksander Sirdani (përgat.), “Fjalë ári”, shtyp. “Zoja e Papërlyeme”, Shkodër 1928.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË