Po të kujtohet se historia e letërsisë shqipe u shkrua si libër universitar pa pritur botimin e teksteve të stabilizuara të trashëgimisë, pa pasur nëpër duar studime monografike për të gjithë klasikët e saj të hershëm a më të vonë, më në fund pa u lejuar të lëvrohej jashtë trysnive ideologjike që e sollën të cunguar, atëherë shumëkush do të dyshonte nëse është koha për të ndërmarrë vështrime diakronike mbi rrugën e përshkruar prej saj.
Mirëpo, në këtë mes, mund të mendohet edhe ndryshe: pikërisht tani kur kanë shkuar kaq vite që debatet mbi të, të ndezura e të shuara pa dalë gjëkundi, pra pa mundur të krijojnë një gjykim të qëndrueshëm, historisë së letërsisë shqipe i duhen prerjet diakronike që do të tregonin ecurinë e saj nga fillimet e pasigurta tek panoramat e gjera kryesisht faktologjike, nga tekstet shkollore tek librat e trajtesat e gjera shumëplanëshe. Duke shkuar këtij shtegu do të gjendet ç’bëri e ç’nuk arriti të bëjë; cilat qenë shkaqet që, në periudhën e ideokracisë, e lanë të lënduar, ç’pamje metodologjike mori kur u shkrua në Kosovë apo nga përpjekje të tjera më të vona. Të tilla synime ndoshta do t’i davaritnin dyshimet ndaj dobisë së një pune[1] (tashmë të vonuar), që, duke kaluar nëpër botimet historiko-letrare, kërkon të rrëfejë, tej vlerave, edhe shkaqet që e penguan lëminë e tyre të jetë ndonjëherë e plotë dhe objektive.
* * *
Interesimi për historinë e letërsisë shqipe është shfaqur që nga fundi i shek. XIX, atëherë kur Albert Stratikoi botoi, më 1896 në Milano, librin Manuale di letteratura Albanese. Më vonë, veç një panorame të gjerë të saj, Popolo lingua e letteratura Albanese (Palermo, 1932), shkruar nga Gaetano Petrota, për letrat shqipe dolën disa tekste mësimore që, në vitet e pasluftës, erdhën edhe si libra universitarë. Historia e letërsisë shqipe (vëll. I, vëll. II, Tiranë, 1959, 1960), ky tekst i botuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, i dha trajtë një disipline mësimore (lëvruar prej disa vitesh në shkollat e larta të vendit), që tani duhej shndërruar në një degë të veçantë kërkimesh mes degëve të tjera të albanologjisë. Sot ka shumë arsye që ai libër, bashkë me variantin e tij të vitit 1983, t’u nënshtrohen shumë kritikave. Sidoqoftë, me to u tregua se historia e letërsisë shqipe, siç kishte ndodhur më parë me historitë e letërsisë së vendeve të tjera, mund të shkruhej edhe pa pritur të dilnin me botime kritike të gjitha veprat e trashëgimisë. Tek hidhej në letër, ajo histori lëngonte shpesh prej shumë mangësish, po sigurisht arrinte të nxirrte, pa gabuar shumë, kuptimet më të përgjithshme të krijimtarisë që shqyrtonte. Falë punës së kërkuesve arbëreshë, tani vonë kanë dalë tekstet e stabilizuara të Serembes, Skiroit, Darës e së fundmi edhe të De Radës e të Santorit. Ato do të hapin doemos të tjera shtigje për t’u thelluar më tej në studimin e arbërishtes së atyre kohëve, të mundësive shprehëse e të veçorive stilistike të poezisë së shkruar me të. Që këtej do të mund të shihen të tjera gabime që janë bërë në punimet e paradokohshme. Ndërkaq, të paktën deri tani, nuk duket që prej mungesës së teksteve të stabilizuara, historia e letërsisë të ketë shkaktuar keqkuptime të rënda; nuk mund të thuhet pra prerazi se të gjitha studimet, meqë s’kanë pasur nëpër duar botime kritike, i kanë shpjeguar thelbësisht shtrembër poemat e De Radës[2] e të Darës apo lirikën e Serembes. Pa dyshim, ç’është thënë deri para ca vitesh, hera-herës duket e sipërfaqshme, në mos edhe naive. Po kjo nuk do të thotë se në ato vështrime nuk qe kapur dot kuptimi historik i poezisë arbëreshe, që, me tematikën heroike e me religjiozitetin e saj, me hyjnizimin e dashurisë; gjithnjë të dhimbshme, me fatalitetin e jetës së personazheve, me vizionet e trishta e me nostalgjinë e pashuar, me stilin përgjithësisht lirik e me ndikimet prej folklorit, hynte në rrjedhat e romanizimit dhe të formacioneve të tij artistike. Tek e merrte letërsinë si një nga mënyrat me të cilat një kohë e dhënë zbulonte vetveten, njëherazi edhe si përjetim estetik i hedhur në kartë nga individë që bashkoheshin në një a disa pikëpamje për t’u ndarë në të tjera pikëpamje; që e lëvronin fjalën artistike secili pas prirjeve e aftësive të veta, historia e letërsisë nuk mund të priste sa filologët të bënin punën e tyre pa t’ia hynte dhe ajo punës së saj. Ç’qe thelbësore për të, ajo e arrinte edhe pa stabilizimin filologjik të teksteve letrare, që fundja ishin shkruar për t’u kuptuar nga sa më shumë lexues e jo për të mbetur enigma që duheshin zgjidhur. Studimet ekdotike, duke i saktësuar më tej të dhënat tekstore e duke vajtur deri te rindërtimi i historisë së krijimit të tyre, vërtet mund t’i zhbëjnë disa prej interpretimeve të mëparshme, po nuk venë dot deri atje sa të përmbysin gjithë kuptimin e deriatëhershëm të një vepre të caktuar.
Ç’u tha deri këtu mund të duket edhe si një përpjekje për të zvogëluar rëndësinë e botimeve kritike në punët e historianit të letërsisë. Kjo përshtypje, në u krijoftë, do të ishte shumë shqetësuese për të; ai e di mirë se aq sa do t’i duhet të flasë, në mos për tjetër, të paktën për stilin e një autori, do ta ketë më të saktë vetëm kur të niset nga tekstet e stabilizuara. Përvoja e deritanishme ka treguar se gabimet më të shumta e zbrazëtitë më të dukshme janë vërtetuar në letërsinë arbëreshe, pikërisht ngaqë asaj i kanë munguar botimet filologjike. Historiani i letërsisë e di gjithashtu se tekstet e sjella në gjuhën autentike të autorëve ia bëjnë më të mbështetura debatet e interpretimit, çka përbën dhe një nga arsyet pse është e pse kërkohet fusha e tij. Prandaj, gjithë çështja e shtruar ka të bëjë vetëm me shkallën e vartësisë së historisë së letërsisë prej tekstologjisë. Ka qenë vetë historia që e ka ndier prej kohësh se niveli i shkencorizimit të saj rritej mjaft kur nisej nga tekstet e stabilizuara. Po kjo nuk do të thotë se rezultatet e filologjisë duhej të ishin një kusht për fillimin e zhvillimin e historisë së letërsisë. Para se përparimi i filologjisë tekstore të synonte saktësinë e imtësive gjuhësore, që përmbanin edhe vlerë semantike e stilistike të pavështruara ndër veprat e trashëguara, ishte jeta shpirtërore që donte të dinte si kishte qenë ajo vetë nëpër vitet e sjella prej asaj trashëgimie. Dhe si qe ajo jetë, këtë mund ta rrëfente historia e letërsisë, që mund edhe të gabonte në disa prej shpjegimeve të saj, po prapë mbetej gjithmonë e kërkuar veçanërisht prej shkollës, që nuk priste dot aq gjatë sa shkencorizimi i historisë së letërsisë të ngjitej në shkallën më të lartë.
Ndërkaq, kërkimet, shkolla, më gjerë akoma gjithë jeta kulturore e dinin se një ditë ajo do të punonte duke u nisur vetëm nga tekstet e stabilizuara. Prandaj, për të gjitha këto arsye mbase nuk do të pyetet tërë dyshim pse u dashka të bëhet një “histori përmbi historitë”, të cilat, veç mëkateve të tjera, qenkëshin ngutur të shkruheshin pa pasur në duar botimet kritike të veprave të traditës.
* * *
Siç mund të merret me mend, një histori e teksteve të historisë së letërsisë do ta ketë fort të lehtë të jetë kritike ndaj lëndës që do të vështrojë. Mirëpo, pikërisht kjo lehtësi, që ka prirjen të shfaqet sa herë shqyrtohet çdo e kaluar, bëhet shpesh burimi i padrejtësive të rënda. Kritika mund të jetë veçanërisht e padrejtë kur flet për “mëkatin” e subjektivitetit të historisë së letërsisë në emër të një objektiviteti që në të vërtetë nuk e arrin dot as e sotmja dhe as e nesërmja. Shkak i përhershëm ndryshimesh e mosmarrëveshjesh, subjektivizmi ka krijuar megjithatë një pikë pajtimi; ai ka qenë shumë kokëfortë për të rrëfyer se, për sa kohë nuk zhduken dallimet botëkuptimore e emocionale midis njerëzve, nuk mund të zhduket as ai. E pranuar nga qytetërimi laik që në krye të herës, kjo e vërtetë mbartet e tëra nga letërsia dhe historia e saj; letërsia është subjektive, e tillë do të jetë dhe historia e shkruar për të. Ajo nuk bëhet dot shkencë në kuptimin rigoroz të fjalës, sepse pohimet e saj shpesh mbeten të paverifikueshme. E nxitur prej leximeve të ndryshme të lëndës së vet, ajo, hera-herës, e ndien veten të pambaruar, të pasigurt e të pashprehur deri në fund. Ndaj dhe e tërheq vazhdimisht dijen, që, duke synuar sa të jetë e mundur paanësinë e objektivitetit, me kalimin e viteve, të shumë viteve, arrin sidoqoftë të jetë në një mendje të paktën për dukuritë më të mëdha të ecurisë shekullore të letërsisë. Tej dallimeve të natyrshme të leximeve të ndryshme që s’mund të jenë të pafundme, historia e letërsisë vjen pra duke konverguar në disa pamje gjithëpërfshirëse që ia zbusin subjektivitetin, sigurisht pa ia shqitur kurrë.
[1] Ndërkaq, për këtë sprovë nuk do të jetë aspak shqetësuese pikëpamja, jo dhe aq e re, që e ka marrë historinë e letërsisë si një vepër që sistemon njohuritë e parashikuara në programet shkollore. Sado që shpesh të lidhura ngushtë me arsimin, historitë e letërsisë janë shkruar e do të shkruhen edhe këtej e tutje, sepse do t’i kërkojë identifikimi i vazhdueshëm shpirtëror i një bashkësie kombëtare, që do të kridhet te burimet për të gjetur atje si ka ndryshuar artistikisht bota e madhe e ideve të saj; si është lënë pas e vjetra dhe kur e në ç’rrethana, e bartur prej veprës së talenteve të shquara, ka lindur e reja. Historitë e letërsisë do të tërheqin gjithmonë mendimin shkencor, që, për të kuptuar më thellë ndryshimet dhe ngjashmëritë e kulturës mbarënjerëzore, e ka të domosdoshme të njohë, në rrafsh rajonal e pastaj edhe kontinental, ç’kanë sjellë popujt e veçantë me letërsinë e tyre në ngrehinën e gjithë qytetërimit europian.
[2] Mjediset shkencore shqiptare prej kohësh kanë qenë të vetëdijshme se gjuha e poezisë arbëreshe duhej ruajtur e paprekur. Edhe tekstet e vona Historia e letërsisë shqipe (1959, 1960) dhe Historia e letërsisë shqiptare (1983) si dhe disa punime të veçanta, i sillnin (aq sa ç’mundnin) të transkriptuara vargjet që u duheshin. Në vitet ’80, Akademia e Shkencave, me programin Trashëgimia kulturore e popullit shqiptar, kishte parashikuar botimin kritik të veprës së De Radës. Po me punën e kryer nuk u nxitua; ajo duhej të mbahej akoma derisa të krijonte bindjen se u përgjigjej cilësive shkencore të botimeve të tilla.
Ndërkaq, për t’i përfshirë në mësimin parauniversitar e për t’i shndërruar në pronë kulturore të lexuesve të zakonshëm, ishte e domosdoshme që, të paktën për një kohë, poemat e De Radës të botoheshin të kthyera në gjuhën e sotme. Mirëpo, në disa prej tyre u bënë gabime e ndërhyrje të rënda, që, hera-herës, cenonin dukshëm kuptimin e vargjeve origjinale. Shkak për ato gabime e ndërhyrje nuk ishte vetëm njohja e jo fort e sigurt e arbërishtes dhe, krahas saj edhe njohja e pamjaftueshme e kritereve shkencore të sprovave filologjike. Shkak nuk ishte as trysnia ideologjike e kohës që, duke nisur nga fundi i viteve ’60, nuk lejonte thuajse fare që botimi i veprave të traditës të shkonte te lexuesi bashkë me besimin fetar të autorëve përkatës. Por megjithatë, askush nuk kërkonte që një poeti thellësisht kristian siç ishte De Rada, t’i mvishej, përmes ndryshimeve arbitrare të teksteve të tij poetike një botëkuptim që nuk e shqetësonte shumë praktikën ateiste të shtetit shqiptar. Ndaj, në këtë mes, pa dyshim ndikonin predispozitat politike të gjithë jetës kulturore të atyre viteve; ishin ato që sajonin një brendi të quajtur përparimtare, të cilën veprat e traditës nuk mund ta kishin.