More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Antologjia e Rudolf Markut, një zhgënjim që duhet harruar

    Ali Aliu: Antologjia e Rudolf Markut, një zhgënjim që duhet harruar

    Vepra “Antologji e poezisë modern shqipe” e Rudolf Markut më solli ndërmend një kujtim të hidhur nga vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar: një botuesi maqedonas në Shkup i ofrova për botim një antologji të poezisë bashkëkohor shqipe, që e pranoi; u zgjodh grupi i përkthyesve nga gjuha shqipe në maqedonishte dhe pas disa muajve dorëshkrimi shkoj për radhitje në shtypshkronjën e njohur Goce Dellçev; në procesin e lidhjes, (e ndiqja edhe vetë tërë procesin) një politikan i lartë shqiptar, (S.S.), e denoncoi përmbajtjen e antologjisë, e cila u tërhoq dhe u ndalua, me akuzën se në të janë përfshirë poetë nga shteti (armiqësor) shqiptar dhe, si e tillë synon Shqipërinë e madhe…. Ajo antologji, me tridhjetë e një poetë, rreth gjysma nga Shqipëria, pa dritë në Shkup pas afro tridhjetë viteve, më 2001. Një vit më vonë, pra më 2002, me plus tetë poetë të rinj, u botua edhe nga shtëpia botuese Albin në Tiranë…

    Në vitin 2023, në Tiranë, botohet një antologji e poezisë shqipe, pa gjysmën e saj,  që të le pa fjalë; mendësi që të sjell në kujtesë politikën e Beogradit, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në ish Jugosllavi, përmes së cilës afirmonte idenë se ne, në Kosovë jemi botë ndryshe nga ajo e Shqipërisë, që kemi një tjetër gjuhë, një tjetër histori, etni…,  ngjashëm me këtë të antologjisë së Rudolf Markut…

     Një zhgënjim që duhet të harrohet!

    Pse e bën këtë Rudolfi? Ne, të zemëruarit, nuk kemi të drejtë të kërkojmë nga ai, që të ndryshojë qëndrim, bindje, të heqë dorë nga antologjia e vet, nuk kërkojmë të pamundurën, të heqë dorë nga vepra e vet, që ai të mos jetë i tillë çfarë është, por kemi të drejtë dhe obligim t’i shtrojmë pyetje: pse mendon, pse vendosi t’a heqë gjysmën e poezisë shqipe, nga tërësia e saj? Pse e bën këtë duke qënë në paqe me veten, me “ndërgjegje të rehatuar”? Rudolfi, fundja edhe mund të çmendet dhe, për kënaqësinë e vet dhe lekët e veta, mund të botojë çfarë t’i dojë qejfi, por ama, nën ombrellë e institucioneve shtetërore përkatëse, të hedhë në treg një libër të lig, që e përjashton gjysmën e letërsisë shqipe, nuk duhet kaluar pa u përgjigjur në pyetjet e shtruara.

    P.s.

    Dhe në fund, në vend që të diskutonim për standardet e projektit, për përzgjedhjet e poetëve dhe poezive të tyre, për statuset që autori ua vendos të përzgjedhurve në hierarki, si e vendos dhe ku e vendos veten autori i antologjisë në këtë renditje   dhe hamendësime të shumta që, edhe e tillë çfarë është, ajo ha debat të fortë, për fat të keq ne merremi me lugatin kufi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË