More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAleksandër Çipa: Tharja kulturore prej regjimit korruptiv

    Aleksandër Çipa: Tharja kulturore prej regjimit korruptiv

    Romani “Pushteti i kancerozëve” i autorit Kleo Lati

    Reagimi social dhe politik i shkrimtarëve aktualë, përmes letërsisë që sjellin është një shërbesë e vyer për lexuesin aktual shqiptar, i cili duket se gjendet në një hapësirë me kaos, pa rend, pa struktura meritokratike dhe në anarkinë e mungesës së një sistemi me referenca.

    Gjatë dekadës së fundit dhe jo vetëm, entet botuese të letërsisë shqipe, në krejt hapësirën shqiptare, kanë sjellë e sjellin botime dhe tekste cilësore e me risi tekstuale.

    Mund të flitet tashmë edhe për një lloj të ri letërsie të angazhuar, por pa tabu dhe pengime ekstraletrare, pa reminishenca me socrealen e anatemuar. Kemi të bëjmë me një letërsi aktuale, realiste, me risi dhe ndikime të asimiluara teknikash nga rryma dhe shkolla dhe përvoja letrare në rajon dhe arealet letrare ndërkombëtare.

     Të ngjan se motivimi angazhues i shkrimtarëve është i njëjtë me konstatimin e A.R.Ammons, kur thotë” …se shkruan për t’u bërë pjesë e një bote nga e cila ndjehem i dëbuar”. Degradimi moral, korrupsioni malinj-kanceroz, bjerja dramatike e ndërgjegjes morale, zhbërrjet strukturore të familjes dhe shoqërisë, hipokrizia kriminale brenda tyre dhe sidomos ekspozimi gati sundonjës I personazheve të një shoqërie me paskrupullsi dhe makutëri balzakiane, janë arsyeja madhore pse shoqëria shqiptare, në periudhën e ashtuquajtur tranzicioniste, është dëbuar dhe vijon të mbahet nën regjim dëbimi prej së mirës, cilësores, morales dhe ndërgjegjes pozitiviste kolektive. Prej këtij realiteti shkrimtari  Kleo Lati mishëron tekstualisht motivin jo fotografues, por përshkrues për një dramë e cila nuk mund të mbetet në fuqi e nuk mund t’i ketë personazhet e veta jetëgjatë në tablonë e gjerë dhe në krejt kohësinë shoqërore.

    Qëndrimi që mishëron në romanin e vet më të ri, shkrimtari rezulton duke vendosur në epiqendër të subjektit, panoramën alarmante të thatësirës kulturore dhe intelektuale të Shqipërisë së sotme, dhe fatkeqësisht, në krejt marrëdhënien dhe rrafshin e shfaqjes publike të shoqërisë sonë. Libri i tij, si thelb të lëndës shkrimore mbart pasqyrimin e koncentruar dhe brengën intelektuale të shkrimtarit për thatësirën kulturore aktuale në vend. Nëse do ta thonim me leksikun lokal të Bregut të Petro Markos, ( nga është edhe shkrimtari Kleo Lati): Kserimi(tharja) kulturore është në faqen e parë të romanit “Pushteti i kancerozëve”.

    “Pallati i pushtetit” në roman është i banuar, seksion më seksion dhe skutë më skutë, nga banorë, prototipa të korrupsionit dhe abuzivizmit, nga antilexonjësit dhe shpërfillës patologjikë  e injorantë të kulturës.

    Në këtë “pallat” nuk larton asnjë shtat antikorrupsionisti, madje as ai i kryeqeverisësit të tij, sikundër shfaqen e bëhen të dukshëm e të shqueshëm krejt karakteret dhe mantenutat gjuhë e trup-shërbyese për luks e vjedhje, për shtirje dhe klasë pa klas apo antiklas.

    Autori ka zgjedhur ta nisë romanin me një pretencë paralajmëruese të një avokati në ligjërim publik, sipas modulit të Jozef.K së Kafkës.

     Eshtë reaksioni verbal intelektual i personazhit Avokatit, që shpërthen sepse në këtë vend dhe shoqëri që adreson romancieri, askush nuk është në vendin e vet të duhur dhe askush nuk peshon pasojat dhe dëmet, por hyn makutërisht në shërbesa prostituitive dhe korruptimi degradues.

    Ky është romani që ofron një sprovë autentike për ta zbardhur realitetin tonë socioburokratik dhe për ta lënë atë në një vepër letrare. Eshtë një tekst pa metateks specifik. Sepse ka dashur ta japë pa asnjë ndërhyrje pas-spartuese realitetin karakterologjik të korrupsionit, nëpunësisë dhe burokracisë ala-tranzicioniste shqiptare, arkitekturën e qeverisjes së korruptuar të anarko-pluralizimit shqiptar në kohën e viteve 2020.

    Autori, jo pa qëllim, ka huazuar nga imazhi real i përditshmërisë shqiptare karakterin e një avokati të së drejtave dhe dëshirave publike. Në formimin dhe sidomos tendencën e tij, dominon qasja pro euroatlantike dhe sidomos ndaj kulturës dhe mendimit oksidental.

     Sarkazma, ironia, qesëndia dhe sidomos qortimi i drejtëpërdrejtë prej tij, i deformimit dhe prapambetjes aktuale në sferat e qeverisjes janë mjete të përdorura me aftësi shkrimtarie prej autorit. “Sistemi për skrap” sic do ta quajë miku dhe studiuesi mendjehollë Gëzim Basha, duket si i tillë kur vërehet gjendja dhe thatësimi tronditës i intelektualizmit dhe sidomos shtetarësisë shqiptare në këtë roman. Personazhet e tij si Jetnori, Diana, Bledari, Denisa, Bankieri janë përdorur me aftësi karakterizuese prej shkrimtarit për një shoqëri boshe, elita e së cilës ia ka lënë vendin dukjes dhe mjerimit substancial.

    Shkrimtari Kleo Lati në këtë roman respekton principin se “Në jetë – edhe në letërsi – asgjë nuk ndodh rastësisht.”

    I gjithë subjekti i romanit përmban një kumt të qashtër shpëtues për shoqërinë aktuale. Në thelb të të cilit është nevoja për një proces reformues dhe përmbysës: dekorrupsionizimi i superstrukturës dhe burokracisë së shoqërisë së sotme.

    Në fakt kjo nevojë për shkak të përmasave reale konkrete në realitet, të le në dilemën se është një proces utopik. Mirëpo është i vetmi shpëtues, nëse ngjet dhe sipërmerret prej vetë shoqërisë së pushtuar nga ky kancerozitet së pari në ndërgjegje e më tej në superstrukturë. Shkrimtari, pa kërkime të qëllimshme, por me aftësinë shkrimore të një qashtërsie dhe thjeshtësie mjeshtërore ia ka dalë ta japë tablonë specifike dhe të fotografueshme të këtij ndryshku, kalbjeje dhe degradimi të thellë njerëzor. Në sytë dhe mendjen e lexuesit, duke kaluar tekstin tërësisht, krijohet imazhi real dhe asosacioni konkret për këtë “kënetë me luks” në të cilën gëlojnë e shfaqen, me ar në veshje dhe llum në shpirt e ndërgjegje, personazhet e romanit.

    Është një raport i shkëlqyer që ndërton autori (kur ndodh leximi dhe përputhshmëria) me realitetin social të subjektit romanor. Personazhet e tij janë evidentues atipik të zhgënjimit moral dhe ndërgjegjësor të marrëdhënies mes përfaqësuesit, të zgjedhurit, qeverisësit dhe shërbëtorit brenda strukturës shtetërore dhe individit në kolektivitetin aktual shqiptar. Madje, për shkak të injorimit dhe shpërfilljes dramatike të nevojës dhe rolit moral në shoqëri, në njerëzi, në familje dhe raportet mes tyre, shoqëria nuk përpëlitet vetëm në zhbërje, por në fatalitetin e papeshueshëm. Jo vetëm tek romani “Pushteti i kancerozëve” por në pararendje të këtij botimi me romanin “Shpirtra të shitur”, autori mbetet në brengën dhe konstatimin e vdekjes kulturore, zbrazjes shpirtërore të shoqërisë së sotme. Sipas tij kjo vdekje ka për shkaktar “pushtetin kanceroz” dhe për mjedis-lindës të saj, pushtetin e korruptuar dhe orgjitë e tij. Krejt kjo lëndë vjen përmes një thjeshtësie mjeshtërore rrëfimi, një përkujdesi dhe qashtërsie gjuhësore për të cilën rëndom ndjejmë tashmë mall dhe  të cilën, pothuajse e humbasim përherë e më tepër, për shkak manierash dhe fanatizmash idiomadashjesh gjuhësore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË