More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Visar Zhiti - Në kërkim të britmës shqiptare

    Ali Aliu: Visar Zhiti – Në kërkim të britmës shqiptare

    Visar Zhiti, edhe me këtë libër, prek plagën ndër më të hidhurat të bashkëkohësisë shqiptare: krizën morale, krizën e vlerave, duke mos e humbur besimin në të nesërmen. Është përplot refleksesh të tilla koha shqiptare, ku me këtë rast, përmes depërtimit lucid në psikën e personazheve, përmes gjallërimit të përsiatjeve, dilemave, ëndrrave të tyre, Zhiti përgjon dhe dëgjon sferën më të pasigurt, më të pakapshme, më rrëshqitëse – zemrën e njeriut. Është ky një rrëfim mbi ushtrimin e dhunës dhe pasojat e saj, mbi qëndresën dhe ëndrrat, të një sistemi të kaluar por të pleksur nëpër këmbët e të sotmes, që, si prani e projekton dhe e shtyn drejt së nesërmes; rrëfim që vjen sa përmes gjallërimit të kujtesës, sa përmes absurditeteve dramatike të botës shqiptare aktuale, sa përmes horizontit të mjegullt dhe kaotik të së nesërmes, sa përmes britmës individuale të mekur, ngjashëm me britmën në shkretëtirë, sa përmes një besimi akoma më të vakët se një ditë do të dilet nga tuneli. Një pleksjeje e tërë ndjesish dhe vizionesh, që nga zhgënjimi dhe dëshpërimi, ulëritja e heshtur që mëton të artikulohet zë i fuqishëm i artit letrar-romanor, përsiatjet në radhë të parë të personazheve, të ëndrrave dhe klithjeve të tyre të heshtura, për pafuqinë përballë brutalitetit të djeshëm dhe të sotëm, të gjitha këto rrjedha, të pleksura në kohën dhe hapësirën që përfshin rrëfimi i romanit , rezultojnë në një vepër të përsosur letrare. Është për të nënvizuar se , rrëfimi mbase më dëshpërues, kësaj here vjen nga një krijues që ka qenë vetë viktimë, që i ka provuar dhe ka ecur me vite nëpër tunelet e burgjeve, por që, si me veprën letrare ashtu dhe me sjelljen e tij si qytetar është shquar me energji pozitive, pajtim dhe mirësi, sjellje e dëshmi që është larg mërive dhe revansheve. Nuk ka manifestuar ndjenjë të tillë as ndaj hetuesve-xhelatë që i ndesh në rrugë, në kafe. Por kur struktura të tilla arrijnë të bëjnë edhe ligjin, – këtë, pikërisht këtë s’ka mundur ta pranojë, të paktën jo pa vënë ulërimën…

    Tani më është qartësisht e pranueshme fuqia ngasëse e Visar Zhitit për të rrëfyer, përkatësisht për t’u çliruar nga mbamendja e burgosur, e shtresuar palimpsest, që, si synim i brendshëm, në momente i ankthshëm, mëton kthimin e drejtpeshimit të munguar, gjetjen e të humburës nëpër kohë, shërimin e çarjes në ne, të qenies sonë, plasaritje që na shoqëron viteve. Në romanin më të ri vjen shpërthyes kundër së ligës që e pushton komodshëm hapësirën e përditshmërisë shqiptare, vjen mëtim drejt gjetjes së drejtpeshimit të humbur, dhe -në kundërshtim me skeptikët e shumtë – beson se letërsia ende mund të dëgjohet dhe ndikojë në gjetjen dhe ruajtjen normalitetit dhe kuptimit, në përputhje me misionin e krijuesit. Brenda ritmit të çrregulluar shqiptar, në kohë dhe hapësirë, brenda ekstremeve të skajshme që manifestojnë ata, – që nga vërvitja majave artistike-krijuese europiane (ekspozita e Evgjenit në Napoli, që “ ia dola të iki nga andej ku ka vetëm urrejtje…) nga njëra anë, deri tek mafia me imagjinatë më marramendëse, nga ana tjetër, Visar Zhiti, me ngasje të ethshme krijuese, gjakon pas gjetjes së humbur të vetvetes shqiptare, nëpër Arbëri dhe nëpër hapësirën europiane. Arratisjet shqiptare nëpër botë, përmes imagjinatës gjatë diktaturës dhe realisht pas saj dhe në vazhdim, në kërkim të së humburës, të vetvetes, prania e hijeve të këtij kërkimi, dashuria dhe urrejtja e pleksur si një përditshmëri bashkë, sidomos në një hark kohor kapërcyell, koha e daljes nga tuneli drejt dritës, që nuk po vjen e plotë sot e gjithëditën, jehojnë fuqishëm, si klithje ulëritëse e heshtur në romanin më të ri të këtij autori. Në këtë kohë britmash, Zhiti sjell personazhe që, si të vërtetë dhe si hije, jepen në kërkim të njëri-tjetrit e që nuk arrijnë dot të gjenden, që sillen si në një rreth të mbyllur, pa shpresa e gjasa të sigurta për t’u gjetur. Më mbresëlënësi është Martini që kërkon një të humbur pa gjurmë, duke trokitur dyerve të emigrantëve shqiptarë nëpër Europë, me një refren, “.. po të keni dëgjuar për të, a nëse dëgjoni, më lajmëroni”. Në këtë kërkim-golgotë, regjistrohen dukuri rrëqethëse, si për shembull: kërkuesi i Gjergj Guraziut, ndër të tjerat, do të hasë edhe në një administrator shteti, te zyra e të pagjeturve, dhe del ish hetuesi, ku do të zhvillohet edhe ky dialog: “… ti do më thuash mua persekutor, por unë të nxjerr dëshminë e persekutimit, kam vuajtur sa ti, në mos më shumë. Të kam ruajtur, kam bërë policin, spiunin në terr, në të ftohtë… Dhe mos harroni, ju keni qenë bashkëpunëtorë me ne, keni kallëzuar njëri-tjetrin…”. Këtë ngarkesë ka e kaluara, e pranishme në të tanishmen, prandaj, njëri nga personazhet e romanit do të ulërijë: “Tani që shteti tjetër po bën përpara, shpesh kërkon të hapen dosjet dhe të dënojë krimet e komunizmit… po të postkomunizmit?”. Ose, “ Është shtuar liria por është pakësuar morali… Në urrejtje ndihen të fortë tani njerëzit… duan të jenë individë pa qenë individualitete”.

    Mbase është dashur të jepet në fillim të këtij shkrimi, një shënim i autorit në fund të romanit, që po e sjellim të plotë, me që del domethënës, sidomos për ta marrë me mend, shqetësimin krijues dhe njerëzor gjatë rrëfimit. “…mbresa dhe shënime në një qytet të vogël të atdheut, në Lushnjë, pastaj në Milano, riparë dhe shtuar në Romë, kësaj vere, kur jo vetëm shekulli është tjetër. Por mua më dukej se vazhdoja të isha në “Asgjëkundi”, ndoshta nga që shkruaja mbi një tavolinë të vogël e të çarë në një korridor gati sa tryeza, sikur të mos ishte apartament i ambasadës, por banesë e mjerë refugjati. Prandaj, për çdo mëkat të këtij rrëfimi, fajin e ka e çara mbi tryezë, si një britmë e vdekur, e cila vijon dhe në kufirin midis vendeve ashtu si edhe në kafkën time…”. Britma shtrihet në rrëfimin romanor dhe jehon e pazëshme,si vragë e përhershme e ndërgjegjes së autorit, e nxitur nga një dialog mes Evgjenit dhe Adrianit :

    – E keni pare “Britmën” e Eduard Munch-ut?, e ndërpreu Adriani.– Ou, briti Evgjeni, kam vajtur në Norvegji për të, në muzeun e tij në Oslo. Ato retë e përgjakura, ai ankth… Edhe atje pyeta për Afërditën, Gjergjin… Kam dashur dhe unë të pikturoj britmën time. Britmën pa gojë, pa trup, pa njeri, britmën erë, fantazmë. – Është më i tmerrshëm njeriu pa britmë.

    – Sigurisht! Britma pa popull, sa e frikshme. Popull pa qeveri edhe mund të ketë, jam dakord, po pa britmë? Mallkim!

    Është britma shqiptare që gjakon të çlirohet, të ekuilibrohet, të pastrohet nga vuajtjet dhe mëkatet, nga frika dhe nënshtrimi, nga hakmarrja dhe urrejtja; është britma në kërkim të të pategjurve dhe të pagjeturës, në kërkim të së humburës dhe të të humburve, në kërkim të vetes dhe vetvetes së pagjetur… Shtrihet kështu në hapësirën pafund britma e Visar Zhitit si një fluid ankthi dhe rrëqethje gjatë udhëtimit të Gjergj Guraziut dhe Afërditës natën e stuhishme shqiptare nëpër një fushë e terri të pafund, rafshit të vërshuar real e ireal. Në një vegim të tillë do të humbin ëndrrat e tyre të prangosura, ndjesitë dhe emocionet që s’arrin t’ua çlirojë as stuhia e jashtme as ajo e brendshme; çdo gjë do të tretet në pakthim si një hije, për gjetjen e të cilave do të bredhë nëpër botë si somnabul Martini. Tretja e tyre do të mbetet një përfytyrim sa i afërt dhe i prekshëm po aq rrëshqitës, pa qenë të denjë ta kemi, ta meritojmë; vjen si një përftim ëndërror pranë nesh, duke lënë pas vetëm misterin e natës së gjatë të stuhishme shqiptare dhe ndjekësit që së bashku do t’i gllabërojnë…

    Rrëfimi në romanin më të ri të Visar Zhitit që ringjall kujtesën dhe mëton çlirim duke gërvishtur skutave më të padukshme, më të errëta të botës së njeriut, kryesisht zgjedh, sa bashkëbisedimin me veten, sa rrëfim me aromën e sentencës, sa me elegancë klasike dhe me përvojë narrative të kohës, duke mos iu robëruar asnjërës. Rrëfim që krijon atmosferë të fuqishme, tensionime dramatike që përftojnë nëpër atë hapësirë si fluid i kudopranishëm, atmosferë edhe në kuptimin e një dokumentari historik, siç është koha-kapërcyell (fundi i 80 –fillim i 90), brenda së cilës ushtrohet obduksion narrativ i idealeve të vdekura; rrëfim që sjell një tjetër pamje të kategorisë kohë, koncept që lejon prani paralele të më shumë kohëve në prezent, që përmes kësaj estetike të kohës, Zhiti, fare natyrshëm arrin dekompozimin kronologjik të narracionit dhe artikulimin e strukturës mozaik të rrëfimit, polifokalitetin, – më shumë perspektiva vrojtuese të personazheve, poetikë narrative e preferuar sot… Është në natyrën e këtij narracioni reflektiv, po ashtu, sentencialiteti që si diskurs shtrihet hapësirës kohore të pakufishme – pa referenca të domosdoshme kohore, përkatësisht ajo, sentenca, perceptohet si e gjithëkohshme. Kështu, sentencialiteti dhe përsiatja refleksive, duke qenë referencë pa kornizë kohore, përkatësisht duke u shqiptuar si e tanishme, në fakt e universalizon dëshminë e ngarkuar në roman. Kjo frymë e bën romanin më të ri të Zhitit të përjetohet si shumëzëshmëri, si shmangie e herëhershme nga boshti fabular, në favor të heterogjenitetit të diskursit tekstor. Gjuha që përdor personazhi nuk i drejtohet referentit, (objektit, botës, realitetit) por brenda saj përqendron vëmendjen te përcjellësi, tek qëndrimi emocional ndaj asaj që përcjell. Ngacmimet e jashtme shtyhen drejt shpalimit të relievit të brendshëm të personazheve. Gjatë depërtimeve në thellësitë e tyre, ndjehet edhe një si dilemë e largët: sa mund të jetë vetëvetja njeriu, përkatësisht sa i takon vetes e sa botës, sa përplotësohet, kuptimësohet përmes tjerëve, sa tjerët përmes tij…


    LULET E SANREMOS
    Pjesë nga romani “Në kohën e britmës”
    e Visar Zhitit

    Lulet e Sanremos, tha me vete Martini i lumtur. Mund të fillonte punë së shpejti atje, në Sanremo, të shpërndante lule nëpër qendrat ku tregtoheshin, dhe kishte filluar t’i shikonte me vërejtje rrugëve ato, shitore të drunjta, sa të bukura, mbushur me gjethnajë e petla lloj-lloj deri në çatitë e tyre, si të ishin të Edenit.

     Do të shkonte me kamion në Milano dhe në qytete të tjera pranë Sanremos, më sipër, pllajave, rrafshnaltave, në kohën e borës, me lule që shkërbenin borën, diellin, zemrën, do t’i afrohej Adriatikut Verior, por Detin Ligur do ta kishte më afër. Sikur të kishte pasur patentë për automjetet, do të kishte filluar punë menjëherë, ja, sa ta merrte. Po a ta fillonte me biçikletë njëherë? Nuk do të shpërndash vetëm buqeta me lule për zonjat, kishte buzëqeshur Amedeo. Dhe e kishte regjistruar në një kurs. Por mjafton t’i hipi kamionit, i thoshte Martini, po nuk e ngava menjëherë, se bëra me mend listën e atyre që u japin makinave në qytetin tim, ka debila sa të duash, të ligj. Kur dinë t’i japin ata, them, unë menjëherë, sa ta ndez, s’kam nevojë fare për orë mësimi e prova.

     Amedeoja kishte qeshur me zë. Si janë nga shtëpia, e kishte pyetur, prindërit, motrat? Mirë, mirë, të fala, ishte përgjigjur Martini.

    Qenë gëzuar, kur u kishte thënë në telefon se do të fillonte punë. Ua, qe magjepsur Rezana, pse ka lule të bukura Sanremo, si këngët? Po, po, nga këngët bëhen. Edhe këngët nga lulet… Beti thoshte se kishte përmirësime ajo, ishte më e qetë. Si t’u çonte lule të Sanremos motrave? Po afronte ditëlindja e Rezanës, e Betit më pas. Një buqetë të madhe në shtëpi… Atje ende s’vënë lule. Do t’i çoj vetë. Do të hap dyqan lulesh… Dhe iu përshfaq si një pllangë gjaku një trëndafil i largët, e këputi ajo, Afërd… kur ikte me Gjergjin… ndoshta në udhëtimin e tyre të fundit… e shtypi makina… trëndafilin… Po ti nga e di? Qysh?… S’donte ta nëpërmendte as pse e dinte….

    Të fillonte punë njëherë, kjo kishte rëndësi tani, përndryshe duhej të kthehej nga kishte ardhur ose të çmendej. Do t’i pëlqente të merrej dhe me biçikleta, montim, riparim, si punë shtesë. Të ikte dhe nga shtëpia e gazetarit, ata e kishin mbajtur shkëlqyer, as mund të besohej kjo mikpritje, por duhej t’i linte të qetë, me mirënjohjen më të thellë, duke mbetur mik me ta.

    Po ti mos u shqetëso dhe aq, do të ikësh, i kishte thënë e zonja e shtëpisë, por këtu ka dhoma plot, të kemi pasur ndihmë… Edhe baby-sitter-in kishte bërë.

    Vërtet, ç’u bë ajo? Këta s’e zunë më në gojë, do të jenë marrë vesh me të, dhe Martini nuk ia lejonte vetes të pyeste për më tej. I përshfaqej herë pas here lakuriq, siç po shkonte në vaskë atë mesnatë… sikur ikën, ashtu i duket ende. Të ketë qenë ai shkaku i largimit të saj? Sa keq, sa keq!

    Kurse çupëza e vogël qe miqësuar së tepërmi me Martinin, hidhej nga krahët e s’ëmës tek ai dhe gurgullonte në të qeshura. Sa shpejt që rriten!

    – Të lutem, eja pak me mua në dhomën e librave, – i tha me zë të ngrohtë e zonja e shtëpisë, aq sa dhe dy “n”-të e emrit të saj si në romane iu duk se u bënë inkandeshente.

    – Patjetër, – i tha Martini, duke menduar se do të mbartte ndonjë gjësend. I pëlqente druri në studio, edhe era e librave, edhe kolltukët e zinj.

    Nga një sirtar ajo nxori një Bibël.

    – Shiko, – i tha, – lule të thara nëpër fletë. Janë nga Shqipëria.

    – Vërtet?

    – Po, po. Babai i Amedeos, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë ushtar pushtues atje… Në letrat që i çonte mamasë së Amedeos, i futte dhe nga një lule, janë nga Olimpi juaj, s’e di si quhet, e shkruan vendin. “Lulet e mia në Bibël”, – mërmëriti Martini. – Kur kapitulloi fashizmi dhe ushtarët italianë ndiqeshin nga nazistët e pushkatoheshin si dezertorë, babanë e Amedeos e mbajti një familje shqiptare. Jo vetëm atë, por shumë, besoj e di?

     – Me mijëra, – tha Martini, – e di. S’ka ndodhur gjëkundi që atë që vjen si pushtues, ta futësh në shtëpi e ta mbash si tëndin. Edhe në familjen e gjyshit tim në fshat kemi pasur dy italianë. Kur mbaroi lufta, i përcollën si vëllezër për në vendin   e tyre, në Itali. Ngaqë u vendos diktatura në Shqipëri, u ndaluan dhe lidhjet me ta, letërkëmbimi. Dhe u harruam…

     – Ti e di nga janë ata që mbajti gjyshi yt?

     – …italianë…

     – Babanë e Amedeos e kisha dëgjuar edhe unë të thoshte se shqiptarët janë populli më i mirë në botë.

     – E pse s’më ka thënë gjë Amedeoja për këtë? – po vriste mendjen Martini.

     – S’e di. Jam e sigurt se Amedeoja kështu do të vepronte me ty gjithsesi. Jo se po shlyente ndonjë borxh. Nuk të ka thënë gjë, se ti i meriton të gjitha, që të…, – por heshti pa e mbaruar fjalinë. Iu afrua Martinit, që po rrinte në këmbë me Biblën ende ndër duar, dhe e puthi lehtë në ballë.

     – Falemnderit, – u prek Martini. – Falemnderit dhe për punën që më keni gjetur në Sanremo, – shtoi. – Jam shumë i gëzuar.

     – Martin, tani do të të tregoj ç’më tha ajo shoqja ime që gjeti punën tënde. Po ta them, që të ndjellim fat sa më të bukur për ty. Dëgjo. Dikur, shumë vjet më parë, kishte punuar dhe një shqiptar tjetër në Sanremo, shpërndante lule me kamion. Ishte i arratisur politik, bashkë me të vëllanë, shkrimtar i ndaluar te ju, por i njohur, Ernest quhej, mbiemrin se si e kishte…

     – Koliqi, – ia priti Martini.

     – Po, bravo! Vëllai i Ernest Koliqit, pra, ishte shpërndarës lulesh. Niset nga Sanremoja me kamion për t’i çuar s’di se ku. Ndalon te një vend i bukur, me shtëpitë në kodër, dhe do që të takojë një vajzë të bukur, që ai e pëlqen, duhen, do që t’i japë lulen e saj, siç e ka bërë zakon. Ndërsa ngjitet kalldrëmit përpjetë, dëgjon kambana. Merr vesh se ajo ka vdekur papritur dhe kamabanat po bien për të. Dhe ai sjell kamionin aty e zbraz të gjitha lulet mbi të vdekurën. E mbulon. Dhe e lë atë punë… Nuk u martua kurrë. Martin, mos u trishto. Ta thashë për të besuar se ç’ishte e trishtë e tragjike, kaloi. Ty tani të pret tjetër gjë, të shkarkosh lulet në dasmën tënde.

     – Të motrave, – uroi me shpirt Martini. – Ne e kemi zakon, martojmë ato më parë.

     – Sa bukur! Ka pasur të drejtë vjehrri im që thoshte ashtu…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË