NE TË DY NË PLAZH
Ikëm.
Plazhi tani tregon kujtimet tona.
Si heshtëm,
si u pamë,
si na mbinë luleprekje
mbi lëkurë.
Ikëm.
Perëndimi
na fishkëllen si himn.
Vallëzim i vetëm i pafund
shënohesh
mbi rërë rrëmujë.
O Zot, çfarë kaosi i bekuar.
ËSHTË NJË MALL
Eshtë një mal i kaltër diku lart mbi mall
ku hije njeriu s’është ngjitur e gjallë
dhe një gur i hirtë që mban, ah, mbi shpinë
vet’ mua Sizifin plot brengë e trishtim.
Gjithë jetën e lume në ngjitje pafat,
në ngjitjen- rrëzim që kurrë s’u ndal
e kurrë s’arriti as vdekur as gjallë
në malin e kaltër atje lart mbi mall.
Kuptim i mallkuar që s’kishte kuptim,
kryqi i damkosur mbi mëkatin tim
si vdiq i harruar, vallë si u ringjall?
Është një mal i kaltër atje lart mbi mall.
HEROJTË
Herojtë janë të vetmuar.
Janë si yjet, të largët.
I duam
por kurrë nuk bëjmë dot diçka
që ju ngjan atyre,
diçka siç e bënin ata.
Ata heshtin
piedestaleve,
bronxin mbushur trishtim
me historitë si rrudha
ngrirë nëpër kapota.
Herojtë fishkëllejnë vetmi.
Ata nuk duan
që t’i kujtojmë
vetëm me shkak.
Ndaj brenda tyre bën ftohtë,
era kuis fatin e tyre
dhe këngët tona s’i ngrohin.
Më mirë t`i linim gurët gurë
siç ishin në mal
pa sy, pa kokë e pa duar.
Herojtë,
herojtë janë të vetmuar.
KRIJIM
Dikur mbretëronte bukur errësira:
s’kish yje, s’kish vdekje dhe prandaj
paqja ishte e vetmja gjurmë jete
që klithte vetmas veç himnin e saj.
Atëherë nuk kish mure me hije të kuqe
as murg plot me lutje lidhura në fyt.
Brenda trupit tim ende nuk qe rritur
druri prej të cilit u bë kryqi yt.
PORTRETI JUAJ
Qiell mbi re.
Nën re
kumbojnë pengje dhe shi.
Shiu rrëshket
nga sytë e mbyllur
të vjeshtës.
Strehët u mbushën
plot të pathëna.
Ejani të trishtojmë
si ftonj
nën kubenë
e natës së vërtetë.
….Dhe nata shkëlqen
si kamë
PEMA
U ngurtësova.
Më mbinë gjethe
dhe krahët m’u bënë degë.
U bëra pemë.
Poshtë tyre vara si lodra
sytë e zinj të shikimit,
pak heshtje- imitim flokëbore
dhe vetëm një zile të kuqe të vogël.
Se vetëm një zemër kisha.
I bleva te shitësi ambulant
që vertitej gjithë jetës brenda meje.
S’kishte shitur kurrë asgjë,
nuk i kishte blerë askush.
-Bliji të gjitha- më tha,
-bliji se kam mbetur shumë ngusht.
Pema nuk doli e bukur.
Kaq pak lodra,
asnjë pako nga ato të lidhurat me kordele.
Ah kordelet e mrekulleshme
të dhuratave.
Nuk bëra dot asgjë për ty.
Do thuash “jo, mjafton”.
E di që s’do bindesh.
Por të paktën ma prano si dhuratë
këtë pemë që lekundet “Trishtlindjesh”.
IDIL 4
Le të bëjmë një pakt
e të heshtim të gjithë.
Të mos i themi
të harruarat,
të mos i themi ikjet
as vdekjen e fjalës…
se nuk përmendet puthja
në shtëpinë e plagës.
PËRRALLË QIELLORE
Ndiqeshin dy yje
nëpër qiell
shoq me shoq.
Më ra njëri përmbi mall
edhe u dogj.
MERRMA
Merrma at’ fije g’zim
e ngjite te flokët si emnat.
Mos me m’mbetë puthja
pa epitaf
kur t’fryjnë marritë e ernave.
Ma shkul at’ lumni t’ vogël
sa dora jote
kur u lind prej nji himni-
ta kesh me veti kur t’marrë malli
për me i shkrue ndoj letër
pikllimit.
MËKATI JEM, MËKATI YT
Kur t’kem le prej fillit t’vetmisë
s’mbushun plot bekim dhe pyje
ti do t’jesh vallja e verdhë ndër gjethe
tek pikllon udh’timesh brenda meje.
Kur t’ia tham qillit fjalën e vetme qi di
at’ me t’cilën pag’zova frymë e trup,
ti do t’jesh bima, ti ke me mbî si tingull
n’për kangët qi kurrë s’i kndova.
Kur t’ndalë zemra jeme prej qershie
dhe si oborr t’hesht plot shikim e terr,
ti do t’jesh rapsodia e verbueme e fatit,
e andrrës qi n’dritë t’shpirtit m`pat.
Kur t’rrëfej n’ditën e mbrame,
paj, tanë m’katet e mi t’pjekun kuq,
do t’jesh ti ajo qi do digjesh n’ Parajsë
dhe me flakët e saj do t’bajsh nji trandofil.
VARKA DHE LUMI
Një vit, shtatë jetë, nëntë vdekje
plot e përplot e bukur jeta jonë.
Me çfarë ngarkuar ajo varkë
po mbytet n’Akeron?
Nëntë valë, shtatë brigje, një mort- lot
harrim i bukur e përplot ky fat.
Çfarë pengu mban i buk’ri Akeron
që shuhet nëpër Had?
I DËNUARI ME VARJE
Kishte.
Deri sa iku.
Pastaj ëndrrat mbanin erë litar.
Iknin të ndara katërsh.
Dritare e vogël
për sytë e natës së fundit.
Kollitej qielli në qeli
nga retë e duhanit të tij.
Akrepat i ngecin në grykë
si ai gulçi plot vaj
që ta shkakton një tregim i trishtë.
Ditët numëronin mbrapsht
orët që binin nga pema
e oborrit.
I kishte mbetur dhe një ditë.
Dhe nje orë.
Asnjë.
U zvogëlua sërish,
u bë fëmijë.
Sa mirë që ike vogëlush.
Këtu brenda nuk kishte
shilarse.
GËRMA MBI DIMËR
Âsht nji pyll
përtej dritares
ku klithin foletë
e gjethi përqesh vedin.
Pemët e mbîme
n’qill dëshp’rimi
han secila blerimin e vet
ngujue n’grevë kuptimi.
Âsht nji pyll
përmas kohës
thye tan copash
n’degë t’kujtimit.
Ani.
Na marrtë t’zezën
e bardha e dimnit.