Përktheu: Anton Papleka
E përfshirë në një koleksion të botuar më 2024, në Paris, kjo tablo mbante diçiturën « Ali Pasha dhe Kira Vassiliki ». Ajo shoqërohej nga teksti i mëposhtëm :
« Ripikturim i tablosë së që Paul-Emile Jacobs-i* (1802-1866) pikturoi në Romë më 1840 për “Vila Wilhelmina” të mbretit të Würtemberg-ut, në krye të herës, kjo pikturë titullohej « Shehrazada që i tregon një histori kalifit » , në përshtatje me frymën orientaliste të Wilhelmina-s. Vepra është realizuar gjatë periudhës kur Jacobs-i trajtoi tema nga Greqia. Me shumë gjasa, ajo paraqet Kira Vassiliki (Zonjën Vasiliqi, 1789-1834) dhe Ali Pashën (1740-1822). Ky kompozim është bërë një nga veprat emblematike të Jacobs-it, shumë e përhapur me anë të litografisë së Franz Hanfstaengel-it adh C. Ficher-it dhe ka frymëzuar gjithashtu vizatimin Ali Pasha dhe Kira Vassiliki të Theodoros Vryzakis-it. Kjo tablo paraqet një çast intim, ku ndihet dhembshuria dhe dashuria. Kira, e bija e Kitzos Kontaxis-t, hyri shumë e re në haremin e Ali Pashës. Falë bukurisë dhe ndershmërisë së saj, ajo fitoi dashurinë dhe favoret e sovranit. Këtë gjë, ajo e shfrytëzoi për t’ua shpëtuar jetën një numri të madh të bashkatdhetarëve të saj.
Me origjinë nga Tepelena (Shqipëri), Ali Pasha u bë guvernatori i Janinës pas një periudhe me luftëra dhe me revolta. Përmes marrëdhënieve të tij me Anglinë dhe me Bonapartin, ai u bë mjaft i njohur në botën perëndimore. Gjatë qëndrimit në këtë krahinë, Lord Bajroni i bëri një vizitë. Emri i tij është përmendur shumë herë në veprat e Victor Hugo-së, të Alexandre Dumas-së apo të Balzac-ut. Jeta e tij e trazuar, pasuria e tij e madhe dhe haremi i tij i famshëm, u bënë legjendë për europianët. Të ngashënjyer nga personaliteti i Ali Pashës dhe nga historia e dashurisë së tij me Kira Vassiliki-në, piktorë të mëdhenj të asaj kohe si Monvoisin-i, Faucher-i apo Vryzakis-i e trajtuan këtë subjekt.
Tabloja origjinale e P. E. Jacobs “Ali Pasha dhe Vasilikia” është botuar në librat “Shqipëria në Art”, Onufri, Tiranë, 2018, f. 133 dhe “Shqiptarët në Artin Botëror”, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2019, f. 289, të autorit Ferid Hudhri.