Romani «Pesha e padurueshme e pafajësisë» i PRIMO SHLLAKUT
burim i pashtershëm gjuhësor e stilistik
Romani «Pesha e padurueshme e pavarësisë» mban një peshë të rëndë të një udhëtimi pjekurie, trajektorja e të cilit përshkon thershëm botën e një të riu. Lufta e dytë botërore e ajo çka solli pas në Shqipëri, nuk la pa prekur edhe një të pafajshëm. Pesha e pafaajësisë së të cilit është më e rëndë se vetë faji.
Shpesh në jetë njeriu bashkërend me kohën pa e kuptuar. Ecën paralel me vorbullën që mbart epoka e tij, i oshtin në vesh gjëmimi i saj aty përtej, dhe, pa e kuptuar, fillon ta mbartë atë brenda vetes. Harku i udhëtimit të tij ndoshta i hallakatur shtigjeve e labirintheve, hap pas hapi përfundon aty, në pikëtakimin fatal, nëse mund të quhet kështu. Por pavarësisht emërtimit, lakorja që përshkruan njeriu në jetë nga pikënisja, në pikën kulmore e më pas në fundin e pakthyeshëm, është rruga deri në pjekurinë e tij të ashpër.
Në këtë harkore ndryshimi dhe formimi ecën heroi në librin «Pesha e padurueshme e pafajësisë» të autorit Primo Shllaku, për të arritur në destinacionin e tij të pashmangshëm. Ai provon «me u përqendrue me shikimin në nji pikë..» për të këputur vilen e rrushit, oficerin mbi kalë, të krisë pasqyrën dhe së fundmi, pa u tubulluar, është«gati me e rrëzue diktatorin në kokërr të shpinës, sapo ai të ngjitej në tribunë».
«Po zgjohej» – thotë autori, që në faqet e para të librit, dhe jo, u zhgjua. Pra duke u çapitur aty, midis ëndrrës dhe zgjimit, ai arrin të vërtetojë «se sa e vockël ishte jeta e tij tue i ardhë rreth ujit të njerëzve… Ngjarjet.. i kishin krijue befasime lidhur me njoftjen e vetes» Duke ndarë tashmë ditë të tëra me viktimat e kohës së tij, të faj e të pafaj, që «Të gjithë e urrenin emnin e vet dhe të gjithë ishin faktikisht pa emën», Marini arrin në përfundimin fshikullues dhe njëkohësisht të vërtetë «se një jetë fajtori ka ma shum rrugëdalje se jeta e të pafajshmit»
Dialogu tragjik i priftit ortodoks me Zefin, një nga personazhet e librit, trondit, huton, trazon, dëshpëron.
«Ti ke problem, ti nuk duroke pafajësinë tande, djalosh… / – Vidhe dhe qetësohu… Përfundimisht…», Fjalët e priftit më kujtuan vargjet e një kënge greke që e kisha dëgjuar pak kohë më parë.
(Dje vonë … /U gjenda duke pirë me një shenjtor…/Ç’kërkon këtu, i thashë /Ky vend nuk është për ty .
Më tha… /nëse dëshiron të shenjtërohesh, /duhet të mëkatosh /e në arritsh, le të pendohesh).
Marini ynë që fillimisht në zbulimet e tij të para për forcën e jashtëzakonshme të syve të tij, ishte i sigurt se «nuk ban me i ngulë sytë», mbas kohësh kur sheh se iluzionet e tij rinore kishin humbur, ishin tretur, «..qortonte veten që nuk i kishte provue me i «thye» ose me «ia ça» sytë Tatjanës»
Duke rendur në rreshtat e këtij romani që rrëfehet shtruar, por me një dinamikë tronditëse së brendshmi, pyetesh shpesh nga vetja: A ka peshë pafajësia? Ja që paska. Pafajësia verbon. Ajo dyshohet në epoka e sisteme të ndryshme, ka dy anë, ashtu si një monedhë me dy anët e saj të tjetërllojshme, ajo është dyfytyrëshe.
Për çfarë jemi të pafaj? Cila është pesha e fajit të lypur nga qenia njerëzore? Kush e bën të padurueshme pafajësinë? Dyshimi, koha apo njerëzit? «Poterja e detit ishte potere e tij, kurse uturima e skuadriljeve kishte diçka njerëzore … » Pra njerëzit, miq dhe armiq për njerëzit. Rrjedha dhe gurgullima e mendimeve dhe përjetimeve në rrëfim të bëjnë të thellohesh dhe përdridhesh në përsiatje me ngjyrime të ndryshme bindjesh, arsyetimesh e gjykimesh, duke i pohuar shpesh vetes – Le të kem faj, që të mundem të akuzoj vetë veten për fajësinë time.
Në çdo hap të Marinit e çdo faqe të librit, në gjarpërime udhësh, ndjenjash, mendimesh, përjetimesh, lexuesi zbulon bashkë me të, monopatetet dhe skutat e botës njerëzore, pavarësisht epokës e vendit ku rrjedhin ngjarjet. Është Marini i këtij romani dhe çdo Marin i jetës së secilit prej nesh, që shpesh, në gjendjet e ndërmjetme të arsyetimeve, gjykimeve, vramendjeve dhe përjetimeve, zbulon veten dhe botën rreth tij ku «..nuk kishte lanë gjurmë.. e kishte kuptue se dëshironte me lanë gjurmë… » që i thotë vetes troç: «unë e këpus vilen e rrushit me sy», por që ndien një lehtësim kur thotë prapë me vete se «Deti ishte ma i fortë se unë»
Në rreshtat e këtij libri del në pah njeriu me gjithë brendinë e tij të veçantë, individi përballë botës që hap pas hapi, i vetëm, zbulon kët botë me sytë e tij
Duke lexuar për forcën e syve të pesonazhit të këtij libri më erdhi në mendje një fragment i paharrueshëm nga libri «Loja e syve» të Elias Canetti ku thotë «Ka sy që të ngjallin frikë, … Është diçka e tmerrshme ngultësia e një vështrimi të pamëshirshëm. Mitik është edhe syri që s’kërkon të shqyejë viktima, megjithëse nuk i ndahet kurrë asaj që ka parë. Ky mit është bërë realitet, dhe kushdo që e ka përjetuar rikujton me emocion e tmerr syrin që e detyroi të mbytej në thellësinë e tij të pamasë…»
Libri, i çfarëdolloj zhanri qoftë, mbi të gjitha është mjet i lëvrimit të një gjuhe të caktuar, qoftë i asaj të origjinës apo i asaj të përkthimit. Ai është mjet që e ngre lart një gjuhë, ose e shkel dhe e përdhos atë. Ky libër që kemi në duar, duke filluar që nga titulli të jep dritën jeshile të asaj që do lexosh. Të tërheq me gjuhën e tij të bukur, të pasur artistikisht, të plotë, duke peshuar rëndë në tokën e vet. Ashtu siç godet këmba e valltarit që di të hedhë siç duhet vallen e nisur.
Nëse përdorimi i plotë sinonimik, antonimik, shprehjet gjuhësore e frazeologjike etj, e pasurojnë gjuhën, vënia në funksion të rrëfimit pasuron stilistikisht një vepër letrare, ashtu siç ndodh kryekëput në këtë prozë të bukur të këtij romani.
Jam e sigurt që përzgjedhja e titullit nuk është aspak e rastësishme. «Pesha e padurueshme…» mund të ishte: pesha e rëndë, e madhe etj, por është e padurueshme, peshë pafajësie.
Përplasje kuptimore fjalësh e shprehish japin ngjyrime stilistiko -gjuhësore që e bëjnë më të thekshme forcën e fjalës. Lexojmë: «..një kaltërsi e egër.., /ai sfond gri i ndytë përkëdhelte.., /shpërthim i madh bashllëku.., /pickim kënaqësie.., /qyteti i mpimë, i qetë, por vlues.., /zogj të zinj metali.., /qëndronte i papranishëm.., /klithmë gjarpni, /prani e padukshme.. etj » Shtrëngata e këtyre lloj kërcitjesh gjuhësore therëse përdoret mrekullisht duke i dhënë ngarkesë të bukur figurative rrëfimit.
Pavarësisht se rrëfimtari tregon në vetën e tretë, nuk krijohet asnjë hendek, boshllëk dhe largësi midis heroit dhe lexuesit. Mendimet e tij përcillen natyrshëm dhe rrjedhin bashkë me përjetimet tona. Tregon ngjarjet që ndodhin shpesh midis reales dhe joreales, të vërtetës dhe të pavërtetës, midis ekzistencës dhe mosekzistencës, i mendon, i shtjellon, i përpunon dhe gjithashtu i rithotë. Dhe kjo e fundit përsëri e përsëri ndihet e domosdoshme për t’u rithënë, lodhja e Marinit, /dhimbja në rrënzat e kofshëve, /këputja me sy dhe rënia e viles së rrushit, /pritja e një përgjigjeje, /ecja e Tatjanës, /unaza e rrokullisur në bar, /pluhuri pas makinës, /thyerja e pasqyrës me përqëndrimin e syve… etj, etj. Këto riprurje bëjnë lexuesin të pozicionohet e të kundrojë edhe një herë nga tjetër dritare këndvështrimi e pikëpamjeje.
Kur lexon çdo gjë rrjedh natyrshëm, pa ngut, si rrjedha e mendimeve njerëzore. Të duket se nuk lexon por shikon, ndjek me sytë e mendjes gjithçka. Gjithçka që rrëshqet pa kuptuar, ashtu siç rrëshqet fjala në gjuhën e librit duke dredhuar natyrshëm nga tregimi i rrëfimtarit, në përsiatjet e kujtimet e personazheve, për t’u zhytur më pas në ligjëratën e drejtë dialoguese.
Shpesh lexon përshkrime të ndryshme dhe fjalori i përdorur me rrjedhën e tij të fuqishme, ku e bukura e thënë hidhur dhe e hidhura e thënë me fjalë të ëmbla, të bëjnë të pëshpëritësh: – Ky është përshkrimi i detit që ka personazhi përballë apo i asaj që përjeton heroi ato çaste?
Ajo që më bëri për vete në gjuhën e këtij libri është standartja e gegërishtes që përdor autori në rrëfim, melodia e këndshme e saj.
Por aty, veç elementeve gjuhësorë të gegnishtes, dy dialektet bazë të shqipes ndërthuren butësisht në gjuhën e personazheve nga jugu i Shqipërisë. Ky libër është i denjë për pikë referimi në studime gjuhësore. Gjuha e një populli pasurohet kur përdoret e plotë me të gjitha krahinizmat dhe dialektet e saj.. Pa ngurruar po rreshtoj disa fjalë që ndoshta mospërdorimi sot po i fashit, po i humbet dhe ndoshta dikujt do i duhet kohë për të kujtuar apo kuptuar përdorimin dhe semantikën e tyre. «truma, vullani, gliqe, sheneshini, trokaça, nallça, cijatje, prozhmime, çervesh, shpërthiq, llom, rrashtë, hulli, rrashkaqel, i pashekull, të vërgjillta, për së kithti, tironte tehun, kishin hedh në fik punën.. », etj, etj
Duke vënë në funksion gjithçka që mbart një gjuhë, ajo nuk tkurret dhe nuk humbet rrugëve të harresës. Nuk ka nevojën e etur dhe të pakontrolluar të huazimeve pa fund.
Kjo e bën të veçantë librin dhe besoj mëshon më tepër duke i bërë më të dukshme bindjet gjuhësore të shkrimtarit, eseistit, poetit, dramaturgut, përkthyesit, Primo Shllaku.
Pastë rrugë të bukur dhe të gjatë pranë lexuesit!