“Klithma”, i autores Alketa Gashi Fazliu
Libri “Klithma” është hise e plotë zërash dhe shpirtrash që rrëfejnë, gjymtimin në moshë fëminore, të personave realë tashmë të rritur. Janë tetë tregime që dëshmojnë një barbari të cilën e kemi hequr prej syve dhe nuk e kemi kthyer në provë tronditëse për pasardhësit dhe për të tjerët. Ky ka qenë realiteti ynë epiko tragjik të cilin ndryshe, duhej t’ua shtonim me kohë provave genocidiste të Serbisë në Kosovë.
“Historia-kjo dinamikë e viktimave”, thotë Emil Cioran, në Kosovë shënon sparagmosin serb jo të hyjnive, por të një regjimi mizor pushtuesi.
Shqiptarët e Kosovës duhet të mbesin vijimësisht në këtë rrekje për ta dëftuar atë histori gjakimesh e gjymtimesh që nuk përjashtoi moshat e vogla, aq më tepër fëmijët.
Rrëfimtarët në këto tregime reale, janë ish fëmijët që në rrethanat e luftës në Kosovë u gjymtuan, ndryshuan jetën e trupave dhe gjymtyrëve të tyre të njoma, por njëkohësisht edhe raportin me jetën vetiake të mëpastajme.
Këto janë histori drithëronjëse, si provë e vonuar për dijen dhe dijeninë e lexuesve, madje edhe për historishkruesit e Luftës në Kosovë.
Në të gjitha faqet e librit “Klithma”, të autores Alketa Gashi Fazliu, si një zë prej providence të kumbon apeli i shenjtë: “Ka gjashtë gjëra që i urren Zoti… duart që derdhin gjak të pafajshëm.”…!
Në fjalët e këtij libri kullon dhimbja dhe të zgjohen imazhe të llahtarshme me gjymtime e cungime të forta trupore të fëmijëve që janë në ecje apo në lojnat e tyre. Eshtë fjala për tregime me trupaprerje minorenësh(!). Por jo vetëm kjo tragjedi.
Janë rrëfenja për rënien në humnerat e thella të dëshpërimit, të fundosjes psikologjike dhe më pas, për triumfin e tyre njerëzor. Aty ku rrëfehet drama dhe tragjedia kurmcopëtuese, njëherësh lartësohet një fisnikëri e pashoqe, jo prej viktimash, por prej triumfalistësh, duke mos mbartur në asnjë skutë të ndërgjegjes dhe psiqikës së tyre, shenjë urrejtjeje apo hakmarrjeje.
“Klithma” është një libër që mbart adresën dhe emrin real të fëmijës që u gjymtua nga shpërthimi barbar që shkaktoi kasaphanë, tek Tregu i Mitrovicës, në 13 mars të 1999. Eshtë historia tragjike e asaj fëmije tashmë të madhuar e cila “gjymtimin e vet e pa, pasi doli nga kllapia”.
Kjo heroinë e pashpallur e kësaj dite marsi, risjell aq qashtërsisht (përmes rrëfimit tek shkrimtarja), episode si në tragjeditë antike apo atyre të luftërave nga letërsia e madhe e njerëzimit, ku pacientja e vogël e gjymtuar, vërrente ushtarakët dhe bishat pushtuese në të njëjtin spital.
Por njëherësh, në këtë libër, mes kohës së fëminisë dhe momentit të të qenit tashmë personazh i rritur, përcillet aq mencurisht dhe aq thukshëm trishtimi i së sotmes, e cila sipas shkrimtares, shenjohet aq domethënshëm:” Plagosja e shpirtit pas lufte.., më e gjatë se dhimbja e plagëve në luftë…”
Ky libër nuk ka vetëm forcën e vlerës dëshmuese apo peshën kuptimore të një artefakti autentik për pasojat dhe barbarinë e pushtuesit mbi civilët dhe kryesisht fëmijët në Kosovë.
Ky libër është antologji sintetike e dhimbjes dhe e ndodhive fëmijëgjymtues.
Rrëfimtarët e tragjedive dhe dramave të tyre janë të gjithë shpirtbukur dhe ngadhënjimtarë fisnikërie.
Njeri prej tyre është vijimësisht në lartësinë e përgjegjësit dhe shërbyesit të shëndetit mendor për fëmijët e vet kur shprehet se :” Fëmijës sim nuk ia rrëfej luftën e fëminisë sime”.
Personazhet realë të librit “Klithma” janë heronj të kohës post-tragjedi, kryelartë në sakrificën e tyre që “ jetojnë lirinë me gjysëm trupi e gjysëm zemre” .
Drama dhe ndodhitë e jetës së Arben Gurit meritojnë atë sintezë pohuese që shkrimtarja Gashi më së miri e shpreh përmes nëntitullit:” Fjalët që ma çanë zemrën më shumë se shpërthimi i bombës”.
Historitë e personazheve pas tragjedisë trupore, janë tregime mes tregimesh.
Janë tekste të sjella aq thjeshtësisht në stil që të imponojnë përjetim dhe drithërimë. Janë subjekte nga ato jetë që kanë hise kuptimplota heroizmi njerëzor.
Ky është libër i mbijetesës stoike shqiptare në viset e Kosovës.
Në tërësinë e episodeve të këtyre tetë tregimeve reale të befasojnë dhe shkaktojnë emocione e rrënqethje të forta ndjenjat e thella dashurore, dhembshuritë e veçanta shpirtërore, ndiesitë e shumëfishta prindërore dhe në mënyrë të përveçme: ndërlidhjet psikogjenealogjike brenda familjes dhe shoqërisë shqiptare edhe në kohë e mot të një tragjedie si lufta dhe egërsia fatbjerrëse e pushtuesit.
Nga gjendja dhe raporti i sotëm, Atifete Gashi në librin “Klithma” e vetëklasifikon ndodhinë tragjike të fëminisë si “histori filmi”, sepse sikundër rrëfen :” Tragjedia ime familjare nis prej kur isha foshnje e vogël. Babai im vdiq i ri. Kur isha dy muajshe. Ai ishte 27 vjeç. Unë bebe e
vogël. Motra ime ishte dy vjeçe. Nëna shkoi…na la…ishim vajza të vogla..Na rriti gjyshja. Asaj i thonim mam…”
Mjafton ky pasazh të përfitosh plotësisht perceptimin e një tragjedie që do ta kishte zili çdo regjisor filmash. Sikundër simotër e kësaj tragjedie është edhe risku i fatit ekzistencial në episodin: ‘Fëmijë në trenin e tmerrit”.
Intensiteti rrëfimtar në këtë libër, përbën një ndër vlerat shkrimore, por shpërfaq edhe sqimën autoriale dhe elegancën letrare të Alketa Gashit. Sjellja në një gjuhë standarte e rrëfimeve bëhet qasje e vetëdijshme kulturore e ndërgjegjeje shkrimore për një perimetër të gjerë leximi në vise e matanëvise të shqipes.
Autorja, përmes një stili të përkorë në thjeshtësinë e vet, ia ka dalë jo vetëm të formësojë një libër ekstrazhanror, por ta sjellë krejt tekstin e librit “Klithma”, si një shkrimtarësi në funksion të memorialistikës faktologjike për çmimin dhe pasojat e Luftës në Kosovë.
Duke zgjedhur ndodhitë dhe tregimet epike mbi një kategori aq divine moshore, si fëmijët, shkrimtarja e sjell këtë libër imponues si për të ndjeshmit edhe për të pandjeshmit, mjafton që të dytët, të kenë thjesht një zemër dhe mendje.
Të tetë tregimet janë klithmë për fëmijë-vrasjet serbe, në Kosovën e fundviteve ’90-të.
Të tilla klithma, sa tronditëse dhe epike, kanë të gjitha një paskohësi tjetër, të fisme e optimiste si prej heronjsh të heshtur. Janë si në kumtin e vargut të Visar Zhitit tek libri i tij “Dritë që ecën zbathur”: “Sa jetë ka edhe pas jetës…”
Këtë të vërtetë, vijueshmërisht në ndodhje, autorja e sjell si pohim të vetë heroit real të saj;
” Do të jetoj bukur, edhe pse përgjysëm”.
Sepse të gjithë rrëfyesit e pazakontë në këtë libër janë shpirtgjerë dhe me një barrë përgjegjësie të aq shpeshdëshmuar për prindërit, vëllezërit e motrat, bashkëfëmijët si dhe për pasardhësit e tyre, në kohën dhe jetën e mëtejshme, pas gjymtimit.
“Klithma” nuk është libër me rënkime dhe lëngata fatale. Eshtë një vepër me peshë rrëfimesh, por gjithashtu edhe kumtesh, edhe refleksionesh. Personazhet realë janë qytetarë sokratikë që dhimbat dhe plagët e lirisë i mbartin ndoshta ende në trisht si të luftës.
Përballja e tyre me sfidat sociale dhe psikologjike është madhështi dhe heroizëm qytetar. Dëshmohen si mirënjohës dhe urtakë mendjefortë, si ngadhënjimtarë të dramave sociale, të mospasjes dhe të pengimit paragjykues në jo pak raste. Jeta e tyre është e tillë që të mban në asosacione hygojane për nga kontrastet dhe zinxhiri i dramave pasuese. Ata janë naratorë të fismë të kalvareve të tyre në dy kohë: atë të luftës dhe të pasluftës.
Të gjithë rrëfimtarët e zgjedhur për në tekstin e këtij libri, janë autorë të epitafit të bukur e kumtimtar të jetës së tyre kalvarike.
Në pjesën epiloguese të librit, rrëfimi për “Rrobat e fshehura nën dhe, artefakti i vetëm nga e kaluara”, ka vlerën potenciale të një dëshmie që do të impononte çdo gjykatë dhe prokurori për të hapur hetime dhe procesin e pashmangshëm të hetimit të krimit, të spastrimit dhe genocidit barbar.
Sikundër e tillë edhe historia e Burim Përteshit për “rrëmbimin e burrave pas disa arrative të lodhshme” në atë korrik të 1986 në Duhle të Suharekës (Therandë), apo për :” Bunarën e tragjedisë së 11 jetëve të ndërprera”.
Autorja e këtij libri e di fort mirë se “shenjtëria shkakton drithërima”, prandaj i ka qëmtuar tetë tregime për librin “Klithma”, në emër të një të vërtete dhe të drejte kombëtare shqiptare që nuk lipset të harrohet e të humbasë.
Sikundër klithma maksimalizon vëmendjen njerëzore edhe ky libër, me këtë titull dhe lëndën e tij, na mëson të fiksohemi tek ajo kohë e tragjedisë dhe dramave që shkaktuan pushtuesit e dëbuar.
Barbarët në atë luftë copëtuan dhe gjakuan fëmijë të cilët në kohën e lirisë jetojnë dramën si invalidë dhe mungesa, por tashmë si të rritur.
”Klithma” si libër, nuk është vetëm për atë të shkuar, por në rastin e personazheve të gjetur prej autores, ka vlerën e asaj që ka pohuar Milan Kundera:”…, si akt rezistence”.
Duke rikthyer me vetërrëfim personazhesh realë, atë që ka ndodhur, Alketa Gashi Fazliu ekspozon në sytë, në mendjen dhe ndërgjegjen tonë si lexues, dinjitetin dhe historinë e tyre.
Me talent ia ka arritur të evidentojë si faktmbledhëse, pamundësinë e tragjedive të këtyre ish fëmijëve për ta çrrënjosur njeriun nga vetja e tyre.
Rrëfimi në këtë formë shkrimore i atyre ndodhive të ferrta, është mënyrë autentike për të mos humbur vetëdijen tonë historike ndaj gjakimit dhe gjymtimeve që shkaktuan me tepëri pushtuesit dhe lukunitë e tij, në akte pentheniane mbi fëmijët e tokës shqiptare.


