KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Kadare, ndikimi letrar dhe moral në proceset historike

Ali Aliu: Kadare, ndikimi letrar dhe moral në proceset historike

Në tregimin “Ëndrra mashtruese” (1985), Ismail Kadare sjell një pamje monumentale nga froni qiellor: Zeusi thërret në zyrën e vet njërën nga perëndeshat dhe i jep urdhër që, së bashku me një regjistër me dhjetëra mijëra emra njerëzish dhe po aq tubeta që mbajnë brenda lëngun – ëndrrën – të zbresë në tokë dhe, me kujdes, t’ua derdhë atë në gjumë secilit prej tyre. Emrat u përkasin kohëve, hapësirave dhe fateve të ndryshme: nga Homeri e Konfuçi e deri te epokat moderne. Edhe ëndrrat janë të shumëllojshme: disa nxisin pasion për të djegur qytete (Agamemnoni), të tjera zgjojnë rebelime prometeike; ka ëndrra me ferr e parajsa danteske. Në këtë varg përfshihen gjenitë – Shekspiri, Borgesi, Xhojsi – deri te arbërorët Ismail Kadare dhe Shtjefën Gjeçovi.

Tregimi ngjall një përfytyrim të thellë për enigmën e “muzës” – frymëzimin krijues – jo vetëm në letërsi, por edhe në fusha të tjera, përfshirë madje edhe talentet e së keqes. Në këtë frymë, Zeusi dërgon ëndrra me efekte të kundërta: nga ato të hitlerëve, deri te ato të shekspirëve. Teksti është i pasur me shtresa kuptimore, aluzione dhe ironizime fine; aty gjejmë zili, mani, paranoja sundimtarësh – përfshirë edhe vetë Zeusin – komplote e konspiracione që autori i trajton me një finesë të hollë artistike.

Perëndesha që shpërndan ëndrrat, e shtyrë nga kërshëria, ndalet herë pas here për të parë reagimin e të përzgjedhurve. Pasi zbraz lëngun e tubetit në veshin e Ismail Kadaresë, ajo sheh këtë imazh: “…Lëngu i tubetit e përndiste trurin e njeriut për t’u sulur midis një vrime të zezë kozmike, në kërkim të vendit të vet, të thithur prej kohësh prej vrimës e të shtypur prej trysnisë së tmerrshme, siç shtypet një automobil prej presës për t’u bërë një grusht. Do të sulej pra, ky i mjerë, për ta mbështjellë atë lëmsh e për të nxjerrë prej tij qytete, ujëra, breza njerëzorë, kambanore kishash, alpe, flamurë, borë e histori e s’di çfarë tjetër.”

Në pak rreshta, Kadare sjell një vizion gjenial: atdheu i përthithur nga një “vrimë e zezë”, i shtypur si metal nën presë, por që prej asaj errësire do të nxjerrë qytete, histori, kambanore, alpe – një univers të tërë. Vetëm përmes dy ndërtimeve të zgjeruara stilistikisht ai artikulon një bërthamë kuptimore që shpesh do të kërkonte vëllime studimore për t’u shpjeguar. Mjafton një pasazh për të sjellë imazhin fizik, metaforik dhe shpirtëror të vendit të vet në universin e tij letrar.

Nuk është e rastësishme që pranë këtij vizioni vendoset figura e Shtjefën Gjeçovi. Kadareja e kishte të lindur ndjesinë e të qenit bir e pinjoll i një familjeje etnike me rrënjë të lashta, antike. Për të, arbri dhe Arbëria nuk janë më pak se qytetërimet perëndimore me statuse të konsoliduara historike. Ky besim i lindur rrezaton në tërë veprën e tij letrare. Këtë e dëshmojnë edhe ato pak fjali të ëndrrës që ia sjell dorëzana e Zeusit, të cituara më sipër: nga një pikë e zezë e globit, në kërkim të vendit të vet të vërtetë, ai do të nxjerrë hapësira, qytete dhe stoli që përngjajnë me botën e qytetëruar. Edhe në jetë Kadareja ishte i tillë. Në letërkëmbimet me burra shteti nga më vendimtarët e botës rrezaton po ky besim. Në deklarata, intervista e biseda të shumta, sa herë përmendet shqiptaria, qyteti i tij i lindjes shfaqet si një fron qiellor, me sfond ku vezullojnë baladat arbërore, legjendat dhe eposet shqiptare, me përmasa pothuaj qiellore. Të gjitha këto vizione reflektojnë misionin krijues të Ismail Kadare dhe lidhen natyrshëm me monumentin shpirtëror e mendor të Kanuni i Lekë Dukagjinit, autorin e të cilit ai e vendos në një lloj Panteoni kulturor shqiptar.

Kadareja e ka vlerësuar lart Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke e konsideruar kryevlerë monumentale kulturore dhe historike shqiptare, kudo që është përmendur ai. Me një rast, e ka quajtur “kushtetutë” që ka rregulluar jetën shqiptare për shekuj. Njohës e studiues shqiptarë dhe të huaj e kanë cilësuar Kanunin si dëshmi të një populli të vetëdijesuar për veten dhe për identitetin e tij; si një tekst themelor, të mbledhur e kodifikuar nga Gjeçovi, që përmban palcën etnike të kombit. Ai përfaqëson një portret të shpirtit dhe mendjes arbërore në një hark kohor gati njëmijëvjeçar, që shtrihet para pushtimit osman, duke përfshirë principatat arbërore nga shekulli i njëmbëdhjetë e këndej, me vezullime që depërtojnë drejt qytetërimit antik. Kjo përputhet me besimin, vizionin dhe filozofinë e Kadaresë mbi statusin shpirtëror e mendor të kombit shqiptar. Në këtë frymë, filozofi Ferid Muhiq, në një studim të njohur, e quan Kanunin “kanonizim monumental të fakteve, dinamikave dhe marrëdhënieve të përgjithshme”, një arritje të jashtëzakonshme në historinë e përpjekjeve njerëzore për të krijuar shprehje autorefleksive të universit kulturor duke theksuar se thesari botëror, me gjasë, nuk njeh një kodeks kaq sistematik e të plotë (me përjashtim të Talmudit)”.

Dashuria e Kadaresë për Kosovën ishte po aq e fuqishme sa për Shqipërinë. Kur një pjesë e saj – Kosova – përjetonte çastet më dramatike, zëri i tij, tashmë me ndikim botëror, ishte ndër më të fuqishmit në mbrojtje të saj. Dhjetëvjeçari i fundit i shekullit njëzet është i ngarkuar me misionin pro Kosovës të Kadaresë. Sidomos ditari “Kosova”, i mbajtur gjatë dhjetë muajve të vitit të fundit të shekullit, ndër më vendimtarët për kombin, përbën një tekst unik në mbrojtje të Kosovës dhe në dënimin e krimeve serbe mbi popullatën shqiptare. Po ashtu, shkrimet e shumta të botuara në gazeta prestigjioze evropiane (veçanërisht në “Le Monde”), si dhe letrat drejtuar personaliteteve shtetërore me ndikim ndërkombëtar – François Mitterrand, Jacques Chirac, George W. Bush, Pope John Paul II, Václav Havel – si dhe polemikat me figura e institucione ballkanike, përfshirë klerikë e akademikë serbë, të përmbledhura në librin “Ra ky mort e u pamë”, dëshmojnë angazhimin e tij të drejtpërdrejtë në ato ditë vendimtare për Kosovën dhe për kombin shqiptar.

Në trajtimet mbi rrjedhat historike të Kosovës në fund të shekullit njëzet, përmenden si zëri publik i Ismail Kadare ashtu edhe veprimtaria politike e Ibrahim Rugoves. Rugova kishte një vizion të artikuluar për të kaluarën dhe të ardhmen shqiptare në Kosovë dhe në hapësirën arbërore. Për një kohë të gjatë, shqiptarët e Kosovës, të ekspozuar ndaj represionit dhe dhunës sistematike, nuk kishin gjetur mbështetje të qëndrueshme ndërkombëtare; propaganda antishqiptare serbe kishte ndikuar ndjeshëm në perceptimet evropiane. Strategjia e Rugovës u përqendrua në krijimin e aleancave dhe në fitimin e besimit të faktorëve ndërkombëtarë. Brenda viteve të fundit të shekullit njëzet, me qetësinë e tij të lindur, mirësinë e brendshme dhe humanizmin, arriti të ndërtojë marrëdhënie komunikimi me figura si Bill Clinton, Madeleine Albright, Tony Blair dhe Wesley Clark, duke e paraqitur çështjen e Kosovës si problem të sigurisë dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Në këtë kontekst, ndërhyrja e Aleancës së NATO-s mund të shihet edhe në dritën e ndikimit të zërave intelektualë dhe politikë që artikuluan vazhdimisht rrezikun e përshkallëzimit të dhunës. Roli i Ismail Kadare në sensibilizimin e opinionit publik dhe të qarqeve vendimmarrëse ndërkombëtare përbën një dimension të rëndësishëm të kësaj periudhe. Ndikimet personale dhe morale në proceset historike janë të dokumentuara në shumë raste; në situata krize, autoriteti kulturor dhe simbolik i një shkrimtari të njohur ndërkombëtarisht mund të kontribuojë në formësimin e perceptimeve dhe të klimës politike në të cilën merren vendimet.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË