More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Romani “Droja” i Rifat Kukajt, kryevepër e romanit psikologjik

    Alisa Velaj: Romani “Droja” i Rifat Kukajt, kryevepër e romanit psikologjik

    Romani psikologjik është ai tip romani ku mendimet, ndjenjat dhe veprimet e personazheve vijnë para lexuesve, me interes të barabartë ose më të madh sesa veprimet e jashtme të rrëfimit. Në romanin “Droja” tëRifat Kukajt, reagimet emocionale dhe gjendjet e brendshme të personazheve shkaktohen nga situata të jashtme, ku nëpërmjet këtyre të fundit, personazhet pësojnë katharsisin psikologjik, duke bërë që ngjarjet e jashtme dhe ato të brendshme të lidhen me njëra tjetrën në një simbiozë kuptimplote. Vetë titulli i romanit është në funksion të fabulës së tij dhe përfaqëson një gjendje të shkaktuar drejtpërsëdrejti nga një veprim i jashtëm. Sipas “Fjalorit të Shqipes së Sotme” fjala druajtj/e, standardi i të folmes gegërishtetë fjalës droja ka këtë shpjegim:“DRUAJTJ/E,Af.sh.∼E, ∼ET. Frikë jo e madhe nga dikush a nga diçka, që na bën të stepemi ose të përmbahemi; ngurrim, mungesë guximi dhe vetëveprimi që na vjen nga njëfarë turpi a frike. Hyri (folime druajtje”.[1]
                    

    Protagonisti Malë Bala ndjen droje nga mentaliteti i vjetër. I biri, Besniku, ka droje për jetën e shokut, Fatmirit. Trazimin atë-bir e shkakton gjakmarrja, e cila vjen si pasojë e Haxhiut, figura e vetme e romanit që mishëron të keqen. Vepra përshkohet fund e krye nga notat e humanizmit dhe dashurisë së thellë për njeriun, ide e abstraguar deri në nivelin e dashurisë së pakufi të njerëzve të të njëjtit gjak, gjuhë dhe komb. Gjakmarrja nxit urrejtjen, shkatërrimin e balancave familjare, vdekjen për fajtorë të pafaj, ndërsa falja ka në brendinë e saj lirinë, të ndërtuarin e njeriut fisnik, pa urrejtje dhe me një shpirt të lirë për jetën. I gjithë romani përshkruan katharsisin psikologjik të një personazhi, mentaliteti i të cilit vjen e shembet pak nga pak, pasi përmbysja e ideve prapanike, të rrënjosura kaq thellë në vetëdije, ndodh simbolikisht me vështirësitë e lëvizjes së një mali nga vendi. Personazhi i Besnikut (besa e artë e shqiptarit) përfaqëson vetëdijen e humbur të të atit. Vetëdije, e cila duhet tronditur e rifituar sërish. Thënë ndryshe, Besniku, si personazh i formuar është odiseja e rigjetjes së vetëdijes së humbur të të atit, Malës, personazh në formim e sipër.
    Narratori vrojtues vëzhgon, interpreton, zbërthen vetëdijen dhe pavetëdijen e personazheve. Kukaj ndërton vetëdijen përmes tronditjes me dashje të pavetëdijes. Personazhi në formim e sipër ndjek këtë rrjedhë në procesin ndërtues[2] drejt humanizmit;

    Veteksplorim -Vetëkuptim-Vetëpërmbushje-Identifikim

    Identifikimi i qenies identifikon etninë shqiptare, kombin shqiptar, me virtytet e tij të vërteta, të trashëguara brez pas brezi që nga të parët tanë ilirët, pa filozofitë shkatërruese e vëllavrasëse, të sjella prej popujve të tjerë. Personazhi i mësuese Dritës, e cila mishëron dritën e dijes, të renë, përparimin, luftën e paepur me zakonet e vjetra e vëllavrasëse, i edukon fëmijët, shpresën e ardhmërisë së vendit me këto fjalë “Gjakmarrja s’ka qenë jona. Na e sollën pushtuesit dhe luftërat mijëvjeçare…”.

    Të gjitha personazhet dhe situatat në romanin “Droja” janë në funksion të ndërtimit të personazhit kryesor, p.sh., Sutën mund ta quajmë si personazh-karrem. Ky personazh vjen si bashkëvetëdija e Besnikut dhe antipodi simbolik i Malës. Rrëfimi në këtë vepër fillon me ndërtimin e shtëpisë së hallë Sutës (dielli alegorik i rrëfimit), vetmitares së madhe që kish humbur gjithë të dashurit e saj prej gjakmarrjes, dhe mbyllet me ardhjen e dritës në shtëpinë e saj. Për një rastësi aspak të thjeshtë, shtëpia mbaron së ndërtuari kur zgjohet vetëdija e vërtetë e Malës dhe ky i fundit fal gjakun e Gashjanëve. Rrëfimi i legjendës në të dyja variantet e saj, në fillim dhe në fund të rrëfimit, mbart idenë-bosht të krejt veprës. Aty “maskohet” njëkohshëm karakteri patriotik i romanit, si dhe mesazhi universal i dashurisë së njeriut për njeriun. Kukaj paralajmëron se nëse shqiptarët nuk do të duan me shpirt njëri-tjetrin dhe të kenë mes tyre moralin e pajtimit e të faljes, atëherë ata do të përçahen nga popujt që nuk e kanë dashur kurrë lirinë e tyre. Para se të shohin marrëdhënien tonë me tjetrin, ne duhet të nisim pikë së pari më një vështrim të thellë në veten tonë. Ja se si plazmohet kjo ide në variantet e legjendës:
    Varianti i parë në fillim të veprës: “Aman o gjarpër, kur unë i rashë daulles tri ditë e tri net, në gjumë të thelle qëllove, apo ishe i shurdhuar që nuk ike? Thuhet se skeleti i gjarpërit paska folur e paska thënë: “As isha në gjumë të thellë, as isha memec, por nuk desha të lëshoja truallin tim. Këtu linda e këtu desha të ngordh”.
    Varianti i dytë në fund të veprës: “As nuk qemë të shurdhër, as në gjumë të thellë, por zjarri na dogji, sepse, kur i hyri flaka malit, unë thosha të ikim andej, ky tjetri thoshte jo andej, por këtej. Kur arritëm të merreshim vesh, na kapi zjarri dhe ja si e pësuam”.

    Po të analizojmë më kujdes dy variantet e legjendës, edhe pse duken si të kundërta në pamje të parë, këto variante nuk bëjnë gjë tjetër veçse plotësojnë në mënyrë të shkëlqyer njëra-tjetrën. Varianti i parë ka në fabulën e tij vetëm një gjarpër, I dyti ka dy gjarpërinj. Pse kjo zgjedhje autoriale? Pikë së pari duhet të theksojmë së simboli i gjarprit në mitologjinë tonë është bivalent. Kemi gjarprin simbol të së keqes, por edhe gjarprin si simbol të së mirës, p.sh.: gjarprin e shtëpisë, i cili mbron pragun e saj. Ky gjarpër i vetëm në variantin e parë nënkupton ndërtimin e vetes, gjë kjo që në subjektin e romanit shihet qartë edhe në ndërtimin e figurave të tjera veç Malës, si p.sh.: Gazmendit, apo shokëve të tjerë të Artanit, të cilët nuk donin ta falnin, por donin të merrnin hak ndaj tij, njerëzve që kishin shuar familjen e Sutës apo Zisës së vogël etj. Mirëpo variant i parë i paraprin të dytit, ku shohim dy gjarpërinj që nuk po merreshin vesh me njëri-tjetrin. Nga ndërtimi i vetes, kalojmë tek marrëdhënia me tjetrin që nënkupton gjetjen e gjuhës së përbashkët mes shqiptarësh, për të mos e lënë vendin dhe trojet e të parëve në dorë te pushtuesit, gjë që arrihet vetëm me gjuhën e vëllazërimit dhe faljes së tjetrit.
     

    Shohim pra se fantastikja në brendi të legjendës ka në themel të sajin dy shtyllat kryesore ideore të rrëfimit, mes të cilave pulson pastaj një botë e tërë veprimesh dhe gjendjesh reale. Përshkrimet në këtë vepër janë në funksion të plotë të rrëfimit, ndaj mund të themi me bindje të plotë së përshkrimet e shumta të natyrës në romanin “Droja” marrin karakter simbolik dhe metaforik, në varësi të ndërtimit të botës së brendshme të personazheve. Një shembull tipik në mbështetje të idesë së mësipërme do të ishte ky: “Aty në shpat, kulla e gashjanëve qëndronte memece. Psherëtiu dhe lëpiu gishtin e lënduar. Ndjeu dhimbje në lëkurën e gërvishtur. E afroi gishtin t’i ndihmonte milingonës që të ecte në gjeth. Ajo e kafshoi në pezm, por nuk kishte fuq”.

    Mbështetur në gjithë karakteristikat e mësipërme mund të themi me bindje të plotë se romani “Droja” i Rifat Kukajt është një kryevepër e romanit psikologjik shqiptar dhe se nuk mund t’i përkasë kurrsesi vetëm letërsisë për fëmijë, por në radhë të parë leximit për fëmijë, ç’ka e ngre akoma edhe më lart vlerën e kësaj vepre.


    [1]  Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe. Tiranë. 1984. 

    [2]  Skema e mësipërme është një përshtatje e asaj që Frojdi thekson mbi marrëdhënien e katharsisit me identifikimin.

      Adnan K. Abdulla. Catharsis in Literature. Indiana University Press. Bloomington. In. 1985.  f. 35.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË