Vlora Konushevci, “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera”
Shkrimtari është përherë produkt kulturor. Një copëz kulture lë përherë vulën e saj në ADN-në e çdo krijimi. Krijuesi i mirë patjetër se rreket të matet me fuqinë e abstragimit të realitetit në narrativën e tij. Ndërrmarje kjo që përveç talentit të lindur e të farkëtuar të të rrëfyerit, kërkon dhe objektivitetin absolut për ta bindur lexuesin se ajo çka po shijon si letërsi nuk është vetëm e vërteta e shkrimtarit, por para së gjithash e vërteta e tij. Për këtë lloj mentaliteti të lexuesit duhet një sy psikologu i krijuesit të artit të fjalës. Të rrëfesh bukur dhe me vërtetësi kërkon mund që jo gjithkush ia del. Vlora Konushevci ka ditur t’ja dalë mbanë që në librin e saj me poezi “Lavdi vetes”. Sepse përtej shijes së gjuhës, ka në perceptim mençurinë sokratike, e cila gërsheton të gjykuarit e thellë dhe ironik të realitetit.
Në librin e parë me poezi “Lavdi vetes”, Konushevci është poete e mençur. Drama e asaj që ngjiz përmes poetikës ka në brendi ironinë tejet objektive, gati-gati çarmatosëse. Ajo shpik në vargje atë lloj realiteti që nuk lë vend për lavdinë a askujt, madje as për lavdinë e vetes; shenjë e objektivitetit që vjen prej syrit të psikologes dhe çmitizimit absolut të çdo lloj situate sadopak mitike. Për çfarë vlen në fund të fundit mitika e gjithçaje që vetëm na rrënon? Për të dashuruar me forcë rrënimin tonë? Për t’u vetmashtruar si individë e mandej si shoqëri? Leximi i tregimeve të saj, sikurse i poezisë ka për ta shpënë lexuesin elitar pashmangshëm drejt këtyre dilemave. Them lexuesin elitar, sepse lexuesi që thjesht e sheh artin si argëtim estestik, i papajisur asnjë gram me mençuri objektive, nuk është lexuesi që do kënaqej prej autores. Konushevci ka shqisën e njeriut të bekuar prej të kuptuarit, e cila ia sjell pamjet e të vërtetës pa mundim dhe e ndihmon të jetë e lirë në rrëfimin letrar. E lirë në të “vërtetat letrare” përmes një stili që çliron kujtesë, dilema dhe s’pranon t’i ikë situatave siç personazhet e saj i ikin jetës, duke i ikur më së pari vetes.
“Po, më ke pa! Të tanë më shohin! Po kuuurrë… – dhe pak u ndal, – …kush s’e din ku shkoj. As unë!…………………………………….
– Pra, të dukem sikur udhëtoj a? Ndoshta po. Por zakonisht thjesht iki prej vetes……………..
.- Unë nuk jam kështu siç dukem! – sytë i shkuen drejt shishes bosh, – Askush nuk asht.”
Thamë se shkrimtari është më së pari produkt kulturor. Është e pamundur të gjesh një vepër letrare që përjashton qëndrimet, moralin dhe vlerat e shoqërisë, pasi asnjë shkrimtar nuk është rritur plotësisht i paekspozuar ndaj botës që e rrethon.[1] Personazhet e Konushevcit janë ikanakë që duket se vuajnë prej amokut. Gati të gjithë janë ose në ikje prej vetes, ose në ikje prej jo vetes, kur kjo e fundit u është përdhunuar qysh në embrion. Vetë-mashtrues serialë, që frikën brenda vetes e mbajnë me pekule dhe ujisin barërat e këqinj që u mundojnë shpirtërat. Në tekstin e mësipërm personazhi është si më i kthjellët se tërë personazhet e tjerë; të paktën ai e di se është ikanak dhe asgjë nuk është ashtu si duket. E megjithatë prapë i mungon guximi për të vrarë frikën e pashpjegueshme brenda vetes e për të vepruar e ndryshuar. Kupton por është i topitur. Personazhet e tjerë janë shumë më tepër tragjikë se ai. Kulmi i tragjizmit ndodh kur fëmija, ajo krijesa e re dhe e pafajshme vritet që në embrion në tregimin “Valixhja” prej një pyetje të thiktë si kjo: ““ – Arijetë, ti kujton se Kosova ndërtohet me ndershmëri?”. Prindi nuk e lë fare fëmijën të lindë njeriun përbrenda. Ja denatyron moralin e së mirës prej kreut të ndodhisë “jetë” dhe një krijesë e tillë shndërrohet në një të rritur që nuk di më ç’të zgjedhë për të qenë e përmbushur. Si mund të dijë, kur prej fillimit i është thënë se e bardha është e zezë dhe anasjelltas.
Ajo që bëjnë shkrimtarët është transportimi i ngjarjeve reale drejt trillimit letrar, duke ia paraqitur shoqërisë si një pasqyrë në të cilën njerëzit mund të shikojnë veten dhe ta korrigjojnë kur është e nevojshme.[2] Për Konushevcin, letërsia është pasqyrë e realitetit, përballje me të pathënat, medium artistik ku sfidohen normat shoqërore me ironi dhe përpjekje për t’i kuptuar kontradiktat në marrëdhëniet dhe identitetet njerëzore. Identitetet e personazheve përpëliten nga të pathëna që torturojnë shpirtin në atë shkallë sa iu bëhet e paduruar ekzistenca. Prandaj zgjedhin të gjithë të ikin diku, pa mberritur dot askund. Kush nuk ka një stacion prej nga niset, s’mund të ketë assesi një tjetër stacion ku do të mbërrijë. Ajo që mbartim është ajo që i ikim parreshtur dhe bëhemi shtegtarë të një rrethi vicioz, me valixhe në duar ku pesha e absurdit e pakuptimit na kërrus sikur një kryq mbi shpinë. Kryqëzohemi përditë duke shkuar me këmbët tona drejt vdekjeve të mëdha apo të vogla, alegorike apo faktike.
Tregimi “Lavdia” më tepër se ironi e luftës reale të vitit 1999, është paradoks i thellë i një shoqërie ku vdekja dhe lavdia nuk janë ndodhitë e vërteta, përkundrazi ajo që duhet të ndodhë vjen përherë me shkëlqimin fals të vdekjes në emër të lavdisë së palavdi. Një shoqërie që i ngre monument frikës, një popull ku heroizma vlen më shumë se heroi dhe ku heroi është një qenie pa asnjë ideal. Ai di vetëm të vdesë në emër të një lufte në të cilën është përfshirë kur ende nuk ka pasur kurajon të fashisë betejat e shpirtit të tij. Luftrat në të cilat zëvendësohet heroi me heroiken dhe lavdia e vërtetë me monumentet prej guri, prodhojnë paqe tejet të trazuara.
Të gjitha tregimet e librit para-qesin tëhuajzimin e jetës në korridoret e absurdit psikologjik, historik dhe ekzistencial të një shoqërie. Secili ngjan me tjetrin si dy pika uji. Gati krejt duke rendur kuturu, për të formuar një turmë ikanake, të mbytur në dëshpërim dhe padije. Padije se gjithkujt i ka rënë vetja prej duarsh dhe parakalon përhumbshëm në një paradë të madhe, të pandalshme, si lumë i fryrë dalështrati, që përmbyt pa fre tokat më të frytshme. Rrëfimi në vetën e parë, si zgjedhje narrative mbase e pavetëdijshme, vjen edhe si apel i një qenie që sodit, habitet dhe pëson katharsisin shpirtëror në të njëjtën kohë me ne që e lexojmë rrëfimin e saj për veten dhe gjithë të tjerët.
[1] Ms.S.Shalini M.A., B.Ed., (M.Phil)., & A. Samundeswari M.A., M.Phil. Literature as a reflection of the society, 1st National Conference on Teaching Innovations and Enhancing Learning (Arts, Science And Technology).
[2] po aty.