More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlketa Spahiu: Kadare, Mira Meksi dhe miti shqiptar

    Alketa Spahiu: Kadare, Mira Meksi dhe miti shqiptar

    Letërsia, që në fillesat e saj, i është kthyer mitit si një burimi të pashterrshëm ku njeriu kërkon të kuptojë veten, botën dhe origjinën e gjithçkaje. Mitet, të lindura nga gojëdhana, janë jo vetëm rrëfime të vyera të një të kaluare të largët, por edhe forma të hershme njohurie që vazhdojnë të ushqejnë imagjinatën letrare. Ky udhëtim i pashmangshëm drejt mitit është thelbësor për letërsinë e çdo kohe: ai përfaqëson një hetim të pandërprerë mbi kujtesën dhe kuptimin. Shkrimi bëhet kështu një proces zbulesash, një mënyrë për të transformuar figurat mitike dhe për t’u dhënë atyre emra e forma të reja. Nga “Edipi” te romanet moderne, letërsia përpiqet të deshifrojë të njëjtin mister — atë të njeriut përballë fatit, kujtesës dhe origjinës.

    Nën këtë prizëm e shohim edhe, për shembull, figurën e hetuesit Stres te Kush e solli Doruntinën? të Ismail Kadaresë. Hetimi i tij është më shumë se një kërkim policor: ai është një proces zbulesash, një përpjekje për të rindërtuar kuptimin e së shenjtës së harruar. I referohemi këtu postulatit të mitologut të mirënjohur Mircea Eliade, sipas të cilit termi i përdorur rëndom “religjion” është shumë i zbehtë për të mishëruar të “shenjtën”, përvojën tonë të saj. Ndaj, kjo paradigmë e hetimit më lart – që bashkon mistiken dhe arsyen – bëhet bosht i rëndësishem edhe te një pjesë e letërsisë së sotme shqipe.

    Miti si kujtesë arketipale: rasti i Mira Meksit

    Ky dimension hetues shfaqet qartë në romanin e fundit Ikona e plagosur të Mira Meksit.  Protagonisti i tij, Arbër Isaia, historian dhe kërkues i së kaluarës, ndjek gjurmët e një objekti të shenjtë: ikonës. Bëhet fjalë për ikonën e Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve, që Donika e Kastrioti e kishte me vete gjatë mërgimit në Napoli dhe më pas në Valencia të Spanjës. Objekti që kërkon Arbëri nuk është thjesht një relikte fetare, por një imazh i kujtesës kolektive.

    Në këtë roman, miti nuk mbetet thjesht objekt i ngurtë historik apo folklorik. Ai përdoret, si proces zbulesash — një lëvizje midis kujtesës dhe mungesës. Ikona bëhet simbol i këtij procesi: një figurë e shenjtë që, sipas etimologjisë (« figurë »), është vetë “imazh”, dhe shfaqet si kujtesë arketipale që nxjerr njeriun nga koha lineare, duke e futur në një kohë të shenjtë, të përsëritshme, ciklike.

    Në këtë mënyrë, M. Meksi e lidh aktin e kërkimit me aktin e shkrimit: kërkimi i ikonës bëhet metaforë e kërkimit të kuptimit. Ikona, e munguar dhe e « plagosur » (ka një çarje në formë V-je në faqen e djathtë të Virgjëreshës), është një shenjtëri e humbur. Kësisoj ajo del si “objekt semiotik”, që përpiqet të zbulojë vetë mungesën që e përkufizon. Kjo plagë është shenjë e humbjes, por njëkohësisht edhe burim i krijimit: përmes saj, personazhi rikrijon botën, dhe vetveten.

    Në këtë dritë, miti risjell të shenjtën në kohën historike (gjithmonë sipas Eliade-s), duke e bërë mungesën një hapësirë zbulesash. Ikona e plagosur është, pra, figura e kujtesës që flet për humbjen, për mënyrën se si e shkuara ringjallet përmes aktit të shkrimit. Varrosja e ikonës nuk është fund, por transformim: një ritual letrar, ku trupi historik kthehet në tekst.

    Kadare: nga zëri te shkrimi

    Nga ana tjetër, Kadareja shqyrton mekanikat e lindjes së mitit përmes një hetimi mbi fjalën dhe kujtesën. Në Dosja H, dy studiues perëndimorë udhëtojnë në malet shqiptare për të regjistruar rapsodët e fundit — kujtim i gjallë i një bote ku fjala e folur është ende bartëse e së shenjtës. Ky episod vendos në qendër konfliktin midis oralitetit dhe shkrimit: fjala e folur humbet spontanitetin e saj, por fiton vazhdimësi përmes tekstit. Kështu, shkrimi bëhet mënyra e re e ruajtjes së kujtesës mitike. Fragmenti më poshtë, nga romani i tij : “U dukej se ishte e natyrshme që në epos të krijuar në lartësinë rreth dy mijë metra të zotëronte një klimë e tillë… me fjalë të tjera, gjysmë në dhe, gjysmë në qiell », e ilustron qartë këtë argument.

    Në këtë hapësirë të pezullt, fjalët bëhen relike: mbartin zërin e të parëve, strukturën homerike të kujtesës, ritmin dhe formulën që ruan jetën e mitit. Shpesh në veprën e tij, Kadareja e nënvijëzon me njëfarë homerizmi letërsinë shqipe : fjala e gojës bëhet objekt i reflektimit letrar dhe i vetëdijes kulturore.

    Paradigma e shkrimit si rikrijim

    Në vizionin e Mircea Eliade-s, miti është rikthim i së shenjtës në kohën profane – një mënyrë për ta tejkaluar historinë dhe për ta rikthyer njeriun në “kohën e origjinave” (shih studimin tij Le Mythe de l’éternel retour, 1949). Kjo logjikë e rikthimit përmes rrëfimit mitik gjen jehonë të thellë në letërsinë shqipe sot, te Ismail Kadare posa dhe te Mira Meksi.

    Te Kadareja, miti shfaqet si akt zbulesash, një mënyrë për të rindërtuar lidhjen midis kujtesës dhe identitetit kombëtar. Te M. Meksi, ai rikthehet si plagë: kërkim i së shenjtës së humbur nëpër arkivat e historisë. Te të dy autorët, miti nuk është vetëm temë narrative, por procedurë hetimi – një mënyrë për ta ringjallur origjinën përmes shkrimit.

    Në këtë kuptim, përmes figurave si Arbër Isaia te Ikona e plagosur, të M. Meksit apo studiuesit e eposit në Dosja H, të Kadaresë, miti shfaqet si kujtesë e plagosur e shenjtërisë kombëtare (vendore), si përpjekje për të rikthyer një botë që ekziston vetëm në kujtime e rrëfime.

    Atëherë shkrimi i tyre na duket se shndërrohet në ritual rikrijimi: fjala kthehet në akt sakral që i jep jetë së kaluarës dhe që bën historinë të mbijetojë përmes mitit.

    Dy pole të së njëjtës spirale

    Në njëfarë mënyre, disa vepra të Kadaresë si dhe të M.Meksit paraqesin dy pole të së njëjtës spirale letrare: zëri dhe trupi, oraliteti dhe shkrimi, lindja dhe humbja.

    Te Kadareja, zëri lind mitin; te M. Meksi, trupi e rikthen atë përmes kujtesës. Në të dy rastet, kërkimi përfundon në mungesë, dhe pikërisht kjo mungesë gjeneron reflektim : mitin si plagë, shkrimin si kujtesë.

    Rrëfimi i romanit Ikona e plagosur – pas një analize krahasimore – na krijon përshtypjen se e sheh shkrimin në rangun e ikonës, të një ikone të plagosur, që kërkon të ripërtërihet. Shkrimi, si hetues i objektit, dhe diagonostikues i malcimit të tij – bëhet fjalë për malcim të imazhit përderisa ikonë- del si akt që e shndërron kujtesën në jetë; dhe plagën në kuptim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË