Përgatiti dhe përktheu Arben Dedja
Poetja trigjuhëshe Amelia Rosselli lindi në Paris më 1930 dhe vrau veten (u hodh nga dritarja) më 11 shkurt 1996 në Romë. Sylvia Plath, që bashkë me Emily Dickinson-in ishte poetja që Amelia deshi më shumë (të dyja i përktheu gjerësisht), kishte vrarë veten edhe ajo më 11 shkurt (1963). Amelia ishte vajza e një kuejkëre angleze dhe e Carlo Rosselli-it, hebre italian antifashist që, bashkë me të vëllain Nello, themeloi në Paris lëvizjen “Giustizia e Libertà”. Amelia fliste italisht me prindërit, anglisht me kujdestaret, teksa në shkollë përdorte frëngjishten. Por idili i jetës së saj u fik më 9 qershor 1937, kur vëllezërit Roselli u vranë pabesisht në një pritë të organizatës parafashiste franceze Cagoule (e financuar nga qeveria italiane). Gjyshja heroike Amelia Pincherle Moravia (halla e Alberto Moravia-s; poetja kishte, pra, emrin e të gjyshes) mblodhi rreth vetes dy nuset dhe shtatë jetimët e vegjël dhe mori atëbotë në dorë frenat e familjes. Ngaqë nuk ndiheshin të sigurt as në Francë, familja e zgjeruar emigroi sërish: Zvicër, Angli dhe, në fund, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas lufte Amelia Rosselli u kthye në Europë. Në Itali shkonte vetëm për pushime, ndërkohë që studionte në Londër kompozim dhe organo. Vetëm kur më 1949 i vdiq e ëma vendosi të jetojë në Itali, Romë. Filluan t’i shfaqen çrregullimet e para mendore (kujtonte se ishte Beethoven-i). I përcaktuan edhe diagnozën: “skizofreni paranoide”; John-i, vëllai i madh, u emërua tutor. Gjatë gjithë jetës iu desh të shtrohej vazhdimisht në psikiatri (në Kreuzlingen, Romë, Londër…) dhe t’i nënshtrohej terapive të ashpra të kohës: elektroshokut, shokut insulinik, terapisë së gjumit etj. Kushëriri i saj Alberto Moravia e prezantoi në botën e letrave, por salloneve të borgezisë romane Amelia ndihej keq. Jetoi ca kohë në Paris, ku studioi muzikën e Béla Bartók-ut. Poeti Rocco Scotellaro e njohu me Jugun e Italisë dhe, saje atij, Amelia iu përkushtua etnomuzikologjisë. Nisi të shkruajë poezitë e para herë në frëngjisht, herë në italisht e herë në anglisht (fillimisht në anglisht). Këto të fundit u përmblodhën shumë vite më vonë në vëllimin “Sleep” (1992). Temat kryesore ishin dy: dashuria si dëshirë dhe raporti me zotin, të dyja në sfondin e një tëhuajëzimi të skajshëm. Gjithashtu filloi të botojë artikuj mbi muzikën, duke filluar me “La serie degli armonici” (studimet muzikologjike iu përmblodhën vetëm pas vdekjes, më 2004, në librin “Una scrittura plurale”). Ndërkohë që shtrohej në klinika psikiatrike projektoi një organo që t’i lejonte thellimin e studimeve në teorinë e dodekafonisë aplikuar në muzikën popullore, si edhe një makinë shkrimi që të hidhte në letër fjalë e nota bashkë. U lidh ngushtë me avangardën muzikore europiane të viteve gjashtëdhjetë, kurse debutimi poetik në italisht erdhi vetëm më 1963 në revistën “Menabò” të Elio Vittorini-t: njëzet e katër poezi, shoqëruar nga një introduktë e Pasolini-t. Vitin pasardhës doli libri i saj i parë poetik “Variazioni belliche”(1964), një nga librat më të rëndësishëm të krejt poezisë moderniste italiane të shekullit XX. Aty magma gjuhësore e poetes bën që fjalët të shkrihen, të shpiken nga hiçi apo thjesht të përdoren fjalë arkaike ose të shtrembëruara nga ajo vetë. Duket sikur gjithë traumat e konfliktit të fundit botëror i përshkojnë tragjikisht ato vargje.
Në vijim panë dritën e botimit përmbledhje të tjera poetike, ndër to më të rëndësishmet dhe risoret janë: “Serie ospedaliera”(1969), dhe “Documento” (1976). “Serie ospedaliera” është libri i shtrimeve në spital, i shtrimeve biografike, por edhe atyre gjuhësore e letrare, libri i një uni lirik krejt të izoluar. Kurse “Documento” lind si një libër këngësh dashurore, njëfarë parodie e tingëllimës petrarkiane. Në vitet nëntëdhjetë boton “Diario ottuso”, libri i saj i vetëm në prozë (përveç studimeve), një prozë tejet e zymtë dhe eksperimentale. Mania e persekutimit e ndoqi tërë jetën (në fund të viteve tetëdhjetë, për shembull, i kërkoi stehim politik Gorbaçovit), deri atë 11 shkurt fatal të vitit 1996.
[Fui, volai, caddi tremante nelle]
Qeshë, fluturova, fërgëlluese rashë në
krahët e Zotit, dhe kjo ofshamë e fundme
qoftë tërë qenia ime, dallga e shtyftë,
ngërthyer në lidhje të vështirë, gjakun tim,
dhe nga kjo rrenë e epërme vdekja
e bërë ngjyrë këna të më jepet, dhe unë
që nga grindjet ngashëryese të shokëve shqisja
ankthin për të vdekur
do të gëzoj, tekefundit, – shekullin e arsyes;
dhe tërë lulet e bardha të rivierës, dhe
tërë pesha e Zotit
trokitshin burgjeve të mia.
[Perché io non voli, purché tu non]
Që të mos fluturoj, mjaft ti të mos
biesh, mjaft që drita të bëhet tërë një
univers, fjetsha, në lamtumirën e ganduar.
Dhe petku yt hokatar prej Dhëndri të
mbështjelltë, qoftë si për Shenjtët e Vetmja
Darkë, ofshama jote pa somniferë. S’ka dritë
pa lavdi, dhe s’ka skëterrë
pa përgojim. Horizonti shterp
është lojë hijesh: mos e ndiq, mos
hidh gurin në ujë, – gjithçka
u bëftë vetiu, dhe në heshtjen që jep grahmën.
Sleep
lehtësisht e pështirosur çdo të qare rashë
në gjumë harraq, oh virgjinat njomëzake të
rrezikshme majë mali përgjojnë një gjumë
jo imi ngaqë shtrati rrezatues
i tokës më mbulonte si myshk. Jam
i mbaruar thërriste peshkshitësi dhe
mbronte kështu natyrën e tij të vërtetë. Jam burri
harraq majë peme briti kryeduka
qejfin pushkë që pat fjetur me hyjni. Jam
britma nëpër natë klithi autori
tek i ra libri. Dielli fjeti në një
dush resh si pikë dielli, toka
e qarkoi. Çdo e qarë është një masakër
kur gjumi është virgjina; arsyeja
humbi kur çdo padurim u mospërfill.
Banaliteti i mbarë eprorëve është me rrezik
për mysafirin. Leshelitë e jetës
së oborrit janë rreziku. Unë jam rreziku i
një masakre oborri, klithi virgjina
majë peme teksa pema ra, roitur
kalbëzim. Gjumi zbriti, arsyeja
shkoi, mysafirit iu kujtua që kish harruar
pushtetin dhe lavdinë.
(Nga “Sleep. Poesie in inglese”, 1992)
[Tutto il mondo è vedovo se è vero
che tu cammini ancora]
Tërë bota është e ve nëse vërtet ti ec ende
tërë bota është e ve nëse është e vërtetë! Tërë bota
është e vërtetë nëse vërtet ti ec ende, tërë
bota është e ve nëse ti s’vdes! Tërë bota
është imja nëse vërtet ti s’je gjallë por veç
fener je për këto sy syllë. E verbër mbeta
nga lindja jote dhe pesha e ditës së re
s’është veçse nata e largesës sate. E verbër jam
që ti t’ecke ende! e verbër jam që ti ec
e bota është e ve e bota është e verbër se ti ec
ende i ngecur në sytë e mi hyjnorë.
(Nga “Variazioni belliche”, 1964)
[Propongo un incontro col teschio,]
Propozoj takim me rrashtën,
sfidë rrashtës
ruaj të patundur të qëndrueshme
strukur besës së pamundshme
sedrën
e shtazëve.
Përdita e ekzistencës së saj të pashpjegueshme
fjalë t’heshtura në rresht.
[I fiori vengono in dono e poi
si dilatano]
Lulet vijnë dhuratë dhe pastaj bymehen
një mbikqyrje e thekshme i heshton
kurrë mos lodhesh dhuratash.
Dhëmb i shkulur është bota
mos pyetmëni përse
sot qenkam kaq e kaq vjeç
shiu është steril.
Synuar kah tharmet rrënoja
lidhja e venitur ishe që kërkoja
t’i vjedhësh zemrën tjetrit për t’ia përdorur pastaj.
Shpresa është dëm ndoshta përfundimtar
monedhat vrazhdë tringëllojnë mbi mermer
të dorës.
E bindja përbindëshin të veçohej
në dhomat e fshira të një bujtine imagjinare
gjendeshin pyjesh nepërka t’balsamosura.
U grimova priftëreshë e poezisë
por isha e vdekur për jetën
rropullitë që humbasin
në një rrokopujë
vdes i përlarë fare nga shkenca.
E ngadalshme hollake është bota:
ca elefantë vërdallen, topitur.
(Nga “Documento”, 1976)