More
    KreuOpinionAli Aliu: Refuzimi për ta riprodhuar strukturën autoritare në letërsi

    Ali Aliu: Refuzimi për ta riprodhuar strukturën autoritare në letërsi

    Përmes krijimtarisë monumentale të Ismail Kadaresë, letërsia shqipe për herë të parë preku majat letrare evropiane dhe botërore dhe arriti të shpërthejë jo vetëm izolimin ideologjik por edhe kufijtë stilistik dhe shterpësinë letrare të realizmit socialist. Në një mjedis që përpiqej të shpërfytyrojë letërsinë përmes veprave të porositura në shërbim të interesave ditore të politikës, Kadare arrin të dëshmojë epërsinë e artit, në radhë të parë duke e shpëtuar gjuhën dhe mendimin e lirë nga zvetënimi orvelian.

    Si çdo lloj tjetër diskursi, letërsia është riprodhim i strukturave ideore të shoqërisë që e prodhon dhe njëkohësisht e konsumon atë letërsi. Kadare arrin ta shkatërrojë ciklin vicioz ideologjik përmes rrëfimtarit joautoritar dhe mosndërhyrës duke e nxitur bashkëndiesinë e lexuesit dhe duke e inkurajuar interpretimin e lirshëm, kritik, e të pavarur nga tutela e autorit didaktik e moralizues.

    Edhe në prozën e tij më të re pas largimit nga Shqipëria, Kadare vazhdon t’i përsosë tiparet kryesore të krijimtarisë së tij: përgjegjësinë artistike-letrare, kombëtare, dhe atë politike. Fakti që Kadare tani i artikulon drejtpërsëdrejti mesazhet politike, nuk e ka dobësuar përgjegjësinë e tij politike në letërsi. Dhe ajo që është më e rëndësishme, këto mesazhe nuk bëhen në formë predikimi, siç ndodh jo rrallë në letërsinë shqipe, por transmetohen përmes gjetjeve të reja të shprehjes letrare. Pikërisht kjo mjeshtëri e rrëfimit e bëri të vlerësuar Kadarenë ndërkombëtarisht, jashtë klishesë tipike të interesimit të Perëndimit për disidentët. Vetë autori në një intervistë dhënë BBC-së (11 qershor 2005) shpreh pakënaqësi me etiketimin e veprës së tij si ‘politike’: “Kur unë them që nuk jam një shkrimtar politik e them këtë me bindje, sepse duke e njohur mire letërsinë e madhe botërore, e di qe doza e politikës është një gjë e pashmangshme në letërsi, është pjesë e jetës dhe shkrimtari nuk duhet te ketë turp nga politika, por që të pasqyrosh ne veprën tende edhe rrethana politike ku jeton, kjo s’do te thotë aspak që ti je një shkrimtar politik. Termi me duket është i gabuar.”

    Në veprën e Kadaresë identiteti kombëtar paraqitet si sfidë dhe kërcënim ndaj sistemit diktatoriali, ai flet për identitetin e lashtë të Shqipërisë, për Shqipërinë më të lashtë dhe më të përjetshme se ajo e Enver Hoxhës. Është interesante të vërehen tendencat e reja në Shqipëri dhe në Kosovë, që e shohin etnicitetin si romantizëm politik dhe si relikt anakronik, e që më shumë i gjasojnë kozmopolitizmit të dikurshëm marksist. Prandaj ky dimension i përgjegjësisë kombëtare të veprës së Kadaresë ngel ende tejet aktual.

    Universi letrar i Kadaresë është shënjues i një epoke letrare shqiptare, duke integruar fragmente të shpërndara në kohën dhe hapësirën shpirtërore –letrare shqiptare, duke u përplotësuar hap pas hapi, nga vepra në vepër, duke rrezatuar nga thellësitë mitike, nga bota e përtejme, madje dhe nga zona e errët e ëndrrave. Dimensioni kombëtar i veprës së tij nuk duhet ngatërruar me trajtimin e temave të natyrës unike kombëtare, sepse Kadare ka arritur gjithmonë të përçojë mesazhe universale me krijimtarinë e tij, duke mos rënë asnjëherë në grackat e trajtimit stereotip e ekzotik të kulturës vendase. Kadare hyn në dialog sfidues për egzistencën, me fate e fatalitete, me dramën e përhershme të njerëzimit, dhe pavarësisht izolimit të popullit tonë gjatë shekujve, në krijimtarinë e tij asnjëherë nuk ka pasur urrejtje dhe nënçmim ndaj të tjerëve, që është argument i fortë se mund të ndërtojmë një komb të shëndoshë të bazuar mbi vlerat e civilizimit evropian dhe mbi kauzën tonë të drejtë kombëtare e njerëzore. Është i veçantë kontributi intelektual i Kadaresë për njohjen e drejtë dhe të saktë të çështjes së Kosovës, përmes ndikimit në diplomacinë evropiane dhe shtypin evropian, gjë që ka ndikuar në krijimin e opinionit publik ndërkombëtar. Një angazhim intensiv publik i përmasave të këtilla vështirë se mund të krahasohet me shembull të ngjashëm të ndonjë personaliteti të madh të hapësirave shqiptare, nga cilado fushë e dijes.

    Në mjedisin shqiptar nuk kanë munguar sulmet që i janë bërë personalitetit të shkrimtarit të vetëm shqiptar me renome përmasash globale. Meqë ky shkrim nuk ka për qëllim trajtimin e këtyre sulmeve, po e theksojmë se mendimi sipas të cilit përshtatja e pashmangshme dhe e domosdoshme e shkrimtarit brenda regjimit totalitar ka qenë vepër kriminale dhe duhet ndëshkuar, është logjikë tipike diktatoriale, e cila është e verbër ndaj faktit se Kadare ka krijuar art universal edhe brenda regjimit më të egër komunist.

    Frymëzimin intelektual dhe shpirtëror që vjen nga letërsia e madhe e ka artikuluar fuqishëm Azem Shkreli në poezinë e tij antologjike “Përshendetje me miq” kushtuar Kadaresë, me fragmente nga e cila dëshirojmë ta mbyllim këtë shkrim. Vetëm shkrimtarët e mëdhenj janë në gjendje të thurrin me kaq çiltërsi odë miqësie për shkrimtarë të tjerë, dhe të pranojnë se për të arritur majat duhet të kesh një model dhe një inspirim. Në vargjet e kësaj poezie, në çaste të thella dëshpërimi, poeti i fton në vetminë e vet miqtë, të përhyjnuarit, qiellorët, që fluturojnë si engjëj në kullën e tij, dhe ia përzënë hijet e terrin, ia ndriçojnë shpirtin, ia mëkojnë besimin, ia largojnë zjarrminë, ia fashitin dhimbjet:

    Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës

    Kudo e ngado është juaja pos mohit, pos orës së prapë

    Dhe krismës prapa shpinës

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË